AKTUALITET

“Ja kemi bërë të qartë Albin Kurtit se…”, eurodeputeti McAllister: BE të mbajë premtimin për integrimin e Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave për Kosovën

18:35 - 06.05.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eurodeputeti i Parlamentit Europian, David McAllister, kritikoi Bashkimin Evropian në Konferencën Vjetore “State of the Union”, organizuar nga Instituti i Universitetit Europian, teksa tha se vonesat e bëra lidhur me premtimet për liberalizimin e vizave për Kosovën apo integrimin e Shqipërisë e ulin kredibilitetin e unionit.




“Dua të flas për përgjegjësinë e BE. Duhet të funksionojmë në mënyrë efikase si komunitet, pa standarde të dyfishta brenda dhe jashtë BE. Sundimi i ligjit, solidariteti, etj, janë themelet mbi të cilat është bazuar fuqia e BE. Vonesat e bëra nga vetë vendet e BE ulin kredibilitetin. Këtu përmend liberalizimin e vizave për Kosovën, por edhe integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne duhet të mbajmë premtimet tona. Shpresoj që këtë mandat të bëjmë çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, u shpreh eurodeputeti.

Më tej, McAllister foli dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku tha se përfaqësuesit e lartë të BE ja kanë bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti se dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

“Sa i përket çështjes së Kosovës, Kurti ka qenë këtu, është takuar me përfaqësuesit e lartë të BE, dhe ne ja bëmë shumë të qartë që dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe shpresojmë që dialogu të vijojë me një takim të nivelit të lartë mes Vuçiç e Kurtit. Sa i përket çështjes së politikës së jashtme, ne do të kemi një konferencë shumë të rëndësishme për të ardhmen e BE dhe uroj shumë që ajo të na sjellë disa ide të reja. Psh. çfarë duhet të bëjmë ne që të bëhemi më të fortë, më efikas, në lidhje me politikën e jashtme, politikën e sigurisë, tregtinë, etj. Është shumë e rëndësishme që të tregojmë rolin tonë në botë. Së pari, na duhet një strategji e përbashkët; së dyti, të jemi shumë të bashkuar; së treti, të gërshetojmë elementet e fortë. Ky gërshetim i politikës së jashtme ka të bëjë pikërisht me fuqizimin e kësaj politike. Ky aspekt gjeopolitik i BE do të vihet në zbatim tërësisht”, tha ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.