OPINION

SPAK-u që duam

18:10 - 06.05.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sekuestroi pasuritë(apartamente, dyqane dhe troje) e 3 ish-gjyqtarëve të shkarkuar nga vetingu. Hetimi i mënyrës se si shumë gjyqtarë dhe prokurorë kanë vënë pasuri të pajustifikuara nga rroga e tyre në shtet, përbën pikënisjen e kthimit të një pjese të drejtësisë në shoqërinë tonë. Do të qetësojë më në fund qindra mijëra shpirtëra të munduar shqiptarësh në vend dhe në mërgatë, që kanë me dekada që ankohen, ose që i janë larguar vendit nga sytë këmbët pikërisht për shkak të drejtësisë së munguar. Qytetarë që në tre dekada kanë parë se si puna e tyre e ndershme nuk u jepte mundësi për një shtëpi të dytë, apo dyqane dhe troje, por puna e pandershme e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve po! Edhe pse shumë prej nesh kanë pritur me padurim revolucion nga SPAK që në momentin e krijimit të tij, “fëmija” i drejtësisë sonë të re, dalëngadalë, po hedh hapat e para. SPAK nuk mund të hapë seri gjyqesh shembullore ndaj dhjetra e qindra politikanëve, drejtuesve të ministrive, drejtorive qendrore të shtetit apo pushtetit vendor, si dhe ish drejtuesve në këto nivele, të përfolur në popull dhe në media si të korruptuar, sa çel e mbyll sytë. Do të duheshin për këtë muaj, në mos vite pistash hetimi, si dhe qindra hetues të zotë. Do të ishte jo-profesionale nga ana e tij ta provonte një rrokadë të tillë. E ka të pamundur, sepse janë me qindra dosje që duhet t’i hapë, me dhjetra e dhjetra dosje të tjera që të rishikojë. Dhe nuk ka luksin të gabojë rëndë. Ka nevojë të ketë një staf prokurorësh të paktën dhjetë herë më shumë nga sa e ka sot. Ka nevojë për trajnime më të thelluara të stafit të pakët që ka sot. Prandaj dhe si qytetarë, duhet të tregohemi të duruar me SPAK. Të mos nxitohemi dhe ta etiketojmë të dështuar. Të paktën jo ne, qytetarët. Le ta bëjnë të gjithë kalemxhijtë e shitur tek politikanët, ish-shtetarët dhe shtetarët tanë të korruptuar. Por ne jo. Sepse SPAK, institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, tre shtyllat e drejtësisë së re, janë shpresa jonë e vetme. Vota që hodhëm një javë më parë është votë për ta. Është votëbesimi ynë për një të ardhme më në fund evropiane të Shqipërisë. Dhe duhet të jemi të duruar dhe ta mirëkuptojmë SPAK. Është njësoj si të pretendojmë nga një fëmijë 12 vjeçar që premton në not, që të bëhet kampion olimpik në një pesëgarësh noti! Deri tani, “fitoret” e SPAK, si p.sh. arrestimi tre muaj më parë i një gjykatëseje që lironte kriminelë përpara mbarimit të afatit të burgimit, janë me pikatore. Por duhet t’i lëmë kohë fëmijës të rritet. Ai rritet vetëm nga besimi ynë si qytetarë në mundësitë që ka. Duke u vendosur më në fund një pjesë e drejtësisë në vend, kthehet shpresëplotë fryma se Shqipëria mund të bëhet shtet i së drejtës. Mbështetja e veprimit të fundit të SPAK, sekuestrimit të pasurive(apartamente, dyqane dhe troje) të 3 ish-gjyqtarëve të shkarkuar nga vetingu, nga ana e ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim, është domethënëse. Kim, përmes një kumti të shkruar në rrjetin social Twitter, u shpreh se “reforma në drejtësi nuk do të jetë e shpejtë, e lehtë ose e përsosur, por po ecën përpara, hap pas hapi”. Kjo tregon se lëvizjet e SPAK nuk janë marrë pa u konsultuar me aleatët tanë strategjikë. Kjo tregon po ashtu se nuk është e largët dita që edhe arradha e politikanëve tanë të korruptuar, atyre që kanë përbërë bajlozët që u kanë zënë shqiptarëve detin e shpresës dhe të besimit në dheun e tyre, të vijë në bangën e të akuzuarve. Do të duhen shumë muaj, ndoshta edhe një vit apo dy, por kjo do të ndodhë dhe është e sigurtë si drita e diellit. SPAK e di që po ecën në një fushë të minuar, por që një pjesë të mirë të minave ia hoqi vota e qytetarëve më 25 prill 2021.




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.