OPINION

Një mandat i tretë i Ramës, si ai i arratisjes së Gruevskit

08:30 - 21.04.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nikola Gruevski, ish-Kryeministri i Maqedonisë Veriore dhe ish-kryetari i partisë VMRO-DPMNE, sot mbahet mend për qeverisjen e korruptuar dhe vjedhjen e zgjedhjeve. Karriera e tij politike përfundoi me arratisjen e tij për t’iu shmangur arrestimit, gjë që ia mundësoi Edi Rama, duke e lejuar të kalonte si udhëtar i rregullt në pikën e kalimit kufitar të Shqipërisë me Malin e Zi, edhe pse Gruevski nuk kishte një pasaportë, e cila i ishte konfiskuar në vendin e tij, arsye për të cilën ai kishte hyrë si klandestin në Shqipëri. Policia shqiptare duhej ta kishte arrestuar Gruevskin për kalim të paligjshëm kufiri dhe eventualisht edhe për falsifikim dokumentesh. Por policët ‘mbyllën sytë’ me urdhër politik të kryeministrit Rama.
Me siguri që Rama ka menduar se, nuk dihet çfarë ndodh, nesër mund të kem edhe unë hallin e Gruevskit, dhe për këtë arsye, ka thënë me vete, duhet treguar solidaritet mes kolegëve-kryeministra të korruptuar që rrezikojnë të shkojnë në burg.
Gruevski fitoi katër herë në zgjedhjet parlamentare, por vetëm fitorja e parë, ajo në vitin 2006 ishte një fitore në zgjedhje të rregullta dhe të ndershme. Megjithëse Gruevski i fitoi katër herë zgjedhjet, ai qëndroi në pushtet jo gjashtëmbëdhjetë vjet, sa ç’duhej të rrinte normalisht me katër mandate të plota, por vetëm për nëntë vjet e gjysmë, nga gushti 2006 në janar 2017. Arsyeja ishte se ai u detyrua që të bënte tri herë zgjedhje të parakohshme për shkak të presionit të opozitës dhe të partnerëve perëndimorë. Mandati i fundit i Gruevskit si kryeministër zgjati një vit e gjysmë dhe përfundoi me dorëheqjen e tij, largimin përfundimtar nga pushteti dhe më pas me arratisjen e tij nga vendi. Megjithëse Gruevski ka vite që është larguar nga pushteti dhe politika, sistemi i korrupsionit që kishte ngritur ai vazhdon të lërë pasoja, madje edhe në vende të Bashkimit Europian si Gjermania. Një vit më parë, një deputet gjerman dha dorëheqjen nga Bundestagu sepse u zbulua që kishte marrë ryshfet nga Gruevski për ta mbështetur atë në një fushatë elektorale në Maqedoninë Veriore.
Nëse Rama merr mandatin e tretë qeverisës, gjë që siç po duket qartë mund ta marrë vetëm duke vjedhur zgjedhjet e 25 prillit, ky mandat i tij do të jetë njëlloj si mandati i fundit i Gruevskit.
Rama e ka në dorë vetë që të ndjekë shembullin e Sali Berishës në 2013 dhe të Fatos Nanos në 2005, duke e lënë pushtetin pa tentuar të manipulojë zgjedhjet, por duke respektuar vullnetin e lirë të popullit, apo të ndjekë shembullin e Gruevskit duke marrë një mandat tjetër qeverisës me votat e vjedhura. Në qoftë se Rama ndjek shembullin e Berishës dhe Nanos, ai do të kujtohet së paku për një gjest të mirë; nëse ndjek shembullin e Gruevskit, ai vërtet do të marrë një mandat tjetër si kryeministër, por që nuk do t’i vlejë, sepse nuk do ta konsumojë dot as deri në mes dhe pas largimit do të arratiset si Gruevski.
“Kambanat bien për atë që ka veshë të dëgjojë”, thotë një proverb. Gruevski nuk kishte veshë të dëgjonte kambanat që binin në mënyrë alarmuese, me paralajmërimet e ambasadës amerikane në Shkup se, nëse qytetarët e Maqedonisë Veriore donin ndryshimin, atëherë duhej të votonin për ndryshimin. Të njëjtën gjë ka thënë para zgjedhjeve në Shqipëri ambasadorja amerikane, znj. Juri Kim. Në këtë deklaratë ishte shprehur në gjuhë diplomatike një paralajmërim për Gruevskin dhe një mesazh për qytetarët e Maqedonisë Veriore. Paralajmërimi për Gruevskin ishte se koha e tij kishte mbaruar dhe se ai nuk duhej që t’i vidhte zgjedhjet. Për qytetarët e Maqedonisë Veriore mesazhi ishte që të votonin me kurajë opozitën. Deklarata amerikane u përsërit në një mënyrë apo në një tjetër edhe nga ambasadat e vendeve partnere. Gruevski nuk e dëgjoi paralajmërimin dhe bëri sipas mendjes së tij, duke i vjedhur përsëri zgjedhjet. Por fitorja nuk i vlejti shumë. Qytetarët e Maqedonisë që e morën mesazhin e partnerëve ndërkombëtarë nuk e pranuan vazhdimin e regjimit të Gruevskit me një mandat tjetër dhe u ngritën në protesta që e detyruan Gruevskin të japë dorëheqjen dhe madje të largohet nga politika.
Ramës duhet t’i mjaftojë shembulli i Gruevskit për t’i thirrur mendjes dhe për të mos i hyrë rrugës që e çoi Gruevskin në arrati. Kjo rrugë për Gruevskin nisi me vjedhjen e zgjedhjeve të 13-27 prillit 2014 (zgjedhjet u mbajtën me dy raunde), ato që i dhanë mandatin e tij të fundit të ndërprerë si kryeministër, apo më saktë mandatin e arratisjes. Për një koincidencë, edhe këto zgjedhje ku Rama kërkon mandatin e tretë mbahen në prill. Rama më pas ndoshta do të thotë se Presidenti Meta qëllimisht e caktoi datën e zgjedhjeve në prill, për të hequr një paralele mes këtyre zgjedhjeve dhe atyre në Maqedoninë Veriore në vitin 2014.
Të gjithë po e shikojmë se çdo ditë e më tepër dalin fakte skandaloze që na tregojnë se partia në pushtet dhe vetë kryeministri Rama janë të bindur se nuk i fitojnë dot zgjedhjet në mënyrë të ndershme dhe të rregullt, prandaj po përdorin një mijë e një mënyra të parregullta për t’i fituar ato me anë të manipulimit, jo duke vjedhur në kutitë e votimit, por duke i marrë votat me blerje, presione etj. Pjesëmarrja e lartë në mitingjet e kryetarit të opozitës Basha, ku duhen llogaritur edhe ata që mungojnë për shkak të frikës nga pandemia, tregon se 25 prilli do të jetë një referendum ku do të votohet në radhë të parë kundër qeverisjes së keqe të Ramës, përveçse për programin e opozitës të paraqitur nga Basha dhe kandidatët e PD-së.
Të gjitha shenjat janë që, në 25 prill shqiptarët do të dalin për të votuar aq masivisht kundër Ramës, saqë nuk do të jetë e nevojshme pastaj për skenarin e tipit “Gruevski” për largimin e Ramës. Dhe kjo do të ishte gjëja më e mirë, sepse Shqipëria nuk ka kohë për të humbur me eksperimente të tilla si mandati i tretë i një kryeministri që nuk ka bilanc qeverisjeje në dy mandatet e para dhe të vetmet gjëra me të cilat mburret janë ato punë që i nisi dhe çoi deri afër përfundimit PD-ja kur ishte në pushtet. Është koha që Rama të shkojë e pakta pranë Gruevskit, mikut të tij që e shpëtoi nga burgu. Them “e pakta”, sepse ai meriton të shkojë në burg për bëmat korruptive gjatë qeverisjes së tij tetëvjeçare.




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.