AKTUALITET

Parimet e suksesit sipas Pacollit, një udhërrëfyes drejt eksplorimit të vetes

09:28 - 16.07.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të njohësh e të kuptosh Behgjet Pacollin politikan nuk është e vështirë. Mjafton të shohësh titujt e librave të tij. “Nga sfida në sfidë”, “Bashkimi nis nga ekonomia”, “Të lobosh për Kosovën”. Do të mjaftonin vetëm këto 3 tituj të veprës së tij letrare autobiografike për të zbërthyer, këtë personazh kompleks të hapësirës mbarëshqiptare.




Biznesmen, politikan, filantrop e bamirës, por edhe familjar dhe diplomat. Ky është Behgjet Pacolli dhe siç flasin botimet e tij: Jeta për të ka qenë një sfidë, puna e përditshme po ashtu. Lobimi për Kosovën vjen jo thjesht si ish-shef i diplomacisë, por mbi të gjitha si vokacion i trashëguar shpirtëror për të ndërtuar më në fund, të shumëdëshiruarën, paqen. Dhe po, bashkimi nis nga ekonomia. Bashkimi kombëtar po e po, por edhe bashkimi nën flamurin dhe vlerat europiane.
Ja pse është mjaft e lehtë ta njohësh Behgjet Pacollin përmes veprës së tij. Sepse ai flet për përjetime, ide dhe vizion, jo në pozitat e njeriut sipëror e të gjithëpushtetshëm, por në pozitat e shqiptarit të zakonshëm që e do atdheun dhe bashkë me të, bashkëqytetarët e tij.
Behgjet Pacolli është një shqiptar me këmbë në tokë – diçka jo fort e zakontë në këto treva – dhe ai flet me të njëjtën lehtësi dhe entuziazëm si për vendlindjen e tij në Marec, fëmijërinë e rininë, e po kështu edhe për takimet me politikanë ndërkombëtarë dhe momentet kyç të jetës politiko-sociale në Kosovë.
Sot do të ndalemi tek një libër atipik për shkrimet shqiptare, por aq i përdorur si teknikë letrare në Perëndim. “15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit” është një libër ku rrëfimi dhe eksperienca personale ndërthuren me vizionin dhe parimet motivuese që e shtyn një njeri të niset nga Mareci për “t’u ngjitur” mbi Kremlin e më tej në majën e piramidës së shtetit të Kosovës.

Napoleon Hill, Tom Peters apo Tony Robbins kanë qenë dhe janë njerëz që kanë synuar të motivojnë njerëzit drejt suksesit me fjalën e tyre. Behgjet Pacolli synon ta bëjë këtë, por jo si qëllim në vetvete, por si një mundësi që duke përmirësuar veten, përmirësohet komuniteti dhe duke përmirësuar komuniteti, përmirësohet bota.
Vetëbesimi, personaliteti, vetëkontrolli, mendimi i saktë, entuziazmi vijnë në librin e tij jo thjesht si “zbulime divine”, por si udhërrëfyes ngritur mbi eksperiencën konkrete personale.
“15 parimet e suksesit” është një libër që duhet të jetë në çdo bibliotekë të dikujt që ka respekt për veten. Amerikanët kanë një shprehje: Të tjerët, të vendosin atë çmim që ti i vë vetes.

Edhe nëse nuk je i përgatitur të shpikësh një raketë për në hënë, ky libër do të të ndihmojë. Sepse nuk kemi të bëjmë me një tekst mburravec të tipit “shiko ku arrita unë”. As nuk ka aty udhëzime se si të bëhesh milioner brenda natës. Por, nëse do të jetosh mirë, në paqe me veten, ndërgjegjen tënde, familjen, rrethin miqësor dhe bashkëqytetarët e tu, ky libër do të të ndihmojë të gjesh paqen vetjake. Dhe nëse ke paqe ti, ka paqe e gjithë bota.
Më poshtë, disa pjesë nga libri “15 parimet e suksesit” nga Behgjet Pacolli. Libri është ndërtuar në formën e një interviste me shqiptaren nga Tetova, Mimoza Thaqin me redaktimin e Mentor Nazarkos dhe Jeta Rudit. Ka dhe këtu pak “bashkim kombëtar” apo jo?

PJESE NGA LIBRI
Mimoza Thaçi: Tani, z. Behgjet Pacolli, jemi te rregulli i artë që e përmendëm, sepse rregulli i artë është ‘çfarë mbjellim, atë korrim”, juve gjyshi ju ka mbjellë shumë fara suksesi, sinqeritet, integritet, ndershmëri, besim dhe ato fara janë rritur në suksesin tuaj madhështor. Ju lutem, z. Behgjet Pacolli, çfarë farash suksesi doni të mbillni në mendjet tona sot, vërtet jemi shumë kuriozë të dëgjojmë nga ju fjalë që do të ngelen në kujtesën tonë përgjithnjë. E pas 5 vitesh, dikush nga personat që lexojnë këtë libër do të vijë të na thotë: këtë farë suksesi z. Behgjet Pacolli e mbolli te unë dhe ja ku jam duke e korrur sot.
Behgjet Pacolli: Sigurisht, ne po flasim një bisedë të lirë, por kjo bisede është fillim i mirë për një veprim të përbashkët. Tani fillojmë veprimin tonë të përbashkët, e në fund të vitit do të kemi diçka konkrete për të treguar drejt suksesit. Sidoqoftë, çdo punë e mirë, por edhe rruga drejt suksesit diku duhet ta ketë fillin e vet.
Së pari, ju thashë se duhet dhënë nga vetja për të fituar diçka dhe një grusht që hapet duhet të japë fillimisht për të qenë në gjendje të marrë më vonë. Unë këto që kam arritur, aq sa kam arritur, i kam herë me shumë sakrifice, duke shprehur më së pari urtësinë dhe respektin ndaj familjes sime dhe miqve të mi e, së dyti, me përkushtimin tim të pafund ndaj punës.
Dua t’ju sjell një shembull. Kur kam qenë në shkollë, nuk dija se çfarë janë pushimet e gjata dhe çfarë janë pushimet e shkurtra, gjithmonë kam qenë në klase. Një here ka humbur një laps dhe me kanë thënë: “Behgjeti ka qenë në klasë, ai ma ka vjedhur”. Sepse të gjithë shkonin në pushim, ndërsa unë përgatitesha për orën tjetër.
Siç e shihni, për shkak të përkushtimit ndaj punës, kam qenë në gjendje të duroj edhe ofendime të tilla. Për gjerat që nuk i kam ditur, asnjëherë nuk kam ngurruar të pyes. Ato që kam pasur mundësi t’i mësoj, i kam lexuar dhe e kam formuar një bindje te vetja, jo atë çka e kam lexuar, sepse njeriu lexon shumëçka, lexon libra, gazeta, portale, e aty gjen gjithçka. Nga leximet me është dashur ta krijoj një bindje timen dhe me të bëmat e mia, në veprimet e mia, unë kam krijuar bindjet e mia të plota dhe jam bindur se është e drejte ajo qe jam duke here. Bindja ime ishte përcjellësi im i pandalshëm dhe me bindjen time kam krijuar imagjinata, kam krijuar ide, kam krijuar projekte dhe bindja me ka shpënë deri tek suksesi. Bindja më ka krijuar komoditet dhe në njëfarë mënyre bindja ishte dhe mbetet përgjigjja më mirë e të gjitha paqartësive të mia.
Në jetën tuaj duhet të ecni dhe të veproni gjithmonë, jo të mbaheni të njerëzit e tjerë e t’i shtyni në hendek që të arrini vetë, por ecni dhe merrni kë të mundni me vete.
Ndihmo, merr me vete drejt suksesit kë të mundesh, por jo t’i shtypësh dhe të përfitosh për vete në dëm të të tjerëve.
Mimoza Thaçi: Por nëse dikush të pengon, si të veprojmë me atë person?
Behgjet Pacolli: Është momenti tjetër, që nëse mendon se duhesh t’ia thyesh qafën atij, mos e bej, lëre, mos e bej, ai do ta thyejë qafen e vet dikund tjetër. Edhe ndarja nga njerëzit të cilët nuk të duan ndodh në momente të caktuara, por ajo duhet të jetë dinjitoze.
Ashtu siç duhet të mbjellësh në momente të caktuara, po ashtu duhet të korrësh në momentet e caktuara.
Kjo na mëson se një ‘mik’ të cilin e ke gjeneruar në një kohe të caktuar, do ta mbash afër vetes dhe në një kohë të caktuar ti duhet të ndahesh nga ai. Këto ndarje nuk duhet të merren si diçka tragjike, sepse bashkëjetesa në një grup në të cilin nuk je përshtatur mund të jetë e dëmshme. Për shembull, nëse një akademik i shkencës rastësisht është shoqëruar me një artist, ata mund të kenë bashkëjetuar vetëm për një moment të caktuar derisa janë konsumuar temat e interesit të përbashkët dhe pas kësaj, ata nuk i ka ndërlidhur asgjë. Këtu, jo vetëm që mund të humbë interesi për ndonjë bashkëjetesë apo bashkërrugëtim, mund të ketë edhe dëme të pashmangshme. Në këto raste ndodhin ndarjet dhe secili i bashkohet grupit të vet të interesit.
Përcaktimi i njerëzve në grupe të interesit vërehet më së shumti tek eventet ku ka shumë njerëz, të cilët nuk njihen në mes vete dhe me kalimin e kohës, te kjo masë e njerëzve formohen grupe të ndryshme të interesit në mënyrë evolutive, dhe në një moment sheh se të gjithë këta njerëz janë ndarë nëpër grupe të ndryshme edhe pse ata nuk njiheshin paraprakisht. Sinjalet për përkatësinë e njerëzve në një grupinteresi, transmetohen edhe përmes përkatësisë së njëjtë të tipave psikologjike, mimikës, mënyrës së përshëndetjes, e në të shumtën e rasteve prej bisedave të shkurtra ku njerëzit njoftohen mbi profesionin, standardin jetësor, hobit, etj. Tendenca është që njerëzit të bashkohen aty ku ka tema të përbashkëta diskutimi, si për shembull, artistët bisedojnë për pjesët teatrale, akademikët shkencorë për zbulimet më të fundit, mjekët për ndonjë simpozium të tyre, oficerët ushtarakë për teknologjitë e fundit ushtarake e politikanët për zgjedhjet e fundit në Amerikë, etj. Nëse ata i përkasin tipave të njëjte psikologjikë dhe posedojnë ngjashmëri të nivelit edukativ, profesional, hobeve, fuqisë blerëse të njëjtë, etj., e bëjnë grupin e interesit të qëndrueshëm. Qëllimet e njerëzve që përbëjnë këto grupe interesi janë të evidentuara dhe mund të jenë të ngjashme. Dikush mund të sforcojë veten e vet duke dëshiruar që të jetë pjesë e atij grupi interesi, por kjo nuk funksionon, sepse ai e lë atë gjë për shkak të dëshirës e jo të qëllimit të tij.
Mendjet e mëdha udhëhiqen nga qëllimet, e të tjerat nga dëshirat.
Ata që u bashkohen grupeve të interesit nga dëshira për të qenë pjesë e tyre e jo nga një qellim më i gjerë, janë të parët ata që largohen nga këto grupe.
Kështu ndodh edhe me dikë që të bashkëngjitet në rrugëtimin tënd drejt suksesit. Bashkëpunimi është i suksesshëm vetëm nëse qëllimi i atij personi është të të përcjellë gjatë rrugëtimit drejt suksesit dhe të veprojë së bashku me ty në afate të gjata. Këta njerëz janë të nevojshëm për arsye se janë ata që luajnë rol të madh drejt arritjes së suksesit. Nëse dikush të bashkëngjitet vetëm për shkak të një dëshirë apo interesi momental, ky person mund të të dëmtojë rrugëtimin tënd drejt suksesit dhe më e mira e gjithë kësaj është që të ndodhë ndarja.
Në një rrugëtim të përbashkët me partnerin tënd, së pari, duhet të jesh i qartë me veten tënde, të renditesh gjërat tua dhe të merresh me llogaritë tua. Nëse të gjitha ato janë në rregull dhe të renditura, siç duhet, atëherë mund të kërkosh llogari tek partneri apo bashkërrugëtari yt.
Mos humbni kohë që të merreni me problemet dhe llogaritë e te tjerëve, merruni me vetveten dhe llogaritë tuaja.
Bashkëpuno në grup, ndaje rezultatin e suksesit në mënyrë reciproke me ata që kanë bashkëpunuar dhe kanë kontribuar për arritjen e suksesit, gjithmonë mundohu të krijosh ambient dhe kushte, të cilat ti i posedon, edhe për të tjerët.
Asnjëherë mos debato publikisht për punët e partnerit, gjegjësisht punëdhënësit tënd. Mos përfol dhe mos bej krahasime për gjendjen e tyre financiare dhe trajtoje sikur punë diskrete të tyre. Puno shumë dhe garanto që puna të kompensohet me para. Sa më tepër të punosh, aq më tepër duhet të fitosh. Fitimi nuk duhet të ketë limite.
Paraja apo fitimi është kompensimi i punës dhe sakrificës tende, i cili duhet të vijë aty ku ti gjendesh.
Mos humbni kohë që të shkoni te paraja, por paraja duhet të vije te ju.
Nëse ti ke punuar diçka, do të thotë të vjen shpërblimi, sikurse punëdhënësi ta paguan pagën dhe të vjen në llogarinë tende.
Mos harroni se puna ekipore është më e suksesshme, secili merret me kryerjen e veprimeve, të cilat e mundësojnë suksesin e tërësishëm. Një orë shumë e shtrenjtë zvicerane tregon kohën dhe sa herë ne e shikojmë, përqendrohemi tek akrepat e saj. Rrallëherë mendojmë për morinë e mekanizmave që funksionojnë në brendësinë e asaj ore për të arritur tek funksioni i fundit, tregimi i kohës. Pra, sado që të jenë të thjeshta apo të komplikuara ato mekanizma, secili ka funksionin e vet pa të cilin ora nuk funksionon. Ashtu duhet të trajtohet edhe suksesi në kohen moderne, ku një mori individësh kryejnë një operacion të caktuar e të gjitha këto operacione përbëjnë e përmbushin qëllimin kryesor që është suksesi.
Çdokush ka vendin e vet të caktuar në shoqëri dhe luan një rol të rëndësishëm. Edhe ju keni vendin tuaj.
Kreativiteti, interesi, trajtimi i gjerave me seriozitet, mënyra e trajtimit të ambientit të punës dhe njerëzve që ju rrethojnë, përkushtimi ndaj punës, duhet të trajtohen si përbërësit më të mirë që e ndihmojnë njeriun të gjejë vendin e rëndësishëm që i përket në shoqëri. Atë vend e ka të rezervuar secili njeri dhe secili duhet ta gjejë vetë. Si dhe kur e gjen atë, varet krejtësisht nga vete personi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.