Kosova

Ishin në kampet e ISIS, 7 qytetarë nga Kosova kthehen nga Siria, ndalohen nga policia

13:39 - 19.07.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjashtë burra dhe një grua, që të shtunën u kthyen nga Siria në Kosovë, po mbahen në ndalim policor prej 48 orësh, njoftoi Ministria e Brendshme e Kosovës. Në mesin e 11 të kthyerve nga zonat e konfliktit në Siri, janë edhe katër fëmijë. Ky aksion, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një konferencë për media, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se aksioni për kthimin e këtyre qytetarëve është përgatitur tash e disa muaj.




“Ekipet mjekësore kanë konstatuar se tre nga këta persona kanë nevojë për trajtim të mëtutjeshëm shëndetësor. Të gjithë personat madhorë i janë nënshtruar aktvendimit për ndalim policor prej 48 orë dhe këta do të paraqiten para gjykatës për t’u proceduar më tutje”, tha ai. Ndërkaq, ministri Sveçla i cili është edhe koordinator Nacional për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, tha se tani Kosova duhet të merret me rehabilitimin e të kthyerve nga Siria. Sveçla theksoi se “të gjithë personat që kanë marrë pjesë në luftime në zonat e konfliktit, kanë kryer krime apo kanë qenë të përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste do të dalin para drejtësisë”.

Sipas të dhënave të fundit nga Policia e Kosovës dhënë Radios Evropa e Lirë, numri total i të kthyerve është 253, ndërsa në zonën e konfliktit janë edhe 82 persona, prej të cilëve 35 burra, tetë gra dhe 39 fëmijë. Kosova është bërë pjesë e këtij Koalicionit Global për mposhtjen e grupit militant, Shteti Islamik (IS) qysh në vitin 2014.

Grupi militant Shteti Islamik, i cili në një kohë ka pushtuar territore në Siri dhe Irak, është deklaruar i mposhtur në vitin 2019, por mijëra shtetas të huaj që kanë luftuar përkrah tij, si dhe familjarë të tyre, kanë mbetur në zona të luftës. Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri dhe Irak, në vitin 2011, rreth 400 kosovarë kanë udhëtuar drejt këtyre vendeve. Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.