OPINION

Kukuvajkat e monedhës

12:22 - 21.06.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dalja e një kartmonedhe të re është një ngjarje për jetën financiare të një vendi. Ekspertët e tregjeve financiare analizojnë, dhe në pjesën dërrmuese të rasteve, vlerësojnë nismën e bankës qendrore të vendit, e cila po lëviz në këtë drejtim. Mirëpo në asnjë vend të Evropës, të paktën, komentues dhe televizione serioze dhe kombëtare nuk kanë arritur deri aty sa të barazojnë një prerje(vlerë) të lartë të monedhës kombëtare me shërbimin ndaj mafiozëve të atij vendi! Tek ne e bënë përpara pak ditësh. Të nesërmen e datës 15 qershor, kur banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë paraqiti përpara publikut kartmonedhën e re dhjetë mijë lekë të reja, të ashtuquajtur ekspertë nxituan ta quajnë të padobishme, të përdorshme vetëm nga mafiozët. Kjo ngjan sa groteske aq edhe qesharake. Është njëlloj sikur të thuash se kartmonedhave amerikane 100 dollarëshe i shërben më shumë karteleve të drogës se qytetarëve amerikanë, apo kartmonedha 500 euro mafiozëve të kontinentit tonë. Në vitin 2016, pas një periudhe mbi 20 vjeçare të përdorimit të kartmonedhave ekzistuese, Banka e Shqipërisë ndërmori projektin e prodhimit të një serie të re të lekut. Kjo, ngaqë qytetarët jo vetëm i përdornin me vështirësi gjithnjë e më të madhe kartmonedhat e vjetra. Dhe realisht, kartmonedha dyqind lekëshe ishte bërë si leckë nga përdorimi. Një pjesë, ato të grisurat në ndonjë anë a në mes, i përdornim të ngjitura me ngjitës plastik të tejdukshëm dhe ngjanin akoma më keq. Shumicën e tyre i merrnim nga shitësit me frikë mos na griseshin në duar apo në portofol. Kaq të holla e të brishta ishin katandisur! Më 30 shtator 2019, pas një pune katërvjeçare, pas 20 vitesh nga koha kur kartmonedhat e vjetra dolën në qarkullim,  Banka e Shqipërisë paraqiti serinë e re të kartmonedhave dhe hodhi në treg dy prerjet e para të saj, dyqind leke të reja dhe pesëmijë lekë të reja. Këto prerje janë pritur mirë nga qytetarët dhe kanë përmbushur objektivat e bankës sonë qendrore. Ato tashmë janë pjesë e qëndrueshme e parasë fizike në qarkullim, duke mbështetur rritjen në vijimësi të cilësisë së kartëmonedhave tona dhe kontribuar në uljen e rasteve të falsifikimit të tyre, për shkak të sigurisë më të lartë që kanë. Kartmonedhat e reja kanë ruajtur integritetin e monedhës sonë kombëtare në raport me qytetarin, si dhe një imazh dinjitoz të bankës qendrore dhe të vetë Shtetit tonë. Tematika e serisë së re të kartëmonedhave tona mishëron figurat nder më të njohurat kombëtare dhe evokon momente nga më të rëndësishmet të historisë sonë si komb. Ajo i përfshin të gjitha etapat historike, duke filluar nga Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare, pavarësia e vendit dhe përmbyllet me simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit të flamurit në prerjen më të re, atë me vlerën më të lartë, 10 mijë lekë të reja. Hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës 10 mijë lekëshe siguron përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave tona me ndryshimin e strukturës së çmimeve dhe pagave tek ne. Kartmonedha e re me vlerën më të lartë i përshtatet zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave dhe shtimit të fuqisë paguese të qytetarëve tanë. Futja e saj në treg i mundëson veprimtarëve ekonomikë një qarkullim më të mirë dhe më efiçient të parasë fizike, duke u lehtësuar aktivitetet e blerjeve me para në dorë. Kjo kartmonedhë ul kostot e prodhimit, thesarizimit dhe shpërndarjes së lekut, duke rritur në këtë mënyrë efiçiencën e bankës sonë qendrore në administrimin e parasë fizike. Krahas përshtatjes graduale me strukturën vlerore të prerjeve të euros, në rrugën e integrimit të ekonomisë sonë me Eurozonën, prania e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit mundësitë e Bankës së Shqipërisë për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm në para fizike, në mënyrë që të përballojë rastet e rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për paranë fizike. Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, sikurse janë pagesat elektronike, paraja fizike në qarkullim në ekonominë dhe shoqërinë tonë vijon ndër vite të rritet, duke dëshmuar kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë sonë për para fizike si mjet pagese. Gjendja me pandeminë e COVID-19 përfaqësoi një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë vitit 2020, megjithë kufizimet dhe rënien e konsumit nga mbyllja e detyruar, paraja në qarkullim u rrit me 52 miliardë lekë (ose 423 milionë euro) ose rreth 3 herë më shumë se shtimi gjatë vitit 2019. Edhe të 5 muajt e parë të këtij viti kanë rregjistruar një shtim të parasë në qarkullim prej 10 miliardë lekësh, ose 81 milionë euro. Karmonedha dhjetë mijë lekëshe do të kontribuojë në plotësimin e kërkesës së tregut për rritjen e parasë fizike, duke e ndihmuar bankën tonë qëndrore të planifikojë dhe sigurojë stokun e mjaftueshëm të parasë letër në vend. Ky stok, për inat të kukuvajkave dhe vajtojcave të monedhës sonë, jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Kartëmonedhat janë më shumë se një letër me vlerë. Ato nxisin dhe mbështesin aktivitetin ekonomik të vendit tonë, duke lidhur me fije të padukshme identitetin tonë kombëtar.




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.