Opinion-Komente

Vetingu i tenderistëve

09:32 - 16.07.21 Fatos Çoçoli

Pushteti vendor ose të 61 bashkitë, kryejnë në vit mbi një mijë e treqind tendera publikë, për një shumë parash 220-230 milionë euro. Pushteti qendror, ministritë kryejnë shumë më pak tendera, por shifrat janë të mëdha dhe aty porositen(prokurohen) mallra dhe shërbime për rreth 2 miliardë euro në vit. Të dyja pushtetet, si ai qendror edhe vendor, në tenderat që bëjne, “vuajnë” nga ajo që në gjuhen teknike quhet “sindroma e fondit limit”. Pra, punonjës të Shtetit që marrin rrogën në drejtori prokurimesh, njësi prokurimesh, që punojnë me kohë të pjesshme në komisionet e vlerësimit të ofertave (janë rreth 1 mijë e katërqind të tillë në të gjithë vendin në ministri, drejtori qendrore, bashki, etj.), nuk e kanë mendjen si të zhvillohet një garë e rregullt dhe të ulet çmimi  në dobi të kursimit të parasë publike. Mendja u punon si të marrin diçka për vete, duke i shërbyer besnikërisht atij që u firmos rrogën në bordero. Dhe nuk mund të bëjnë të dyja gjërat njëherësh. Edhe të përfitojnë për vete, edhe të ulin fondin limit, për të kursyer paranë publike. Paraja publike duhet shpërdoruar, në mënyrë që të fitojë abuzivisht drejtori i institucionit, të tjerë që qëndrojnë sipër tij, punonjës të prokurimeve dhe kuptohet, edhe firma private që fiton tenderin. Po s’fitoi para me thasë, në dëm të buxhetit të shtetit të shqiptarëve kjo e fundit, i gjithë ky zinxhir nuk funksionon dot. Kjo është arësyeja pse në 3 dekadat e fundit, tenderat(janë zhvilluar me dhjetëra mijëra të tilla) janë vërtitur në nivele gati 100 përqind të fondit limit. Ne kemi mesataren më të lartë të realizimit të prokurimeve në nivele 98-99 përqind të fondit limit. Pra, nëse kemi zhvilluar, të themi në vitin 2020, tendera për 2 miliardë euro në pushtetin qendror dhe është realizuar 99 përqind e fondit limit, kursimi për Buxhetin e Shtetit është vetëm 2 milionë euro. Kosova e ka ka 96% të fondit limit, pra kursen tre herë më shumë nga ne. Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian është 12-14 përqind kursim, pra 86-88 përqind e fondit limit harxhohet dhe pjesa tjetër kursehet nga tenderat transparentë dhe profesionalë. Mesatarja e pjesëmarrësve për tender në Bashkimin Evropian është 5.6 kompani. Tek ne kjo mesatare është ulur frikshëm në vetëm 2.47 pjesëmarres për tender. Numri i tenderave me vetëm një pjesëmarrës(ofertues) përbën 22 përqind të të gjithë prokurimeve që zhvillojmë, ndërkohë që vendet e Bashkimit Evropian, por edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk pranojnë zhvillim tenderi me vetëm një pjesëmarrës. Edhe pse mundësitë e korrupsionit janë shumë më të larta tek tenderat tanë publikë, pandëshkueshmëria në prokurimet tona është proverbiale. Ndëshkimet ndaj shkeljeve në këto 8 vite prokurim elektronik kanë qenë tejet sporadike dhe jo në përputhje me numrin e madh të tyre që konstaton Komisioni i Prokurimit Publik. Ka një tolerancë te theksuar nga ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore, për të mos folur për bashkitë, duke aplikuar masat më të lehta të mundshme disiplinore(në 90 përqind të rasteve një vërejtje me shkrim), për të ndëshkuar përgjegjësit. Veprimet ose mosveprimet që janë në kufijtë e veprës penale nuk kallëzohen, duke bërë që Prokurorisë të mos i jepet material për të vlerësuar nëse ka vepër penale ose jo. Fakti që disa prej shteteve të BE-së po përballen me të njëjtat probleme nuk mund të përbëjë justifikim për dështimin e vazhdueshëm të Shtetit shqiptar në ngritjen e një sistemi efektiv dhe transparent të prokurimit publik. Sfidat me të cilat po përballet Shqipëria në këtë fushë janë të vështira dhe nuk pritet të përmbushen lehtë ose brenda një afati të shkurtër kohor. E vetmja gjë që qeveria mund të bëjë është të nisë vetingun e trupës së tenderisteve prej 1400 personash kudo ku janë. “Ndiq paranë” është këshilla e vetme dhe çdo pjesëmarrës i tenderave publikë, sado njësi të vogla të jenë, duhet të jetë subjekt i kontrollit dhe verifikimit të pasurisë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit(ILDPKI). SPAK, me goditjet ndaj tenderave abuzivë në bashkitë Lushnje dhe Pogradec dhe në ministrinë e Brendshme, nisi shpëtimin e Shtetit tonë. Ai do të vijë i plotë vetëm nga nisja e procesit të vetingut mbi këdo që ka rol dhe mund të prekë paratë e gjithkujt prej nesh, Buxhetin e Shtetit.



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.