Sociale

Intervista/ Arsimi, eksperti Erion Muça: Universitetet po ndryshojnë, më tepër praktikë studentëve për tregun e punës

10:48 - 16.06.21 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Punësimi pas diplomimit vijon të mbetet ende një problem sot në Shqipëri. Qindra të rinj, pasi përfundojnë ciklin e parë apo edhe të dytë të studimeve e kanë të vështirë të gjejnë hapësira në tregun e punës. Por sa arrijnë këta studentë të përgatiten në auditorët e universiteteve ashtu siç duhet për t’u adaptuar në punë? Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Erion Muça, pedagog e njëkohësisht ekspert Edukimi, Karriere dhe Punësimi tregon se IAL-të publike dhe jopublike në vend kanë bërë e vijojnë të bëjnë përpjekje për të përmirësuar programet mësimore. Ai shton se filozofia dhe vizioni i institucioneve të arsimit të lartë nuk është dhe nuk duhet të jetë formimi teorik i përgjithshëm i studentëve, por përgatitja e tyre e plotë dhe e përgjithshme për punën dhe në funksion të saj duke i zhvilluar atyre aftësitë profesionale. Muça nënvizon se një tjetër problematikë është trajtimi sipërfaqësor që i bëhet rëndësisë që ka orientimi i duhur për në tregun e punës së studentëve. Sipas tij mungesa e një sistemi efikas ndërmjetësimi institucional për punësim të studentëve është një tjetër mangësi e pjesës më të madhe të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri.



Si është situata në arsimin e lartë në Shqipëri?

Institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri vitet e fundit kanë bërë përpjekje për të përmirësuar jo vetëm programet dhe organizimin, por edhe metodologjitë dhe aspektet pedagogjike të mësimdhënies për t’u ofruar standardet dhe cilësitë e kërkuara studentëve. Por në këtë proces ka diferenca midis institucioneve të ndryshme një pjesë e të cilave ose ecin më ngadalë në procesin e ndryshimit më qellim përqasjen më trendet e reja dhe një pjese promovojnë ndryshimet të paqena në funksion të ruajtjes së jashtmi të një imazhi sa më të qëndrueshëm dhe pozitiv, lidhur më seriozitetin që duhet të kenë e përfaqësojnë. Ashtu sikundër vihet re një përpjekje më e lartë e institucioneve jopublike në raport më ato publike në këtë proces, për të cilat e rëndësishme është  zhvillimi i duhur i aftësive sociale, profesionale dhe individuale të studentëve dhe afrimi i tyre sa më shpejt më tregun e punës.

A janë profesionale institucionet e arsimit të lartë për nga pikëpamja e përgatitjes së studentëve për tregun e punës?

Filozofia dhe vizioni i institucioneve të arsimit të lartë nuk është  dhe nuk duhet të jetë formimi teorik i përgjithshëm i studentëve, por përgatitja e tyre e plotë dhe e përgjithshme për punën dhe në funksion të saj duke i zhvilluar atyre aftësitë profesionale, lidhur direkt e praktikisht më detyrat dhe përgjegjësitë në punë dhe kriteret që i bëjnë konkurrues në të. Ky proces është në vazhdim drejt këtij ndryshimi që kërkon përpjekje dhe qasje të modeleve ndërkombëtare, por të përshtatura jo vetëm më mentalitetin e tregut tonë, por edhe njohjes së tij të thelluar si parakusht për sukses.

Cilat janë kriteret e vlerësimit për një universitet?

Një institucion i arsimit të lartë vlerësohet nga ASCAL( Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë) pjesë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë i cili është institucioni më tagrin ligjor të vlerësimit. Ky institucion e realizon vlerësimin mbi bazën e konkluzioneve të verifikimit të raportit të vlerësimit të brendshëm, që bëjnë zyrat e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë duke dalë në fund më një raport final, i cili është  publik dhe që përcakton vitet e akreditimit të një institucioni nga 1 vit në 6 vite. Ky vlerësim merr për bazë: Misionin dhe objektivat e një Institucioni të Arsimit të Lartë (IAL), programet, kurrikulat etj; Strukturën organizative të IAL, e njësive përbërëse dhe menaxhimi i saj; Analizën e kurseve të studimit, diplomave, MSc etj. ; Programet e studimit, organizimin e kurrikulave, kreditet; Stafin mësimdhënës dhe mbështetës; Mësimdhënien; Kërkimin shkencor; Studentët dhe pasuniversitarët (klientët); Fasilitetet, burimet materiale, logjistikën dhe shërbime të tjera ndaj komunitetit; Financimin dhe menaxhimin e burimeve financiare; Sistemin e Brendshëm të Sigurimit të Cilësisë; Bashkëpunimin kombëtar, ndërkombëtar dhe marrëdhëniet më publikun e tregun e punës.

Si mund të informohemi mbi vlerësimin e një universiteti dhe si ta lexojmë atë?

Informimi për to dhe aksesi në raportin e vlerësimit bëhet më anë të faqes së këtij institucioni dhe raportit përkatës të publikuar në faqen zyrtare online të ASCAL. Raporti i vlerësimit të jashtëm nga ASCAL është  një tregues i rëndësishëm mbi seriozitetin dhe profesionalizmin e një institucioni universitar pasi nga vitet e akreditimit dhe vlerësimi për secilin kriter marrë për bazë duhet të përqendrohet edhe zgjedhja që bën një maturant për Bachelor apo edhe një i diplomuar për studimet pasuniversitare. Rezulton që janë pak institucione vlerësuar maksimalisht nga të cilat pjesa më e madhe janë institucione jo publike të arsimit të lartë dhe kjo shpreh një përpjekje më të lartë të tyre për të plotësuar maksimalisht pritshmëritë dhe domosdoshmëritë në plan të gjere të studentëve të tyre.

Cilat janë ndryshimet që nuk janë bërë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri në lidhje me stafin akademik?

Institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri në lidhje më përpjekjet dhe frymën e përgjithshme kanë bërë hapa pozitiv, por në aspekte specifike të aktivitetit dhe organizimit të tyre kanë përgjithësisht disa problematika. Një pjesë e tyre ende kanë një ndarje të formimit të stafit akademik më dije dhe njohuri tërësisht teorike duke krijuar një boshllëk midis asaj çfarë prezantohet në mësimdhënie dhe asaj çfarë realizohet në procesin e punës të sektorit ku diplomohet studenti. Ky boshllëk rrit vështirësinë e të kërkuarit të punës, kuptuarit të saj dhe pavarësisë së prezupozuar nga formimi në të.

Cilat janë ndryshimet që nuk janë bërë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri në lidhje më ndërkombëtarizimin?

Një tjetër problematike lidhet më përpjekjet për tu ndërkombëtarizuar apo proceset e binjakëzimeve dhe shkëmbimet studentore, të cilat janë tentativa drejt shkëmbimit jo vetëm të përvojave por edhe modeleve të qëndrueshme të tërësisë së funksionimit të një institucioni të lartë të arsimit duke krijuar edhe kushtet për njehsimin e programeve dhe kurrikulave për një njohje më të gjere të menjëhershme ndërkombëtare të tyre.

Cilat janë ndryshimet që nuk janë bërë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri në lidhje më orientimin për në tregun e punës dhe ndërmjetësimin për punësim?

Një tjetër problematikë është trajtimi sipërfaqësor që i bëhet rëndësisë që ka orientimi i duhur për në tregun e punës së studentëve dhe varfëria e stimulimit dhe motivimit të tyre për rëndësinë e lartë që kanë zhvillimi i aftësive sociale dhe individuale të studentëve për të qenë konkurrues jo vetëm në gjetjen e një pune por edhe konkurrimin në të. Përpjekja minimale dhe mungesa e një sistemi efikas ndërmjetësimi institucional për punësim të studentëve është një tjetër mangësi e pjesës më të madhe të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri duke e konsideruar këtë proces përgjithësisht të shkëputur nga pjesa akademike duke ja lënë në dorë individuale studentëve që të përpiqen po aq individualisht, shoqëruar me mungesë informacioni mbi prezantimin dinjitoz që i kërkohet, për shanse të larta për punësim, e ku suksesi në këtë proces është relativ dhe i diskutueshëm.

Si duhet të jetë një model i suksesshëm i funksionimit të një institucioni të arsimit të lartë?

Një institucion cilësor i arsimit të lartë duhet të këtë këto karakteristika. Së pari, duhet të forcojë mbështetjen dhe marrëdhënien sociale dhe njerëzore më studentin, për të krijuar tek ai një nivel të lartë fisnikërie, vlerash dhe qytetarie, për ta bërë të përshtatshëm për një shoqëri moderne dhe në ndryshim të vazhdueshëm. Së dyti, të orientojë dhe përshtatë programet dhe kurrikulat mbi zgjidhjet e problematikave që ka puna në sektorët e profilit të studimeve dhe t’i pajisë studentët më zgjidhjet optimale për problematikat më të shpeshta që ndodhin në të. Së treti, të miksojë formimin akademik të stafit akademik më ekspertë të suksesshëm me përvoja të gjata në fushëbetejën e profesionit dhe transferimin e konkluzioneve të eksperiencës së tyre në auditorët e universitetit, si ndër të vetmet mënyra për të përgatitur studentët për profesionin e studimit. Së katërti, të zotërojnë mjedise bashkëkohore dhe të përshtatura me stadin e zhvillimit të gjithanshëm global dhe kenë një raport të pranueshëm midis lektorit dhe numrin të studentëve. Së pesti, stafi akademik duhet të vë në përdorim metodat dhe elementet më bashkëkohor të mësimdhënies duke u informuar dhe përgatitur vazhdimisht më informacion nga tregu i punës, në funksion të fuqizimit të kompetencave për jetën të studentit dhe fokus rritjen e interesit dhe përvetësimit të lartë të tij, në lidhje direkte më çfarë kërkon tregu i punës. Së gjashti, ofrimi i një jete sa më të larmishme dhe të pasur studentore është  hapi i parë drejt zhvillimit të aftësive të përgjithshme të studentit për sukses, duke e ndihmuar të superojë mangësitë e vetes në të gjitha planet. Së shtati institucioni arsimor duhet të përgatisë studentët në mënyrë permanente me aftësitë që kërkohen në treg, për të qenë konkurrues në mënyrat, teknikat dhe strategjitë më efikase për zhvillimin e tyre që të jenë të gatshëm dhe të aftë për t’u përballur me çdo sfidë në tregun e punës.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.