OPINION

Mbi themelet e qëndrueshme të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

14:59 - 12.06.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk është e vështirë të provosh me shumë fakte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të vecanta, janë siç thuhet për marrëdhëniet amerikano-britanike, special relationship.  . Nëqoftëse vërtetohet lehtë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të një karakteri të vecantë, nuk është aspak e lehtë të tregosh në të gjithë përmasat e tyre themelet e këtyre marrëdhënieve, ato themele të cilat kanë bërë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane t’ iu rezistojnë sfidave të kohës, madje edhe tërmeteve, sic mund të quhet qëndrimi armiqësor i regjimit komunist shqiptar ndaj SHBA.




Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen që para krijimit të shtetit shqiptar, si dhe që para se SHBA të niste të merrej aktivisht me cështjet europiane. Kombet e mëdhenj dhe të vegjël, shtetet e mëdhenj dhe të vegjël, ashtu si njerëzit, i ofrojnë miqësi njëri-tjetrit me anë të gjesteve miqësore. Zakonisht janë vendet dhe kombet e vegjël ata që, për arsye që merren lehtë me mend, duan që të kenë marrëdhënie speciale miqësore dhe aleancë me një vend të madh, aq më tepër me vendin më të fuqishëm të kohës dhe bëjnë gjestet përkatëse për të arritur këtë. Dhe kur iu realizohet një dëshirë e tillë këta vende dhe kombe të vegjël e quajnë një fatbardhësi të madhe për ta.

Shumë rrallë ndodh që të jetë vendi dhe kombi më i fuqishëm dhe i prosperuar i kohës, ai i cili t’ i ofrojë miqësinë, aleancën dhe të gjithë potencialin e tij një vendi dhe një kombi të vogël, siç është rasti i SHBA me Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi, që para se ky shtet të krijohej dhe që në castet e para të jetës së tij. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ka shumë e shumë ngjarje, nga ana amerikane, që nuk shpjegohen dot nga këndvështrimi i marrëdhënieve mes vendeve të mëdha e të vogla, madje edhe në rastet më bujare të tyre.

Edhe politika shtetërore amerikane ka bërë lëvizje të tilla për Shqipërinë që nuk janë të zakonshme për politikën e këtij vendi para vitit 1917. Në vitin 1914, kur Shqipëria ishte bërë shtet nën kujdestarinë e gjashtë fuqive të mëdha europiane, dhe midis vendeve kujdestare nuk ishte SHBA, ministri fuqiplotë amerikan në Greqi, George Fred Williams, i cili mbulonte përkohësisht edhe shtetin e ri shqiptar, u urdhërua nga Washingtoni që të bënte një udhëtim në Shqipëri, të cilin ai e bëri madje duke shkruar edhe një libër shumë dashamirës për Shqipërinë?

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, por kur SHBA ishte akoma neutrale, i bënte presion të madh Italisë, e cila për nevojat e saj ushtarake ishte e detyruar të bllokonte bregdetin shqiptar, që të hynin anijet kundërshtare austro-hungareze, sepse italianët kështu bllokonin edhe anijet amerikane me ndihma humanitare që vinin në Shqipëri?

Ajo që ka bërë SHBA për Kosovën në 1999 është e njohur botërisht. Por ç’ mund të thuhet për faktin që 80 vjet më parë se SHBA të clironte Kosovën, në vitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, SHBA kishte si partner Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, që vepronte në Shqipëri, për të shpërndarë ndihmat humanitare amerikane te refugjatët shqiptarë të Kosovës të ardhur në Shqipëri?

 

Shqipëria i ka dhënë botës Nënë Terezën, misionaren bamirëse dhe humanisten e madhe, por Amerika i ka dhënë Shqipërisë misionarin bamirës më të madh që ka shkelur në Shqipëri, Harry T. Fultz për të cilin nuk ke nevojë të flasësh shumë se është i mirënjohur për çdo shqiptar.

Dy ambasadorë amerikanë të cilët kanë qenë me detyrë në Shqipëri në vitet tridhjetë, do të shkruanin libra për Shqipërinë, duke u bërë SHBA, më pak se tre dekada pas krijimit të shtetit shqiptar, i vetmi vend tre ambasadorë të të cilit kishin shkruar libra për një vend të vogël si Shqipëria. Një tjetër ambasador amerikan që ka qenë në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, Post Ëheeler, u apasionua aq shumë me Shqipërinë sa mblodhi dhe përktheu në anglisht përralla shqiptare me të cilat botoi në Amerikë edhe një libër.

Mendje të mëdha të kombit tonë, që patën rastin ta njohin mirë Amerikën, si Noli dhe Konica, krijuan një besim të pakufishëm te ky vend i madh se do të ishte miku i përjetshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faik Konica, në një fjalim të mbajtur në Jamestown, në 1923, dhe të botuar në gazetën “Shqipëtari i Amerikës”, në kohën kur SHBA ishte tërhequr nga problemet e Europës, bëri një parashikim që u vërtetua shtatë dekada më vonë:

Dhe sikur të vijë prapë një kohë që Amerika të ketë të thotë fjalën e saj për regullimin e punëve evropjane, dhe munt po të dojë dhe nonjë dit’ mbase do të dojë, besonj që për të siguruar një paqë të qëndruarshme në Evropë të Lindjes dhe në tërë botën, nuk munt të gjendet gjë më e mirë, se duke bindur kombet e Ballkanit të bëhen të moderuar të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të bashkojnë forcat e tyre që të cvillohen me paqë dhe me rregull

Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë mirënjohje të thellë nga SHBA edhe për shërbimet më të vogla që iu kemi bërë, sipas mundësive tona, si pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, dhe amerikanët na kanë marrë në krahë për të shprehur mirënjohjen, si të thuash. Dhe dihet se politikanët tanë nuk janë aspak aq modestë sa Eqrem Vlora, kur është fjala për të pranuar mirënjohjen amerikane, të cilën ata janë munduar ta përdorin si mbështetje personale për ta.

Kjo prirje e Amerikës për marrëdhënie speciale me një vend të vogël si Shqipëria dhe një komb të vogël si shqiptarët, ka bërë që te shqiptarët të lindë një ndjenjë proamerikanizmi shumë e thellë. Këtë ndjenjë e luftoi regjimi komunist i Enver Hoxhës por nuk e zhduku dot, madje në mënyrë paradoksale mund të thuhet se e forcoi kundër dëshirës së tij. Enver Hoxha e nxiti për një gjysmë shekulli antiamerikanizmin në Shqipëri dhe kur erdhi dita të verifikohet se sa vend kishte zënë te shqiptarët, dhe kjo u verifikua në ditën e vizitës së Sekretarit Baker në Shqipëri, në qershor 1991, që u shndërrua në një referendum mbarëpopullor për qëndrimin e shqiptarëve ndaj Amerikës. Dhe gjithë bota e pa se shqiptarët, të cilët dolën në mënyrë masive në rrugë dhe në sheshe për të përshëndetur Sekretarin Baker, duke tundur mijëra flamuj amerikanë, “votuan” në këtë “referendum” duke shprehur proamerikanizmin e tyre të rrënjosur tanimë në breza.

Shqiptarët e sfiduan antiamerikanizmin e Enver Hoxhës duke dëgjuar çdo ditë “Zërin e Amerikës”. Fakti që “Zëri i Amerikës” vazhdoi të transmetonte gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë në gjuhën e një vendi të vogël si Shqipëria, është tregues i bindjes së thellë që Amerika kishte se shqiptarët e izoluar do të mbeteshin proamerikanë, gjë që u vërtetua plotësisht   madje  edhe më fuqishëm    kur presidenti George W. Bush  vizitoi Shqipërinë  më 10 Qersho 2007, nga  ku shpalli publikisht dhe pavarsinë e Kosovës

Antiamerikanizmi në Shqipëri ka qenë vetëm ideologjik komunist, fetar ekstremist islamik ose ndonjë situate e shfrytëzuar  me shumë sforco dhe  artficialitet nga një lob i shfrytëzuar për interesa okulte, dhe në të tria rastet i ka përkitur një pakice e cila ka kërkuar ta imponojë me dhunë atë.

Po, patjetër që shtetet kanë interesa. Por në rastin e SHBA ka një traditë që interesat shtetërorë të kombinohen me qëndrimin etik të shtetit, duke u parë etika si një interes shtetëror në llojin e vet .

Studiuesit e politikës së jashtme amerikane tani bien dakord se ajo në origjinën e saj ka lindur nga bashkëveprimi i dy linjave, që janë të identifikuara me dy presidentë të njohur amerikanë, të fillimit të shekullit XX, Wdrow Wilson dhe Teodor Roosevelt, por që sigurisht kishin rrënjë më të hershme në natyrën e shoqërisë amerikane .

Linja wilsoniane është ajo idealiste, e parimeve, ndonëse jo deri në naivitet. Nuk mund të kuptohet politika e jashtme amerikane nëse mendohet gabimisht se këtë linjë e krijoi Wilsoni.

 

 

Wilsoni i mori vizionet e disa brezave të amerikanëve dhe i bëri strategji të politikës së jashtme amerikane, kur Amerika vendosi të hyjë në politikën botërore. Wilsoni shkonte me shpresën se Amerika kishte aftësi që me fuqinë dhe shembullin e saj të ndryshonte rregullat e lojës në politikën botërore, duke e bërë atë sa më etike që të ishte e mundur. Por Wilsoni nuk ishte aspak naiv siç mund të duket në pamje të parë dhe siç e vinin në lojë kundërshtarët e tij që e quanin veten realist. Wilsoni mendonte me sinqeritet se ky mision etik në marrëdhëniet ndërkombëtare, do ta rriste fuqinë e Amerikës, sepse do të rritej shumë besimi i popujve të botës te roli i saj.

Politika e jashtme amerikane edhe sot është produkt i përplasjes dhe kombinimit të këtyre dy linjave. Që nga ajo kohë nuk ka qenë e ndarë si me thikë se me ardhjen në pushtet të një presidenti vinte në pushtet njëra linjë apo e kundërta. Burrat e shtetit amerikan e kuptuan se në politikën amerikane duhet të alternoheshin të dy linjat. SHBA do të humbte vetveten nëse nuk e shprehte anën wilsoniane të saj në politikën e jashtme sa më tepër që të ishte e mundur, në sa më tepër raste. Ndryshe do të bëhej një tjetër fuqi e madhe e modelit të vjetër, cinike, që ndjek vetëm interesat e saj të ngushta.

Pikërisht në këtë nevojë të SHBA për të shprehur veçanësinë e saj si një superfuqi etike, veçanërisht me vendet dhe kombet e vegjël e të pambrojtur, duhet kërkuar çelësi për të kuptuar politikën amerikane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Por shqiptarët, megjithëse janë proamerikanë të bindur, në pjesën më të madhe të tyre nuk e njohin veçse në vija të përgjithshme të mirat e mëdha që Amerika na ka bërë ne, dhe për të cilat i detyrohemi këtij vendi të madh.

Nëqoftëse do të merrej me to, një studim i tillë do të përfshinte debatin për politikën e ditës, pasi e gjithë problematika që kanë pasur partitë politike shqiptare me ambasadën amerikane që nga viti 1991, mbetet edhe sot temë e politikës së ditës në Shqipëri

Aq më tepër që këto probleme, që në fakt kanë qenë kryesisht probleme të liderëve politikë shqiptarë, të të dy palëve, me ambasadorët amerikanë në Tiranë, nuk kanë rrezikuar në asnjë rast që të prekin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si aleancë strategjike. Për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane këto ngjarje kanë qenë dhe janë stuhi në një gotë me ujë në  përgjithësi ndonse përkohësisht kanë favorizuar politikisht edhe në mënyrë të pa drejt njerën palë duke rënduar padrejtësisht tjetrën palë. Madje, në një këndvështrim mund të thuhet se këto incidente në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, më tepër se të krijojnë të çara në to, kanë treguar se sa solide janë këto marrëdhënie, për shkak të themeleve të fortë të ndërtuar me kohë. Asnjë nga këta liderë politikë shqiptarë që kanë pasur “problem” me Uashingtonin për shkak të politikës së tij të brendshme në Shqipëri ose lobimeve të segmenteve të politikës amerikane kundra një pale në favor  të pales tjetër , nuk ka guxuar edhe në çastet e ftohtësisë më të madhe   me Amerikën që të venë në dyshim vlerën e aleancës strategjike me SHBA, por kanë akuzuar lobe të caktuar këtu dhe në këtë vënd, si edhe për rreth nesh, se kanë gjetur hapsira dhe janë futur  në rrjedhën e këtyre mardhënieve të punojnë kundër tyre dhe  interesave të Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.