OPINION

NDAL dhunës!

10:18 - 24.04.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një formacion politik në një shoqëri demokratike e  mbron votën me denoncim në strukturat e Policisë së Shtetit, sa herë dyshon apo sheh se ajo mund të shitet apo vidhet. Sado pak e besueshme të jetë Policia e Shtetit, sado raste të hidhura të është dashur të provosh në të kaluarën në vjedhje dhe shitje flagrante të votës si politikan apo militant partiak , në demokraci ke rënë dakord të të ruajë nga këto krime të mirëfillta zgjedhore pikërisht kjo strukturë ligjore-Policia e Shtetit. Nëse organizon vetë grupe për ta ruajtur votën, për më tepër të armatosura, krijon shtet paralel. Kjo nuk mund të ndodhë në një demokraci, edhe pse kështu të brishtë e të paplotë si kjo e jona. Nuk është një opsion real, e jo më tepër një realitet apo zgjidhje. Një garë zgjedhore është një manifestim demokratik i vullnetit të lirë të qytetarëve për të zgjedhur ata që duan, dhe jo autostradë ku të çlirosh inatet e mbledhura dhe lëndinë ku të mbjellësh farët e zeza të urrejtjes. Kush toleroi, ose edhe më keq, nxiti krijimin e grupeve të armatosura për të mbrojtur votën, duhet ta dijë mirë se jo vetëm është larguar nga ndërkombëtarët, por edhe nga ajo “parti” e përhershme gri e shahut tonë politik, e quajtur “partia e të pavendosurve”. Ajo është e madhe dhe rritet gjithnjë e më shumë në çdo zgjedhje që bëjmë. Këto ditë mund të ketë arritur edhe 200 mijë anëtarë. Prandaj dhe është në interesin më të ngushtë zgjedhor të atyre që i toleruan dhe nxitën këto grupe, që një minutë e më parë të distancohen prej tyre. Të distancohen nga dhuna! Nuk është kurrë vonë për të ngushëlluar familjen e të ndjerit që humbi jetën tre ditë më parë në Elbasan dhe për të dënuar dhunën. Asnjëherë nuk është vonë. Kemi nevojë më shumë se kurrë të heqim nga tejet e mekanizmave zgjedhorë ndjenjat e urrejtjes së verbër për kundërshtarin. Në humbjen e jetës së qytetarit ne Elbasan, ka shumë urrejtje, shtet paralel dhe dhunë. Për demokracinë duhet të jenë të huaja ndjenjat e revanshit dhe hakmarrjes. E megjithatë, si qytetarë këto ndjenja i kemi parë të shkreptijnë në mjaft raste dhe kjo është shumë shqetësuese për atë çfarë do të ndodhë pas ditës së djelë 25 prill. Kemi dëgjuar apo përcjellë tregime të njeri-tjetrit, për shfryrje të tipit:”keni për ta parë çdo t’i bëjmë filanit apo fistekut sa të marrim pushtetin”. Revanshi është vëllai i vogël i urrejtjes dhe të dy janë motorrët që ndezin makinën e përbindshme të dhunës. Dhuna mund të ndalet vetëm në rast se ajo denoncohet, vetëm në rast se i largohesh asaj, e jo ta thërrasësh si masë ekstreme për të mbrojtur votën. Kështu nuk mbron demokracinë, por dhunën, kaosin dhe rënien e vendit në humbëtirë. Kemi humbur kaq shumë në këto 30 vjet garë gjysëm-demokratike në zgjedhjet tona vendore e të përgjithshme. Kemi parë viktima nga procesi i zgjedhjeve dhe protesta masive që kanë paralizuar vendin. Nuk kemi pse të kemi një paralizë të tretë, pas dy goditjeve mizore të natyrës, si Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe pandemia nga Covid-19. Do të ishte fatale për gjasat tona të zhvillimit, pikërisht tani kur ekonomia po e merr veten dhe eksportet e muajve janar-mars 2021 kanë kapur dhe kaluar nivelet e eksporteve të muajve janar-mars 2019. Prandaj dhe të gjithë si qytetarë, në pamundësi për t’u ngritur në sheshe për t’i thënë NDAL dhunës, duhet ta themi duke dalë të djelën të votojmë të gjithë, pavarësisht se kujt ia japim votën. Të dalim të votojmë, edhe duke mos e mbushur fletën që na jepet, nëse nuk na bind asnjë nga partitë dhe kandidatët. Por duhet të dalim, për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë!        




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.