OPINION

Ky përshkrim kadarean i zbritjes në ferr meriton të jetë një fusnotë te “Komedia Hyjnore”

17:00 - 21.07.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur studiohet gjeografia e veprës së Kadaresë duhet përmendur edhe një mënyrë e veçantë që përdor ai në përshkrimet e tij, të ngjashme me atë që përdor Dante Aligheri te “Komedia Hyjnore”, por që nuk është aspak imitim. Dante përdor një metodë që e bën më pak të rëndë për lexuesin udhëtimin në ferr.




Nëpërmjet bisedave me personazhet, tregimeve të tyre, Dante e nxjerr lexuesin nga ferri, në botën reale. Është kjo një gjë që e mrekullon shumë Borghesin i cili në ligjëratën e tij për “Komedinë Hyjnore” thotë:

Kemi edhe një fenomen të mrekullueshëm këtu; një legjendë të krijuar nga Dante e që e tejkalon atë që gjejmë te “Odiseja” ose “Eneida”, apo edhe te “Simbad Detari” e te “Njëmijë e Një Net”. Shumë rrethana e kanë frymëzuar Danten në këtë legjendë. Së pari besimi se qytetin e Lisbonës e ka themeluar Uliksi dhe besimi në ekzistencën e ishujve “Fortune” në Atlantik. Keltët mendonin se e kishin populluar Atlantikun me vende fantastike. Për shembull, me një ishull ku rrjedh një lumë që përshkon kupën qiellore, mbushur me peshq dhe anije që nuk bien në tokë; ose me një tjetër ishull rrotullues, të zjarrtë, ose edhe me një ishull tjetër në të cilin lepur të bronztë ndjekin drerë argjendi. Ai ka krijuar diçka të mahnitshme prej këtyre legjendave. Uliksi lë Penelopën, thërret shokët e tij e u parashtron një ndërmarrje fisnike, të kapërcejnë Kolonat e Herkulit e të përshkojnë detin, megjithëse ata vërtet janë të moshuar e të lodhur, sepse kanë përballuar me të mijëra rreziqe. Kështu ata do të njohin hemisferën astrale, e cila ende nuk ishte formuar dhe përbëhej vetëm nga uji. Ai u thotë se ata janë burra, kanë lindur vetëm për trimëri, për të njohur botën e për ta kuptuar. Ata i shkojnë pas dhe “bëjnë me velat e tyre flatra”.

Kjo metaforë për çudi gjendet edhe në poemën “Odiseja” që Dante nuk kishte mundur ta njihte deri atëherë. Ata lundrojnë, futen në detin e gjerë dhe kthehen majtas. Për të hyrë në purgator ata marrin djathtas.

Për të hyrë në ferr sërish ata shkojnë majtas. Thënë ndryshe, ana e majtë “senestre” ka kuptim të dyfishtë, dy fjalë thonë të njëjtën gjë. Pastaj thuhet: “Natën ai sheh tërë yjtë”, asaj të hemisferës tonë të Jugut, plot yje.(Yeats, një poet i madh irlandez flet për starladen sky “qiell plot yj”. Kjo nuk është e vërtetë për Hemisferën e Veriut, ku yjet janë të paktë krahasur me ata që shkëlqejnë në hemisferën tonë.) [Borges shkruan në Argjentinë, pra në Hemisferën Jugore.- N. Kulla]

Ata lundrojnë gjatë pesë muajve dhe së fundi shohin tokën. Ajo është thjesht një mal i hirtë në largësi, më i lartë se të gjithë ata që kanë parë gjer në atë çast. Uliksi thotë se gëzimi i tyre u shndërrua në lot, sepse nga toka fryu një erë e fortë që ua fundosi anijen. Ky është mali i purgatorit. Dante, i shtyrë për arsye poetike mendon se purgatori është

antipodi i Jerusalemit.

Në librin e Kadaresë “Pallati i Ëndrrave”, ku Kadare siç e ka pohuar vetë ka krijuar një strukturë të ferrit, ai e përdor disa herë mënyrën e dërgimit të lexuesit në udhëtim nëpër botë që nga sallat e Tabir Sarajit, nëpërmjet përmbajtjes së ëndrrave që shqyr-ton personazhi kryesor i romanit, nëpunës në këtë pallat. Por Kadare bën diçka shumë më të veçantë. Ai krijon diçka që nuk i kishte shkuar ndërmend as Dantes, një lloj ferri gjeografik, të shteteve. Dhe këtë e bën nëpërmjet përmbajtjes së ëndrrave. Ja se cila është përm-bajtja e e një ëndrre, në të cilën Kadare Kadare tregon edhe mënyrën e zbritjes së ëndërr-parësit në ferr, një përshkrim ky alternativ me atë të famshëm të Dantes:

Ëndrra dukej vërtet e jashtëzakonshme. Fillonte me ca pupacë që ecnin nëpër një stepër të plehëruar nga kufoma tigrash të sëmurë, vdekur në shekullin e njëmbëdhjetë. Krejt faqen e parë të tekstit e zinte përshkrimi i ecjes së pupacëve, të cilët me sa dukej çonin një shpifje kundër vullkanit Krtoh… rtoh… krt (emri i tij rrënohej vazhdimisht te shkarrëzima në pjesën perëndimore të tij), ndërsa sipër stepës ndriste një yll i çmendur. Pastaj deliranti, që ndodhej diku pranë, në përpjekjen për t’ u futur nën tokë, qe ndeshur atje me një cep të një dite të ndritshme, krejt si brilant të fshehur nga kushedi kush nën baltë, një ditë nga koha universale, e patretshme, e pathërrmueshme, e pakonsumueshme nga askush. Nga ndriçimi i cepit të ditës që u duk midis baltës atij iu lëbyrën sytë dhe ashtu me sy të lëbyrur qe gjendur në ferr. I çmendur, tha me vete Ebu Qerimi, krejt i lajthitur. Megjithatë vazhdoi leximin.

Ky përshkrim kadarean i zbritjes në ferr meriton të jetë një fusnotë te “Komedia Hyjnore”. Autori le të kuptohet se hyrja në ferr bëhej nëpërmjet kraterit të vullkanit. Tabloja e pupacëve që shpifin ndaj vullkanit, është një aludim për shpifjet që bëheshin ndaj shkrimtarit në atë periudhë të vështirë të tij armiqtë e tij, duke e akuzuar për ndikime të letërsisë perëndimore në veprën e tij dhe për aluzione kundër regjimit komunist dhe vetë diktatorit. Emri i vullkanit tenton të përafrohet me mbiemrin e shkrimtarit. Në vazhdim Kadare tregon thelbin e ëndrrës, atë të ferrit të shteteteve, pra një ferr i gjeografisë politike. Ja si e përshkruan atë Kadare:

Pjesën tjetër të tekstit e zinte përshkrimi i ferrit, një ferr tjetërlloj, jo me njerëz, por me shtete të vdekura. Trupat e tyre shtriheshin të ngathët pranë njëri-tjetrit: perandorira, emirate, republika, mbretëri konstitucionale, konfederata. Hm, ia bëri Ebu Qerimi, pa dale, pa dale. Ëndrra veç të tjerash, ndryshe nga ç’ iu duk në fillim, ishte e rrezikshme. Ai ktheu fletën për të parë emrin e dërguesit te guximshëm. “Ëndërr e parë në gjysmën e dytë të natës së 19 dhjetorit prej bujtësit X në hanin e Dy Robertëve (Pashallëku i Shqipërisë Qendrore).” Ah paska shpëtuar pëllumbi mendoi ai jo pa një ndjenjë lehtësimi… Zuri vend më mirë në karrige dhe vazhdoi leximin. Shtetet e vdekura dikur, të zbritura në skëterrë, nuk pësonin ndonjë dënim nga ata që zakonisht mendohej se hiqnin njerëzit. Veç kësaj ky ferr kishte një cilësi të veçantë, prej tij mund të dilje përsëri e të ktheheshe mbi tokë.  Kështu një ditë prej ditësh shtete të vdekura prej kohësh, që të gjithë i quanin kufoma, mund të ngriheshin dalngadalë e të shfaqeshin prapë mbi sipërfaqen e globit. Veçse për këtë, ashtu si aktorit që i bëhej grimi përpara daljes në skenë me rolin e ri, edhe atyre u bëheshin rregullimet e nevojshme, u ndërrohej emri, shenjat e flamuret,  kurse në thelb qenë po ata të moçmit… Pashë shtetin e Timurlengut që po e lyenin me bojë për t’ i mbuluar njollat e gjakut, ngaqë po bëhej gati të ngrihej përsëri lart. Pashë më tutje shtetin e Herodit që po i bënin të njëjtën gjë dhe që, siç më thanë, ishte e treta herë që po dilte mbi dhe, që kushedi sa herë do të ngrihej prapë, pasi të rrëzohej.

Në dy fragmentet e mësipërme ku përshkruhet e njëjta ëndërr, Kadare kalon lirshëm nga një përshkrim dantesk i zbritjes në ferr, në një përshkrim që mund të quhet kafkian i ferrit të shteteve.

Në gjeografinë e veprës së tij Kadare ndjek Eskilin siç bën kur përshkruan festimet që u bënë në kryeqytetin antik pers, në Iranin e kohës së Shahut, pak para rënies së regjimit të tij, me rastin e 2500 vjetorit të krijimit të Perandorisë Persiane. Kadare nuk gjendej në kryeqytetin e vjetër perandorak pers, ai ishte në një udhëtim në Paris, dhe ngjarjen e shikonte nëpërmjet televizionit në një hotel parisian, por përshkrimi i tij është si ai i reporterit dhe shkrimtarit njëkohësisht:

Pas lajmit për mbërritjen e Brezhnjevit, televizioni dha një reportazh nga Persepolisi ku pas dy ditësh do të hapeshin festat e mëdha të dymijëepesëqind vjetorit të dinastisë së shahëve. Mbeturinat e ish-kryeqytetit të lashtë, ca kolona të rralla të ngrëna nga erërat kontinentale, me atë shkretimin e tyre të kujtonin çuditërisht tarracat e ndërtesës fqinjë të muzeut të artit modern. Midis mbeturinave prej guri dhe mermeri ngriheshin çadrat, ku kishin filluar të bujtnin mbretër, sulltanë, presidentë, kryeministra, emirë, sheikë, perandorë, kalifë e të ftuar të tjerë nga gjithë kontinentet. Spikeri thoshte se Persia është sot një nga vendet më të varfra të botës megjithatë një gosti të tillë mbretërore është vështirë ta ketë shtruar gjer më sot ndonjë mbretëri apo republikë. Gosti mbretërore. Këto fjalë në ndërgjegjen time shoqëroheshin pothuajse gjithmonë nga fjalët: tryeza është plot. Në çdo gosti të tillë pritej të shfaqej gjithmonë dikush, mysafir i vonuar, fantazmë me pelerinën e përgjakur , që shkon e zë karrigen e të zotit të shtëpisë.  

Ky përshkrim është sikur ta ketë bërë Eskili në stil modern, duke qenë ndjekur përgatitjet për festimet në Persepolisin e shekullit XX. Dhe më tutje përshkrimi i Kadaresë është i tillë sikur të ishte përsëri Eskili që si dramaturg dhe reporter, përshkruante ceremoninë në Persepolis:

Në Persepolis kishte filluar festa. Nën një diell përvëlues, përpara mbeturinave të kolonave dhe statujave të lashta po zhvillohej një paradë e jashtëzakonshme ushtarake. Njësi ushtarësh, të veshur me uniforma të një vjetërsie dymijë-epesëqindvjeçare e këndej, të armatosur me armë të po kësaj vjetërsie, me flamurë, emblema e helmeta të modeleve të të gjithë shekujve, po kalonin rresht përpara shahut dhe gruas së tij. Ishte si një paradë fantazmash. Duke u larguar, pasi thërrisnin “Zahirshah” përpara tribunës, dukej sikur ata po shkonin të futeshin nën rrasat e rënda të varreve prej nga kishin dalë përkohësisht.

Ja njësitë ushtarake që ka përshkuar Eskili në tragjedinë “Persët”, komentonte spikeri i televizionit francez. “Tragjediani i madh i ka parë ata me sy, me këto mjekra dhe me këto përkrenare”.

-Nga kjo luftë nuk u kthye gjallë askush,- më tha dikush përbri.- E keni lexuar “Persët”?

-Po.  

Në ndonjë përshkrim të Kadaresë për Parisin, ku ai e shikon urbanistikën dhe arki-tekturën e kryeqytetit francez nga këndvësh-trimi i lidhjes së tyre me ngjarjet e mëdha historike që kanë ndodhur atje, duket sikur është vetë Shekspiri, i cili viziton kryeqytetin francez dhe bën vëzhgime të holla sipas mënyrës së tij. I tillë është përshkrimi i Kadaresë për Sheshin “Konkord”:

Dritat ishin ndezur kudo. Në sheshin Konkord ato ishin të rrumbullakëta, pak të zbehta, të ngulura aty-këtu nëpër shtylla si mbi heshta metalike. Më shkoi nëpër mend se gati dy shekuj më parë, një mëngjes janari, në këtë shesh qe ngritur për herë të parë gijotina. Mbi njëmijë e treqind koka, me kokën e mbretit dhe të mbretëreshës së Francës në krye, kishin rënë njëra pas tjetrës te ky shesh. Mami e tmerrshme, ai i priste atom bi pëqinjtë e tijprej kalldrëmi. Ndërsa largohesha, duke kthyer edhe një herë kokën drejt sheshit, mendova se ndoshta nuk ishte rastësi as ajo rrumbullakësi e verdhë dhe as ai statizëm i poçave të dritave mbi shesh. Arkitekti, që ishte marrë më vonë me rregullimin e sheshit, me siguri kishte dashur që në dritat e tij të krijonte njëfarë requiem për kokat. U ktheva për herë të fundit dhe gati u binda se dritat mbi sheshin “Konkord” nuk ngjanin me asgjë tjetër, veç me koka të verdha, të ngulura majë heshtave.31

Këto rreshta janë shkruar në 1968 gjatë një vizite të Kadaresë në Paris, Shumë vite më pas ai e rimerr këtë përshkrim dhe e zhvillon më tej në romanin “Hija” ku shkruan:

Dola nga kafeneja dhe si njeriu që shtyhet te vendi i ngjarjes misterioze, këmbët po më çonin drejt sheshit “Concorde”. Përpara se t’ i afrohesha rrugës “Rivoli”, ku kishte ndodhur takimi im i fundit me Djallin, qëndrova përpara hotelit “Crillon”, në të cilin vite më parë kishte bujtur mbreti Zog. Pak më tutje ishte hoteli “Intercontinental”, te hyrja e të cilit Avni Rustemi kishte vrarë Esat Pashën. Kurse sheshi “Concorde”, ku gijotina kishte prerë qindra koka, dhe dyqani i thikave të Charlote Corday ishin përbri.

E kisha menduar vallë edhe vetë se gjithë kjo hapësirë rreth e rrotull ishte një zonë krimi, apo këtë ma kishte ngulitur dhunshëm në tru Zhan Marku, kur më kishte thënë se përderisa kisha kërkuar shitoren ku kishte blerë thikën vrasësja e Maratit, do të thoshte se kisha pasur një tundim vrasjeje ndaj tij. S’ ke pse të fyhesh kishte shtuar pas pak, në këtë zonë këtu, dhe kishte harkuar me dorë një rreth, ku m’ u duk se përfshihej edhe ndërtesa e Comedie Francaise, vrasja ngjan e natyrshme.32

Perandoria letrare e Kadaresë ka përfshirë për gjeografinë e veprës së tij edhe një dy polet e planetit, Polin e Veriut. Një nga personazhet e romanit “Koncert në fund të dimrit” është punonjësi i një stacioni përgjimi pranë Polit të Veriut. Këto stacione vendoseshin në këto pika të favorshme nga superfuqitë për të mbledhur të dhënat nga satelitët si dhe mjetet e tjera të përgjimit të vendosura anëembanë botës. Ja përshkrimi i Kadaresë për dehjen polare të

vëzhguesit të stacionit të përgjimit polar:

Ai kishte shumë muaj që ndodhej me shërbim në atë stacion përgjimi dhe ndoshta veçimi për një kohë të gjatë nga jeta, malet e akullit përreth me atë qiell të pashpresë sipër, po aq steril si edhe dheu poshtë, të dy të lëmuar në atë mënyrë që mendimi të mos ndalej asgjëkundi, po të ikte përherë duke zbrazur trutë, pra ai peisazh që, duke të marrë, s’ të jepte asgjë, vetmia dhe sidomos largësia e madhe nga gjithçka, kishte bërë që në mendjen e tij gjërat të thjeshtësoheshin, disa herë gjer në përfytyrime primitive. Ja, atje poshtë  (kështu ishte bota për të) shumica e shteteve ishin me borxhe, prandaj dhe grindeshin e murmuritnin pa fund, shpifnin, ankoheshin për njëri-tjetrin: Hrushovi kishte vdekur, Mao Ce Duni qe sëmurë. Ishte e qartë se tiranët po pakësoheshin dhe ndoshta ikja e këtyre fantazmave do ta bënte më të lehtë fluturimin e globit. Po tani për tani andej poshtë s’ vinin veç marrëzira.

Unë mund të çmendem mendoi ai, por edhe kjo s’ ka ndonjë rëndësi. Në kufjet e hequra që i mbante të varura në njërën dorë, vinin cijatjet e zërave, të dobëta, mjerane. Dërdëllisni ç’ të doni, tha ai, unë s’ kam për t’ ju dëgjuar më. Kishte një copë herë që sytë e tij shikonin datën në kalendarin e varur në mur. Data e shënuar me blu tregonte se pas pak do të gdhinte njëri nga të dy mëngjeset e vitit. S’ i kishte qëlluar asnjëherë të shikonte se si gdhinte një mëngjes pas gjashtë muajsh netësh polare. Kështu kishte ardhur ai, midis natës, dhe ja, tani për herë të parë po gdhinte. S’ duhet ta humb këtë çast, mendoi.

I lëshoi kufjet përtokë, veshi xhupin e trashë dhe u drejtua nga dera. Iu kujtua se duhej të zgjonte zëvendësin, por aty për aty e hoqi mendjen nga ajo vogëlsi. Tashti po gdhinte vërtet. Ishte një bardhësi e pamundur, me një si klithmë midis, por ajo tretej vazhdimisht anash, për të të lënë të kaloje. Ai ecte si i dehur sipër akujve pa kthyer kokën pas. Vetëm një herë e kërkoi me sy ndërtesën e vogël dhe, tek e pa ashtu të gërmuqur, të zezë, si shtëpi shtrige, me atë gërgamë idiotësh brenda saj, i erdhi të shqyhej gazit.

Unë nuk jam i çmendur, tha me vete. Vetëm se kam në kokë kthjelltësinë e një mijë mëngjeseve bashkë, Ose, që të jem më i saktë, kthjelltësinë e njëqind e tetëdhjetë mëngjeseve…

Po ikte drejt akujve të pastër, larg asaj shtëpize murmurimash. Veç në qoftë se do të kthehej për t’ u këtur një të sharë dy Gjermanive, Perandorisë Romake apo shekullit të shtatëmbëdhjetë. Po s’ e vlente barra qiranë. Ai qe shkëputur ndërkaq nga gjithçka.

Të ngrirën nuk e ndjeu veç kur pushoi për herë të parë për t’ u çlodhur. U ul së pari në gjunjë, pastaj u shtri në akull, dhe një çast e kuptoi se nuk do të ngrihej më. S’ ka nevojë, tha me zë, kur iu duk se e ngrira po i shfaqej në formë prangash. Unë erdha vetë.

Me sa di unë Kadare është i vetmi shkrim-tar i madh një prej personazheve të të cilit përjeton një dramë të tillë polare dhe kryen një arratisje polare.

Kur bëhet harta e gjeografisë së veprës së një shkrimtari, aq më tepër e një shkrimtari botëpushtues, është me vlerë që bashkë me të paraqiten edhe detaje të tjera, siç është harta e intinerarit personal të shkrimtarit, e shtëpive të ndryshme në të cilat ka banuar ai, se këto lenë gjurmë te ai dhe ndikojnë në një masë apo në një tjetër në veprën e tij. Për Kadarenë e dimë se shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër ka lënë mbresa të mëdha te ai. Shumë mbresa duket të ketë lënë edhe shtëpia tjetër e tij në Tiranë, shtëpia e tretë në të cilën banoi në Tiranë, në Rrugën e Dibrës, e njohur si pallati me kuba, në gjuhën popullore, një ndërtesë kjo që i shkaktoi jo pak probleme shkrimtarit. Kjo për arsye se u bë shkak që në një periudhë të vështirë të jetës së tij, t’ i rëndohen akuzat për prirje properëndimore, dhe në vazhdim të shërbente si provë materiale e këtyre prirjeve të tij. Shtëpia e një shkrimtari është tempulli i tij. Kështu duket se e ka parë Kadareja shtëpinë e tij në përgjithësi, në Gjirokastër, Tiranë, Paris, Durrës. Ndonëse për të shkruar, ka parapëlqyer kafenetë para studios në shtëpi, nuk është e vështirë të kuptohet, për një njeri të lindur dhe të rritur në një shtëpi të madhe, siç është ai, se fakti se ku banon ka një ndikim jo të pakët në veprën e tij. Është interesante që të bëhet një kategorizim i veprës së tij sipas shtëpive ku ka banuar, duke përfshirë edhe konviktet.

Kur u konceptua Çmimi Nobel në letërsi, ideja ishte që juria e tij të shërbente si një lloj arbitri ndërkombëtar i botës së letrave. Që kur ka nisur të jepet Çmimi Nobel, nuk më rezulton që ai t’ i jetë akorduar ndonjë shkrimtari vërtet botëpushtues, në kuptimin letrar të fjalës, ndonëse për pjesën më të madhe të kohës kur është dhënë ky çmim, nuk është faji i jurisë, për shkak se nuk më rezulton as që të ketë pasur ndonjë shkrimtar vërtet botëpushtues në këtë periudhë. Në fakt, Kadare është i vetmi shkrimtar vërtet botëpushtues që ka jetuar dhe shkruar që nga koha kur ka nisur të jepet Çmimi Nobel. A e ka të qartë juria e Çmimit Nobel këtë gjë, apo ndoshta u duhet edhe akademikëve të nderuar suedezë një studim i tillë, që të perceptojnë vlerat e vërteta të këtij shkrimtari të madh nga një vend i vogël? Ismail Kadare ka thënë një herë në një intervistë në vitin 1990 se sa më herët që ta marrë një shkrimtar Çmimin Nobel, aq më mirë është. Kjo natyrisht është e vërtetë në përgjithësi, por guxoj të them se për një shkrimtar të llojit të botëpushtuesve, është e kundërta, pra sa më vonë ta marrë aq më mirë është, se kështu do të jetë shfaqur më tepër statura e tij si shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të fjalës. Sidoqoftë Kadare është sot 86 vjeç, dhe ndonëse të gjithë i urojmë që të jetojë sa më gjatë, nuk mund të mohohet se është në një moshë kur natyra mund ta nxjerrë nga gara për Nobelin, se ky çmim siç dihet, u jepet vetëm të gjallëve. Kështu që edhe si shkrimtar botëpushtues, është në limitin e duhur të kohës për t’ iu akorduar ky çmim, në rast se nuk ia ndalojnë këtë shpërblim të merituar për arsye jashtëletrare të pander-shme.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.