Opinion-Komente

Ja pse BE-ja mbetet alternativë e vetme!

09:00 - 16.07.21 Dr. Jorgji KOTE

Kohët e fundit, nisur dhe nga shtyrja e çeljes së negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, janë shfaqur  mëdyshje, rezerva dhe qortime dhe të tipit populist ndaj BE-së; madje, në Forumin e Prespës në Ohër më 2 Korrik, në vijim të prononcimeve  që i tejkalojnë caqet e qëndrimeve kritike,  Kryeministri Rama e krahasoi gabimisht vonesën e integrimit  në BE me  “Në pritje të Godosë“ të  Samuel Becket dhe pushtimin e Trojës!!!



Në fakt, krahasuar me 10 – 15 vite më parë, për shumë shkaqe dhe arsye të njohura, BE-ja ka humbur jo pak nga frymëzimi, entusiazmi dhe pritshmëritë e larta. Ka lodhje deri në alergji nga zgjerimi në vendet e saj antare, sikurse padurim dhe zhgënjim nga pritja  e gjatë në vendet e Ballkanit Perendimor. Goditjen më të rëndë BE-së ia dha BREXIT, krahas tentativave në disa vende të tjera  për “ta ribërë BE-në “ nga brenda, si “demokraci joliberale.“ Po ashtu, rol negativ po luajnë populizmi, ekstremizmi dhe euroskepticizmi, duke baltosur dhe demonizuar Brukselin për çdo “mëkat“ e duke “rrahur gjoksin“ demek  për  meritat e tyre.

E megjithatë, le ta themi “copë“  se pa mohuar problemet, pakënaqësitë dhe dështimet e saj të njohura, sidomos dekadën e fundit, prania dhe antarësimi  në BE për vendet e Ballkanit Perendimor mbetet alternativa  më bindëse dhe fituese. Ndaj, Kryeministri Rama bëri shumë mirë kur më 9 Korrik e theksoi BE-në, si alternativën tonë të vetme dhe në intervistën për  të famshmen  “ The Economist“

Ja, shihni, megjithë debatet dhe problemet, në Hungari, pëlqyeshmëria për BE-në krahasuar me 5 vite më parë është rritur  nga 70 në 85 për qind e po kështu dhe në Poloni. E kuptueshme  nisur nga përfitimet e tyre të shumëanshme; ndonëse Polonia kontribuon për BE-në me 3,5 Miliard, ajo përfiton  17,5 Miliard Euro! Ndërsa te ne, popullariteti  për BE mbetet në  nivele dhe më të larta, bashkë me përfitimet e shumëllojshme.

Më poshtë le të përmendim 10 arsyet, aktorët dhe faktorët kryesorë që veçanërisht për Shqipërinë  e bëjnë antarësimin në BE-në alternativë të pazëvendësueshme:

Së pari, vokacioni ynë i theksuar shpirtëror perendimor; jo vetëm falë pozicionit gjeografik, por duke filluar qysh nga ndihmesa e madhe e Skënderbeut në mbrojtje dhe të Krishterizmit, një nga tri komponentët themeltarë të BE-së bashkë me demokracinë helene dhe drejtësinë romake. Ndonëse rregjimi monist  i kishte shpallur BE-në dhe SHBA-të me Kushtetutë  “armiqtë më të mëdhenj të njerëzimit dhe socializmit“ ideja e Europës mbeti e ngulitur fort në zemrat e njerëzve. Trysnia popullore e detyroi rregjimin të dorëzohej dhe në Qershor 1990 të kërkonte nga halli vendosjen e marrëdhënieve  diplomatike me BE-në të realizuar një vit më vonë. Pastaj, historia vijoi me të përpjeta e tatëpjeta, me “vend numëro“ vonesa dhe pengesa, por në çdo rast  “ylli ynë polar“ mbeti Integrimi Euro-Atlantik.

Endra e Dhjetorit 1990 ishte “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa“. Megjithë zhgënjimet,  kjo ëndër  mbetet aktuale dhe motiv i madh për antarësimin në BE dhe asaj nuk mund t’i “vihet viza“ në asnjë rrethanë.

BE-ja përfaqëson projektin më të madh dhe më të suksesshëm të paqes, kundër luftës dhe konflikteve dhe në përgjithësi,;brenda saj ia ka arritur këtij qëllimi sublim, duke dhënë ndihmesë të madhe, megjithë dritë-hijet e veta dhe jashtë saj.

Ajo lindi duke bashkuar prodhimin e“ lëndëve të para  të luftës në “ komunitetet e atomit, çelikut dhe qymyrit“ duke i kthyer ato në lëndë për paqe dhe begati ekonomike, ndërsa armiqësitë e dikurshme në aleanca të fuqishme politike, ekonomike dhe ushtarake. Jo rastësisht bashkëthemelueset e  saj janë tri shtete të mëdha dhe tri të vogla,  fituese dhe humbëse të luftës, partnere në paqe dhe begati! Suksesin e bujshëm dhe unikal të BE-së e tregon fakti  se nga 6 në fillim, u shtuan dhe tani janë 27 vende, nga të cilat 11 nga ish-lindja  plus 7 të tjera si kandidate. Më tej, BE-ja është i vetmi grupim i këtij lloji supranacional  dhe ndërqeveritar, që vepron në konsensus të plotë; çka do të thotë se BE nuk është vetëm  Brukseli, Komisioni/Parlamenti/Shërbimi i Jashtëm  Europian, por të 27 kryeqytetet e vendeve antare, bashkë dhe veç e veç, pa asnjë dallim.

Gjithashtu, BE-ja është grupimi më i madh ekonomik, monetar, tregtar dhe doganor në botë, me institucione të konsoliduara, që përfaqësojnë qeveritë, shtetet dhe elektoratet e tyre. Me 450 milion banorë është fuqia e dytë ekonomike më e madhe pas SHBA-ve, me 24 për qind të GDP-së botërore, me monedhë dhe tregun unik më të madh në botë, me 16,5 për qind të vëllimit të tregtisë botërore.

BE-ja është sinonim i begatisë ekonomike, sociale dhe integruese. Vitin e kaluar ajo miratoi buxhetin më të madh në histori me 2,4 Trilion Euro, me 750 Miliard Euro si marrje, ndarje dhe falje borxhesh për vendet më të goditura nga COVID – 19. Në Samitin e G-7 në Londër në Qershor ra dakord me SHBA-të të sfidojnë “Mëndafshin kinez“ me projektin gjigand prej qindra miliarda eurosh “Për një  botë më të mirë“  Pavarësisht nga debatet, vështirësitë dhe problemet, shumica e vendeve të BE-së kanë mikpritur miliona shtetas nga gjithë bota. Belgjika, për shembull,  përbëhet nga 184 nacionalitete; ndërsa 70 për qind e banorëve të Brukselit janë me origjinë të huaj, por kjo vërehet dhe në vende të tjera perendimore të BE-së.

Kësisoj, megjithë  pluset dhe minuset e saj, BE-ja mbetet aktor dhe faktor përcaktues në ekonominë botërore,  me synimin strategjik që nga një “arkëtar global“  të kthehet në “lojtar global“. Tri bashkëthemelueset e saj – Franca, Italia dhe Gjermania janë ndër 7 vendet më të zhvilluara demokratike; ndërkohë, Franca është fuqi bërthamore dhe antare e KS të OKB-së, etj.

Më tej, BE-ja është donatori më i madh për vendet në zhvillim, rajonin dhe vendin tonë dhe në  30 vitet e fundit. Rikujtojmë se vetëm vitin e kaluar, ajo mblodhi  1,15 miliard Euro për Tërmetin e 26 Nëntorit 2019, akordoi 3,3 Miliard Euro për Ballkanin Perendimor për luftën kundër COVID-19, dhe 29 miliard Euro në kuadrin e “Planit Marshall“të rimëkëmbjes ekonomike të Ballkanit Perendimor!

BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar dhe i Ballkanit me 75 për qind të vëllimit të tij tregtar dhe vendit tonë. Kështu,  10 vitet e fundit tregtia me BE-në u rrit 130 për qind; eksportet e saj në vendin tonë u rritën 207 për qind, ndërsa importet 94 për qind. Gjatë periudhës 2007 – 2020 “IPA“ ose “Instrumenti i Para – Aderimit“ me BE-në  ka akorduar  mbi 2 miliarda Euro në fushat e demokracisë, ekonomisë, rinisë dhe infrastrukturës, pa përmendur  fondet dypalëshe.

Gjithashtu, BE-ja shquhet nga të gjitha grupimet e ngjashme për rregullimin e konkurrencës, tregjeve ekonomike dhe atyre të punës, falë bashkëpunimit të saj me Bankën Botërore, FMN-në, OBT dhe organizata të tjera me peshë dhe emër.

Tani vijmë natyrshëm te momenti më i rëndësishëm që e “betonon“ alternativën unikale të BE-së; vërtet që avantazhet e lartpërmendura  mund të kompensohen deri diku, edhe pse me plot pikpyetje, nga bashkëpunimi me vende dhe organizata të tjera, të mëdha e të vogla, rajonale dhe globale – me Euro-Azinë, Dubain, Turqinë, Rusinë, 16+1 kinez, etj. Me ndihmën e tyre  mund të ndërtojmë  porte,  aeroporte, godina, rruga dhe autostrada gjigande. Por, kujdes,  askush tjetër, nuk e zëvendëson dot BE-në lidhur me këto dy avantazheve  të pakonkurueshme:

E para,  36 vite më parë, BE-ja krijoi SCHENGEN,  hapësirën më të madhe të lirisë në botë me 22 vende antaree dhe 4 të asociuara e në pritje për t’u zgjeruar më tej. Me katër lëvizjet e mëdha  të lira të njerëzve, kapitalit, shërbimeve dhe mallrave dhe me përfitime të pallogaritshme për të gjithë. Askund gjetkë nuk gjen  një hapësirë të tillë të madhe të lirisë me rrjedhoja të pallogaritshme politike, ekonomike, sociale dhe njerëzore. Aq sa  te ne dhe gjetkë BE-ja shpesh identifikohet me lëvizjen e lirë; madje kur ajo na liberalizoi vizat në dhjetor 2010, shumë menduan se  u bëmë antarë të saj!

Së dyti dhe kryesorja, veç Schengen, ajo çka e bën krejt të veçantë alternativën e BE-së  janë  shteti i të drejtës,  shoqëria civile, media e pavarur,  të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, mosdiskriminimi për asnjë shkak politik, ekonomik, fetar, gjinor, krahinor, etj. Këto standarde demokratike, politike dhe ekonomike për vendet e ish lindjes komuniste si kushte dhe busull orientuese për antarësimin në BE janë miratuar në Samitin e Kopenhagenit në vitin 1993.

Këtu është tejet e rëndësishme të theksojmë se në këtë fushë, BE-ja është “një“  me SHBA-të, me Japoninë, Kanadanë dhe vende të tjera perenddimore demokratike.  Duke zgjeruar kështu Aleancën e vlerave, parimeve dhe interesave strategjike, e cila po forcohet më tej pas ardhjes së Joe Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Mirëpo ky komponent përbën dhe palcën kurrizore ose “ADN“-në e BE-së. Jo se në vendet e tjera nuk ka tradita  dhe elementë pozitivë të lartpërmendur, por BE-ja dhe SHBA-të i kanë të konsoliduara dhe institucionalizuara në gjithë sistemin  politik dhe të garantuara jo vetëm me ligj,  dhe me gjykatat përkatëse me besueshmëri absolute, sidomos ajo e  të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Risia tjetër madhore në këtë fushë është se më 1 Janar filloi zbatimi i mekanizmit të posaçëm ligjor të BE-së ndaj  shteteve antare dhe jashtë saj që bëjnë shkelje të rënda të shtetit të së drejtës dhe lirive demokratike.

Veç kësaj, askush tjetër nuk ka bashkëpunim si BE-ja me SHBA-të, KiE-në, OSBE-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare, garante të demokracisë.  Vërtet që BE-ja kohët e fundit është tronditur fort nga  kriza dhe konflikte dhe nga sulme nga shumë anë; por, falë përvojës dhe komponentëve të lartpëmendur, ajo i njeh, është e vetëdijshme për to, ndaj  dhe po merr masa e vepron, me ngadalë hera herës,  me mungesa e vonesa, sepse për mirë apo  për keq kështu është ndërtuar ajo; por në fund ia del më mirë se çdokush tjetër. “Konferenca për të ardhmen e Europës“, pjesë e të cilës është dhe Ballkani është dëshmia më e freskët e ndërgjegjësimit dhe veprimit aktiv të BE-së.

Si përfundim, çdo variant/version apo alternativë jashtë BE/SHBA do të rezultojë e pjesshme, e përkohshme dhe me pasoja të paparashikueshme.

Së fundi, duke qenë se këtë alternativë e kemi përqafuar me dëshirën tonë, pa asnjë imponim prej saj, atëhere duhet të respektojmë dhe rregullat e BE-së, “në frymë dhe në gërmë“ e pa i dhënë mend, ca më pak kur ende po trokasim në portat e saj.  

Po, reformat i bëjmë për vehte, POR dhe për BE-në! Kujdes,  se pa certifikimin e saj ato nuk kanë vlerë. Ndaj dhe Kuvendi dhe dikasteret tona kanë drejtori  funksionale për përafrimin e legjislacionit tonë më atë të BE-së! Po aq gabim është t‘i thuash asaj të mos na tregojë  ç‘duhet të bëjmë në rajonin tonë! Po, ajo ta thotë që çke me të, madje “vallen duhet ta hedhim dhe sipas muzikës së saj“, nëse duam vërtet të bëhemi, madje sa më shpejt  pjesë e BE-së.   

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.