OPINION

29 korrik 1913/ E drejta vonon,por nuk harron

10:32 - 30.07.21 Besnik Bakiu
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi të njihte ndërkombëtarisht shtetin shqiptar, si:një principatë autonome, sovrane … nën garancinë e të gjashtë Fuqive…”.

Kjo njohje, siç argumenton miku im, Profesori i nderuar  Ksenofon Krisafi: “…ishte një njohje kolektive, që erdhi nga një bashkësi shtetesh dhe jo njohje  individuale e ndërmarrë dhe e realizuar nga shtete të veçanta”.

Ky akt përbën dokumentin e parë ndërkombëtar për njohjen “de jure” të shtetit shqiptar, të shpallur në Kuvendin e Vlorës me 28 nëntor 1912. Kujtojmë largpamësinë e admirueshme të Etërve të Kombit Shqiptar, që në atë kohë të vështirë, krijuan një qeveri të përbërë nga përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare dhe besimeve fetare.

Megjithëse historiografia shqiptare vazhdon të jetë në dilemë për rëndësinë dhe pasojat e këtij vendimi,për mua ky vendim ishte epilogu i tragjedisë shqiptare. Ndaj në këtë datë, po përpiqem të rikujtoj padrejtësitë që na janë bërë (dhe i kemi bërë vetes), sepse ne kemi treguar(jo rrallë)se vuajmë nga amnezia historike.“Historia e hidhur mund t’i përsëritet vetëm një kombi që e harron atë dhe nuk ka mësuar asgjë prej saj”- ka thënë një burrë i ditur.

Akti i parë i tragjedisë shqiptare”, u luajt në  Shën Stefan(mars 1878), me Marrëveshjen e Shën Stefanit. Kjo marrëveshje  prodhoi dy pasoja tragjike për shqiptarët: e para, aty filloi të zbatohej koncepti politik i zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes copëtimit, dhe e dyta, aty u lindi ideja e spastrimit etnik të shqiptarëve prej trojeve që do të pushtonin fqinjët ballkanikë.Marrëveshja e Shën Stefanit, ishte akti më i vrazhdë ndërkombëtar, që tronditi themelet e shtetit të imagjinuar shqiptar, duke e copëtuar në shumë shtete.

Akti i dytë u luajt në kryeqytetin gjerman, Berlin, me Kongresin e Berlinit (qershor-korrik 1878), i cili kishte si  rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Perandoria Osmane mori pjesë me një delegacion, i cili nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto von Bismarck, kurse vendimet do të merreshin njëzëri.

Me ftesë të Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare dhe parashtruan në seanca të veçanta kërkesat e tyre politike e territoriale.

Vetëm Shqipëria u harrua. Delegacioni shqiptar i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, shkoi në Berlin me nismën e vet, për të parashtruar të drejtat e Shqipërisë, por nuk u përkrah nga askush. Kryetari i delegacionit Abdyl Frashëri, në një takim që pati me kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismarck u përpoq ta bindte, për të përfshinte në rendin e ditës të një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se: “nuk ka një komb shqiptar”. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit.

Shqiptarët kishin dy kërkesa kryesore: kundërshtimin e copëtimit të trojeve etnike dhe historike të shqiptarëve prej vendeve fqinje dhe krijimin e një Vilajeti të bashkuar të shqiptarëve, me një  autonomi administrative dhe kulturore.

Fuqitë e Mëdha morën përsipër të hartonin një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik, duke i njohur pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Vetëm Shqipërisë nuk i njohën asnjë të drejtë kombëtare, madje përkundrazi e trajtuan si plaçkë tregu, për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike.

Akti i tretë do të luhet në kryeqytetin anglez, në Londër, 34 vjet më vonë, në Konferencën e Londrës, të kryesuar nga Edward Grey, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe. Edhe pse Konferenca e Londrës(1912- 1913) u organizua me qëllim të:“..gjindej zgjidhje e krizës ballkanike dhe e vendosjes së një rendi të ri drejtësie dhe paqe në Ballkan”, ajo faktikisht i solli aktin më tragjik shqiptarëve, duke e copëtuar në disa shtete. Sipas meje kemi të bëjmë me një rast sui generis dhe tipik gjenocidist.

Çështja shqiptare u përcaktua nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Austro-Hungaria u gjend përballë faktit të kryer të ndryshimit të status quo-së ballkanike në dëm të saj dhe në të mirë të Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, prapa të cilave qëndronte Rusia. Për të kompensuar këtë, perandoria dualiste me mbështetjen e pasigurte të Italisë,vendosi të vinte në jetë planin e kahershëm të krijimit të shtetit të Shqipërisë Autonome (më vonë të pavarur), që do të duhej të kishte kufij sa “më të mëdhenj që të ishte e mundur”.

Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar, në këtë konferencë, nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj, por u bë nën prizmin e mos prishjes së ”Koncertit Evropian”. E drejta e Serbisë mbi Kosovën dhe e Greqisë mbi Çamërinë dhe territoret e tjera shqiptare në jug-lindje, ishin  rezultat i fitimit të këtyre territoreve si plaçkë lufte dhe u sanksionuan ndërkombëtarisht nga një institucion, i cili nuk kishte asnjë të drejtë për të bërë këtë gjë.

Me këto vendime arbitrare, mbi 55% e tokës shqiptare ndahej mes Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Tani Shqipëria kufizohej nga të gjitha anët me popullin e vet, gjë që nuk ishte parë dhe dëgjuar asnjë herë. Ishte më shumë se sa kriminale. Një komb liridashës, që kishte luftuar pandërprerë për lirinë e vet dhe të fqinjëve të tij, që nga koha e Skënderbeut, që siç thotë Sami Frashëri kishte si qëllim të vetëm “… të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën, kombin e tyre, t’u rrinë kundrejt intrigave të armiqve të tyre të ndalojnë të përhapurit e gjuhëve e mendimeve të grekëve dhe sllavëve, të cilat po rrëmojnë themelet e po i nxjerrin rrënjët Shqipërisë dhe shqiptarëve”; u copëtua për interesa të shteteve të Ballkanit.

Për këtë turp ndërkombëtar, Edit  Durham, thotë: “Përpjekjet e përbashkëta të Francës dhe të Rusisë e kishin ndarë Shqipërinë gati përgjysmë dhe i kishin caktuar kufijtë në mënyrën më mizore”.

Deri në atë kohë (sipas burimeve osmane të kohës),popullsia shqiptare jetonte e ndarë në katër vilajete, dy prej të cilave veç e veç ishin më të mëdha se Shqipëria e sotme dhe dy të mbeturat ishin gati sa ajo e sotmja. Vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 32.000 km2,ai i Shkodrës 10.987 km2,i Manastirit 28.500 km2, kurse i Janinës 17.900 km2. Popullsia ishte afërsisht 3.000.000 banorë shqiptare. Nga këto iu dhanë Serbisë 34.000 km2 me 1.090.000 banorë, Greqisë 10.794 km2 me 425.000 banorë dhe Malit të Zi 7000 km2 me 260.000 banorë.

Veprimtaria e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në realizimin e këtij vendimi, u ndihmua edhe nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare e asaj kohe. Pushtimi pesëshekullor otoman kishte rrënjosur konservatorizmin mesjetar dhe ruralizmin e shoqërisë. Shqipëria vuante jo vetëm nga mospasja e një grupimi shoqëror të emancipuar, por edhe nga ekzistenca e një klase bejlerësh me një ndjenjë përgjegjësie kombëtare të mangët, që rendte për ruajtjen e çifligjeve dhe përfitimeve personale.

Gjithashtu Shqipëria  nuk kishte një qeveri qendrore dhe unike. Kur në Londër vazhdonin bisedimet, te ne u formuan katër qeveri: Qeveria e Vlorës me Ismail Qemalin; e dyta, Qeveria e Shqipërisë së Mesme me seli në  Durrës, e  udhëhequr nga Esad Pashë Toptani, i cili ishte kundërshtar i fortë politik i Qeverisë së Vlorës; e treta  Qeveria e Ded Çokut në Lezhë dhe e  katërta, ishte Qeveria e Prenk Bib Dodës, e shpallur  në Mirditë.

Pra, përveç ambicieve të fqinjëve dhe interesave të Fuqive të mëdha, ishin edhe këto rrethana të brendshme në Shqipëri, që nuk favorizuan pozicionin e ministrit të Jashtëm të Austro – Hungarisë  kontit Leopold von Berchtold, për të mbrojtur integritetin e plotë të Shqipërisë. Ai luftoi vetë kundër të gjithëve në këtë Konferencë. Megjithatë Ai do të deklaronte: “Nëse ekzistenca e një kombi shqiptar vihet në dyshim nga dikush, atëherë do t’i thosha atij se shqiptarët, me gjithë rrethanat e disfavorshme gjatë shumë shekujve, kanë ditur të ruajnë të pacënuara traditat kombëtare dhe veçoritë etnike. Në qoftë se ne u japim tani atyre mundësinë për të përvetësuar të mirat e kulturës perëndimore në një shkallë më të lartë, atëherë unë nuk do ta shihja si të pashpresë një projekt të tillë”.

Prandaj, është detyrimi ynë, që sot pas  108 vitesh t’i përkulemi me mirënjohje Austro-Hungarisë dhe në veçanti kontit Berchtold,  që u arrit krijimi i një Shqipërie të Pavarur dhe Autonome, edhe pse shumë të cunguar.

Fatmirësisht, edhe në kohët më të vështira, Shqipërisë nuk i kanë munguar bijtë e saj. Rolin e udhëheqjes shpirtërore të kombit, e mori në dorë elita kulturore, e cila kërkonte të zgjonte ndërgjegjen kombëtare dhe përfytyrimin e masave për Shqipërinë e Vërtetë, drejt një “identiteti kombëtar të lidhur ngushtësisht me territorin”.

Ishte Pashko Vasës me poezinë “Oh Shqipëri, e mjera Shqipëri”, ku vargjet e fundit të poezisë, kumbojnë edhe sot: “Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,/Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,/Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë/Kush mos na e preki, se desim t’tanë/Të desim si burrat që vdiqnë motit/Edhe mos marrohna përpara Zotit”.

Poeti dhe shtetari Hil Mosi, shkroi poemën shpresëdhënëse “Kosova në luftë”, e cila më vonë u kompozua edhe si këngë me titull “Shqipëri, ky nuk është fundi yt”: “Kosova në luftë/Ah, Shypni, mos thuj mbarova,/Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!/N’kamb asht çu e rrebt Kosova/E ban luftën ball për ball. …./Krisi topi me duhi,/Atje gjaku i shqyptarit/Ra në tok’ me bi përsri”.

Poema “Gjuha shqipe” e Dom Ndre Mjedës, u bë nxitëse e fuqishme për kryengritje të përgjithshme:  “Geg’ e tosk’, malsi, jallia/jan’ nji komb, m’u da, s’duron;/fund e maj’ nji a Shqipnia/e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon…./E njat tok’ që je tue gzue,e ke zan’ tash sa mij’ vjet,/shqiptaria, që mbet mblue/sot nën dhe, edhe shqip flet”.

Po e mbyll me parashikimin profetik të Imzot At Gjergj Fishta në  poemën “Shqypnia e Lirë”, se Shqipëria do të bëhet prapë. Dhe vërtetë ky parashikim hyjnor, u bë realitet pas 100 vitesh padrejtësi. Sot kemi Republikën e Kosovës si entitet i ri në Ballkan, Maqedonia e Veriut pa shqiptarët nuk mund të ekzistojë; në Malin e Zi shqiptarët ishin vendimtar në shpalljen e pavarësisë; problemi çam nuk është më “tabu”, ai është temë në bisedimet ndërkombëtare.

E drejta vonon, por nuk harron. Është vetë pasardhësi i Edward Grey (kryetarit të Konferencës së Londrës në 1913),ministri i jashtëm Robin Cook, një nga politikanët më të mëdhenj britanikë, i cili në diskutim e tij në Dhomën e Komuneve (3 prill 1999) do të deklaronte: “…Ne po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në shekullin e kaluar ndaj kombit shqiptar…”.

Të ndritë shpirt At Gjergj Fishta, që edhe në atë kohë shumë të vështirë e trishtuese, u dhe shpresë shqiptarëve, me vargjet e tua: “Po, por nesër, me ndimë të Zotit,/Do t’a bajm prap Shqypni t’lir/Prej Prevezet e m’Leqe t’Hotit,/Prej Tivarit e m’Monastir;/Edhe Flamuri i Shqypnis,/Si flakë mnijet t’Perendis,/Do t’valvitet në Kaçanik…/Ajo vetë asht që prej të Parvet/Trashigimin na e kemi pasë/…/Zoti n’qiell e na mbi tokë/Me gjithkendë vëllazën e shokë,/Por secili në cak të vet./Prandej i hueji në andërr m’e pa/Se vjen kurr e shklet nder ne,/Drue se keq kishte me i ra”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.