Nuk ka falje për futbollistin e Austrisë me origjinë serbe Marko Arnautovic. Ai është dënuar nga UEFA me 1 ndeshje pezullim nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA për shkak të ofendimeve me bazë raciste ndaj futbollistëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.



Sulmuesi i Austrisë shënoi golin e 3-të në fitoren 3-1 ndaj Maqedonisë pak ditë më parë. Gjatë festës për golin e shënuar, ai shu nga nëna futbollistin shqiptar Ezgjan Alioski dhe jo vetëm.

Maqedonia e Veriut kërkoi nga UEFA që të dënonte lojtarin për veprimin dhe menjëherë u hap një hetim, që pasoi me pezullimin me një ndeshje. Arnautovic humbet kështu sfidën e dytë, atë ndaj Holandës ditën e nesërme.

Pamjet televizive treguan se shoku i tij i ekipit David Alaba po përpiqej ta ndalojë të flasë, teksa lojtarët austriakë festojnë golin. “Unë do të doja të them një gjë shumë qartë: Unë nuk jam racist. Nëse dikush është ofenduar, kërkoj falje” tha Arnautoviç pas ndeshjes, por kjo për UEFA-n është e pavlerë.