KULTURË

Papa Klementi, merita e etnonimit Shqipëri e shqiptarë

12:31 - 16.07.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Skënder Gjinushi*- Kam kënaqësinë dhe  nderin t’ju drejtohem me përshëndetjet e mia dhe të Akademisë së Shkencave të gjithëve ju, në këtë ditë të shenjuar për ne, që nderojmë 300-vjetorin e ndarjes nga të gjallët të Papa Klementit të 11-të, që njihet e mbiquhet edhe me emrin e dashur Papa Klementi-Albani.
Ai vetë e deshi si mbiemër emërtimin etnik të popullit të origjinës dhe e shtonte me krenari krah mbiemrit të kanonit.
Ndër shumë e shumë merita, Papa Klementit të 11-të duhet t’i njohim përfundimisht përgjithësimin e etnonimit të ri të vendit dhe të popullit, Shqipëri e shqiptar, që u përdorën për herë të parë si zëvendësues Arbëri e arbër në procesverbalet e Kuvendit të Mërqisë, i njohur ndryshe si Kuvendi i Arbnit. Misionarët e dërguar prej tij për të marrë pjesë në këtë kuvend, hartues fjalorësh e gramatikash të hershme, e stabilizuan emrin e ri të popullit në një kohë që emërtimet e vjetra ishin bërë të ngushta për t’i përfshirë të gjithë, pavarësisht dallimeve fetare, rajonale e kulturore. Ky ishte një akt epokal rihomogjenizimi, pas dallimeve që kishte shkaktuar sundimi disashekullor otoman.
Papa Klementi i 11-të e kishte manifestuar shumë hapur atdhesinë e vet kohë përpara se të mbahej Kuvendi i Arbnit. Në një letër apostolike dërguar më herët arkipeshkvit të Tivarit ai shkruante:
Dëshiroj të përmbushësh një vizite pastorale në trojet e Arbërisë, të vesh atje dhe të shikosh nga afër kryeipeshkevitë, ipeshkvitë, dioqezat dhe famullitë. Pasi të keni bërë këtë punë dua nga ju një raport të hollësishëm për gjendjen e kishave të Arbënisë dhe të besimtarëve. Dhe me në fund dua të di a e përdor ai popull gjuhën e vet, të folmen arbëreshe.
Gjatë jetës së tij Papa Klementi ka ndërmarrë disa iniciativa me rëndësi historike-epokale, në favor të vendittë tij të origjinës.
Ishte në detyrën e lartë të sekretarit të korrespondencës papnore në bazilikën e Shën Pjetrit kur filloi bashkëpunimin me Riçeputin për hartimin e prospektit të veprës më të madhe burimore-dokumentare për ilirët dhe pasardhësit e tyre. Sikurse dihet, korpusi Ilirët e shenjtë (Ilirici sacri) në tetë vëllime u përgatit dhe u botua me mbështetjen e tij. Kjo vepër sot e gjithë ditën konsiderohet porta e çdo dijetari që dëshiron të merret me historinë e ilirëve dhe të pasardhësve të tyre. Për fat të keq, pjesa tjetër që quhej Ilirët profanë, në kuptimin Ilirët para se të krishteroheshin, me ndarjen e tij nga jeta nuk vazhdoi më.
Pas vizitës apostolike që bëri arkipeshkvi i Tivarit në viset e Arbnit Papa Klementi i 11-të u njoftua se gjendja kishtare në ato vise ishte e rënduar jo vetëm nga sundimi ottoman, por edhe nga mosmarrëveshjet midis ipeshkvive dhe qendrave kishtare Papa Klementi i 11-të urdhëroi menjëherë mbajtjen e Kuvendit të Arbnit, që është nisma e dytë historike e tij për fatin e të parëve të tij në Shqipëri.
Pas këtij kuvendi, gjithnjë e më shpesh emri i vjetër i vendit dhe popullit do të zëvendësohej nga ai që kemi sot, Shqipëri e shqiptar. Ashtu u shkrua në aktet e Kuvendit të Arbnit, ashtu u shkrua dhe në fjalorin dhe gramatikën që botoi misionari Da Leçe. Këto qenë vepra që lanë gjurmë të jashtëzakonshme edhe në mendje të tilla të ndritura, si Lajbnici, i cili paratha në mënyrë profetike lidhjet e shqipes me ilirishten. Nëse sot studiuesit shqiptarë me të drejtë flasin për një rilindje para Rilindjes Kombëtare, që ka të bëjë me ndryshimin e periodizimit të historisë, kjo lidhet pikërisht me nacionalizmin gjuhësor të shekullit të 18-të, me rolin e Papa Klementit të 11-të drejtpërsëdrejti, me ndjeshmërinë e tij të shkëlqyer ndaj shqipes së të parëve.
Një kontribut historik i Papa Klementit të 11-të ka të bëjë me kujdesin paraprirës të tij për ringritjen e krishterimit në viset jugore të Shqipërisë, krerët e të cilave iu drejtuan për mbrojtje prej sundimit osman që në shekullin e 16-të. Misionet baziliane në Himarë, në Bregdet, madje deri në Ohër e Voskopojë; emërimi në krye të ipeshkvive e të misioneve i klerikëve arbëreshë pothuajse në gjithë Shqipërinë nën Shkumbin, bënë që të rivendoseshin urat e para mbi Adriatik midis shqiptarëve dhe arbëreshëve.
Megjithëse i themeluar dy vjet pas vdekjes së Papa Klementit të 11-të, kolegji arbëresh i San Benedetto-s në Ullano, që cilësohej si një institucion me strukturë të vërtetë universitare, ku u formuan edhe dijetarë shqiptarë të mirënjohur, ka lidhje të pandashme me emrin dhe projektet e tij favorizuese ndaj bashkatdhetarëve në origjinë.
Edhe vendosja e shqiptarëve të Kelmendit në Zarë të Kroacisë afro një dekadë pas papës arbëresh që mbante pikërisht emrin e kësaj krahine të lëvduar në histori, u bë e mundur nën hijen e autoritetit, ndikimit dhe projekteve të Papa Klementit të 11-të, faktorë që mbetën veprues edhe nën apostullimin papnor të pasardhësve të tij.
Ne sot e nderojmë Papa Klementin e 11-të jo vetëm për këto nisma, por për gjithë trashëgiminë që lidhet me emrin e tij dhe që është bërë pjesë e historisë së popullit shqiptar. Të gjitha nismat e tij përputhen në mënyrë të shkëlqyer me historinë fetare të shqiptarëve. Këto nisma jo vetëm nuk kishin synim në mënyrë fanatike pjesën ndaj së tërës, por qartazi kishin karakter ekumenik e përbashkues; ato ndikuan që shqiptarët të ndiheshin të njëjtët pavarësisht dallimeve; ato ndikuan që besimi të mos kthehej në kufi, përkundrazi, të njihte epërsinë e identitetit etnik në hierarkinë e përbërësve të identitetit kombëtar. Vetë Papa Klementi i 11-të, edhe pse nën petkun e lartë të kryesuesit të një kishe botërore, veproi me vetëdijen e një iluministi, dhe kjo shpjegon pse pikëpamjet e tij dhe të Lajbnicit ishin aq pranë njëra-tjetrës. Në Shqipërinë e sotme, multifetare dhe njëherësh laike e shekullare, iluminizmi gjuhësor, pavarësisht nga ka ardhur, ka gjurmën e vet thelbësore. Prandaj mirënjohja jonë ndaj emrit dhe veprës së lavdishme të Papa Klementit të 11-të është e pakufishme dhe do të jetë e tillë gjithnjë, siç krenohej Papa gjatë tërë jetës me origjinën e tij shqiptare.
*Kryetar i Akademisë së Shkencave, fjala e mbajtur në konferencën shkencore për Papa Klementin XI





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.