Opinion-Komente

Koha që vendburimet e naftës t’i “vjelë” shteti shqiptar

10:57 - 14.07.21 Gazeta Shqiptare

Profesor- Doktor i NAFTES ngre ALARMIN: ALBPETROL me tejkalim objektivash? Eshtë koha që vendburimet t’i “vjelë” shteti shqiptar, ja çfarë duhet të bëhet



Para disa ditëve, si specialist në fushën e naftës dhe të gazit, më tërhoqi vëmëndjen një njoftim, në një portal, që evidentonte tejkalimin e objektivit të prodhimit të naftës nga kompania Shqiptare Albpetrol.

Shifrat e raportuara janë relativisht  të vogla, por ishte pozitiv fakti që pas shumë kohe po raportohej jo vetë realizim objektivash, por dhe tejkalim i tyre, që i përkthyer në gjuhen ekonomike do të thotë rritje e të ardhurave financiare si për vet kompaninë por dhe për detyrimet ndaj shtetit.

Më erdhi mire, që ky njoftim vinte mbas emërimit, por jo të plotë, në drejtim të Albpetrolit të një grupi specialistësh, me eksperiencën e nevojshme në sektorin e naftës, ndryshe me si ishte vepruar më parë kur stafi drejtues në qëndër dhe në bazë nuk i përgjigjej me formimin e tyre kërkesës për një drejtim tekniko profesional të kompanisë, por që i shërbente me mjaftë zell shefave që i kishin emëruar.

Albpetroli aktualisht ushtron aktivitetin e tij prodhues në disa fusha naftëmbajtëse, të cilat ju rikthyen në gjendje tejet të amortizuara, nga shfrytëzimi jo normal nga ai i kompanive konçensionare.

Rritja e prodhimit të naftës nga këto fusha, është pozitive dhe kështu duhet vazhduar. Duke shmangur ngjyrat politike, si specialist i fushës të naftës, dua të paraqes disa nga objektivat që duhet të realizoj Albpetroli për të kapur shifra reale të prodhimit të naftës nga vëndburimet e disponushme.

Por cilat duhet të jenë objektivat reale të Albpetrolit?  Mendoj se vetë kënaqësia mund të sjelli stanjacion, kur mundësitë janë reale që nga këto fusha të mund të merret një prodhim jo vetëm i stabilizuar, por dhe vazhdimisht në rritje.

Pikërisht si specialist i fushës të naftës, i nxitur nga njoftimi i më sipërmë, me dëshirën e mirë për rritjen e prodhimit nga fushat  ekzistuese naftë mbajtëse, mendova të parashtroj disa drejtime të mundëshme teknike e shkencore.

Koleg të mi, që kanë punuar në sektorin e naftës, i kanë shprehur në portale të ndryshme apo në publikime në gazeta, për rrugën që duhet ndjekë sektori hidrokarbur Shqiptar e veçanërishtë kompania shtetërore Albpetrol.

Së pari, mbështes vazhdimin e aktivitetit prodhues të naftë nxjerjes nga vet kompania Albpetrol, si një lëndë e parë strategjike ekonomike mjaftë e nevojshme dhe shumë fitim prurëse.

Ridhënia me konçension e këtyre vëndburimeve të mos vazhdojë.  AdministrImi i tyre nga Albpetroli,   do të sjelli përfitim ekonomik më të lartë, duke zgjidhur dhe shumë probleme sociale, të cilat aktualisht janë mjaftë të mprefta në dy qytetet naftëtare të Kuçovës dhe Patosit.

Vazhdimi i aktivitetit si kompani shtetërore, si shumë të vënde të tjera, e shoh si nevojë dhe domosdoshmëri nacionale e strategjike.  Albpetroli në programin e tij duhet të parashikoj investime si afat mesem por dhe afat gjatë, investime këto mjaft të nevojshme për rikthimin e këtyre fushave naftë mbajtëse në kushte normale pune, e me një infrastrukturë të ristrukuruar e të kompletuar si sipërfaqësore dhe të thellësisë.

Në këtë stad të gjendjes të Albpetrolit,  investimi duhet të sigurohet si nëpërmjet të ardhurave  aktuale “modeste” të  kompanisë, por kryesisht nëpërmjet kredive  bankare të cilat do të shlyhen nga rritja e stabilizimi i prodhimit të naftës nga fushat disponuese, eksperiencë kjo që tashmë ekziston në vëndin tonë.

Ky investim nuk mund të realizohet pa një staf të pregatitur si në aspektin teknik por dhe ekonomik në kupol dhe në bazë.

Së dyti, investimi në fushat naftë mbajtëse duhet të jetë i argumentuar dhe i mbështetur në studime e analiza teknike e shkencore të plota.

Personeli inxhinjerik është dhe duhet të jetë mjeku diagnostikus dhe shërues i fushave naftëmbajtëse.

Çdo fushë naftëmbajtëse ka problematikat e saja specifike, të cilat duhet ti specifikoj ky personel duke dhënë dhe recetat përkatëse.

Studimi i fushave duhet të jetë i vazhdueshëm dhe koherent duke i marrë si në tërësinë e tyre, në parcela  e deri në puse të veçantë. Kjo kërkon një staf të pregatitur teknik e shkencorë e të përgjegjshëm  si dhe angazhimin e mundshëm të forcave shkencore disponuese në vënd kudo ku ata ndodhen. Ky angazhim do të evidentojë dhe dokumentojë me përgjegjësi fenomenet dhe problematikat që shfaqin sektor e puse të veçantë. Analizimi i tyre me përgjegjësi do të sjelli pa dyshim dhe zgjidhjen e drejt dhe operative me objektiv ruajtjen dhe rritjen e fondit të puseve aktiv.

Në fushat naftë mbajtëse ekziston një numur i konsiderushëm pusesh jo aktiv, historia e punës të së cilëve është një objekt i veçantë studimi për rikthimin e tyre ne jetën aktive prodhuese.

Studimi dhe analiza shkencore e fenomeneve që pasqyrohet në jetën e çdo pusi dhe shtrirja në gjithë hapësirën e fushës naftë mbajtëse është dhe do jetë objektivi primar i punës  të çdo specialisti në sektorin ku punon apo në kupolën e Albpetrolit.

Stafi drejtues ka për detyrë dhe duhet të kordinojë dhe orientojë drejt gjithë punën shkencore, duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet njerëzore brënda dhe jashtë kompanisë, të gatshëm dhe të aftë,  si dhe duhet të realizojë një bashkëpunim shumë të ngusht me Universitetin si në realizimin e studimeve të përbashkëta teknike e shkencore,  por dhe në kualifikimin dhe pregatitjen e personelit të ri inxhinjerik, i cili lë shumë për të dëshiruar.

Kam patur mundësinë të shikoja bashkëpunimin e frutshëm, si më sipër trajtova të Institutit Francez të Naftës (IFP) me Universitetin Pierr e Marri Kyrri në Paris, eksperiencë kjo mjaftë me vlera dhe për ne.

Fushat tona naftë mbajtëse, e veçanërisht ato në karbonate, kanë problem kryesor inondimet nga ujrat fundor mjaft aktiv, përball një fluidi nafte asfalto bituminoze, që aktualisht  ka dhe një faktor gazor të ulët, në raport me fazën fillestare të zbulimit dhe vënies në punë të tyre.

Gjate fazave të ndryshme të përpunimit janë aplikuar regjime të ndryshme teknologjike në puse, ne varësi të kushteve konkrete të krijuara gjatë shfrytëzimit të vendburimit. Fillimisht puset janë vënë në shfrytëzim me fontanë, duke marrë sasira të konsiderueshme nafte, me debit mbi debitin kritik të lejuar.

Me rënien e energjise së shtresës dhe uljen e konsiderueshme të debiteve është kaluar gradualisht ne shfrytezimin me pompe thellësie. Kalimi nga puset me fontane, në puse me regjim teknologjik me pompë thellesie është reflektuar direkt në ndryshimin e depresionit të shfrytëzimit të puseve, duke e ulur atë.

Depresioni i lartë i shfrytëzimit të puseve në fazat fillestare të shfrytëzimit të vendburimit ka ndikuar negativisht në parametrat e përpunimit të vendburimit. Eksperienca jonë  e shfrytezimit të vendburimeve karbonatike flet per nevojën e kategorizimit të puseve ne vendburim sipas vendndodhjes së pusit, katit naftëmbajtës, debiteve, koha e përmbytjes etj. Prandaj, në varësi të këtyre kushteve, duhej pershtatur edhe regjimi teknologjik i shfrytëzimit të puseve.

Në disa raste, në puset me % të lartë uji, është zbatuar regjimi ciklik i shfrytëzimit, me pompë thellësie. Fakti i aktivizimit të disa puseve pas një periudhe qetesie dëshmon për një mundësi tjetër shfrytëzimi, në kushtet e puseve të përmbytur, sepse numuri i këtyre puseve rritet vazhdimit me kalimin e kohës.

Kalimi i vendburimit në faza të ndryshme shfrytëzimi ka nxjerr si domosdoshmeri ripërcaktimin herë pas here të regjimit teknologjik te puseve. Analiza e drejt dhe studimi i  plotë i fluideve që vjen nga pusi, si në sasi dhe cilësi, do të na ndihmoj të përcaktojmë drejt parametrat e shfrytëzimit të parcelave  e çdo pusi në veçanti. Përcaktimi i drejt i raporteve të fluideve duke marrë në konsideratë dhe cilësinë e naftave, me siguri do të sjelli dhe ritjen e prodhimit dhe uljen e marjes të ujrave nga këto vëndburime.

Naftat tona asfalto rëshinore, me viskozitete të larta nuk pranojnë marje me tempe të larta të fluideve, sic dhe janë rekomanduar dhe aplikuar në vëndburimet tona karbonatike nga disa specialistë e kryesisht të huaj. Tempet e larta të marjes sjellin rritjen e ndjeshme të ardhjes të ujrave fundor dhe uljen e pa dëshiruar të prodhimit të naftës. Nuk po  përmënd këtu dhe problemet si të trajtimit të fluideve, shpenzimeve të pa nevojshme të transportit por dhe të ri injektimit të këtyre ujrave në shtresë për të shmangur problemet mjedisore.

Eksperienca tashmë e vëndburimit të naftës në Visokë, ku nga një vëndburim gati i përmbytur, e ku ishte konsoliduar mendimi se vëndburimi ishte në ditët e fundit të jetës të tij, u rikthye në një punë normale dhe ku sasia e ujrave që trajtohet tani është shumë më e vogël.

Problemi tjetër që duhet analizuar dhe studjuar në kompleks është dhe përcaktimi drejt i tipit të rezervuarit  kjo në raport me pozicionin struktural.

Rezervuaret karbonate njihen si rezervuar shumë të vështirë për të karakterizuar vetitë kolektore të tyre. Vështirësia qëndron në faktin e pranisë se dy lloj porozitetesh: poroziteti i matriksit dhe poroziteti i çarjeve.

Për të kuptuar dhe interpretuar më mirë vetitë e shkëmbinjeve karbonate është e domosdoshme të njihet lidhja midis porozitetit të çarjeve dhe porozitetit të matriksit, e cila gjithmone ka qenë një sfidë e vështirë për gjeoshkencetarët.

Me i rendesishem, për të siguruar komunikim, është poroziteti i çarjeve. Në vlerësimin e aftësive magazinuese, dhe filtruese të shkëmbit karbonat, duhen marrë parasysh vlerat e të dy llojeve të porozitetit, të përmendura më sipër. Pranohet nga të gjithë studjuesit dhe është reale  se në vëndburimet karbonatike rolin kryesor në grumbulimin dhe lëvizjen e fluideve e luan sistemi i çarshmërisë, përcaktimi i drejt i të cilit ka një rëndësi të madhe por dhe që është një problem i vështirë.

Studimi i tij kërkon dhe prezencën e specialistëve të kualifikuar në këtë fushë, ku duhen analizuar gjithë treguesit e përfituar që nga etapa e shpimit e deri në ditët e sotme të shfrytëzimit.

Ky studim ka vlera jo vetëm për të përcaktuar parametrat e punës të çdo pusi por dhe për të gjykuar se cfarë ndodh në hapësirën midis puseve. Prezenca e dominimit të sistemit të çarshmërisë vertikale sjell dhe inondimin e shpejt të puseve por dhe varosjen e sasirave të konsiderushme të naftës në hapësirën midis puseve vertikal ekzistues, e vërtetuar kjo tani në vëndburimin e Visokës.

Gjithë informacioni i marrë gjatë shpimit, përvehtesimit, dhe shfrytëzimit të puseve në vendburimet karbonatike vërteton ndryshimin e vetive petrofizike të shkëmbit karbonate, jo vetëm nga një pus në tjetrin, por në disa raste, edhe në dy puse dublor te njëri- tjetrit. Këto ndryshime janë të pranishme kudo, në çdo pjesë të struktures si ne shtrirje, edhe në vertikalitet. Kjo e bën shumë të vështirë aplikimin e një regjimi shfrytëzimi ne puse të ndryshëm, të vendosur në pjesë të ndryshme të strukturës.

Ndryshimi i vetive kolektore nga një pus në tjetrin bën që të merren rezultate të ndryshme ne prodhimin e naftës, në ardhjen e ujit, dhe përmbytjen e puseve, në mos stabilizimin e regjimit të puseve, si edhe në shterpësinë e tyre.

Studimi i kujdesshëm i parametrave të fluideve si dhe evidentimi i sa më real i parametrave të rezervuarit  për parcela dhe puse të veçantë, do të na ndihmoj të përcaktojmë dhe dy drejtime themelore të veprimit në këto fusha naftëmbajtëse:

– aplikimi i metodave për frenimin e ujrave fundor dhe rritjen e prodhimit të naftës i aplikuar gjërësishtë sot në vëndburimet e naftës në botë me injektimin e polimereve të përshtatshëm me tipet e fluideve tona.

– mundësinë e shpimit të puseve të rinj vertikal apo dhe të orjentuar për shfrytëzimin e naftave në hapësirën midis puseve ekzistues, eksperiencë kjo mjaftë pozitive dhe e aplikuar me sukses në vëndin tonë, krahas asaj botërore.

Shpimi i puseve të orjentuar është i rëndësishëm, por që kërkon dhe kujdesin maksimal në përcaktimin e trajektores se tyre, për të shmangur prekjen e sektorëve të inonduar, probleme këto të ndeshura në aplikimin e tyre në vëndburimin e Visokës. Intensifikimi dhe rritja e prodhimit të naftës nga vëndburimet ekzistuese kërkon dhe një rivlerësim të potencialit ekzistues të rezervave të naftës në kushtet aktuale duke ballafaquar rezervat e vlerësuara në fazën e vënies në shfrytëzim me rezervat e nxjera. Natyrisht në kushtet e një avancimi të “dhëmbëzuar” të kontaktit naftë ujë dhe krijimit të konuseve vertikal të ujrave fundor e vështirsojnë shumë vlerësimin e rezervave aktuale ekzistuese.  Shpërndarja e puseve aktiv në vëndburime si në pjesën kulmore apo dhe ato periferike tregon kjart se tashme kemi një kontakt naftë ujë mjaftë të shregullt

Duke ju referuar shëmbullit të vëndburimit të Visokës, ku autori ka studjuar me shumë vëmëndje, rezulton se rezervat e llogaritura në fazën e zbulimit të vëndburimit janë konsumuar, ndërkohë që fusha vazhdon aktivitetin normal të punës. Ky është problem për gjithë vëndburimet tona e që aktualisht administohen nga Albpetroli e që kërkon vëmëndjen dhe  studime të  veçanta. Vëndburimet ranore të naftës shtrojnë problematika të tjera. Kështu vëndburimi i naftës në Patos, si vëndburim i vjetër ruan një numur të lartë pusesh jo aktiv.

Rishikimi dhe vlerësimi i çdo pusi është imediat jo vëm për të rivlerësuar objektin të cilin ai ka shfrytëzuar por dhe mundësinë e evidentimit të objekteve të tjerë naftë mbajtës.

Eksperienca e pusit 518, i cili mbas rivlerësimit dhe ndërhyrjes për eleminimin e problemeve teknike që ai kish, tregoi potencialin naftëdhënës të tij në vlera shumë të larta e me vetë ardhje, duke prezantuar dhe ekzistencën e kapeles gazore, që nuk njihesh deri në atë kohë për pjesën jugore të suitës Driza.

Fakti që shpimi i tyre është realizuar para 70 viteve, kur mungonin matjet e plota gjeofizike në puse, mbështetur tashmë në eksperiencën e fituar, kërkon rivlerësim të çdo pusi dhe të gjithë vëndburimit në tërësi. Një studim kompleks i gjithë fushës është një domozdoshmëri për riaktivizimin e tij.

Publikimin e mendimeve të mija që parashtova më sipër ma nxiti dhe një ftesë që më erdhi para do kohësh nga Albpetroli, për të marë pjesë në një konferencë teknike e shkencore, që u organizua nga Albpetroli dhe kompania konçensionare që ka marrë vëndburimin e Delvinës dhe që organizohej në vëndburim.

Të themë të drejtën ftesa më befasoi se ishim mësuar që në diskutime të tilla të asistonin vetëm specialistë të vet spektri politik që drejton Albpetrolin. Në këtë konferencë u prezantuan ide dhe projekte me mjaftë vlerë për këtë vëndburim nga të dy palët dhe nga pjesëmarsit e ftuar. U realizua  një debat teknik dhe shkencor, që me siguri do të ndihmoj sado pak kompaninë konçensionare por që do i krijoj  premisa mjaftë të mira dhe vet Albpetrolit për monitorimin e aktivitetit të kompanisë konçensionare.  Realizimi i konferencave shkencore për çdo vëndburim nafte e gazi pa dyshim ka vlera të veçanta, por veçanërisht për vëndburimet që disponon Albpetroli ka shumë vlera. Në këto konferenca do të diskutohen debatohen dhe do hidhen mendime të ndryshme teknike e shkencore që mund të marrin vlerë reale në aplikimin e tyre.

Tërheqja e mendimeve nga gama e gjërë e specialistëve të naftës, kudo ku ata janë sot, merrë vlera të veçanta për një shfrytëzim racional të vëndburimeve dhe rritjen e prodhimit të naftës e gazit, objektivi të cilit është sot para Albpetrolit.

Albpetroli, aktualish krahas sa trajtova më sipër,  është dhe para dhe një detyre sa të rëndësishme po dhe aq me përgjegjësi, si ajo e monitorimit të aktivitetit tekniko ekonomiko financiar të kompanive konçensionare, që ushtrojnë aktivitet në disa fusha naftë mbajtëse, për të cilën mendoj dhe sugjeroj një rishikim të zbatimit të termave të Marveshjes Hidrokarbure dhe të programeve ekonomiko financiare  të miratuara.

Zbatimi me konseguencë i programeve të miratuara dhe detyrimeve ndaj shtetit dhe Albpetrolit është detyrë e rëndësishme dhe imediate.

Kjo është detyrë primare e departamentit të Marveshjes Hidrokarbure dhe e stafit drejtues të Albpetrolit dhe AKBN, detyrë kjo që nuk mund të realizohet pa një staf të kompletuar të fushave teknike, ekonomike e juridike.

Eshtë domozdoshmëri dhe me mjaftë përgjegjshmëri përzgjedhja dhe vlerësimi i këtij stafi, për të realizuar objektivat që ka parashtruar shteti dhe Albpetroli kur ka dhënë me konçensione këto vëndburime.

Personalisht kam mendimin se këto kompani kanë detyrime të mëdha ndaj shtetit dhe për të cilat mund dhe duhet ndalur në një analizë mjaftë të detajuar, pasi kemi të bëjmë me një pasuri kombëtare e cila duhet të ketë peshën e saj të rëndësishme në buxhetin e shtetit dhe të mos ngelet thjesht në vjeljen e rentës minerale.

Ing.  ILIA FILI

Prof. Doktor i shkencave të naftë

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.