Intervista

Flet pedagogia e “Luarasi”/ Ekspertja Arsejda Gjyli: Inkoherenca e LGBTI+ mbi ndryshimin e terminologjive “nënë” dhe “baba”

16:11 - 15.06.21 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Prej disa ditësh shoqëria po “vlon” nga një pretendim i target grupit LGBTI për të ndryshuar terminologjinë brenda familjes, përkatësisht “nënë” dhe “baba” të zëvendësohen me termat prindi 1 dhe prindi 2. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Arsejda Gjyli, pedagoge në Universitetin “Luarasi”, e njëkohësisht eksperte në shkenca politike dhe çështje sociale sqaron në mënyrë të detajuar këtë tematikë që preku kaq shumë familjet shqiptare. Sipas saj grupi social LGBTI+ fillimisht duhet të ndërmarrë fushata sensibilizimi sesi të mos dhunohen nga grupe homofobe apo sesi të bëhen të pranueshëm për shoqërinë ndërkohë që kërkesat e tyre derivuan shumë shpejt. Gjyli në analizën e vet shpjegon se ky grupim shfaqet me disa kërkesa po aq absurde që nxisin edhe më shumë homofobinë në shoqëri duke i cenuar konceptet e tradicionalizimit, institucionin e familjes.



Pretendimet e target grupit LGBTI për ndryshimin e terminologjisë “nënë” dhe “baba” janë shoqëruar me reagime të shumta nga opinion publik. Si e vlerësoni ju si eksperte këtë kërkesë?

Natyrshëm lindin disa pyetje deri diku retorike mbi pretendimet e ditëve të fundit të target-grupit LGBTI+: Ku konsiston lidhja ndërmjet emërtimit “nënë” dhe “baba” të prindërve me konstitucionalizmin e prindërimit? Mundet emërtimi “nënë” dhe “baba” i prindërve të privojë targetin LGBTI+ të bëjnë fëmije apo të krijojnë familje? Padyshim se në rang shoqëror, duhet të respektohen të drejtat e njeriut, ndër to edhe e drejta e gjithkujt për të pranuar seksualitetin e tij si dhe identitetin e vet gjinor. Çështja bëhet problematike kur një target-grup brenda shoqërisë nuk ka një rrjedhë kronologjike në kërkesat mbi të drejtave e tyre.

A do ishte më mirë të kërkonin të pranoheshin nga shoqëria në vend që të bënin kërkesa të kësaj natyre?

Në këtë logjikë për të nisur një fushatë të tillë të kërkimit të të drejtave të tyre shoqërore, grupi social LGBTI+ fillimisht duhet të ndërmarrë fushata sensibilizimi sesi të mos dhunohen nga grupe homofobe apo sesi të bëhen të pranueshëm për shoqërinë. Ndërkohë që kërkesat e tyre për njohje dhe të drejta ligjore, derivuan shumë shpejt në kërkesa të tilla si pasja e hapësirave propagandistike nëpër shkolla mbi retorikën e homoseksualitetit apo gjinisë, gjë që në logjikën homoseksuale nuk është zgjedhje por e lindur.

Si perceptohet nga mentaliteti shqiptar që në vend të nënë dhe baba të përdorë prindi 1 dhe prindi 2?

Kjo ndodhi në një kohë kur shoqëria jonë akoma nuk gjeneron një mentalitet të pranueshmërisë së këtij grupimi në shoqëri, institucione, shkolla, pra në bashkëjetesën e përgjithshme. Ndërsa tani me të njëjtën inkoherencë po i njëjti target grup shfaqet me disa kërkesa po aq absurde që nxisin edhe më shumë homofobinë në shoqëri duke i cenuar konceptet më të shtrenjta të tradicionalizimit, institucionin e familjes, Pretendim i cili konsiston në ndryshimin e termave   “nënë” dhe “baba” në termat “prindi 1” dhe “prindi 2”.

A qëndron vërtet problemi I familjeve hibride teK terminologjia apo është te funkionimi i tyre?

Fakti se në terminologji nëna emërtohet si e tillë, nuk lidhet me qasjen sesi shoqëria jonë e trajton femrën, por me një rol që gruaja e ka që në fillesat e njerëzimit, rolin më të rëndësishëm të edukimit në shoqëri dhe kjo s’do ndryshojë nëse dikush zgjedh apo jo të ketë një orientim seksual ndryshe. Në gjithë botën, familjet hibride të përbëra nga një çift homoseksual apo miksime gjinish, bashkëjetojnë në harmoni me konceptet dhe termat. Fakti i ndryshimit të terminologjisë në rang legal apo shoqëror nuk e bën më të thjeshtë tejkalimin e ngërçeve të funksionimit të një familje hibride. Në këtë qasje nuk është element themelor në ndërtimin e të drejtave të familjeve homoseksuale fakti se termi “nënë” dhe “baba” mbetet apo jo i tillë. Çdo individ që ndjehet grua brenda trupit të një burri apo e kundërta, ka të drejtë të ndryshojë gjininë dhe të emërtohet ashtu si ai do. Luftën për të drejta gjinore edhe vendet më të zhvilluara perëndimore kanë qindra vite që nuk e “fitojnë” dot, kjo sepse është shumë i vështirë tejkalimi i tradicionalizmit në shoqëri, ku familja akoma njihet me të njëjtën strukturë konservatore.

A cenohen të drejtat e grave nga kjo kërkesë e LGBTI?

Akoma më e paqartë është kërkesa që “nëna” të quhet “prindi që të lind” sepse të quajturit e gruas nënë e bën atë të pabarabartë me burrin si dhe e konsideron atë thjesht qenie riprodhuese. Tërësisht e gabuar, nëna është e tillë, por kjo nuk e përjashton atë nga rolet e tjera sociale. Ta quash nënën “prindi që të lind” e barazon atë thjesht me riprodhimin. Madje nxit një konfuzion akoma më të madh edhe për vetë targetin LGBTI+ nga ku “prindi që të lind” shpesh është dikush jashtë strukturës së “familjes hibride”. Në këtë logjikë, argumenti i ndryshimit të termave “nënë” dhe “baba” me termat “prindi 1” dhe “prindi 2” nuk i shërben as të drejtave të grave, as konstitucionalizmit, madje as targetit LGBTI+. Madje ngre një dileme të madhe rendore se cili është “Prindi 1” dhe cili “Prindi 2” e përse të qenit prind duhet të klasifikohet me shifra, duke na rikthyer sërish tek dilema e Simone de Beauvoir, se gruaja është apo jo seksi i 2-të!

Si mund të zgjidhet ky problem sipas jush, pa cenuar të drejtat e asnjë grupimi?

Si përfundim, kërkon një mbrojtje intelektuale dhe argumentuese e grupin LGBTI+ në mbrojtjen e kauzave të tyre, kjo me qëllim koherencën e retorikave që ngrihen në publik, mos nxitjen e provokimeve e rrjedhimisht homofobisë si dhe respektimin e të drejtave të grupeve të tjerë sociale. Kjo qasje padyshim do të prodhojë më shumë mirëkuptim por edhe integrim të shëndetshëm gradual në shoqëri.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.