Kosova

Presidentja Osmani: Presim njohje me Serbinë, duke respektuar disa parime

21:10 - 31.05.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në procesin e dialogut me Serbinë, për Kosovën është thelbësore që të respektohet integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.




“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime, dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, tha Osmani, duke shtuar se çështja e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, duhet të jetë prioritet në dialog. Osmani i bëri këto komente në një takim që zhvilloi të hënën me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Vizita e tyre në Kosovë po zhvillohet në prag të rifillimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Është paralajmëruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mund të takohen kah mesi i qershorit. Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentes, Lajçak dhe Palmer “e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Osmani po ashtu shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave kundër koronavirusit dhe shfaqi shpresën se edhe SHBA-ja do të ndajë vaksina për qytetarët e Kosovës. Lajçak dhe Palmer takuan më herët edhe kryeministrin Kurti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.