OPINION

Shqipëria dhe Evropa, afër dhe larg.

18:23 - 16.05.21 Besnik Bakiu
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria ime e vendosur në shekuj në kufijtë perëndimorë të një realiteti lindor, vazhdon të shpresoj se për herë të parë në historinë shumëshekullore, është më afër Evropës se kurrë.




Ëndrra Evropiane (Europian Dream), e krijuar nga kolosët e mendimit evropian Schuman, Monnet, De Gasperi, Adenauer, etj; ëndrra e të jetuarit në një tokë, ku jeta është më e mirë, më e begatë, më e plotë për këdo, me mundësi sipas arritjeve dhe aftësive, po afron. Aspirata e poetit kombëtar Naim Frashëri, se: “Dielli lind aty ku perëndon” duket se do të bëhet realitet.

Me nostalgji kujtoj vitin e largët 1990, kur kjo ëndërr shqiptare u lejua të brohoritej shesheve të Shqipërisë. Ëndrra e një kombi të lirë dhe të drejtë, u materializua në parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Por kjo ëndërr u zbeh shpejt dhe gjithë energjia u transferua në ikje, mes panikut të të ndenjurit në Atdhe dhe shpresës për të gjetur një kafshatë bukë më shumë. Eksodet tona e herëpashershme në këto 30 vite posdiktaturë i përafrohen atyre biblike. Nuk kishim kohë të mendonim për apelin e  Martin Luter King: “Motra dhe vëllezër, të mos biem në humnerën e dëshpërimit.

Rruga për integrimin në Bashkimin Evropian, që na është servirur si “Tokë e Premtuar” ka qenë e gjatë (si “nëpër shkretëtirë”)dhe e mbushur me teknikalitete nga BE, duke harruar zemrat e njerëzve,të cilët të ardhmen e tyre e shohin në BE. Shqipërisë sime të vogël e hallemadhe, kthimi në identitetin e saj evropian, i është kthyer në makth. Por AJO (duan apo nuk duan) është evropiane, jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga ana shpirtërore e kulturore, pasi siç thotë edhe Paul Valéry: “është absolutisht evropiane gjithçka që vjen nga tre burimet: Jerusalem, Athinë e Romë”. Edhe gjeografikisht Shqipëria ndodhet në rrjedhën e këtyre tre burimeve, nga të cilat sot kemi pasuri të shumta, pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Ne shqiptarët (jo vetëm për fajin tonë) e kemi humbur dy herë Evropën: në shekullin XV dhe nën sundimin komunist. Sot, pas 30 vjet përmbysje të komunizmit, jetojnë prapë në ankthin e humbjes së tretë të Evropës. Do Zoti që BE të mos na shtojnë prapë kushte, që siç thotë kryeministri i vendit tim: “…shto ujë e shto miell, pra, duhet të bëni këtë, duhet të bëni këtë tjetrën, duhet të bëni edhe këtë tjetrën, kjo nuk ka kuptim. Duket mjaft skizofrenike”.

Duke u marrë me këtë shkrim mu kujtua kryeministrit anglez Churchill, i cili thoshte se: “Ballkani prodhon më shumë histori sesa është në gjendje të konsumojë”, të cilin unë dua ta  perifrazojnë :“A po prodhon BE më shumë kritere për Shqipërinë sesa ajo është në gjendje të konsumojë?”

Për fat tonë të mirë, sot janë Gjermania dhe Sllovakia, që i kanë bërë thirrje që BE-ja t’i përmbahet planit fillestar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përparojnë drejt anëtarësimit përfundimtar si pjesë e një pakete. Ishte Ministri i Çështjeve Evropiane të Gjermanisë, Zoti Michael Roth, që shprehet,se: “Gjermania mbështet objektivin e Presidencës së BE-së për të mbajtur konferencat e para të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor. Të dy vendet i kanë kryer reformat e kërkuara – tani BE-ja duhet të japë gjithashtu. Vonesa e mëtejshme minon besueshmërinë e BE-së, stabilitetin në rajon”.

Duhet të jemi realist se këtë vonesë (për fatin tonë të keq),  na i ka sjellë edhe paaftësia e elitave tona për të kapur momentin e volitshëm historik dhe për të shfrytëzuar konjukturat e favorshme për të kryer veprimin e duhur dhe për ta shtyrë përpara vendin drejt integrtimit. Këtë paaftësi e shprehin qartësisht mungesa e konsensusit politik midis forcave politike, për probleme madhore të shoqërisë shqiptare (edhe integrimit në BE), vetpenalizimi ekstrem (politikanët akuzojnë njeri tjetrin me epitete nga më kriminalet, faqet e para të medieve pasqyrojnë me germa të mëdha ngjarje e probleme, ku të duket sikur kjo Shqipëri e vogël dhe e varfër qenka kthyer në “epiqendër të krimit botëror”,grabitja që i është bërë pasurisë publike, legalizimi i kulturës së mosndëshkimit, etj. Kjo bëhet më ulëritëse kur sheh politikanët tanë të buzëqeshur me liderët evropianë dhe sapo kthejnë shikimin nga kundërshtarët e tyre politikë shqiptarë shndërrohen në hiena arrogante. Ata shtrëngojnë duart me çdo burokrat nëpër korridoret e Evropës dhe nuk denjojnë të shohin njëri-tjetrin në sy, sapo kthehen në Shqipëri. Kjo sjellje vazhdon me mendësinë enveriane të shpalljes të armiqve të brendshëm e të jashtëm, si fajtorë për mosçeljen e bisedimeve. Prandaj ka ardhur koha (o sot o kurrë) të mos mbetemi lypës të pandreqshëm nëpër dyert e Evropës apo telendisësh të shoqi-shoqit, duke projektuar fajin gjithmonë te të tjerët, por të  gjejmë rrugë dialoguese e konstruktive për të ardhmen tonë evropiane.

Shqipëria është ndër vendet e para ishkomuniste, që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ishim ndër vendet e para të rajonit që filloi negociatat me BE për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në vitin 2003. Por, për fat të keq sa më shumë Shqipëria i afrohej BE-së, aq më shumë dukej se largohej ëndrra evropiane. Sa më shumë Shqipëria nënshkruante marrëveshje, që e përafronin me BE-në, aq më pak realiteti politik dhe social, i zhytur në zhgënjim, korrupsion dhe padrejtësi, i përngjante ëndrrës evropiane.

Personalisht mendoj se kjo zvarritje e proceseve të integrimit (një dështim 30 vjeçar), është një nga arsyet që të rinjtë po largohen nga vendi, pasi nuk shohin perspektivë. Madje ka dalë një thënie se: “Nëse BE nuk vjen tek ne, atëherë ne po shkojmë te ajo

Ne shqiptarët jemi si një nxënës i urtë i rajonit. Nuk jemi më të mirët e klasës së Ballkanit, por as edhe më të këqijtë. Në kontekstin e politikës ballkanike, stabiliteti i Shqipërisë dhe mbështetja e saj për politikat e BE-së në rajon mund të merren të garantuara. Në rastin tonë nuk ekziston asnjë shqetësim evropian mbi konflikte etnike apo përcaktim kufijsh, shqetësime këto që ekzistojnë në shumicën e fqinjëve të tjerë. Kjo urtësi na është kthyer në bumerang. Vendet e rajonit tonë me jo më pak probleme se ne, janë hapa para nesh me integrimin. Të mos përmendim Bullgarinë e Rumaninë që kanë vite që janë anëtarësuar në BE, por para nesh janë edhe fqinjët tanë Serbia (pas luftërave të përgjakshme e gjenocidit në Kosovë dhe fuqizimit ushtarak nga Kina e Rusia), apo Mali i Zi (shpalli pavarësinë vetëm në qershor 2006).

Vërtetë kaq puritane kanë qenë këto vendime të BE-së? Unë nuk i besoj, sepse edhe vetë udhëheqësit e vendeve të BE, nuk e besojnë. Kjo tregon për marrëdhëniet asimetrike mes BE-së dhe Shqipërisë. Nëse ne do të kishim arritur parametrat politikë, ekonomikë e socialë, të përafërt me vendet evropiane, atëherë pak ose aspak do të na hynte në punë, nëse jemi apo nuk jemi në Evropën e Bashkuar. Aq sa mund t’i interesojë sot kjo gjë një zvicerani. Kam frikë se Evropa e ka vendosur tejqyrën mbrapsht, kur shikon Shqipërinë.

Është absurde dhe maskarallëk që Shqipëria nuk qenka e denjë për në BE, por bijtë e saj të shkolluar me taksat e këtij populli të sfilitur, po. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), në një raport të vitit 2020 konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000-2016. Sot rrezikohemi të mbetemi pa mjekë e inxhinierë dhe kjo është tragjedi.

Ne nuk po kërkojmë te bëhemi pjesë e Evropës sot, sepse e dimë që s’jemi gati, por duam të bëhemi më të mirë. Jemi koshient për rrugën e gjatë të kualifikimit për të gjithë kapitujt e acquis communautaire. Sinqerisht nuk arrijë ta kuptojnë paradoksin, që ndërkohë që hiqen vizat, pranohemi si vend  kandidat, na mohohet (shtyhet) çelja e negociatave. Pas pranimit kandidat duhet të çelen negociatat për t’u pranuar anëtar!!! Nuk ka rrugë tjetër.

Politika bllokuese e BE-së mund të ketë pasoja negative për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën në tërësi. Ajo është zhgënjyese dhe dëmton besueshmërinë e BE-së, si një organizatë pan-europiane e hapur për anëtarë të rinj, si dhe rrezikon të mundësojë më shumë hapje për ndërhyrje të huaja armiqësore në rajon, veçanërisht nga Rusia, Kina.

Unë mendoj se popullit shqiptar (jo politikanëve) i takon të jetë evropian, jo vetëm se të tillë ndihemi, por edhe për rrezikun se një dashuri e gjatë dhe e pamundur mund të kthehet në të kundërt. Kjo nuk do të thotë që të luajmë viktimën e as se po lypim lëmosh! Kërkojmë vetëm të na njihen sakrificat në shekuj, si një komb që mbijetoi sa e si mundi, në një vendtakim korrentesh të ashpra që fryjnë nga dy anët e botës.

Është koha t’i kujtojmë Evropës edhe borxhet që na ka gjatë historisë sonë, pasi ndihemi të fyer nga paragjykimi i padrejtë i disa lobeve të huajve për vendin tonë; të cilët merren vetëm me 10, 100 apo 1000 kriminelët shqiptare, duke i  veçuar nga kriminelët e tjerë të vendeve të tjera të  Evropës, duke neglizhuar me dashje se  asgjë nuk fillon e mbaron ne Shqipëri; mendoj se ka ardhur koha, t’u themi se ata dinë pak për të mos thënë aspak për Shqipërinë dhe shqiptarët, prandaj po rikujtoj sa kemi sakrifikuar dhe sa i kemi dhënë njerëzimit:

Jemi nga popujt më të vjetër të Evropës dhe në shekuj nuk kemi pushtuar, vrarë apo rrëmbyer troje, por përkundrazi kemi pasur fat  tragjik të jemi i vetmi vend në botë që në gjithë gjatësinë e kufirit shtetëror rrethohet nga shqiptarë. Dhe kjo jo për fajin tonë, por si rezultat e vendimeve të turpshme të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të cilat detyruan hierarkun e lartë katolik Imzot Gjergj Fishtën të akuzonte: “Uh! Europë, ti kurva e motit,/ Qi i rae mohit besës e Zotit,/ Po a ky â shêji i gjytetnís:/ Me dá tokën e Shqypnís/ Për me mbajtë klysht e Rusís?/ Po ti a kshtû sod na i perligje/ Njata burra qi m’ kto brigje/ Për tý vehten bâne flije/ Kur ti heshtshe prej ligshtije?…”

Ishte shqiptar Skënderbeu, një nga mbrojtësit dhe figurat më të rëndësishme të civilizimit evropian, ushtaraku gjenial dhe politikani i papërsëritshëm, “kalorsi i krishterimit”.

Ishim ne që i dhamë Kishës Katolike dhe humanizmit botëror reformatoren më të madhe pas Shën Françeskut, Nënë Terezën, e cila duke sfiduar globalizmin kapitalist, i dha botës një fytyrë të re qytetërimi, atë të dashurisë dhe mosperjashtimit të askujt.

Ishte Shqipëria, që gjatë holokaustit hitlerian u bë vendi që u dha strehë disa mijëra hebrenjve të rrezikuar me zhdukje fizike. Shqipëria dhe shqiptarët morën në mbrojtje jo vetëm hebrenjtë e vet rezidentë, por edhe ata të ardhur nga rajonet më të rrezikuara të Evropës.

Jemi nga vendet e para në botë që u bëmë viktima të pushtimit të nazi-fashizmit në luftën e II botërore. Dhe kjo jo për fajin tonë. Evropa dhe bota heshti në mënyrë të turpshme gjatë atij pushtimi.

Jemi vendi që ka përjetuar një nga regjimet më të egra komuniste. Dhe kjo jo vetëm për fajin tonë, por ishin edhe fuqitë e mëdha që i’a dhuruan Shqipërinë kampit  komunist.

Edhe në periudhën e errët të komunizmit ishte Shqipëria ime, ajo  që denoncoj hapur Traktatin e Varshavës, gjatë sulmit rus mbi Republikën e  Çekosllovakisë, kur vendet tjera, që sot kanë hyrë në BE, u bënë pjesë e këtij pushtimi.

Është ky komb vital, që i dhuroi modernitetit dhe kulturës botërore Ismail Kadarenë,  këtë gjeni të kohës sonë.

Ky komb i vuajtur ka si një nga traditat me të qenësishme të tij mikpritjen, e cila është materializuar, jo vetëm me pritjen e hebrenjve,por vazhdoj me mikpritjen e vëllezërve tanë kosovarë gjatë gjenocidit serb dhe me mikpritjen e sotme të muxhaedinëve.

Është ky komb i varfët që edhe sot në kohën e pandemisë, jo vetëm bënte apel “Mbahu Itali”, por nisi një grup mjekësh dhe infermierësh në ndihmë të Italisë, kur kjo Evropë e braktisi.

Ne nuk po iu kërkojmë shpagimin, sepse është aq i madh sa nuk kthehet kurrë, por nuk mund të jem dakord me politikanët evropian që ngrenë duart lart duke aktruar të papërlyerit. Bernard Shaw thotë, se : “Fal vjedhjen si sëmundje dhe vrasjen për pasion, por jo mosmirënjohjen”.

Është vlerë e ofruar, si demonstrimi më i mirë  i shpirtit evropian të shqiptarëve, në sintoni me fjalorin demokratik të Evropës së sotme, harmonia dhe toleranca fetare për  të bashkëjetuar në realitetin e ri.

Po ashtu nuk mund të heshtim ndaj  faktit që, ndër etërit themelues të shtetit dhe kombit të ri shqiptar, qëndrojnë figura të rëndësishme të hierarkisë katolike dhe mbarë komunitetit katolik, si Dom Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi, Imzot Luigj Bumçi dhe Atë Gjergj Fishta, si dhe personalitete të tjera që i bëjnë nder jo vetëm Kishës, por edhe kombit. Ata ishin ndër ideatorët e themelimit të shtetit dhe “ambasadorët” e Shqipërisë pranë vendeve evropiane dhe më gjerë. Të  mos harrojmë se krishterimi ishte një nga elementet identitarë mbi të cilin u themelua Evropa e bashkuar.

Me të drejtë Kryeministri Rama, ka thënë se: “…shqiptarët janë të orientuar nga BE dhe nga Perëndimi. Europa është destinacioni ynë historik dhe strategjik, është e vetmja rrugë”.

Shqipëria mund të jap një ndihmesë të madhe në pasurimin e jetës kulturore evropiane, pasi fuqia e Evropës nuk qëndron vetëm te ekonomia, por edhe te mundësia që ajo i jep dialogut të kulturave. Është kuptimplotë fakti që në festivalin e eurosong këngëtarët shqiptarë përfaqësojnë 4 shtete të ndryshme.

Për të gjitha këto (por jo vetëm) mendoj se Shqipërisë duhet t’i çelen negociatat për anëtarësim, jo vetëm për ne, por edhe për Evropën,   siç thoshte edhe Jacque Dellors, “une ame pour l´Europe” (t´i japim një shpirt Evropës).

Do të më ngelej peng, nëse në këtë shkrim nuk do të përmendja edhe  borxhin evropian ndaj vëllezërve dhe motrave tanë të Kosovës, me mohimin e liberalizimit të vizave. E palogjikshme, kur popullsia e saj është në numër jo më shumë se një lagje e ndonjë qyteti të madh evropian. Duke mos dashur të besoj në fobinë anti shqiptare, por ky veprim është një turp i BE-së (nuk mund të gjejë fjalë tjetër më të lehtë) “..në raport me këtë të vërtetë kaq të hidhur që është e vërteta e njerëzve të atij vendi të ndaluar, që quhet Kosovë dhe e atyre njerëzve të ndaluar, që quhen shqiptarë, që të jenë si të gjithë njerëzit të tjerë të Evropës, së paku në të drejtën për të lëvizur lirisht nëpër Evropë

Ju tha Kosovës, të ndryshonte kufijtë e vetë natyral shtetërorë “duke ja dorëzuar, një pjesë jo të vogël të territorit te vet të përcaktuar qartë – një fqinji, tanimë miqësor, por që dikur ishte armik historik”.

Ajo e beri, por vizat nuk u liberalizuan.

Ju tha viktimës, të krijosh gjykatën speciale në Hagë, se dyshojmë se ke bërë krime, në një kohë kur ajo përgjakej nga makineria ushtarake serbe.

Ajo e beri, por vizat nuk u liberalizuan.

Ju tha Kosovës, fillo bisedimet me Serbinë (megjithëse ajo akoma së paku nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e kryer ndaj popullsisë të pafajshme në Kosovë).

Ajo e beri, por prapë vizat nuk u liberalizuan

Megjithatë miqtë e mij, unë ende vazhdoj të kem një ëndërr dhe kam besim se kjo ëndërr, se do të realizohet, pasi ne shqiptarët e thjeshtë  jemi më proevropian, se vet evropianët “de jure”.

Po e mbyll këtë shkrim me një shprehje të Akademikut tonë të madh dhe papërsërithshëm Eqerem Çabej: “ne shqiptarët dhe kroatët jemi kombi më i orientuar nga Perëndimi dhe natyrisht ura lidhëse e shqiptarëve me Perëndimin veç gjuhës është krishterimi roman”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.