OPINION

 Rikthimi i madh Euro-Atlantik !

13:30 - 18.06.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dr. Jorgji KOTE




Kështu po vlerësohet gjerësisht  vizita e parë e Presidentit amerikan Joe Biden në Europë; filloi më 11 Qershor  në Samitin e G – 7 në Cornwall,  të NATO-s dhe takimet me drejtuesit më të lartë të BE-së në Bruksel, duke përfunduar  më 16 Qershor me takimin «  pozitiv dhe konstruktiv » me Presidentin Putin në Gjenevë, me rezultatet tashmë të njohura.

Ndryshe nga rikthimet e mëparshme të pjesshme dhe sektoriale,  ky i tanishmi  është  tërësor, i shumëfishtë dhe në momente përcaktuese për Aleancën Euro-Atlantike, madje është një «  remake » ose « ribërje » bindëse.

Ai u shfaq në një «  kuartet » tematik planetar jetik – demokracia, klima, shëndeti dhe sfida Ruse/kineze. Këtë rikthim të paralajmëruar 4 vite më parë dhe sapo hyri në Zyrën Ovale, Presidenti Biden e konfirmoi  me « America is back » Një pohim i qartë, i mirëpritur dhe  premtues për të ardhmen Euro – Atlantike. Në «  frymë » dhe « në gërma » në 25 faqet e Deklaratës së Samitit të G-7, 75 paragrafet e Samitit të NATO-s,  me  mesazhe  dhe akte domethënëse bashkëpunimi me BE-në; duke filluar nga mposhtja e COVID – 19, me 2,3 miliard doza vaksina për vendet e varfëra deri në fund të vitit 2022, caktimi i afatit maaksimal 100 ditor për menaxhimin e pandemive të ngjashme dhe 100 miliard Dollarë për klimën ; deri te mbyllja e sherrit tregtar 17 vjeçar «  Airbus – Boeing », përparimet në konfliktin tregtar për çeliqet, bashkëpunimi teknologjik, etj. Fryma dhe atmosfera e krijuar premton shumë për t’i dhënë fund ndasive, fërkimeve dhe paqartësive të tjera brenda Aleancës; përballë pengesave jo të vogla, brenda BE-së me Brexit, tentativat për «  demokraci iliberale, ftohja dhe zgjatja me zgjerimin, ndërsa brenda NATO-s përplasjet e njohura mes Turqisë, Francës, Greqisë, etj.

Objektivi i dytë madhor i takimeve të Biden në Europë dhe sidomos ai me Presidentin rus Vladimir Putin ishin përgatitja dhe përditësimi i strategjive dhe masave për përballimin e sfidave globale serioze; me synimin për Qëndrueshmëri dhe Parashikueshmëri strategjike në marrëdhëniet  me Rusinë  dhe Kinën. Pavarësisht nga nuancat dalluese, SHBA-të dhe BE-ja i konsiderojnë ato partnere, konkurente dhe rivale.

Për rrjedhojë, edhe strategjia e Aleancës 2030 pritet të mbështetet në tri komponentët madhorë – dialog&diplomaci plus dekurajim,_minus konfrontim ushtarak. Dialogu strategjik  me Kinën dhe Rusinë është domosdoshmëri dhe pjesë e  bashkëpunimit  gjeopolitik në vatrat e nxehta në Pacifik, Lindjen e Mesme, Ukrainë, Bjellorusi dhe gjetkë; po aq i nevojshëm është ai dhe në fushat e mjedisit, klimës, terrorizmit, pandemive si në rastin e  Covid – 19, etj.

Përvoja e viteve të fundit dëshmon qartë se ky dialog, në të gjitha format dhe formatet  është i pazëvendësueshëm. Kështu, pas aneksimit të Krimesë më 2014, Këshilli i Europës e pezulloi Rusinë, por pas disa vitesh u detyrua të tërhiqet nga ai vendim. Edhe vendet nordike pjestare të Procesit të Arktikut më 2014 u larguan nga tryeza e atij procesi jetik, ku Rusia është objekt dhe subjekt tejet aktiv ; sërish, pas pesë vitesh, ata u rikthyen në tryezë; sepse krahas  SHBA-ve, Kanadasë dhe vendeve nordike, Arktiku nuk mund të funksionojë  pa Rusinë.

Dëshmi dhe tregues tipik i këtij dialogu institucional është ekzistenca në  shumë vende të BE-së e komiteteve dhe forumeve lobuese zyrtare dhe jo-qeveritare me Rusinë ; spikat Gjermania me 17 të tilla, ku ka dhe kryeministra landesh, liderë partiakë, deputetë të Bundestagut, etj. Ndonëse dhe vetë «  viktimë » e  hakerave rusë, sidomos  pas rastit « Navalni » Kancelarja Merkel, Presidenti Macron dhe të tjerë  këmbëngulin për  dialog dhe jo izolim të Rusisë dhe me Kinën.

Gjithashtu, ky dialog është i pashmangshëm sepse Rusia dhe Kina janë antare të KS të OKB-së ; Tetorin e kaluar ato u zgjodhën dhe  në Këshillin e të Drejave të Njeriut të OKB-së me seli në Gjenevë. Rusia është dhe në OSBE, KiE dhe organizma të tjera të mëdha europiane.

Mirëpo,  ndryshe nga disa vite më parë, kur dialogu merrej si i mirëqenë dhe relativisht i lehtë për t’u organizuar, tashmë gjendja ka ndryshuar. Nuk është më i njëjti predispozicion, vendosen kushte që e vështirësojnë, madje e bëjnë të pamundur këtë dialog. Ja, psh Këshilli  NATO – Rusi i krijuar më 2002 nuk po mblidhet dot prej 19 muajsh. Kjo mbasi Rusia ka vendosur si kusht mosprekjen e temës së Ukrainës, diçka e papranueshme nga vendet antare të NATO-s.

Siç u theksua në  të gjitha takimet e lartpërmendura,  dialogu me Kinën dhe Rusinë  lipset të shoqërohet me Dekurajimin e veprimeve të tyre në fushën e të  drejtave të njeriut, sulmeve kibernetike, shtetin e të drejtës, etj. Deri tani ky dekurajim është bërë kryesisht nëpërmjet 170 sanksioneve ekonomike në mbi 30 vende, ndalimit të hyrjes në SHBA, stërvitjeve ushtarake dhe shtimit të pranisë së trupave në vendet e rrezikuara, etj. Kështu pas vitit 2014, Ukraina ka marrë nga SHBA-të ndihma ushtarake prej 2,5 miliard dollarë, plus 150 milionë të tjera javën e kaluar.

Megjithatë, tani është momenti që  Perëndimi të tregojë se ndonëse është  në favor të « forcës të së drejtës » kur ta kërkojë puna, ai nuk do të ngurojë të përdorë dhe «  të drejtën e forcës » për të mbrojtur vlerat dhe interesat e aleatëve të vet. E njëjta vlen me vendet Balltike, në Ballkan e gjetkë, për t’i mbrojtur ato nga çdo kërcënim dhe sulm ushtarak dhe nëpërmjet antarësimit të tyre në BE dhe NATO.

Gjithsesi, dekurajim nuk do të thotë të ulet niveli i shkëmbimeve njerëzore, arsimore, kulturore, ekonomike dhe sociale, nga të cilat e pësojnë popujt e atyre vendeve. Ndaj, dekurajimi si komponent gjeo-strategjik do shoqëruar me intensifikimin e ndihmave dhe lehtësive për popujt që aspirojnë integrimin europian. Kështu, me Bjellorusinë, krahas sanksioneve më të shumta dhe të forta, kërkohet dhe hapja e tregjeve të punës për shtetasit e saj në Perëndim, etj.

Nga ana tjetër, siç u theksua nga partnerët europianë, ky dekurajim i Kinës dhe Rusisë ka kufijtë e vet dhe nuk duhet të çojë  në rishfaqjen e Luftës së Ftohtë. Vërtet t’ia vejë  atyre «  kufirin te thana » por pa i nxjerrë nga sistemi ; përkundrazi, t’i përfshijë ato dhe më shumë, me masa dhe reforma konkrete dhe të prekshme në organizatat shumëpalëshe. Dhe pa çuar në konfrontime ushtarake dhe luftë. NATO është pakt politik dhe ushtarak, që mbron antarët e vet nga sulmet e huaja, por që nuk hap fronte lufte ndaj askujt. Sepse siç thoshte Çurcilli «  përfshirja  në konfrontim ushtarak të çon në qorrsokak » Ndërsa sipas Kisingerit «  megjithë dëshirën e mirë, futja në këto shina të gabuara do ta bënte të pashmangshme katastrofën »

Vijmë kështu natyrshëm te komponenti i tretë thelbësor që mund të shmangë rreziqet, madje dhe vetë luftën, që çon drejt mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe krijimit të një mjedisi më nxitës për të ardhmen. Eshtë fjala për diplomacinë, sidomos  aktive dhe transformuese, siç thotë Hilary Clinton.

Është tejet pozitive  që SHBA-të i janë rikthyer dhe bashkë me BE-në e  kanë intensifikuar ndjeshëm veprimin diplomatik, duke e trajtuar tashmë  atë nga një prizëm i dyfishtë: si «  diplomaci misionare ose morale » të iniciuar nga  ish- Presidenti amerikan Woodrow Wilson, e cila synon përqafimin dhe përhapjen kudo të vlerave dhe parimeve themelore të demokracisë. Ajo mori hov pas viteve 90, kur SHBA/BE-ja nëpërmjet « fuqisë së butë » dhe bashkëpunimit ekonomik kërkonin dhe nga të tjerët  respektimin e shtetit të së drejtës,  praktikisht jashtë «  liste » vitet e fundit.

Biden e ka bërë  të qartë se «  historinë do ta shkruajnë shtetet demokratike dhe jo ato autoritare » Në shenjë vlerësimi i top prioritet,  veç të tjerash, ai do të mbledhë liderët e  botës demokratike në një Samit global të Demokracisë. Edhe BE-ja po kërkon të mos mbetet më vetëm  ekonomi tregu, por dhe shoqëri vlerash, jo vetëm  « arkëtar, por dhe lojtar global »

Po ashtu, vendimet  më të fundit të Presidentit  Biden për ndalimin e hyrjes dhe bllokimin e aseteve të liderëve dhe drejtuesve kudo, përfshirë Ballkanin Perendimor të lidhur me korrupsionin, si rrezik për sigurinë kombëtare, theksi te moslejimi i shkeljes të të drejtave të njeriut, etj janë mesazhet e para të  një ofensive të fuqishme për mbrojtjen dhe promovimin e shtetit të së drejtës, ku SHBA dhe BE duket se nuk do « të lëshojnë më pe ». Edhe pse vonesat, mungesat dhe pengesat janë të shumta, po aq sa dhe rreziqet dhe pasiguritë. Kina ka shpalosur qeverisjen alternative, ndërsa Rusia po ecën përpara për krijimin e  Euro – Azisë, si sfidë ndaj BE-së.

Ndërkohë,  synimet e Aleancës janë pazgjidhshmërisht të lidhura me aspektin e dytë madhor të diplomacisë reale, dmth mbrojtjen e interesave strategjike, si me aleatët ashtu dhe  rivalët e saj strategjikë,  Rusinë dhe Kinën.

Përvoja jep shembuj pikantë në këtë fushë që mund të shërbejnë dhe si  pika referimi për tani e të ardhmen e  afërt. Plot 5 dekada më parë, SHBA dhe Kina aplikuan të ashtuquajturën «  diplomaci e ping pongut » me rrjedhojat epokale  tashmë të njohura. Rikujtojmë se objektivi i saj themelor,  siç pohon Kisinger ishte që «  SHBA të kishin me Rusinë dhe Kinën marrëdhënie më të mira se sa këto dy të fundit me njera tjetrën » Pikërisht kjo domosdoshmëri shtrohet dhe sot përpara Aleancës, por si ? Po gjatë asaj periudhe, Kancelari nobelist Brandt lançoi « Ostpolitikën e famshme ose « ndryshimin nëpërmjet afrimit me vendet e lindjes komuniste » Ostpolitika zëvendësoi doktrinën e mëparshme «  Hallstein » të ish Presidentit të parë të Komisionit Europian, pas dështimit të saj për përmbysjen me dhuns të rregjimeve komuniste. Ndonëse dhe vetë amerikanët nuk ishin entusiaztë, Ostpolitik luajti rol të madh në prezantimin e Perëndimit dhe vlerave të tij të shoqëritëdhe publiku i Europës Qendrore dhe Lindore deri në shembjen e Murit të Berlinit. Pikërisht për modele të tilla diplomatike ka sot bota nevojë më shumë se kurrë dhe jo thjesht akrobaci dhe kalkulime politike sa për «  të hedhur lumin »

Dhe këtu administrata  Biden dhe BE-ja po japin sinjale të qarta veprimi. Kështu,  duke vlerësuar Paqësorin si « zonën gjeostrategjike të zjarrit «  për shkak të rivalitetit kinez në rritje, Shtëpia e Bardhë po lançon nisma dhe hapa konkretë për ndërtimin e një aleance gjithëpërfshirëse atje. Kështu, Kryeministri japonez Yoshihide Suga ishte i pari aleat i madh perendimor amerikan që «  shkeli » në Uashington, si mysafir i Presidentit Biden.  Kjo vizitë ndikoi për rigjallërimin e  « Katërshes strategjike të Paqësorit» – SHBA, Japoni, Indi dhe Australinë. Këto dhe të tjera nisma kompensojnë vonesat e mëparshme dhe  sfidojnë  Kinën pas gafës së madhe politike të ish Presidentit Trump më 2017, kur  ai hoqi dorë  nga « Traktati Trans Paqësor( TPP) të filluar nga Obama. Kjo i la rrugë të lirë Kinës  të mblidhte pas vehtes 15 shtete dhe të krijonte Nëntorin e kaluar « Paktin Progresiv dhe Gjithëpërfshirës  mbi Partneritetin Trans Paqësor » ( CPTPP) më i madhi në botë me 30 për qind të GDP-së së saj. Por, këtë javë,  SHBA dhe BE sfiduan me propozimin për një projekt gjigand infrastrukturor prej qindra miliard Euro në vendet e prapambetura «  Të ndërtojmë një botë më të mirë »; një alternativë efikase ndaj «  Mëndafshit » kinez  që pritet të pasohet nga nisma të tjera të kësaj natyre.

Së fundi, ka jo pak skeptikë që ngrenë pikpyetje dhe dyshime mbi këtë rikthim apo  «  remake » Euro-Atlantik, nisur nga të çarat dhe hendeqet jo të vogla brenda dhe jashtë Aleancës, të cilat  nuk mund të riparohen vetëm me samite të tilla kudoqoftë. Mirëpo,  pa këtë rikthim te interesat dhe vlerat themelore perendimore,  çdo ëndër e projekt tjetër europian dhe amerikan, sado tingëllues, do të ndryshkej në sirtaret e politikës dhe diplomacisë. Ja pse ribashkimi i Perëndimit është ogur i mirë dhe premtues për të gjithë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.