KULTURË

Muzika dhe atdhedashuria – një binom i fuqishëm qytetërimi

11:34 - 26.04.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbi librin “Banda Kombëtare “VATRA” një histori unike shqiptaro-amerikane” të Prof. Vasil S. Tole




Kristaq BALLI* – Historia e krijimit dhe veprimtarisë muzikore të “Bandës Kombëtare Vatra” ka qenë një objekt i gjithhershëm i studiuesve, muzikologëve, historianëve, dëshmitarëve e kujtimtarëve për rolin që ajo ka luajtur në evolucionin e muzikës kombëtare shqiptare dhe mbështetjen patriotike e frymëzuese që ky formacion i ka kushtuar luftës e përpjekjeve të popullit shqiptar kundër pushtuesve për një vend të lirë. Por, të marra e konsideruara veç e veç, pavarësisht faktit që këto memoare kanë qenë gjithmonë vlerësime të padiskutueshme pozitive, ato mbeten fragmente ishullore e nga këndvështrime jo aq shumëplanëshe e përgjithësuese shkencore si nga ana muzikore edhe nga ajo historike. Ajo që studiuesin akademik Prof. dr. Vasil S. Tole e bën të veçantë e autentik në këtë “histori shqiptaro-amerikane” është se ai, me përvojën e tij të gjatë e të thellë në fushën e historisë së muzikës dhe muzikologjosë, ka arritur që ta konceptojë e sendërtojë këtë subjekt si një fenomen gjithëpërfshirës e rrezatues shqiptar e thuajse shterues nga shumë këndvështrime, ngjarje, fakte, personazhe, ide, dokumente e ilustrime, të lidhura bashkërisht me valenca të forta midis të vërtetave dhe aftësive të sprovuara të tij për t’i rivitalizuar, përgjithësuar e dëshmuar ato në një vepër voluminoze e me vlera unike.

Eshtë e vërtetë se “Banda Kombëtare Vatra” dhe Thoma Nassi (Nashi), pavarësisht se kanë vepruar në periudha e situata të ndryshme e konfliktuale historike (nganjërë armiqësore, apo të politizuara skajshmërisht) nuk është kontenstuar nga asnjë formacion shtetëror, politik e ideologjik (përveç gjatë pushtimit nazist, f. 396) që prej krijimit e deri në përfundimin e misionit të saj), madje edhe gjatë sistemit totalitar (por duke “harruar” emrin e Th. Nassit). Kjo ka bërë që autori të ketë në pëllëmbë të dorës, pa kufizim, një material origjinal, të padeformuar e të pasur nga çdo pikpamje hulumtuese, por nga ana tjetër është sqima, talenti, pasioni dhe përvoja e tij e konsoliduar dhe e vërtetuar nga krijimtaria e tij e mëparshme, që me këmbëngulje e virtytin e durimit si art mençurie e suksesi, para të cilit pengesat e vështirësitë zhduken, të gjurmojë, kërkojë, studiojë shumë, shumë për të mos e ‘humbur betejën’ me veten, pra për të arritur synimin e një interpreti të thukët shkencor e artistik të një eposi madhor në Historinë e Muzikës Shqiptare, si dhe në rolin e saj frymëzues e atdhedashës në rrethana të vështira gjeopolitike e historike.
Libri përfshin një subjekt i cili zhvillohet në një hark kohor të gjatë, duke patur zanafillën qysh me fillimin e emigracionin shqiptar në Amerikë në fund të shek. XIX, me format e organizimit dhe krijimit të shoqatave të veçanta bamirëse e atdhetare për vëndlindjet e tyre, më pas me bashkimin e disa prej tyre në nën Federatën Kombëtare “Vatra” (Prill 1912), e cila u bë zëdhënësja kryesore e idealeve të mbrojtjes së çështjes shqiptare në SHBA, por edhe në influencën e programit të saj patriotik tek qytetarët e Shqipërisë. Hollësisht evidencohen formacionet e shumta muzikore si bandat, mandolinatat, orkestrinat, grupet muzikore që funksiononin në kolonitë shqiptare në Amerikë. (f.20) Midis tyre, krijimi dhe veprimi muzikor i Bandës Kombëtare “Vatra” (Themeluar në Dhjetor 1916) për qëllime kulturore e atdhetare, përkoi në vitin 1920 me një ngjarje të rrezikshme për parcelizimin e Shqipërisë nga Italia, ose ndryshe që njihet si “Lufta e Vlorës” për çlirimin e krahinës së saj dhe Gjirokastrës nga pushtuesit italianë. Ky ishte një precedent i rrezikshëm historik që do të shënonte një prej kulmeve të veprimtarisë së Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe të Bandës Kombëtare “Vatra” në SHBA për të marrë një prej prej aksioneve të tyre më domethënëse në mbrojtje tërësinë territoriale shqiptare. Prej këtej, narracioni zhvendoset në Shqipëri, pasi një formacion vullnetarësh shqiptarësh emigrantë në SHBA, së bashku edhe me Bandën “Vatra” të organizuar si një trupë e vetme mbërritën në Shqipëri për të marrë pjesë aktivisht në mbështetje të formacioneve shqiptare të çlirimit të krahinës së Vlorës dhe për të ngritur nëpërmjet “muzikës e marsheve” moralin e luftëtarëve me mbështetjen e solidaritetin e tyre. Paraprakisht, ndërsa zhvilloheshin bisedime ndërkombëtare për çështjen e përkatësisë shqiptare të Vlorës, Banda Kombëtare Vatra realizon paraqitjen dhe turneun e saj në disa qytete e fshatra të Shqipërisë si në Durrës, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Korçë, Dardhë (vendlindja e TH. Nassit), etj., itenerar të cilin autori e pasqyron nëpërmjet dokumentesh, fotosh e artikujsh të shumtë të shtypit shqiptar të kohës, si dhe kujtimeve të dëshmitarëve okularë.

Untitled-4 Untitled-3 Untitled-2
<
>

Këtë qëllim e përmbushi edhe Banda Kombëtare “Vatra” si pjesë e këtij aksioni luftarak. Krahas të tjerash gjatë këtyre ngjarjeve u krijua edhe një prej këngëve të njohura patriotike si “Vlora, Vlora” (Kompozitor Thoma Nassi, teksti Ali Asllani) që shërbeu si një himn i kësaj lufte dhe që u përhap në të gjithë Shqipërinë brenda pak ditëve.
Paskëtaj arena e veprimit muzikor e Bandës Kombëtare “Vatra” bëhet Korça, ky qytet që sipas Mihal Gramenos “…ishte qendra e ndjenjave kombëtare..” dhe sipas Faik Konicës “…një vatër drite midis barbarizmës rreth e rrotull”. Sipas autorit ky terren e realitet i favorshëm qytetar i emancipuar përbënin prerogativën e një zhvillimi shpërthyes të aksionit për jetësimin e sigurt të një fryme të re e shumë më të përparuar të ngjarjeve të reja e të rëndësishme kulturore e artistike. Ato ardhën shumë shpejt me fermentin shpirtëror artistik të profesorit të muzikës dhe drejtuesit të Bandës Kombëtare “Vatra”, Thoma Nassi, që kish studiuar, që ishte kultivuar dhe provuar kombëtarisht e profesionalisht në SHBA. Me shumë fakte, shembuj, ilustrime, partitura, medie, por më shumë me veprimtari konkrete të njohura apo zbuluar rishtazi, profesor Tole i bën një tërtherrje të imët ontologjike gjithçkaje që lidhet me situatën kulturore, shoqërore e patriotike që induktohet tek populli i thjeshtë, institucionet, opinioni, e tërë jeta e njerëzve të çdo niveli e përkatësie dhe jo vetëm në Korçë, por edhe jehonën e sinergjinë magnetike që ajo përçoi në të gjithë hapësirën shqiptare. (f. 115-205) Ndoshta më i rëndësishmi, kapitulli Banda “Vatra” në Korçë përbën një tablo të plotë e të hollësishme të zhvillimeve dhe përparimeve kulturore e veçmas muzikore, apo teatrore në Korçë, por edhe influencën dhe timbrin social, qytetar e patriotik që ajo rrezatonte në të gjithë Shqipërinë. Koncertet e dendura të bandës “Vatra” në natyrë, apo mjedise festive, veçanërisht krijimi i shoqërisë së “Arteve të Bukura” (themeluar më 10 Dhjetor 1920) me nuklin e Bandës “Vatra”, organizimi i një bande tjetër të bashkisë, shfaqjet teatrale, koncertet vokale-instrumentale, disa artikuj të Thoma Nassit e Sotir Kozmos mbi domosdoshmërinë e rritjes së nivelit apo një fizionomie të re të muzikës popullore e qytetare, si dhe nevojën e njohjes e interpretimit të muzikës klasike botërore dhe krijimit të formacioneve moderne, etj, përbëjnë disa prej kontributeve madhore të Bandës “Vatra” e Shoqërisë së “Arteve të bukura” e drejtuesit të tij të palodhur Thoma Nassi. Më në fund realizimi i ëndrrës së tij për krijimin e orkestrës simfonike si “…forma më e lartë e veprimit muzikor (f. 136) u bë realitet më 6 Prill 1924, ndaj për këtë studiuesi V. Tole konsideron se “do të shkruhen një ditë me gërma ari në historikun e orkestrave simfonike dhe të muzikës s kultivuar në Shqipëri” (f.141)
Për shkak të rrethanave të reja politike e historike, rruga e Bandës Kombëtare “Vatra” do të merrte kthesa e drejtime të reja më gjithëpërfshirëse paralel me rrugën e evoluimeve të shtetit shqiptar. Kështu misioni i saj në Korçë mbyllet në vitin 1925, kur në Mars të po këtij viti ajo thirret në Tiranë për për t’u bërë bandë protokollare shtetërore e “republikës së parë shiptare” apo bandë presidenciale, më tej Bandë Mbretërore (më 1 Shtator 1928, f, 243) nën emrin e së cilës vijoi aktivitetin deri në vitin 1939, kur vendi ynë u pushtua nga Italia fashiste, e cila e lejoi ende veprimtarinë e saj kryesisht për ngjarje në shërbim të qeverive kukulla të kohës. Përkundrazi, gjatë pushtimit nazist, autori njofton se gjermanët i ndaluan veprimtaritë e saj e kështu në vitin 1943 banda zyrtare shqiptare u shpërnda.
Në një nënkapitull të veçantë pasardhës(11.1) Vasil Tole i përqëndron kërkimet e tij në krijimin e formacioneve muzikore gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare bazuar në këngët dhe muzikën patriotike të bandës “Vatra” si “Vlora-Vlora”, “Himni Kombëtar” si dhe në krijimin e “këngëve të reja partizane”, “këngët e rinisë”, “këngët e luftës çlirimtare” (f. 389) të kompozuara e interpretuara nga artistë e muzikantë të shquar si K. Dh. Leka, K. Kono, M. Krantja, G. Avrazi, F. Gjata, A.Varfi, K.Jakova, etj., të cilat çuan në formimin e formacionit muzikor “Orkestra Frymore e Ushtrisë Popullore” 0FUP në fshatin Priskë të Tiranës më 18 Tetor 1944 me dirigjent ish liceistin korçar, muzikantin profesionist Kristaq Panduku (f.396-397), e cila promovoi daljen e parë zyrtare më 18 Nëntor 1944, të nesërmen e çlirimit të Tiranës. “Ky ishte shndërrimi i katërt i Bandës Vatra “.(V. Tole, f. 401).
Pas çlirimit kjo orkesër frymore ushtarake ku kishte ende edhe pjesëtarë të Bandës Kombëtare “Vatra” që përbënin thelbin e saj, por i përforcuar profesionalisht e artistikisht u cilësua si formacioni i aktiviteteve më të rëndësishme festive e protokollare të shtetit të ri shqiptar.(cit. Alba Musaraj, f. 410). Riorganizimi, ngritja dhe lançimi i formacioneve korale e muzikore dhe i institucioneve të reja madhore e bashkëkohore gjatë viteve 1950-1990 e në vijim dhe jo vetëm në Tiranë përbëjnë edhe pasazhet e fundit të librit, me çrast në mënyrë imtësisht të provuara me dokumente origjinalë, faksimile, fotografi të shumta plotësojnë njëmendësinë letrare e imazherike të këtij fenomeni artistiko- patriotik që përfshin pra periudhën e gjatë kohore prej fillimit të shek. XX e deri në ditët e sotme në Shqipëri e Amerikë.
Sigurisht duhet theksuar se subjekti librit ka edhe shumë personazhe realë, por heroi i tij qendror mbetet Thoma Nasssi, shqiptari, patrioti dhe muzikanti i thekur shumëplanësh. Roli i tij është në këtë libër vlerësohet si përcaktues, sublim në shumë aspekte të Historisë së Muzikës Shqiptare, por edhe të angazhimit të tij të drejtpërdrejtë patriotik në marrëdhënie me konceptin e tij largpamës se si ndikon edukimi emancipues kulturor e artistik në zhvillimin e ndërgjegjes dhe frymëzimit kombëtar. Për këtë, në libër aludohet paravolia se ndikimi i veprimit muzikor të Nassit tek entiteti shqiptar mund të krahasohet me rolin dhe influencën që patën kompozitorë të famshëm të tillë si Bet’hoven, Mozart, Verdi, Liszt, Çajkovski, Shtraus, Puçini, Stravinski, Dvorak, Sibelius, etj. në rritjen dhe forcimin e identitetit dhe krenarisë së kombeve të tyre. Me të drejtë, sepse edhe përfshirja e Th. Nassit në arenën kombëtare të zhvillimeve muzikore shqiptare (edhe pse në një periudhë më të vonë se gjetkë), sidomos në fushat e kompozimit të këngëve patriotike e himneve, këngëve qytetare e lirike me rrënjë të forta në traditën muzikore qytetare e popullore shqiptare, si dhe sjelljes ndaj muzikës simfonike, por duke e ridimensionuar atë; apo aftësia dhe pasioni i tij e tij për të organizuar shoqëri kulturore artistike, banda, formacione të tjera muzikore e kulturore patën në të gjithë kombin shqiptar tërheqjen magnetike të një fuqie e rrezatimi centripet të shpejtë e të gjerë në çdo skaj të vendit e popullit tonë.
Por Th. Nassi, konfirmohet në këtë libër edhe si muzikanti i parë shqiptar i shkolluar në SHBA, gjithashtu si teoricieni, studiuesi, vlerësuesi e parashikuesi i zhvillimeve të muzikës bashkëkohore shqiptare, si botuesi i disa prej perlave të këngëve e muzikës shqiptare të gjysmës së parë të shek. XX, si edukatori dhe pedagogu i disa brezave e shkollave muzikore dhe evidentuesi i artistëve të talentuar shqiptarë; pse jo edhe si shkrues e orator erudit i artikujve e fjalimeve entusiaste e manifeste të botkuptimit të tij properëndimor, ku veçohet psh. fjalimi i tij në Universitetin e Harvardit, Cambridge Mass. me studentët shqiptaro-amerikanë në vitin 1960, i cili mund të konsiderohet edhe si testamenti moral që ai i linte bashkëkombasve të vet në atdhe, apo mërgim për rolin dhe detyrimin e madh që duhet të marrë çdokush me kontributin intelektual e profesional ndaj zhvillimit e prosperitetit kombëtar. etj. Njeri i lëvizjeve dinamike, i fantazisë, i zhdërvjelltësisë, armik i qetësisë, i rutinës dhe plogështisë, artist me talent e intuitë të hollë për misionin e tij artistik e qytetar, promotor, aktiv e me një trysni të madhe përgjegjësie ndaj vetes. Për Bandën “Vatra” dhe Th. Nassin, studiuesi V. S. Tole konkludon se “Ngado që ta shohësh dhe nga çdo anë që ta kapësh, veprimtaria e bandës “Vatra” ishte në thelb një proces shoqërizimi dhe edukimi qytetar përmes muzikës, i cili drejtohej nga dirigjenti Thoma Nassi, lideri absolut i këtij procesi emancipues” (f.166).
I vlerësuar nga disa këndvështrime si periudha e gjatë kohore që përfshin, numëri i madh i personazheve, ngjarjeve shumë të rëndësishme politike e kulturore kombëtare që interferojnë e hapin shumë brazda të reja, dokumentimi shkencor e letrar i tyre, interpretimet logjike e profesioniste, dokumentet, ilustrimet e fotot e pafund, shumica e të cilave dalin në dritë për të parën herë, densiteti dhe ritmi i lartë e I rrjedhshëm, por edhe përvoja e gjatë dhe e suksesshme e Prof. Vasil S. Toles në fushën e muzikës dhe muzikologjisë, bën që libri i tij akademik “Banda Kombëtare “Vatra”…” t’i qaset një sage shqiptare me shumë synime e vlera të mirëvërtetuara referimi e besueshmërie shkencore për një periudhë të rëndësishme historike të Shqipërisë e për Historinë e Muzikës Shqiptare në veçanti. Ndryshe, një manifest frymëzues kombëtar që ia vlen të lexohet nga të gjithë.
*studiues


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.