OPINION

Negociatat: 3 data dhe 5 hapa!

09:00 - 27.05.21 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në shkrimin e datës  27 Janar « Pesë skenarë dhe sugjerime për çeljen e  negociatave » trajtohej hollësisht problematika përkatëse me etapat dhe rekomandime konkrete. Vlen të theksohet se idetë e atij shkrimi, të  shoqëruara me konsulencë/oponencë profesionale dhe mendimet e mëposhtëme mbështeten në përvojën personale diplomatike me këto dosje në mbi 2 dekadat e kaluara në Tiranë, Berlin dhe 10 vitet e fundit në Përfaqësinë tonë pranë BE-së në Bruksel. Po ashtu, nisur nga statusi i tanishëm, janë pa kurfarë «  konflikti interesi » e ca më pak partiak.




Në shkrimin në fjalë theksohej se Këshilli, organi më i lartë vendim-marrës i BE-së, mblidhet zyrtarisht 4 herë në vit. Marsi » u dogj » për shkak të bllokimit të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, ndërsa për ne sepse sipas procedurave të BE-së, vendime të kësaj natyre shmangen në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Kësisoj, shpresohej shumë madje dhe tani për një « PO » nga Këshilli i rradhës  në Takimin e tij më 24/25 Qershor. Madje, deri tani vonë, PO-ja dukej thjesht formalite,  me besimin se zgjedhjet e 25 Prillit do ishin pa probleme dhe do njiheshin menjëherë, qoftë dhe me rezerva/kushte nga opozita; dhe se Bullgaria do të hiqte dorë shpejt nga bllokimi i  Maqedonisë së Veriut. Kësisoj, në korrik do thirej Konferenca Ndërqeveritare, e cila do të shënonte çeljen e negociatave për të dy vendet tona. Mirëpo asnjë nga këto nuk po ndodh.

Për pasojë, është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur që këto aspekte të qartësohen e zgjidhen  deri nga mesi i muajit të ardhshëm, kur përgatitet dhe propozohet vendimi përkatës për Samitin e BE-së më 24/25 Qershor. Ca më tepër që qeveria e përkohshme bullgare ka thënë prerë «  JO » të paktën  deri më 11 Korrik, ditën e zgjedhjeve të parakohshme. Edhe Holanda skeptike nuk po thotë dot «  as po, as jo »  Më 4 Mars ajo  zgjodhi parlamentin e ri,  i cili pret një vlerësim të ri nga Komisioni Europian, përpara se të vendosë për çeljen e negociatave, çka kërkon kohë. Ndërkohë, në Francë më 20 Qershor do të zhvillohen zgjedhjet tejet të rëndësishme Rajonale; prova e përgjithshme, vetëm 10 muaj përpara zgjedhjeve presidenciale ; ku qysh tani Fronti Nacional dhe Le Pen kanë dalë me shumë pretendime; ndaj dhe nuk i është dëgjuar fare zëri për negociatat. Pa përjashtuar këtu, veç aspekteve pozitive, ndikimin që mund të ketë te ndonjë vend skeptik «  kartoni i kuq » i Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Sali Berishës, lidhur me konfirmimin e dukurive të cilat i bëjnë ata hezitues. Për pasojë, nëse nuk ndodh në mrekulli e çasteve të fundit, një vendim pozitiv në Qershor  duket «  halvë e ftohtë »

Mirëpo, edhe më 14/15 Tetor, kur është Këshilli i radhës i BE-së  «  drita jeshile » mund të na ndizet  vetëm nëse në Tiranë gjithçka do të ketë ecur mirë, opozita  do të ketë zenë vendet në Parlament dhe të do jenë plotësuar kushtet pa probleme e incidente të tjera politike. Veç kësaj, ndryshe nga viti i kaluar, 2021 ka dhe disa specifika jo inkurajuese: veç rezultatit të rajonaleve në Francë, në shtator  do të jenë  zgjedhjet e reja federale dhe në Gjermani, ku pas 16 vitesh nuk do të kandidojë më Kancelarja Merkel, mbështetëse e afirmuar e Ballkanit dhe vendit tonë. Mirëpo, dihet se  Ballkani, e posaçërisht vendi ynë me problematikat e brendshme, por sidomos me azilin dhe emigrimin e paligjshëm drejt këtyre vendeve janë tema të ndjeshme; veçanërisht për partitë ekstremiste që duan të shtojnë kuotat elektorale, madje të vijnë dhe në pushtet.

Ndërkohë, Bullgaria do të shkojë prapë në zgjedhje më 11 Korrik, mbasi ato të 4 Prillit nuk prodhuan dot një koalicion funksional qeveritar. Çka do të thotë se Sofja, pavarësisht nga pohimey dhe deklaratat do të vazhdojë të jetë « as në qiell dhe as në tokë » duke mbajtur të bllokuar çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut; ca më tepër që dhe  kjo e fundit,  në takimet me Komisionerin Varheley dhe kryediplomatë të disa vendeve antare të BE-së javën e kaluar ka konfirmuar se «  nuk lëshon pe » Mirëpo, deri tani, për mirë apo për keq, BE-ja i ka trajtuar bashkë si çift të dy vendet tona, kërkesë që po ripërsëritet nga shumica e vendeve. Kësisoj, sado mirë të paraqitemi ne dhe në sytë e çdo vendi antar të BE-së, ekziston rreziku i shtyrjes « për hatër » të Maqedonisë, e cila ka 16 vite që po pret çeljen e negociatave, ose mbi dy herë më shumë se ne !

Ndryshe,  gjithçka do t’i lihet Samitit të fundit të BE-së, më 16/17 Dhjetor, duke i çelur negociatat simbolikisht brenda atij muaji apo qoftë dhe në Janar 2022 ; gjithnjë në rast se janë plotësuar kushtet dhe situata politike do të jetë   stabilizuar. Etapa e fundit dhe më e padëshirueshme dhe me  pak gjasa, se dhe vetë BE-ja nuk do ta donte, mbasi humbiste besueshmërinë  është vendimi negativ ose shtyrja e negociatave pas muajit Mars  2022. Por, çdo gjë mund të ndodhë, politika jonë ka prodhuar shumë çudira të tilla!

Këto 3 data/etapa të mundshme  i përmendëm  sepse mbi bazën e tyre mund të ridimensionohen 5 hapat e mëposhtëm me synime konkrete, në përputhje me strategjinë tonë përkatëse politiko-diplomatike.

Së pari, të vlerësohen drejt kushtet, si dinamikë e jo statike. Ripërsërisim se  tani dalin në plan të parë vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve të 25 Prillit, që po ecën në rrugë të mbarë, pa lenë pas dore luftën kundër krimit, korrupsionit, etj. Lipset të jemi dhe më modestë, pa e tepëruar me pohimet se “jemi gati, se i  kemi kryer detyrat”  se “ vetëm presin kur të na thërasin” se pengesë janë “ dinamikat e brendshme jashtë vendit ” , sepse  dihet që për  to ka ende rezerva dhe mungon konsensusi i nevojshëm brenda BE-së.

Së dyti, nisur nga sa sipër, diplomacia jonë bën shumë mirë që bisedon dhe nxjerr në pah vende tradicionalisht mbështetëse, siç  ndodhi disa ditë më parë në Tiranë me kryediplomatët e Grupit C – 5 ( Austri,  Çeki, Sllovaki, Slloveni dhe Hungari) Nga ana tjetër, duam të besojmë se, krahas pohimeve të tyre që tingëllojnë vërtet « muzikë,  pala jonë u ka kërkuar që të bëjnë dhe demarshet e rastit te vendet skeptike,  nisur nga përkatësia e C-5 të grupi i ashtuquajtur «  verior » ose «  kursimtarë ku bëjnë pjesë Holanda me Danimarkën. E njëjta gjë me Holandën  mund të bëhet me ndihmën e Belgjikë/Luksemburgut në kuadrin e BENELUX; ndërsa  me Danimarkën dhe nëpërmjet «  simotrës » së tij, Këshillit të Balltikut, etj. Ndryshe, evidentimi i tepëruar i vendeve mbështetëse të lartpëmendura, shoqëruar me heshtjen diplomatike dhe publike ndaj të tjerëve,  mund të na kthehet në bumerang, pse jo dhe për shkak të  xhelozisë dhe pakënaqësive te vendet skeptike. Ato mund të na thonë indirekt ose dhe midis rreshtave,  « kujdes,  mos t’iu gënjejë mendja, negociatat nuk i çelin as C-5, as BE-3, dhe askush tjetër,  por vetëm B – 27.

Së treti, nisur nga sa sipër, duam, s’duam, këto realitete imponojnë një ofensivë  me një paradigmë  cilësisht të re  të përqasjes dhe qëndrimeve tona, sidomos ndaj vendeve skeptike, qeverive dhe deputetëve të tyre. Jo më me diversione, me gjuhën e drunjtë, me thumba, kunja dhe insinuata publike, kur kemi aq shumë kanale diplomatike në Tiranë, Bruksel dhe kudo; të kemi qasje pranuese, pozitive, jo “ majë më majë” sepse siç thotë populli“ uthulla e fortë prish enën e vet” Ndaj, më mirë  “ urtë e butë e plot tiganin”. Në këtë kuptim, sjelljet më të fundit politike dhe diplomatike të palës sonë janë për t’u përshëndetur dhe premtuese për një konsensus tè plotë të BE-së.

Së katërti,  krahas lobimit të lartpërmendur, bashkë me  mbledhjet dhe debatet në Komitetin e Integrimit, takimet e niveleve të larta dhe “ bombardime me shifra statistikore” kërkohen  hapa, qëndrime dhe rezultate të prekshme, për përditësimin e plotësimit të 15 kushteve. Sfida kryesore është  ndryshimi i perceptimit publik dhe imazhit tonë në disa vende skeptike, jo vetëm nëpërmjet politikës, diplomacisë zyrtare dhe  parlamentare, por dhe dimensioneve ekonomike, publike, kulturore, etj.

Së pesti dhe më e rëndësishmja,  kuptimi dhe vlerësimi i drejtë i BE-së, që përfshin: në aspektin supranacional Komisionin dhe Europarlamentin, dhe në atë  ndërqeveritar e që po bëhet mbizotërues të 27 vendet antare, ku dhe më i vogli të “ bën gjëmën”. Dihet se ishin 6 vendet e para themeluese të BE-së që krijuan Komisionin Europian. Nuk qëndron as mendimi se Komisioni ka ekspertizën më të mirë. Edhe pse ajo është e një niveli shumë të lartë, çka  e mundëson Komisionin të paraqesë propozime teknikisht sa më të argumentuara.

Mirëpo,  për hir të së vërtetës, edhe vendet antare pa përjashtim  kanë ekspertë të shumtë në numër dhe po aq, në mos dhe më të mirë teknikë se Komisioni Europian, sidomos kur vjen fjala për vendet e tyre.  Të gjitha dikasteret dhe MPJ-ja e çdo vendi antar kanë drejtori të përgjithshme që mbulojnë të gjitha aspektet dhe më teknike të BE-së, krahas Misioneve në Bruksel me mbi 250 diplomatë dhe ekspertë të linjës. Plus kanë dhe ato në çdo vend ambasada, fondacione dhe agjenci të ndryshme që i furnizojnë me informacione po aq të bollshme dhe të besueshme sa dhe Komisioni.

Ndaj, Komisioni Europian megjithë rëndësinë e pamohueshme, si propozuesi dhe rekomanduesi më i lartë kryesisht  teknik, nuk ka as « pronën » mbi të vërtetën dhe as fjalën e fundit për çeljen e negociatave. Ndaj dhe çdo tentativë për t’ia kundërvenë Komisionin Këshillit dhe anasjelltas është joproduktive dhe e destinuar të dështojë.   

Si përfundim, për aq kohë sa BE-ja nuk do të japë një datë  për çeljen e negociatave, ngushëllimi dhe nxitja për punën dhe përpjekjet tona do të jetë refreni i saj «  ASAP » akronimi në anglisht «  as soon as possible » ose në shqip «  sa më shpejt të jetë e mundur » Urojmë dhe shpresojmë shumë që ky ASAP të « përkthehet » me datën më të shpejtë dhe brenda vitit  2021!

     

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.