Kryesore

Rovin Laro: Vuani nga hipertensioni, këto janë hapat që duhet të ndiqni për ta mbajtur nën kontroll

12:04 - 05.07.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Voltiza Duro – Hipertensioni është një ndër patologjitë më të shpeshta në  popullatën tonë. Por cilat janë kategoritë më të riskuara dhe si bëhet trajtimi për të sëmurin? Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku i familjes Rovin Laro tregon se hipertensioni arterial përkufizohet si vlera të presionit të gjakut mbi 140/90 mm Hg. Ai thotë  se moshat e treta janë  me të  prekura nga kjo sëmundje dhe thekson se HTA mund të  ndodhë  si pasojë  e sëmundjeve të  tjera. Laro nënvizon se një dietë e shëndetshme mund të mbajë  nën kontroll hipertensionin.




Mund të na shpjegoni se çfarë nënkuptoni me termin presioni arterial?

Gjatë marrjes së historikut mjekësor të pacientit, të ashtuquajturës anamnezë në mjekësi, pyetja në lidhje me sëmundjet shoqëruese të pacientit rëndom merr përgjigjen “Jam me tension”. Shprehia faktikisht është e gabuar, sepse nisur nga etimologjia e termave në fizikë ka një
diferencë mes presionit dhe tensionit. Konkretisht presioni arterial (PA) është forca me të cilën gjaku vepron mbi paretet e enëve të gjakut ku qarkullon, kurse tensioni është 
forcë e anasjelltë, pra forcë aksiale e ushtruar nga ena e gjakut mbi këtë të fundit. Në 
përditshmëri ato përdoren si sinonime të njëra- tjetrës, pasi janë ngushtësisht të lidhura 
me njëra tjetrën.

Çfarë është  hipertensioni arterial?
Hipertensioni arterial përkufizohet si vlera të presionit të gjakut mbi 140/90 mm Hg. Po çfarë përfaqëson secila prej këtyre vlerave? Vlera e parë i referohet presionit sistolik, pra presionit të gjakut kur del nga zemra dhe hyn në arterien kryesore, aortë, ndërkohë që vlera e bashkëngjitur i referohet presionit diastolik, që përkon me momentin e kthimit të gjakut në zemër. Vlerat normale për 
popullatën e përgjithshme janë përcaktuar 120/80 mm Hg. Kjo nuk do të thotë që një 
individ duhet të rezultojë vetëm me këto vlera për t’u konsideruar i shëndetshëm. Prandaj
në praktikën time të punës u them pacientëve: “Tensioni yt i përshtatshëm është ai që të 
bën të ndihesh mirë”, pasi vlerat normale të TA ndikohen nga shumë faktorë gjenetikë e 
vetjakë, pra konstitucionalë. Duhet pasur parasysh se më e rëndësishme se vlerat e 
tensionit është qëndrueshmëria e tyre. Luhatjet e PA janë problem më shqetësues, në fakt, e sidomos, nëse janë me amplitudë të lartë.

Cilat janë  kategoritë  më  të  riskuara?


Hipertensioni arterial cilësohet si sëmundje e moshave të treta. Dhe kjo ka shpjegimin e 
saj. Unë, në fakt, ironikisht e quaj “patologji fiziologjike”. Kjo, sepse i dedikohet dy 
dukurive që, në fakt, gjithashtu, gabimisht cilësohen njësoj.

Ju thatë  se hipertensioni arterial i dedikohet dy dukurive të  cilësuara gabimisht njësoj. Cilat janë  këto dy dukuri?

Ateroskleroza nënkupton grumbullimin gradual, dinamik e të pashmangshëm, të 
grumbullimit të shtresave yndyrore, (kryesisht kolesterol) në shtresën e brendshme të 
enëve të gjakut, të nisur që në moshë të hershme. Ky fenomen në dinamikë ngushton lumenin e enës së gjakut, pra hapësirën e brendshme të saj, përmes së cilës gjaku kalon 
dhe rrit forcën shtypëse mbi vetë gjakun, i cili nga ana e vet duhet të kundërpërgjigjet me
rritje të presionit për të siguruar vazhdimësinë e fluksit të vet. Parë në këtë prizëm hipertensioni arterial është mekanizmi që mundohet të kompensojë dhe baraspeshojë 
këtë dukuri. Ndihmohet situata dhe nga dukuria shoqëruese e arteriosklerozës që, gjithashtu, ndodh me kalimin e moshës( për këtë arsye e quajta HTA patologji fiziologjike) e cila konsiston në humbjen graduale të elasticitetit të enës së gjakut (praktikisht plakje e tyre), e cila bëhet gjithnjë e më rigide, pra ngurtësohet duke pasur efekt tensiv gjithnjë e më të madh mbi gjakun. Kjo është tabloja e hipertensionit parësor, të quajtur ndryshe esencial ose idiopatik, pra në dukje pa një shkak konkret të mirëpërcaktuar, por të ndodhur në vazhdën e ngjarjeve hemodinamike të mësipërme.

Sa ndikon një  dietë  e ekuilibruar ushqimore në  mbajtjen nën kontroll të  hipertensionit arterial?

Ky fenomen ndodh në mënyre të pandërprerë, siç e sipërshpreha, por secili vetë mund të 
ndikojë në uljen e shpejtësisë së kësaj trajektoreje fiziopatologjike, duke shmangur 
yndyrat e tepruara në ushqime, duke u orientuar drejt dietave me pak kripë e yndyra, 
sepse konsumi i lartë i kripës rrit përqendrimin e saj në gjak e për efekt osmolariteti tërheq masë likide prej mjedisit qelizor e ndërqelizor. Kjo çon në rritje të vëllimit plazmatik qarkullues në enët e gjakut duke rezultuar në HTA, i përshpejtuar goxha ky proces nëse vepron në sinergji (bashkëpunim) me ngjarjet e atero; dhe arteriosklerozës. Faktorët gjenetikë, pra ekzistenca e familjarëve të gjakut me HTA normalisht ka një rol të rëndësishëm, por kujdesi dietik dhe aktiviteti fizik janë armët e gjithsecilit për të ndihmuar veten në këtë rast. Cila është këshilla juaj për të  gjithë  lexuesit?

HTA, gjithashtu, shkaktohet nga patologji të tjera veçanërisht, ato të veshkës e në këtë rast 
quhet HTA sekondar, sepse është pasojë dytësore e sëmundjeve të tjera, tematikë kjo që mund të diskutohet në një artikull tjetër.
Por si mesazh i gjithçkaje më sipër le të mbetet fakti se: Sekreti i jetëgjatësisë është ruajtja e integritetit dhe cilësisë së enëve që 
transportojnë lëngun e jetës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.