OPINION

“Gjeopolitika dhe fuqia ushtarake”, në penën e Zeno Jahaj…

20:31 - 28.07.21 PANO HALLKO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej afro tre muaj, është në qarkullim libri i autorit Zeno Jahaj, kolonel në rezervë, me titullin “Gjeopolitika dhe fuqia ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë”.




Autori i këtij libri është i mirënjohur edhe në faqet e kësaj gazete, pasi shpesh ka botuar analiza për çështje të sigurisë, por edhe për çështje që preokupojnë shoqërinë tonë në përgjithësi.

Për shumë arsye dhe për shkak të detyrave që ka kryer, autori i këtij libri është njohës i thellë i çështjeve të sigurisë, Kryesisht, për faktin se ai është njëri nga oficerët e aftë të ushtrisë shqiptare. Për pasojë edhe nga njohësit e mirë të këtyre problemeve.

Janë përkthyer shumë libra për gjeopolitikën në vendin tonë, madje aty-këtu ka edhe botime nga autorë vendas. Por duhet thënë qysh në fillim, se ky libër është studimi më i plotë dhe më i saktë nga autor shqiptar, sa i takon faktorëve që ndikojnë në këto çështje serioze, me të cilat merren shtetet seriozë.

 TË MOS QAJMË TË KALUARËN, E…

Para se ta shfletojë këtë libër, lexuesi duhet të dijë se nuk do të gjejë në faqet e tij, as hosana-ra për ushtrinë që patëm, e as nënvleftësime nihiliste për të, siç bën një pjesë jo e vogël e atyre që merren me opinione.

Përkundrazi, libri nga faqja e parë e deri në faqen e fundit, ka analizë të thellë të të gjithë segmenteve veç e veç, por edhe deduksione që nuk lenë hapësirë për diskutime boshe.

Motivin e vetëm që ka në përgatitjen e këtij studimi serioz, autori e shpall qysh në faqen e parë: “Një komb që ka respekt për veten, duhet të ketë fuqi dhe duhet ta njohë fuqinë e tij. Brenda këtij detyrimi dhe shërbimi kombëtar, ky libër synon pikërisht identifikimin sa më të vërtetë, të burimeve dhe vlerave të fuqisë ushtarake, të asaj kohe”…

Luftën e Ftohtë, as e vendosi e as e zgjodhi Shqipëria në vitin 1947, kur ajo u shpall. Ashtu siç nuk ishte vendimi i Shqipërisë, se në cilin bllok do të bënte pjesë. Por të gjitha këto, pak rëndësi kishin përballë faktit që këshilltari i dy presidentëve amerikanë Bernard Baruh, në fjalimin e tij të datës 16 prill 1947, tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, me një fjali të vetme: “Le të mos mashtrojmë veten: ne jemi sot, në mes një lufte të ftohtë”.

Prandaj autori thekson: “Lufta e ftohtë ishte një paqe që nuk ishte paqe, një ankth lufte që pushtoi zemrat dhe mendjet e njerëzve në të gjithë botën, kontinente dhe oqeane, deri në hapësirën kozmike. Të gjithë vendet, hynë në garë për të fituar sa më shumë fuqi ushtarake. Praktikisht të gjithë ishin në luftë, por vetëm se nuk e shpallën gjendjen e luftës”!

Njohja e katër gjuhëve të huaja, por edhe fakti se tani shumë burime, madje edhe ato sekrete dhe konfidenciale të vetë NATO-s e të arkivave të shteteve me peshë në vendimmarrjen e përbotshme të asaj kohe, i ka mundësuar autorit të sjellë nga origjinali qëndrime dhe vlerësime, të cilat deri para disa vitesh ishin të panjohura, edhe për historianët e karrierës.

Në faqet e këtij libri, lexuesi do gjejë fakte, të cilat janë vite dritë larg, nga llafet e analistëve të kanapesë. Këta të fundit, kanë 30 vjet që i hedhin hi syve opinionit publik duke thënë:-“perëndimi, as ka dashur t`ia dijë për Shqipërinë gjatë Luftës së Ftohtë…ose…”Amerika, as që pyeste fare për Shqipërinë”… ose… “Kot e kemi mbajtur ushtrinë(madje kot e mbajmë-thonë ca mëndjellinj), e të tjera patate të helmëta si këto…

Autori na thotë me dokumente se, jo vetëm që paskan pyetur dhe janë interesuar, por si “nikoqirë të mirë”, paskan pasur evidenca të sakta deri edhe për prodhimet bujqësore, madje edhe se sa kalori në ditë, merrte shqiptari i viteve `60-të! Ndër vite, e në dhjetëvjeçarë. Dhe këto i qëmtonte e i raportonte Komiteti Politik i NATO-s, se Drejtoria ekonomike e NATO-s, po se po.

Shërbimet kombëtare të inteligjencës amerikane, i paraqitnin rregullisht raporte për situatën politike, ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë, presidentit të Amerikës. Dhe Zeno Jahaj si një nikoqir i mirë, për shumë vite i qëmton këto nga Arkivat e NATO-s online.

TË MOS I TREMBEMI TË ARDHMES…

E ka prurë jeta e autorit të këtij libri(por asnjëherë rastësia), që ai të kryejë detyra të rëndësishme në ushtrinë shqiptare, në Shtabin e Përgjithshëm, në Ministrinë e mbrojtjes, edhe atashe ushtarak i vendit tonë në Greqi. Të gjithë eprorët që pati ndër vite, kur e kanë dëgjuar këshillën e Zenos, kanë dalë faqebardhë.

Prandaj ky libër i madh dhe i rëndë, duhet të zerë vendin e tij, më së paku në tavolinat e atyre që në këtë shtet, mëtojnë të merren edhe me gjeopolitikë. Nëse ata, e kanë marrë seriozisht punën për të cilën paguhen.

Autori zbërthen një e nga një, interesat e fuqive të mëdha në Luftën e Ftohtë(që janë thuajse të njëjtat interesa), madje ai përshkruan edhe ftohtësinë me të cilën ato merrnin(dhe marrin) vendime për zhvillimet në botë. Pasionantët dhe axhamitë që duan të interpretojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, i quajnë vendimet e tyre, vendime “pa shpirt”.

Për 30 vite rresht, shqiptarët bombardohen me shprehjet e rëndomta:…”x shtet, është avokati ynë më i madh”…”y shtet, është partneri ynë më i rëndësishëm”, e të tjera patate të helmëta si këto.

Në fakt, fuqitë e mëdha dhe shtetet seriozë, kanë dhe njohin vetëm interesat e tyre. E kur interesat e tyre, ndodh të vijnë në pikëtakim me interesat tona, kjo është “bekim perëndie”, duhet thënë. Mjafton një paragraf(nga qindra të tillë që ka ky  libër), për ta vërtetuar këtë…

“Turqia dhe Greqia ishin futur nën ombrellën  e NATO-s, përmes Doktrinës “Truman”. Por Amerika në kulmin e Luftës së Ftohtë(1974), do ta toleronte hyrjen e turqve në Qipro dhe ndarjen e ishullit. Ndërkohë, në të njëjtën masë, ajo mbështeti edhe juntën ushtarake në Greqi(1967-1974). Në fund të fundit, interesi gjeopolitik, qëndronte më lart sesa interesat e tjera. Me rëndësi ishte, që Turqia dhe Greqia të bashkëbllokonin daljen e Bashkimit Sovjetik në detin Mesdhe, pavarësisht ngjyrimeve politike të regjimeve të tyre”…

Autori në të gjithë librin, jep mesazhin se shteti nuk duhet të trembet për të ardhmen, kur punon për të ardhmen. Ai i ka njohur mirë e nga brenda, të dy llojet e shteteve shqiptarë; atë që kishim, e këtë që kemi.

Prandaj, pas shumë vitesh studime të thelluara dhe zbatimesh praktike(kur ia kanë lejuar rrethanat, apo e kanë dëgjuar “strategët” që kanë drejtuar), ai arrin në përfundime të pa kontestueshme dot nga askush. Ai jep përkufizime që askush nuk do të mund t`i kundërshtojë dot, sido që ta dredhë e përdredhë gjuhën, cilido që mundohet t`i përshtatet interesave të çastit:

…-“Përllogaritja e fuqisë ushtarake është shkencë. Sa shoqërore, aq edhe ekzakte. Prandaj edhe shtrimi i problemit, gjendet në atë pjesë të fushës, ku është e përbashkëta e këtyre dy koncepteve dhe qëndrimeve. -E prandaj, konkludon autori, fuqia e vërtetë ushtarake e Shqipërisë mund të peshohet dhe vlerësohet vetëm duke konsideruar konkretisht skenarët gjeopolitikë. Doemos, duke krahasuar burimet, numrat, strategjitë, taktikat dhe teknologjitë, mbi të cilat ishte ngritur fuqia e secilës palë në skenar.

Kapacitetet institucionale të shtetit, shfaqen pikërisht në aftësitë për përdorimin efektiv të burimeve dhe në rezultatet që arrihen, domethënë në pjesën aktive të fuqisë kombëtare…

Ushtria, mbrojtja dhe fuqia ushtarake janë pasqyrë e shtetit, e janë njësitë matëse kryesore të tij. Në masën që shteti shqiptar ka përjetuar fuqinë apo dobësinë e tij, po në atë masë, është konsoliduar apo shkërmoqur përpjesëtimisht, edhe ushtria e tij”…

Libri është shkruar me një gjuhë të pastër shqipe, qartësisht të kuptueshme. Kjo nuk vjen nga fakti se ai njeh katër gjuhë të huaja, por për faktin se ai njeh mirë Shqipen. Shqipen, të cilën e ka mësuar saktë, nga librat e shumtë që ka lexuar, e kryesisht letërsinë e zgjedhur. Për fat të keq do vonojmë shumë, të kemi ushtarakë që të njohin mirë shqipen. Deri ditën, kur ushtarakët të lexojnë letërsi, të paktën shqipe.

Zeno Jahaj thotë se shkrimi i këtij punimi shumëvlerësh, i ka marrë 8 vite punë. Shkruesi i këtyre radhëve, mendon se ai “nuk” është i sinqertë. Këto tema, pra Gjeopolitika, strategjia dhe fuqia kombëtare e ajo ushtarake, kanë kohë që e kanë pushtuar qenien e tij. Ndoshta, qysh në vitin jo aq të largët-1966, kur veshi për herë të parë uniformën e Skënderbegasit.

Ai në çdo ditë të jetës dhe të punës së tij, ka qenë i preokupuar me këto çështje madhore, e i ka pasë gjithnjë “ngritur antenat”, për t`u përditësuar dhe përsosur vazhdimisht, në shtjellimin e tyre.

Kolonel Zeno Jahaj, i ka shërbyer atdheut në shumë pozicione pune e në poste të ndryshme. Dhe i ka shërbyer me djersë të pastër, me përkushtim të plotë dhe me mendim të thelluar, duke kontribuuar për të.

Ky libër, përbën kontributin më madhor të jetës së tij, për atdheun…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. ZENO JAHAJ E KEMI TE DEGJUAR. EDHE KEMI LEXUAR PREJ TIJ NDONJE ANALIZE.
    POR KETO QE SHKRUAN PENA E PANO HALLKOS, NA THONE SE KEMI TE BEJME ME NJE GJEOPOLITICIEN TE MIREFILLTE.
    BRAVO AUTORIT TE LIBRIT, E PERGEZIME GAZETARIT PANO HALLKO!
    FALENDERIMET I ADRESOHEN GAZETES-KRYEREDAKTORIT, QE BOTON TE TILLA VLERA.

    Përgjigju ↓