DOSSIER

“Kryeministrin e përgjojnë në numrin 7880”, ish-shefi i Ndërlidhjes rrëfen për herë të parë: Si e zbulova ‘spiunin’ e Bllokut që përgjonte Mehmet Shehun

13:10 - 27.07.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazeta Panorama boton sot rrëfimin e Luan Pogaçit, ish-shefit të Ndërlidhjes së Udhëheqjes. Njeriu përgjegjës për komunikimin mes anëtarëve të byrosë, vilave të tyre në ish-Bllok. Ai zbuloi pavarësisht frikës së regjimit, sërish telefonatat e anëtarëve të byrosë përgjoheshin.




Pogaçi zbulon se në hyrje të ish-Bllokut ishte ndërtuar një godinë prej betoni, nga ku ai zbuloi përgjimin e Mehmet Shehut. Bëhet fjalë për Kryeministrin e kohës, përgjimi i të cilit sigurisht që bëhet në ombrellën e një anëtari tjetër byroje. Spiuni i parë, sipas Pogaçit, ishte Hazyri, një burrë nga Kosova që ishte integruar në radhët e ndërlidhjes me bekimin e ministrit.

NGA LUAN POGAÇI

Ishte vera e vitit 1981, kohë kur ndërtimet te Vila Nr.1 e Mehmet Shehut në Vlorë ishin duke përfunduar. Detyra ma kërkonte të isha edhe unë aty, pasi në atë periudhë pushonte në Vlorë Enveri. Kisha ngritur shërbimin e ndërlidhjes dhe punoja për të drejtuar dhe kontrolluar punimet që kryheshin për telefoninë dhe interfoninë.

Një ditë të diel te vila e pambaruar e Mehmet Shehut erdhi Nexhmije Hoxha. Ishte e pashoqëruar. U takova me të dhe nisa ta shoqëroja në mjediset e sapopërfunduara të Vilës, duke i treguar një nga një funksionet e tyre: “Kjo dhomë është e Kryeministrit, kjo tjetra e shoqes Fiqirete (qenë ngjitur me njëra-tjetrën) pastaj dhomat e tre djemve, sallat e ndryshme, vendstrehimi etj”. Ajo më dëgjonte dhe hera-herës vrenjtej në fytyrë.

Dukej disi nervoze, çfarë më linte të kuptoja se ishte e pakënaqur me ato që i tregoja për funksionin e mjediseve të vilës së Kryeministrit. Ishte koha kur problemet me këtë të fundit kishin nisur, por larg syve të opinionit publik. Gjithsesi, diçka rreth tyre kisha dëgjuar edhe unë, por gjithnjë në kuadrin e fjalëve që qarkullonin në mjediset e Bllokut. Sa përfundoi së pari të gjitha dhomat dhe mjediset e vilës, Nexhmija me përshëndeti dhe u largua.

Në fakt, vila e Mehmetit që po ngrihej ishte shumë e bukur dhe më e madhe se e Enverit, me pishinë dhe në një pozicion shumë piktoresk, në një tokë si hundë të dalë në det, me burime të shumta uji të ëmbël poshtë saj dhe me një vendstrehim modern. Mehmet Shehu nuk arriti të pushonte asnjëherë në të. Më vonë ajo u bë vila e pushimit të Ramiz Alisë.

Luan Pogace Libri Pergjimi Mehmetshehut

SHAKAJA E HIDHUR E RAMIZ ALISË

Teksa ndahesha me Nexhmijen dhe misterin e sjelljes së saj në vilën e Kryeministrit, m’u kujtua një episod i çuditshëm nga biseda me Mete Bonin, një nga punonjësit e degës së personaliteteve në fundgushtin e 1981. Në takimin që pata me të pas shërbimit, ai më thotë: Shef, do të të them një gjë të çuditshme që na ka ndodhur dje mbasdite. Po shoqëroja Kryeministrin në shëtitje në bllok në një distancë të vogël. Kur vemi te bërryli i Vilës 1, ku bashkohen dy rrugët, nga ana tjetër vinte shoku Ramiz Alia dhe takohen papritur ballë përballë me njëri-tjetrin.

Ramizi qëndroi dhe duke qeshur i thotë: ‘Duart lart!’. Në këtë kohë, Kryeministri i befasuar e shikon gjithë inat. Sakaq, Ramizi u tërhoq disa hapa mbrapa duke thënë ‘më faaal, më faal, bëra shaka, bëra shaka’. Kjo në pak çaste, pastaj secili ndoqi rrugën e vet. Kjo është e pabesueshme, ia ktheva unë aty për aty Bonit, pasi Ramizi nuk shquhet për shaka të tilla me zarar, ca më tepër me Kryeministrin, por ai m’u betua se është e vërtetë. Edhe mua sot më duket e çuditshme, por realisht ka qenë ashtu, mbasi askush s’kishte guximin të improvizonte, ca më tepër Boni që dallonte ndër të tjerë për sinqeritet dhe korrektësi.

REVOLTA E ALI ÇENOS

Në muajin shtator 1981 (nuk e mbaj mend mirë datën) më erdhi në zyrë Ali Çeno, kreu i grupit të shoqërimit të Mehmetit. Zyra ime ishte ngjitur me atë të zv.ministrit. Aliu, sa u fut brenda, më lëshoi në tavolinë një telefon me kabllot që i vareshin. E pyes se si ishte puna. Më thotë që Kryeministrin e përgjojnë në shtëpi në numrin 7880. Më thirri mua, vazhdoi Aliu, më mori thikën që mbaja në brez (një biçak i madh që mbanin oficeret e zbulimit) dhe preu fillin e telefonit dhe më tha dërgoja inxhinierit.

Ishte diçka vërtet tronditëse për mua. Ishte hera e dytë që Kryeministri më dërgonte shoqëruesin me telefonin që i përgjonin. Në të dyja rastet e kishte porositur Aliun të vinte direkt te mua, jo vetëm për të bllokuar pajisjen e përgjimit, por edhe për të analizuar konkretisht situatën dhe rrethanat në të cilën përgjohej telefoni i tij i shtëpisë.

Sa u largua Aliu, i shkoj zv.ministrit në zyrë dhe i tregoj ngjarjen. Ai gjithashtu u shqetësua, pasi një ngjarje e tillë përsëritej për herë të dytë brenda vitit. Dhe rasti konkret nuk bënte fjalë për ndonjë interferencë të rëndomtë, po për përgjim të qëllimtë. Ne e kishim përfunduar rikonstruksionin e linjave kabllore të bllokut dhe kishim përmirësuar instalimet e brendshme të vilave e normalisht nuk duhet të kishim as induksione. Xhule Çiraku më urdhëroi të ribëja njëherë një kontroll të gjithanshëm, jo vetëm për ndërlidhjen e Kryeministrit, por në të gjitha ambientet e udhëheqjes kryesore, në punë, shtëpi, salla etj.

Që te nesërmen, me një ekip specialistësh nisëm një kontroll të hollësishëm në tërë sistemin e jashtëm të ndërlidhjes, duke përfshirë gjithë tubacionet dhe kabllot, që nga centralet e Telekomit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Ndërkaq, unë me teknikun Hazyr T., që përgjigjej për mirëmbajtjen e ndërlidhjes së udhëheqjes, bëmë një kontroll të imtësishëm në mjediset e brendshme në vilën e Kryeministrit, në Kryeministri dhe në Komitetin Qendror, si dhe në centralin sekret dyshifror të udhëheqjes, që ishte instaluar në një mjedis të veçantë dhe të mbyllur me dry në Ministrinë e Brendshme.

Nuk na rezultoi asnjë gjë e veçantë për t’u marrë në konsideratë. Në përfundim, u mblodhëm me pjesëtarët e grupit të punës te zyra e Perikli Panit, drejtor i përgjithshëm i Telekomit, dhe shkruam relacionin përkatës në adresë të Kryeministrit me këtë tekst të përafërt: “…mbasi bëmë gjithë kontrollet e nevojshme, na rezultoi që në ndërlidhjen tuaj nuk ka përgjime…..”, duke e lënë të nënkuptohej se kjo ishte vetëm një hamendësim. Por koha tregoi se kishim gabuar

KABINA SEKRETE KU PËRGJOHEJ KRYEMINISTRI

Të nesërmen, mbasi i kthyem përgjigje Kryeministrit dhe nuk morëm ndonjë reagim, shkova të kontrolloja zonën telefonike në hyrje të bllokut (pranë eukaliptit) që ishte bërë e re gjatë kohës që bëmë rikonstruksionin e ndërlidhjes në Bllok. Ajo ishte komplet e betonuar për mbrojtjen nga goditjet ajrore. Njoftova teknikun e ndërlidhjes telefonike, Hazyr T., dhe u takuam në hyrje të Bllokut. Hapi derën e kabinës, Hazyri, i cili mbante çelësin dhe kur hoqa kapakun ku mbështeteshin linjat, u drejtova te pikat ku mbështetej telefoni i Kryeministrit.

Meqenëse më parë kisha marrë pjesë në ndërtimin e kësaj pike telefonike dhe i dija përmendësh vendet e lidhjes së telefonave të Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhes, më ra në sy se në pikat e kontaktit të telefonit të qytetit që shkonte te shtëpia e Kryeministrit, kishte një fije poshtë që lidhej me linjën telefonike të një numri tjetër pranë tij. Aty për aty ia tregoj Hazyrit dhe me ton i them se çfarë është kjo. Ai në çast ngriu në këmbë dhe filloi të shqiptojë fjali pa kuptim. Pastaj e mori fijen që lidhte tërthorazi telefonin e Kryeministrit me një tjetër dhe e hodhi në koshin aty pranë, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Ç’është kjo, i thashë, këtë radhë me zë të lartë. Ndoshta është bërë nga lagështia, më tha me sytë përdhe. Atëherë, pse e zhduke, i bërtita, apo të fshihje provën. Ai filloi të mërmëriste nëpër buzë dhe hera-herës ngrinte zërin, sikur ta kisha bërë unë atë lidhje të jashtëligjshme.

E pashë që ishte e pamundur të vazhdoja më tej me të dhe u largova. Për mua tashmë ishte e qartë se kishim të bënim me një veprim të qëllimshëm, pasi kabina në fjalë ishte ndërtuar e re, lagështi as që bëhej fjalë, ca më tepër që ai e kishte për detyrë të kontrollonte çdo ditë këtë ndërlidhje, në veçanti atë të Kryeministrit, të cilit i kishte ndodhur edhe më parë e njëjta gjë.

HAZYRI NGA KOSOVA, I BESUARI I SIGURIMIT

Hazyri ishte me origjinë nga Kosova, i ardhur në Shqipëri prej disa vitesh. Ishte miratuar për këtë shërbim si gjithë punonjësit e tjerë dhe si specialist ishte ngarkuar nga Ministria e Brendshme për kontrollin e telefonave të Udhëheqjes dhe konsiderohej njeri i besuar. Ishte i martuar, por nuk kishte fëmijë dhe kishte adoptuar një vajzë. Gruaja e tij shërbente në degën e dytë të Ministrisë së Brendshme në përgjimet telefonike (“Shtëpia me Gjethe”). Nipi i Hazyrit, H. Basha, po ashtu kosovar, ishte kryetekniku i centralit telefonik të Komitetit Qendror. Megjithëse asokohe kishte një ligj që nuk lejonte dy njerëz të së njëjtës familje të punonin në një vend pune. Pra, nip e dajë kishin gjithë ndërlidhjen e udhëheqjes nën kontroll. Të dy të zgjedhur dhe me miratim të veçantë nga ministri i Brendshëm. Ata mund të përgjonin këdo nga udhëheqësit pa u kuptuar.

Po atë ditë i raportova zv.ministrit për atë që konstatova. Ai nuk reagoi dhe aty për aty më tha se do t’i raportonte ministrit. Ministër ishte Feçor Shehu, por zakonisht për gjëra të tilla i raportohej Kadri Hazbiut, asokohe ministër i Mbrojtjes, i cili e kishte në patronazh Ministrinë e Brendshme. Prita të merrja ndonjë përgjigje për këtë problem, por asnjëherë nuk mora. Çuditërisht, ministri nuk reagoi.

Megjithatë, mbas disa ditësh teknikun e mënjanuam nga kontrolli i telefonave të udhëheqjes. Ky proces tashmë bëhej me komision të veçantë, por Hazyri përsëri mbetej tekniku i vetëm që kontrollonte funksionimin dhe mirëmbajtjen e centralit telefonik sekret dyshifror të udhëheqjes.

Mënyra si ishte organizuar shërbimi i ndërlidhjes sekrete për udhëheqjen, garantonte siguri, madje kishte parametra të tillë që teknikisht e bënin të papërgjueshme. Linjat telefonike kabllore shkonin direkt nga centrali telefonik në zyrat dhe shtëpitë e liderëve pa pasur asnjë shkëputje apo komutim gjatë rrugës, duke mënjanuar mundësinë e përgjimit. Mundësia e vetme që mund të vije në përgjim këta telefona ishte në centralin telefonik, i cili i ishte besuar dhe kontrollohej nga Hazyr T.

Ishte një periudhë kur problemi i përgjimeve ishte kthyer në paranojë në kokën e Kryeministrit dhe të së shoqes. Kryqëzata ndaj Mehmet Shehut atë shtator të ‘81 për fejesën problematike të të birit, e bënte situatën edhe më kritike, sidomos për ne inxhinierët dhe specialistët që përgjigjeshim për shërbimin e ndërlidhjes sekrete të udhëheqjes. Sidoqoftë, përtej këtij konteksti politik, nga kontrollet tona kishte rezultuar se telefoni i Kryeministrit ishte përgjuar. Kjo, jo për të vjelë ndonjë informacion sekret nga bisedat e bëra, por për të ngacmuar dhe bezdisur Kryeministrin, për të rindezur karakterin e tij të rrëmbyer dhe të fortë, në mënyrë që të reagonte me forcë dhe të përplasej me udhëheqjen. Pa dyshim, kjo krisje u interesonte zbulimeve të huaja, kryesisht UDB-së jugosllave. Mirëpo, telefonat, për të cilët flitej se përgjoheshin, ishin të ndërlidhjes katërshifrore të qytetit dhe nëpërmjet tyre nuk zhvillohej asnjë bisedë sekrete. Për këto unë i kisha sqaruar.

 

Bisedat sekrete ndërmjet udhëheqjes bëheshin vetëm në telefonin dyshifror të Ministrisë së Brendshme. Këtu mund të përgjohej vetëm nga tekniku i centralit pa krijuar fare shqetësime te përdoruesit e telefonit. Një shqetësim në këtë ndërlidhje ka pasur vetëm në telefonin e Enver Hoxhës në vitin 1978, të cilën e konstatoi ai vetë në zyrën e tij në Komitetin Qendror në numrin 59. Kjo qe edhe arsyeja që prej kësaj kohe të bëheshin kontrolle të përditshme të telefonave në zyrë. E mendohej se tekniku i kësaj ndërlidhjeje, kosovari Hazyr T., ishte person i sigurt, i besuar dhe i kontrolluar biografikisht direkt nga ministri, çfarë na përjashtonte të bënim kontrolle të tjera për besueshmërinë e tij./panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.