OPINION

Depolitizimi dhe deshkencëzimi i Skënder Gjinushit

10:10 - 31.05.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(Akademia e Shkencave, azili më luksoz në Shqipëri)




Nuk e di përse kryeministrit tonë të nderuar i majlindin (i lindin në muajin maj) idetë e ndritura për Akademinë e Shkencave. Në këtë fundmaji kryeministri ynë shkoi për të dytën pas tre vjetëve në selinë e Akademisë së Shkencave nga ku na dha lajmin e madh se kryetari i ri i saj Skënder Gjinushi na qenka depolitizuar. Shoku Skënder, pasi ka qenë ministër në qeverinë e Adil Çarçanit, ministër në qeverinë e PS në 2001, kryetar i parlamentit, pesë a gjashtë herë deputet që nga lista e Frontit Demokratik me në krye Nexhmije Hoxhën, deputet i “Dushkut” etj., anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, themelues i një partie, shitës i partisë së tij, tani më në fund na qenka depolitizuar. Kur Gjinushi hyri në politikë ai u deshkencëzua dhe për 35 vjet nuk u mor më me shkencë. Dhe politikës i hyri që nga mesi i viteve tetëdhjetë, më parë se politikanët e tjerë të pas vitit 1990. Tani kryeministri ynë ka detyrim të na thotë se si u rishkencëzua Gjinushi pasi la politikën?

Kur Gjinushi u bë deputet nga skema e “Dushkut” në zgjedhjet e vitit 2001, si aleat i PS-së, atij i ndodhi të takohet në një mjedis miqsh me një ish-profesorin e tij kur kishte qenë student. Profesori plak, i cili njihej si njeri me humor i tha duke : “Eh more Keno, mirë që mbete Gjino në shkencë, sepse e le shkencën shpejt për t’ i hyrë politikës, por tani pas 15 vjetësh në politikë, po shoh se edhe atje Gjino u bëre!”

Në majin e tre vjetëve më parë Kryeministrit tonë i majlindi një ide që ishte për t’ u përshëndetur. Dhe këtë e them pa ironi. Ideja e tij në atë kohë m’ u duk shumë pozitive. Kritikëve që do të shpejtojnë të më thonë se përse nuk mbajta qëndrim në media për idenë që m’ u duk e drejt , po iu them se prita pasi isha mësuar të shikoja se idetë e mira të ardhura nga zyrat qeveritare në këto 30 vjet tranzicion janë si dardha që e kanë bishtin prapa. Në maj 2018 pas zgjedhjes së një matematikani si kryetar i Akademisë së Shkencave, Kryeministri Rama u prononcua shumë ashpër ku mes të tjerash tha :

“Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën. Prandaj stop farsës.”

Unë isha një nga ata që mendonin dhe besonin se në Akademinë tonë të Shkencave duhet të bëhej një reformë radikale. Këtë mendim e kam akoma dhe sot. Pa hedhur poshtë vlerat e profesorit matematikan  Gudar Beqiraj zgjedhjen e të cilit e kundërshtoi kryeministri ynë, unë kisha mendimin se për vetë kushtet që ka Shqipëria si një vend i vogël, ku ne nuk mund të bëjmë ndonjë gjë të madhe në fushën teorike dhe kërkimore në shkencat natyrore, siç është matematika duhet që Akademia tonë e Shkencave të përqëndrohet te Albanologjia, te Gjuhësia, Mendimi Shqiptar, Historiografia Shqiptare. Sigurisht që Akademia tonë e Shkencave duhet të merret edhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me shkencat natyrore, si me studimet për mjedisin, sizmologjinë, gjeologjinë, ndërtimin, pylltarinë, mjekësinë, ekonomiksin etj., etj. Por sa iu përket shkencave natyrore ne për vetë kushtet e vendit tonë nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveçse zbatime praktike dhe nuk mund të kemi arritje teorike. Nuk bëhet teoria e shkencave natyrore në Shqipëri. Ne kemi detyrë që ta marrim nga bota dhe ta mësojmë sa më mirë. Por ne mund të zhvillojmë mendim teorik në Gjuhësinë shqipe, në Mendimin Shqiptar, në kritikën letrare. Dikush mund të thotë se kam harruar Arkeologjinë apo artin. Nuk i kam harruar dhe këto janë çështje të rëndësishme me të cilat duhet të merret Akademia e Shkencave, por as në arkeologji, as në art ne nuk bëjmë dot modele teorike, por vetëm mund të zbatojmë ato që ka bërë bota.

Akademia e Shkencave duhet të përqëndrohet mbi të gjitha në ato fusha ku mund të bëjë studime teorike që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me çështjet shqiptare. Mbi këtë parim duhet të bëhet dhe përzgjedhje e anëtarëve të akademisë si dhe e drejtuesve të saj. Shkurt, Akademia e Shkencave duhet të dominohet nga gjuhëtarë, lëvrues dhe studiues të Mendimit Shqiptar,arkiolog  dhe historian të cilët së bashku mund t’ i quajmë komuniteti albanologjik elitar.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se mbi bazën e kësaj hierarkie shkencore u ndërtua Akademia e Shkencave edhe kur u themelua në kohën e regjimit komunist, ndonëse gjithçka shihej në prizmin ideologjik. Për këtë arsye në krye të Akademisë me themelimin e saj u vu një albanolog profesor Aleks Buda. Me ndryshimin e sistemit politik dhe ardhjen e PD-së në pushtet, pas vdekjes së profesor Budës erdhi një tjetër albanolog profesor Shaban Demiraj. Këtë traditë e prishi PS kur erdhi në pushtet dhe vuri në krye të Akademisë një mjek, megjithëse të njohur në profesionin e tij. Por Akademia jonë nuk mund të sillte risi shkencore në mjekësi. Gabimi u thellua kur shumica majtiste e asamblesë së Akademisë zgjodhi si kryetar një fizikan, prof Rexhep Meidanin, i cili kishte shumë kohë që merrej me politikë, jo me shkencë.

Kur kryeministri Rama kërkoi reformim të thellë të Akademisë, unë në këndvështrimin e mësipërm  e mirëprita qëndrimin kritik të tij ndaj zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave tre vjet më parë. Por disa muaj pasi kryeministri ynë tha këto fjalë u zhgënjeva keq. Plani i kryeministrit tonë për Akademinë ishte që ky institucion të nxirrej në pazarin politik duke u shkëmbyer me një parti që i duhej një aleati të kryeministrit tonë, të cilin ai nuk e mbante dot më në radhët e partisë së tij.

Kur Edi Rama bëri sikur e përjashtoi nga PS-ja një deputet problematik për shkak të kritikave të Ambasadës Amerikane ndaj këtij deputeti-biznesmen, kryeministri ynë iu justifikua “S’ kam ç’ bëj, më mirëkupto,  por ti prapë i yni do të jesh!”. Deputeti  duket i tha kryeministrit tonë të nderuar: “Mirë o burrë, të kuptoj por kam një kërkesë, tani më gjej një parti!”

Kryeministri iu përgjegj: “Dëgjo, parti nuk të gjej dot, por po të jap Akademinë e Shkencave.”

“Pse bën shaka mor burrë, çfarë ta bëj unë Akademinë!” i tha deputeti.

“Shkëmbeje me një parti, por kur të bësh pazarin ki parasysh që kryetari i partisë të jetë profesor se kështu duhet të jetë kryetari i Akademisë!” i tha Rama.

Pyeti deputeti se cili kryetar partie ishte profesor dhe i thanë për Skënder Gjinushin. I shkoi këtij dhe i tha: “Profesor, Edi Rama më ka dhënë Akademinë e Shkencave, por s’ di ç’ ta bëj. A e shkëmbejmë me partinë tënde?”

Gojët e liga thonë se profesori u mundua të fitonte edhe një dorë lekësh, por tjetri e njihte biznesin më mirë dhe i tha se partia e tij nuk kishte më asnjë deputet prej kohësh. Gjinushi u bind kur deputeti i tha:

“Po s’ pranove ti, po shkoj te Paskal Miloja se edhe ai ka parti si ty dhe është profesor!”

Partia e Paskalit kishte dalë si fraksion i partisë së Gjinushit, prandaj ky i fundit nuk donte që të përfitonte rivali i tij.

“Jo mos shko te ai, pranoj!”- i tha Gjinushi.

Dhe kështu u shkëmbye një parti e vogël pa deputetë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Profesor Gjinushi u bë kryetar i akademisë së Shkencave, ndërsa deputeti u bë kryetar i partisë së Gjinushit.

Ky ishte gabim, madje ishte krim ndaj institucionit më të lartë shkencor shqiptar, siç duhet të jetë Akademia e Shkencave, jo vetëm nga mënyra si u bë, por edhe për faktin se kujt i ra në pjesë Akademia në këtë pazar. Skënder Gjinushi, një ish-pedagog matematike, kishte më shumë se tridhjetë vjet më parë kishte hequr dorë nga mësimdhënia për t’ u bërë politikan. Skënder Gjinushi e mori drejtimin e Akademisë së Shkencave dorë e dytë në një pazar të kryeministrit me një deputet problematik.

Komuniteti akademik i vendit heshti kur ndodhi kjo gjë. Kur Kryeministri Rama shkoi personalisht në selinë e Akademisë për t’ i dhënë bekimin këtij pazarllëku politik me institucionin më të lartë shkencor të vendit komuniteti akademik duhet ta kishte pritur me protesta para Akademisë. Në fjalimin që mbajti kryeministri me këtë rast tha:

“Shfrytëzoj këtë moment komunikimi për të shprehur një lloj kënaqësie të moderuar lidhur me faktin që sot jemi në një fazë ku mund të shikojmë dritë në fund të tunelit për sa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave. Më në fund gjërat dhe forcat u vunë në një lëvizje të vonuar për shumë e shumë vite dhe më vjen shumë mirë që sot që flasim jemi përballë një pune të kryer me zell e me përgjegjësi nga grupi i ngritur për të realizuar këtë reformë në drejtimin e profesor Gjinushit.”

Të dy, si profesor Gjinushi ashtu edhe paraardhësi i tij profesor Beqiri ishin matematikanë. Ndryshimi mes profesor Gudar Beqirit të cilin e shau kryeministri dhe profesor Gjinushit të cilin kryeministri e lavdëroi ishte se profesor Beqiri ishte një matematikan i cili nuk e kishte ndërprerë punën shkencore si Gjinushi për t’ u marrë me politikë. Pra, Gjinushi ishte shumë më i papërshtatshëm se Beqiri si kryetar i Akademisë.

Siç më ka thënë një ish-këshilltar i Fatos Nanos, kur i thanë këtij se përse e zbatoi skemën e “Dushkut” duke nxjerrë dhjetë deputetë për PS-në nga një zonë elektorale një emërore, Nanoja tha: “E bëra sepse Gjinushi donte që të bëhej kryetar i Akademisë së Shkencave, nëse nuk bëhej deputet. Bëra një faj ndaj parlamentit që të mos bëja një faj ndaj Akademisë së Shkencave.”

Edi Rama duke bërë të mundur pazarllëkun për shkëmbimin e Akademisë së Shkencave me partinë e Gjinushit bëri një faj të dyfishtë, ndaj parlamentit dhe ndaj Akademisë. Të tingëllojnë tallëse fjalët e kryeministrit Rama kur tha në fjalimin e tij në Akademinë e Shkencave:

“Dhe, nëse do të qëndronim strikt procedurialisht në raport me tekstin e reformës, atëherë do të duhej që të falenderonim profesor Artan Fugën për kontributin e tij, por të ecnim përpara pa u ndalur asnjë sekondë me tekstin e sjellë nga Grupi i Punës.”

Në fakt projekti i Profesor Fugës u hodh në koshin e plehrave, në dobi të projektit të Gjinushit që mund të quhet si projekti i shndërrimit të Akademisë së Shkencave në azilin më luksoz në Shqipëri. Në të gjithë botën akademikët janë pleq por sot te ne në Akademinë e Gjinushit janë pleq me grada e tituj të rreme shkencore që përfitojnë nga paratë e taksapaguesve dhe grantet e ndërkombëtarëve pa prodhuar asgjë me vlerë për vendin tonë.

Një nga drejtuesit e tanishëm të Akademisë sonë, me shkollim bazë gjuhëtar, por pa vepra në gjuhësi dhe i shndërruar në historian, duke parë oborrin e gjerë e të gjelbëruar para ndërtesës së Akademisë ka thënë: “Sikur të kishim këtu një zgarrë që të piqnim qofte e bërxolla do të kishte qenë ideale!”

Kjo kokë e madhe akademike njihet si frekuentues i zgarrave të Tiranës ku i kanë ardhur pjesa më e madhe e ideve të tij të ndritura.

Akademia tonë e Shkencavë funksionon si një sekt ku ndalohet të hyjë së pari cdo kokë e mbushur me vlerat e Mendimit Shqiptar. Për shkak të kësaj mendësie në Akademinë tonë të Shkencave nuk do të mund të anëtarësoheshin si akademikë as Sami Frashëri, Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Branko Merxhani, Zef Valentini, Vangjel Koça, Krist Maloki etj., kolosë të Mendimit Shqiptar nëse këta do të ishin gjallë sot. Madje asnjëri prej këtyre nuk do të kishte mundur që të merrte grada dhe tituj shkencorë në universitetet tona që të mund të bëhej kandidat për akademik. Cili studiues apo lëvrues i Mendimit Shqiptar, me vepra në këtë fushë, është anëtar i Akademisë sonë? Askush? Pse ka ndodhur kështu? Sepse ata të paktë studiues dhe lëvrues të mirëfilltë të Mendimit Shqiptar nuk kanë ndjekur karrierë akademike, të punojnë si pedagogë dhe të përfshihen në intrigat e botës universitare për të marrë grada e tituj shkencorë, për t’ u bërë drejtues katedrash apo departamentesh si quhen sot? Por ata të paktë studiues dhe lëvrues të mirëfilltë të Mendimit Shqiptar nuk mund ta gjenin kohën edhe për të nxjerrë nga pluhuri i arkivave veprën e kolosëve të trashëgimisë sonë intelektuale, edhe për ta studiuar atë, edhe për të shkruar libra për të, edhe për të bërë jetën e intrigantit të botës universitare.Me siguri brezat që do vijnë do çuditen dhe do tallen me këto bëma paradoksale të kohës tonë.

Nëse ka nevojë për një ndërhyrje të politikës në jetën akademike e cila është urgjente, kjo ka të bëjë me një ligj për të rregulluar embargon që i është bërë Mendimit Shqiptar në Akademinë e Shkencave, gjë të cilën Gjinushi për hir të së vërtetës nuk e inicoi por e gjeti si traditë nga paraardhësit e tij. Kjo ndërhyrje duhet të bëhet në formën e një ligji me anë të të cilit të hyjnë zyrtarisht në komunitetin akademik në bazë të vlerave dhe veprës së tyre ata të paktë studiues dhe lëvrues të Mendimit Shqiptar që kemi sot. Nëse Kryeministri ynë do ta bëjë këtë gjë, do ta përshëndesja me entusiazëm dhe do të thosha se e shlyeu disi fajin ndaj Akademisë.

Nuk besoj se do të ndodhë siç më tha një miku im që e njeh mirë kryeministrin tonë. Ky miku kur ia shpreha këtë ide më tha shumë i alarmuar: “Mos ç’ na bëre! Do të na bëjë profesor dhe akademik me ligj një estradaxhi të Fierit të cilit i dha pension të posaçëm, jo një po dy, atij dhe gruas, duke e quajtur vlerë madhore intelektuale kombëtare. Ti e di që kryeministri ynë i nderuar ka thënë se nuk kemi parë gjë akoma!”

Kur u ndava me mikun tim po mendoja se ndoshta në Akademinë e Gjinushit do të ishte në vendin e duhur ky estradaxhiu me dy pensione të posaçme. Sepse kështu mund të vendosej në oborr zgarra që kishte propozuar profesori historian dhe të thuhej se e ka bërë estradaxhiu për ta bërë zgarrën target të kritikave ndaj Akademisë së Shkencave. Njëlloj si historia e famshme me atë rrotën e qerres që u vu në skenë në një shfaqje teatrale të kohës së komunizmit dhe të cilën regjisori e hoqi pasi u bë  rrufepritëse për kritikat. Kështu edhe zgarra mund të hiqet pasi të ketë pritur për një kohë të gjatë kritikat ndaj performancës Akademisë së Shkencave. Deri atëherë profesori historian dhe të tjerët do të kenë shijuar produktet e zgarrës. E ndoshta zgarra na e pastron dhe Asamblenë e Akademisë se produktet e saj janë të pafavorshme për shëndetin e dinozaurëve akademikë.

Përfundimisht, kryeministri ynë nuk na sqaroi se a po rishkencëzohet profesor Gjinushi pas deshkencëzimit që i ndodhi kur i hyri politikës. Nëse do të kishte qenë gjallë sot ai profesori i vjetër që e ironizoi Gjinushin në 2001, me siguri që do t’ i kishte thënë:

“Mirë o Keno që na qenke depolitizuar, siç po marrim vesh, por si do të rishkencëzohesh. Se ne të dy e dimë që edhe në shkence hyri me skemën e “Dushkut” si bir gjenerali, për të shkuar me studime në Francë ku ishin mësuar të jepnin diploma “bon pour l’ orient”. Se në shkencë nuk na ndrite gjë sa kohë ishe i  ri dhe si zor të na ndritësh gjë tani që u riktheve në moshën 70 e kusur vjeç.”

Profesori i vjetër do ta quante veten me fat që nuk ia arriti kësaj dite ta shihte Akademinë në duart e Gjinushit të depolitizuar.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.