Egla Xhemali – Të duash të bukurën dhe të rrekesh për t’i dhënë asaj formë, duke gëzuar kështu shpirtrat që të besojnë, është puna që ai bën çdo ditë. Gjithçka nisi në një ambient të vogël, për të marrë më vonë përmasat e një salloni, që do të bëhej i preferuari i personazheve publikë në Shqipëri. Ndërsa ai, mirëpret të gjithë ata që duan të jenë të bukur së jashtmi e të ndihen mirë në brendi. Gerald Picari, që ka ngritur perandorinë e tij përmes një shumësie shërbimesh, që u jep përgjigje dilemave për dukjen e vajzave dhe të djemve përgjatë sezonit veror, që di të bëhet mikë i çdokujt, vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare”, për të ndarë me ne formulën e suksesit të këtyre viteve, dëshirën e jashtëzakonshme për ta kthyer “Kri Salon” në një markë të njohur edhe përtej Shqipërisë, si dhe për të zhbiriluar çdo pasuri natyrore të vendit përmes hikingut. Përmes kësaj interviste ju do të udhëtoni në kohë dhe hapësirë e do të njiheni me një djalë talent, i cili me gjasë shumë shpejt do të ketë sukses dhe një emër të ndritur edhe përtej kufijve.
Geri, një prej stilistëve të flokëve, më të dashur në gjithë Tiranën, me dëshirën e jashtëzakonshme për ta çuar të bukurën në stadin më të lartë të saj. Si ka qenë për ty fillimi i kësaj udhe të gjatë, për të mbërritur këtu ku je sot?
Së pari, ju falënderoj për fjalët e mira!
Unë e kam nisur që 16 vjeç këtë profesion në një ambient të thjeshtë, siç dhe ishte ajo kohë. Domethënë para 15 vitesh nuk është se vlerësohej kaq shumë sa sot, sidomos në një zonë periferike siç është Vora, atje ku kam dhe origjinën. Por, me familjen që më ka qëndruar gjithmonë pranë dhe me dëshirën e madhe për t’i bërë gjërat sa më mirë jam këtu sot.
Një prej vështirësive të punës tënde, që syri i atyre që të vështrojnë nga larg nuk e sheh dot qartazi?
Të merr shumë kohë dhe kërkon që të përfshihesh totalisht, si nga ana fizike ashtu dhe nga ana psikologjike. Është shumë e rëndësishme të qëndrosh pozitiv pavarësisht problemeve personale apo familjare që mund të kemi.
Ç’do të thotë të mbash për vite me radhë, një emër suksesi në një vend të vogël si Shqipëria?
Në këndvështrimin e parë duket shumë e vështirë, por nëse qëndron korrekt dhe përkushtohesh në atë që bën dikush do të vlerësojë herët apo vonë.
Klientela më e shpeshtë e një dite të zakonshme në “Kri Salon”?
‘Kri Salon’ është shtëpia ime e dytë, jemi si një familje e madhe, ku klientët përveç se marrin një shërbim profesional ndihen si në shtëpi. Zakonisht janë bankierë, juristë, ekonomistë, biznesmenë, mjekë, artistë etj., deri tek postet më të larta në shtet si deputet apo ministër. Pavarësisht postit që kanë janë njerëz të thjeshtë dhe praktikë, ku unë e gjej veten mjaft mirë duke shkëmbyer diskutime apo opinione të ndryshme.
Një pasion që nuk e ke bërë publik është hiking. Vjet, madje, në verë, në periudhën e trazuar për shkak të pandemisë Covid-19, me miqtë e tu arrite majën e lartë të malit të Korabit. Me vete kishe marrë dhe mjetet e punës. Një kujtim i jashtëzakonshëm besoj. Po dëshira për të punuar në një pikë të tillë e në një kohë si e vjetshmja, nga buroi?
Po kam rreth pesë vjet që merrem me hiking dhe është një nga pasionet e mia më të mëdha. Kisha kohë që e prisja malin e Korabit, por qëlloi që ta bëja vjet në Gusht dhe duke qenë dhe periudhë pandemie njerëzit kishin akoma pak frikë në ambientet e mbyllura, dhe kështu që duke qenë se do të shkonim për hiking, pse jo të realizonim një prerje flokësh në majën më të lartë të Shqipërisë. Ishte ditë shumë e veçantë sepse përkonte me një vjetorin e “Kri Salon”, dhe të shkrije dy nga pasionet më të mëdha në një të vetme ishte ndjesi vërtetë shumë e bukur.
Çfarë kujton tjetër pas zbritjes së Korabit, përveç momentit të stilimit të flokëve, për të cilin je përgëzuar nga ata që e dinë?
Kemi natyrë fantastike dhe i përgëzoj banorët në zonën e Radomirës për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve magjepsëse, si në liqenin e Zi dhe zonat përreth. Shqipëria është vend i bekuar për klimën që ka dhe unë që kam udhëtuar dhe parë fshatra piktoreskë dhe me një mikpritje mbresëlënëse me bën ta dua akoma më shumë vendin tim. Jam dhe shumë patriot meqë ra fjala. (qesh) Kjo duket qartë me tatuazhin në krahun tënd me simbole shqiptare.
Tashmë është hapur dhe sezoni turistik dhe dihet që vajzat janë shumë të kujdesshme me flokët, ndaj dua të përqendrohemi pak këtu. Cilat janë ngjyrat më në trend të momentit?
Duke qenë se ne jemi sallon, që i dedikohemi 100% si femrave ashtu dhe meshkujve sepse dhe meshkujt e kanë rritur shumë kujdesin për pamjen e jashtme, do të sugjeroja diçka për të dy gjinitë. Për vajzat ngjyrat më në trend janë ngjyrat klasike, që janë rikthyer në modë këtë sezon, çokollatë e errët, kafe e ngrohtë balayage, ngjyra e kuqe pak në të kuqërremtë, biondet janë gjithmonë në modë, pastaj janë dhe reflekset me ngjyra të ndryshme verore. Për meshkujt janë gjithmonë ngjyra e errët dhe natyrale, por janë trend dhe highlights zakonisht pak pjesa e ballukes, por dhe e gjithë pjesa lart që është më e gjatë, gjithashtu dhe pjesa e mjekrë kryesisht e errët.
Ka akoma vajza që nuk kanë vendosur akoma si do t’i mbajnë flokët përgjatë muajve të nxehtë të verës. Mes flokëve të gjatë dhe të shkurtër, cili do të ishte sugjerimi yt?
Këtë sezon dominojnë prerjet e shkurtra, modeli Bob është goxha në modë, domethënë i gjithë floku pritet drejtë në fund ose në fillim të qafës. Balluket janë rikthyer përsëri. Për meshkujt vazhdojnë të dominojnë prerjet me fade dhe të kthyera në anë ose të kthyera mbrapa, sigurisht dhe mjekra e kuruar vazhdon të jetë në modë.
Një e sotme e ndritshme falë punës së palodhur që bën çdo ditë. Po të nesërmen si e parashikon? Një ëndërr që doemos ke dëshirë ta bësh realitet?
E rëndësishme për mua është të mos ndalem, të bëj çdo ditë gjëra të vogla por me dashuri të madhe. Ëndrra më e madhe është që Kri të bëhet një markë në të ardhmen. Është një emër shqip që rrjedh nga folja “krih” dhe do ishte një kryevepër që një markë shqiptare të radhitej mes emrave më të njohura në botë.
Plane për verën, destinacionet e preferuara të Gerit?
Si gjithmonë hiking, këtë herë do shkojmë në Nemërçkë, Përmet si dhe rafting në Vjosë. Gjatë verës kemi planifikuar të bëjmë kamping dhe aventurë me kayakt në gjiret e Karaburunit dhe të Sarandës. Kaq për momentin dhe pse kam akoma shumë destinacione për të vizituar në Shqipërinë tonë të bukur.