AKTUALITET

Flet mjeku i njohur në Gjermani/ Varianti Delta, Drilon Çupi: Pritet valë tjetër infektimesh në vjeshtë dhe në dimër

11:45 - 14.07.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Voltiza Duro -Në një kohë që numri I rasteve të prekura nga varianti Delta I koronavirusit po rritet me shpejtësi në shumë shtete, në Shqipëri ende nuk ka njëpërgjigje nga instancat përkatëse nëse ky mutacion ka mbërritur edhe këtu. Por sa i rrezikshëm është varianti indian dhe sa na mbrojnë vaksinat nga format e rënda të sëmundjes, hospitalizimi dhe vdekja? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku Drilon Çupi, specialist i mjekësisë interne dhe urgjencës në Gjermani thekson se transmetueshmëria e virusit është rreth 64% brenda anëtarëve të familjes që jetojnë së bashku. Në Britaninë e Madhe është evidentuar që dhe në rrethin e të vaksinuarve me të dyja dozat është rritur numri I infektimeve të reja, por nuk ka pasur rritje të vdekshmërisë apo stadit të rëndë. Mjeku shton se sipas studimeve paraprake në Britaninë e Madhe paraqitet efektshmëria e Biontech/Pfizer pas dozës së dytë rreth 88% në vend të 95% dhe nga Astrazeneca 60% në vend të 66% për stadin e lehtë dhe tëmoderuar të sëmundshmërisë kurse për stadin kritik dhe vdekshmërinë mbetet një rënie deri në 3%. Çupi nënvizon se ky variant projektohet që me fillimit e vjeshtës dhe në dimër të realizojë një valë tjetër infektive.




 Çfarë pritet në vjeshtë me uljen e temperaturave dhe variantin Delta? A mund të ndodhe të kemi një periudhë të ngjashme me atë të një viti më parë?

Ky variant projektohet që me fillimit e vjeshtës dhe në dimër të realizojë një valë tjetër infektive. Sipas ekspertëve që të kemi këtë vjeshtë- dimër një valë sa më të vogël duhet që vaksinimi i popullsisë të arrijë shifrën mbi 90% në moshat mbi 65 vjeç ose 85% për gjithë popullsinë e një vendi.

Si paraqitet situata lidhur me pandeminë aktualisht?

Çdo pandemi ka dinamikën e saj që varet nga shumë faktorë që lidhen me vetë aktorët që luajnë në këtë skenë të madhe që është virusi dhe njeriu. Në varësi të karakteristikave të tyre të lindura apo të fituara varet dinamika e pandemisë dhe kohëzgjatja e saj. Një projeksion për këtë gjë e kanë tashmë të gjithë njerëzit që kanë njohur me eksperiencën e tyre edhe pa pasur njohuri mjekësore të mësuara. Për të qenë më konkret unë kisha dëshirë që ta analizonim disi situatën duke u nisur nga një faktor i rëndësishëm që është ndikimi i sezonalitetit tek virusi. Rreziku i infektimit nga koronavirusi është në ajrin e ftohtë, në ambientin e hapur më i vogël se nëbrendësi të ndërtesave.

A mund të projektohet  ky rezultat edhe me faktin që në stinën e verës veprimtaria e koronavirusit të bëjë një pauzë?

Nga pikëpamja studimore nuk është plotësisht kështu, por ka një rol të madh amortizues në veprimtarinë e virusit. Në pranverë me rritjen e temperaturave fillon të ulet rreziku i infektimit me viruset e gripit në përgjithësi dhe i viruseve të tjerë sezonal të rrugëve të sipërme ajrore që shfaqen në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Në të njëjtën linjë mund të themi dhe për familjen e koronavirusit që efektet sezonale kanë ndikimin e tyre në veprimtarinë patogjene.

Sa ndikon ky fakt në pandemi në përgjithësi?

Në stinën e verës dinamika e transmetimit ka një tendencë regresive. Faktorët mjedisor ndikojnë në stabilitetin morfologjik të vetë virusit po ashtu dhe në veprimtarinë patogjene të tij. Faktorët e tillë janë temperatura, lagështia e ajrit dhe rrezatimi ultraviolet. Mbështjellësja e virusit në një temperaturë rreth 10 gradë celsius është disi më e stabilizuar. Sa më shumë të rritet temperatura mbi këtë vlera aq më shumë rritet instabiliteti i saj. Nga rritja e temperaturës shpërbëhen lidhjet molekulare të kësaj mbështjellje dhe virusi shkatërrohet. Rrezatimi i diellit dhe sidomos rrezatimi ultraviolet dëmton informacionin gjenetik të virusit. Shkatërrimi i materialit gjenetik sjell si të thuash deaktivizimin e virusit dhe virusi humbet funksionin e tij infeksioz. Rreziku i infektimit është më i ulët në ambientet e mbyllura ku lagështia e ajrit është e lartë. Nëse lagështia relative e ajrit në ambient është nën 40% partiklat e virusit për shembull të lëshuara nga një person i infektuar përmbajnë pak ujë dhe duan një kohë më të gjatë që të ulen në tokë dhe për këtë mënyrë qëndrojnë për një kohë më të gjatë në ajër dhe si të tillë mund të infektojnë më shumë njerëzit e shëndoshë. Në ajrin e “thatë” janë mukozat të thata dhe në këtë mënyrë janë më të depërtueshme për virusin. Moti ndikon në sjelljen e njerëzve. Në dimër qëndrojnë njerëzit më shumë në ambiente të mbyllura dhe me orare me njeri-tjetrin në krahasim në stinën e verës ku qëndrojnë më shumë në ambiente të hapura dhe në tendencë në largësi me njeritjetrin.

Cili është roli i sistemit imunitar dhe vitaminës D në luftën me koronavirusin?

Sistemi ynë imunitar përballet me shumë sfida ndaj patogjeneve (Baktere, Viruse dhe myk) duke na siguruar mbrojtje. Për çdo rast ai specifikon përgjigjen imunitare. Të jetë i gatshëm për të gjitha dhe njëkohësisht i kushton sistemit tonë imunitar shumë energji dhe për këtë fakt ai është i programuar që në stinë të ndryshme të përgjigjet në mekanizma të ndryshëm që janë të lindura dhe të fituara. Në stinën e dimrit sistemi ynë imunitar përballet për shembull me viruset sezonal të zakonshëm dhe krijon një “njohje” ndaj tyre dhe nëse bie në të ardhmen sërish në kontakt me to atëherë e ka strategjinë gati në përballjen me to. Jo vetëm këtë aftësi kujtese ka sistemi ynë imunitar, por ka dhe aftësi “të kuptojë” dhe periudhën kohore se kur dalin më shpesh këto patogjenë. Këtë e realizon me aftësinë e tij të fituar. Në stinën e ngrohtë sistemi imun qëndron në Modusin e lindur për sa i përket përgjigjes së tij imunitare dhe reagon ndaj një spektri patogjen më të gjerë. Kjo vlen dhe për SARS-COV-2. Vitamina D është një nga vitaminat më të rëndësishme që ndikon edhe në përmirësimin e reagimit imunitar. Zinxhiri i funksionimit të kësaj vitamine kërkon ndihmën e dritës së diellit. Ky është një fakt tjetër krahasimor stinor I dinamikës pandemike. Por dua të theksoj edhe njëherë që efektet sezonale nuk ndikojnë komplet në zhdukjen e pandemisë por në amortizmin e saj. Viruset kanë efektin e tyre mutues dhe çdo variant apo mutacion ka një përqasje të ndryshme edhe nga efektet stinore të lartpërmendura. Mutacionet e tij nuk bëjnë  gjë tjetër veçse realizojnë një aftësi adaptuese më të mirë me terrenin që ti rezistojë zhdukjes.

Cilët janë faktorët e tjerë që ndikojnë në përhapjen einfektimeve?

Faktorët e tjerë që ndikojnë në përhapjen e infektimeve janë faktorët socio ekonomike- kulturore. Sa më të ulëta të jenë këto komponentë aq më  dinamike është veprimtaria patogjene virale.

Sa rrezikohemi nga mutacionet?

Për sa i takon ecurisë klinike të sëmundshmërisë deri në qershor të vitit të kaluar ishin rreth 5% e të infektuarve në stadin e rëndë/kritik dhe 15% kërkonin një terapi spitalore. Të sëmurit rëndë ishin në moshën mbi 50 vjeç. Pas verës së shkuar u vu re një rritje e infektimeve në moshat e reja dhe pakësim të hospitalizimit tek 5%. Rreziku potencial i mutacioneve të SARS-CoV-2 janë: rritje të transmetueshmërisë, rritje të vdekshmërisë, rritje të sëmundshmërisë, ulje të efektivitetit të vaksinave dhe rezistenca në terapi. Variantet kryesore të SARSCOV- 2 janë: B.1.1.7 (  501Y.V1, në Mbretërinë e Bashkuar) që ka rritje të transmetimit, hospitalizimit dhe vdekshmërisë; B.1.351 ( 501Y.V2, Afrika e Jugut) me rritje të theksuar të transmetueshmërisë dhe hospitalizimit; B.1.1.28 P.1 ( 501Y.V.3, Brazil) rritje të theksuar të transmetueshmërisë, hospitalizimeve dhe vdekshmërisë dhe ulje të efikasitetit të vaksinave; B.1.617 ( Indi dhe tashmë Mbretërinë e Bashkuar). Dua të ndalem pak më gjate tek ky variant pasi momentalisht paraqitet me një rritje të theksuar të transmetueshmerisë dhe hospitalizimit dhe uljen e efikasitetit të vaksinave edhe në vendet që janë më në progres me procesin e vaksinimit.

Sa i rrezikshëm është mutacioni indian?

Brenda anëtarëve të familjes që jetojnë së bashku transmetueshmëria e tij është rreth 64%. Në Britaninë e Madhe është evidentuar që dhe në rrethin e të vaksinuarve me të dyja dozat është rritur numri I infektimeve të reja, por lajmi i mirë është që në këto raste nuk ka pasur rritje të vdekshmërisë apo stadit të rëndë. Infektimet e reja janë të evidentuar më shumë në moshat e reja dhe në ato të pavaksinuar. Sipas studimeve paraprake në Britaninë e Madhe paraqitet efektshmëria e Biontech/Pfizer pas dozës së dytë rreth 88% në vend të 95% dhe nga Astrazeneca 60% në vend të 66% për stadin e lehtë dhe të moderuar të sëmundshmërisë kurse për stadin kritik dhe vdekshmërinë mbetet një rënie deri në 3%. Dua të nënvizoj që gjithsesi këto shifra janë shumë të kënaqshme në lidhje me efikasitetin e këtyre vaksinave ndaj këtij varianti dhe që nuk ka aspak vend për panik apo dyshim në lidhje me efikasitetin e tyre.

Çfarë pritet në vjeshtë me uljen e temperaturave dhe variantin delta?

A mund të ndodhe të kemi një periudhë të ngjashme me atë të një viti më parë?

Ky variant projektohet që me fillimit e vjeshtës dhe në dimër të realizojë një valë tjetër infektive. Sipas ekspertëve që të kemi këtë vjeshtë- dimër një valë sa më të vogël duhet që vaksinimi i popullsisë të arrijë shifrën mbi 90% në moshat mbi 65 vjeç ose 85% për gjithë popullsinë e një vendi.

A duhet të presim rritje të infektimeve gjatë kësaj vere ku masat po zbuten së tepërmi në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë?

Duke u ndalur dhe pak më specifikisht për Shqipërinë në këtë linjë diskutimi në lidhje me këtë mutacion do të mundohem të them që duke qenë në sezonin veror që përkon me pikun e turizmit; për një vend si Shqipëria duhet që turistet apo qytetarët shqiptarë që vijnë nga shtete që kanë të përhapur mutacionin delta siç mund të jetë Britania e Madhe të kërkohet përveç testit PCR dhe një karantinim I detyrueshëm 14 ditor për të evituar sa më shumë ardhjen e këtij varianti në Shqipëri. Ecja progresive në procesin e vaksinimit do të zbehë në sezonin vjeshtë- dimër valët pandemike në të gjithë boten. Ne do jetojmë shumë gjatë me këtë virus por sjellja e tij do jetë shumë e zbehtë ashtu siç bëjnë çdo vit “kushërinjtë” e tij.

Të vaksinuarit a duhet të mbajnë maskë dhe të respektojnë distancimin fizik?

Të jesh i vaksinuar nuk do të thotë të mos infektohesh dhe që nuk e transmeton më tej virusin, por do të thotë që manifestimi klinik i infektimit do të jetë i lehtë. Kjo do të thotë që masat parandaluese në ambientet e mbyllura duhet të vazhdojnë më tej. Askush nuk e di datën e saktë se kur do të përfundojë kjo pandemi, por të gjithë jemi tashmë koshient që me sistemin tonë imunitar natyral i ndihmuar dhe nga vaksinimi është e sigurtë që do përfundojë një ditë.

A kanë efektshmërivaksinat ndaj mutacioneve?

Një dozë e vetme vaksine e vaksinës Pfizer-BioNtech la një efektivitet rreth 79% ndaj variantit bazë të SARSCoV- 2 kurse ndaj variantit delta vetëm 32% sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “LANCET”. Kurse për sa i takon vaksinës së AstraZeneca nga 1 dozë e vetme është efektiviteti ndaj këtij varianti vetëm 33% sipas Institutit Pasteur në Francë.

Po vaksina kineze?

Për sa i takon vaksinave kineze e më specifikisht vaksinës së prodhuar nga Sinovac ka disa të dhëna në lidhje me efekshmërinë e saj edhe kundrejt varintit të ri në shtete që është aplikuar gjerësisht në këtë pandemi. Do t’u sjell në shembull rastin e shtetit të Kilit që pavarësisht vaksinimit ka ende infektime të reja. Në Kili janë administruar rreth 16,8 milionë doza të vaksinës së Sinovac dhe rreth 3.9 milion Pfizer- BioNtech dhe shumë pak AstraZeneca dhe CanSino Biologics. Deri tani rreth 78% e popullsisë janë vaksinuar me 1 dozë të vetme dhe rreth 61% të dyja dozat. Gjithsesi mbrojtja nuk është akoma e mjaftueshme. Në përgjithësi në analizimin e shifrave u vu re se evitimi i simptomave të infeksionit pas dozës së dytë ishte 67%, evitimi i shtrimeve spitalore 85% dhe evitimi i mortalitetit 80%. Efekti i mbrojtjes së CoronaVac 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë është 65,9% para pozitivitetit të testit të një personi të infektuar. Numri i  ospitalizimit u reduktua me 87,5%. Numri i trajtimit në repartin intensiv u reduktua me 90,3% dhe mortaliteti u reduktua me 86,3%. Duke qenë se numri i të infektuarve me variantin delta po rritet po mendohet nga ekspertet vendas aplikimi i një doze të 3 me CoronaVac që do sillte një mbrojtje në të mirë ndaj këtij varianti.

Po rastin e Indonezisë si e gjykoni?

Në Indonezi qindra persona që punojnë në sistemin shëndetësor edhe pse janë të vaksinuar me CoronaVac janë infektuar me SARS-CoV-2 me variantin delta dhe kishin një simptomatikë të lehtë deri në të mesme. Me fillimin e qershorit janë rritur ndjeshëm infektimet e reja në shtetin indonezian që po arrin shifrat më të larta për këtë vit. Me rreth 270 milionë banorë është Indonezia vendi i katërt në botë për nga popullsia. Deri tani janë rreth 22 milion njerëz që kanë marrë një dozë të vaksinës. Një studim specifik në lidhje me përgjigjen e vaksinave kineze ndaj variantit delta nuk ka akoma.

Sa mund të na mbrojnë vaksinat dhe a na ruajnë nga hospitalizimi?

Në përmbledhje të gjithë kësaj dua të theksoj që varianti i ri delta po merret me shumë seriozitet nga instancat monitoruese dhe se është e vërtetë që ka dobësuar (fatmirësisht shumë pak) efektivitetin e vaksinave që janë aplikuar në përgjithësi dhe në veçanti edhe për vaksinat kineze dhe po mendohet nga ekspertët për aplikimin e një doze të 3 në vazhdimësi kur të mbyllet fushata e aplikimit të dozës së dytë për rreth 85% të popullatës. Aplikimi i çdo vaksine është shumë i rëndësishëm për këdo edhe pse efektiviteti ndryshon nga një vaksinë në tjetrën. E rëndësishme në këtë kohë është evitimi i hospitalizimeve dhe vdekjeve që vaksinat në treg e sigurojnë me këto variante që kanë dalë deri tani. Infektimet do vazhdojnë për një kohë shumë të gjatë pasi virusi do jetë i pranishëm me ne por sistemi ynë imunitar do ketë efektivitetin e duhur pasi e ka njohur tërësisht dhe ka metodikën specifike për mos ta lënë atë të na bëjë më keq.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.