OPINION

Evolucioni dixhital është bota drejt së cilës po drejtohemi

10:30 - 30.07.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk jemi aspak në pragjet e një fantazie, shumë kahe e premisa po ravijëzohen dalëngadal, por që ato të bëhen një realitet i jetuar dhe i shpërndarë në të gjithë botën, duhet kohë, durim e mbi të gjitha fitimi i një kulture të drejtë “të së resë”. Forca më e madhe e kësaj hipoteze qëndron në faktin se nuk kemi të bëjmë me një ekonomi “thelbësisht të re”, por me një ekonomi që bazohet në vlera dhe përvoja të rrënjosura thellë në historinë e njerëzimit. Sistemet e reja të komunikimit nuk “krijojnë” një kulturë të re njerëzore, një ekonomi të re apo dhe një shoqërie të re. Ato bëjnë të mundur vetëm zhvillimin e prirjeve, sjelljeve dhe marrdhënieve që na lejojnë të krijojmë një pasuri të re. Ja, se si shprehet Kevin Kelly, njëri nga të parët që pat “profetizuar” kapërcimin e shoqërisë së informacionit në atë të njohjes, që në vitin 1997. “Evolucioni dixhital sot është në gojën e të gjithëve. Por, nën turbulencën e rrjedhës kah së ardhmes, që shtyn parreshtur vorbullën e “buxheteve” teknologjike dhe gjërave që lipset të kihen patjetër, po lëviz ngadalë një evolucion ende dhe më i thellë: ekonomia e rrjetit, e lidhjeve. Kjo ekonomi emergjente përfaqëson në vetvete një “tronditje tektonike” të gjithë komunitetit njerëzor, një ndryshim social që riorganizon gjithë jetën tonë shumë më tepër se sa mund ta bëjë thjesht përdorimi i teknologjive. Ajo afron mundësi të shumta e ka rregulla të reja, krejt të vetat. Kush do të dijë të luajë sipas këtyre rregullave të reja, do të ketë sukses; kush nuk do të dijë ta bëjë një gjë të tillë do të dështojë”.




E gjitha kjo mund të duket enfatike, pasi autori që i shkruan këto radhë bën pjesë në një komunitet kulturor (i ashtuquajtur Silicon Valley), që prej dekadash lëviz nëpër rrjete si në “shtëpinë e tij” dhe e konsideron interaktivitetin elektronik si një sjellje të zakonshme dhe natyrale. Gjithsesi, tek kjo jetesë e “botës në rrjet”, është bota kah së cilës po drejtohemi dhe pragu i kulturës që po kërkojmë të “kultivojmë”. Veçse krahasuar me gjithë këtë vizion, pengesa e parë që duhet rrëzuar është braktisja e nostalgjisë për të shkuarën ose e thënë ndryshe kuptimi i një gabimi që nuk është vetëm i një komuniteti të caktuar, por një simptomë e padijes mbizotëruese të nomeklaturës sonë kulturore. Shumica, vazhdojnë ta shohin internetin ende dhe sot, si një tjetër “mjet më masiv” informacioni, për ta përdorur si ata që njohin, ose si një tjetër mjet publiciteti mbarë botëror. Një mënyrë, në dukje e thjeshtë, për të shmangur të menduarin dhe të mësuarin, ose për ta sjellë të renë brenda skemave të së vjetrës. Një tjetër treg ku mund të nxirren fitime, pa vrarë kohën për të kuptuar “diversitetin” e tij. Mirëpo e vërteta nuk është aspak kështu. Kjo mënyrë e të arsyetuarit nuk është gjë tjetër veçse transferimi i logjikave të vjetra mbi internetin dhe rrjetet: e ky ka qenë njëri nga shkaqet themelorë të mos-kapacitetit të bizneseve, institucioneve dhe sektorëve të tërë   shoqërisë, për të kuptuar se si duhet ta përdorin rrjetin për të bërë një hop cilësor e për të përmirësuar konkurueshmërinë. Për rrjedhim, hapi i parë i volitshëm, do të qe kuptimi se interneti, ashtu siç nuk është një botë më vete, nuk është as edhe një rutinë më shumë për të bërë të njëjtat gjëra. Ndërsa hapi i menjëhershëm që duhet të vijojë gjendjen e sheshuar nga braktisja e nostalgjisë, do të qe mosmbërthimi nga frika apo paniku.

“Rreziku më i madh është të mos përballesh me asnjë rrezik”, mëson David Ogilvy, një autor i njohur i rrjetit. Nuk ka patur ndërmarrje të suksesshme, në politikë e në kulturë, në shkencë ashtu si dhe në ekonomi, që të mos jetë përballur me një rrezik të “frikshëm” në një çast të caktuar të historisë së vet. Vetëm se rreziqet që përballen, sepse ke zgjedhur t’i përballësh, afrojnë shumë më tepër mundësi suksesi se sa ato të kryera nga perceptimi i mosmbylljes në “taktika” mbrojtëse ndaj zhvillimeve të tregut ose kur për t’i shpëtuar kësaj frike bie në probleme të reja që nuk i kishe më parë. Nëse ke frikë, do të thotë të ruhesh nga rreziqet, personat më të guximshëm të të gjitha kohërave, na mësojnë se kjo është e nevojshme. Por nëse të kesh frikë do të thotë të ngurrosh, të shmangësh përgjegjshmërinë e të vendosurit, të kërkosh zgjidhje “qetësuese” në vend të atyre që nevojiten vërtet, atëherë mund të arrish të kuptosh shpejt se “rruga e rrezikut” kalon nëpër mundësitë e parrokura. Shumica e studiuesve të teknologjive të reja, tregojnë se gabimi më i madh i ndërmarrjeve publike dhe private, konsiston në blerjen e kompiuterave dhe sistemeve të papërshtatshëm për kërkesat, qëllimet dhe mundësitë e tyre të brendshme, njerëzore dhe organizative, pikërisht falë udhëheqjes së vendimeve nga frika. E kjo frikë mund të ketë domethënie të ndryshme: frikë nga “të mbeturit prapa në garën e teknologjisë”, frikë nga të “qenit i përjashtuar” nga diçka që ende s’e kupton thellësisht se ç’është, por së cilës nuk mund t’i shmangesh; frikë nga të mosditurit se cilat zgjidhje teknike të përshtaten, duke bërë kështu një zgjidhje të përgjithshme, por që shpesh mund të rezultojë e gabuar; apo frikë e të “marrit të përgjegjësive mbi vete”, në mënyrë që, nëse gjërat nuk funksionojnë, faji të mos jetë yti.

Të gjitha këto rrethana e situata, që në praktikë mund të pjellin shumë raste të tjera, dëshmojnë se sa e rëndësishme është që çdo ndërmarrje private apo institucion publik të mos bëjë kurrë zgjidhje të diktuara nga frika, por nga strategjia e mirëstudiuar. Aq më tepër, që nuk janë të rralla mundësitë, që në këto zhvillime të reja, me një evolucion kaq turbulent, “të fundit” të bëhen “të parët”. Ja, një situatë të tillë nuk ka pse të mos ta synojë Shqipëria, e cila krahasuar me vitin 2005, kur mund të quhej e fundit e Europës, sot ka bërë hope vendimtare në rrugëtimin dixhital. E rëndësishme në këtë fazë është të kuptojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për një zhvillim teknologjik, por për një evolucion të raporteve njerëzore, që nuk realizohet vetëm brenda një mjedisi (si “interneti”), por më thellësisht, në shoqëri dhe ekonomi, në mentalitet dhe kulture pune.

Njëri nga rrjedhimet kryesore të këtij parimi është se pasuria në këtë fazë të re të ekonomisë botërore vjen nga evolucioni, dhe jo nga “optimizimi” i ekzistueses. Pasurimi, nuk fitohet më duke përsosur të njohurën, por edhe në mënyrë të papërkryer, duke rrokur të panjohurën. Mjedisi ideal për të kultivuar të panjohurën është fleksibiliteti i epërm i rrjetit. Ndërkohë që të qeverisësh të renë, do të thotë të braktisësh të njohurën e shumësuksesshme e të zhbësh atë që tashmë është e përsosur. E gjithë kjo rrymë mendimi e ekonomistëve të rrjetit nuk është e re; p.sh. rreth 50 vjet më parë Jozef Shumpeteri fliste për teorinë e shkatërrimit krijues. Në kushtet e një evoluimi të vazhdueshëm ku ndodhemi, gjithçka ka marrë një domethënie të veçantë, sepse mund të na bëjë të kuptojmë se sa e papëlqyeshme, në mos e rrezikshme, mund të jetë të përkundemi në zakonet e vjetra. Por sidomos për ekonomi në zhvillim e sipër ose edhe ekonomi të varfra përsa i përket aseteve të ekonomisë së epokës industriale, siç mund të jetë Shqipëria, përparësitë që hap ky evoluim janë të mëdha, qoftë në zbulesën e mundësive të reja, të panjohura më parë, qoftë në hallkëzimin më shpejt me ekonominë botërore nëpërmjet rrjetit (duke u bërë protagoniste e asaj që ekonomistët e quajnë chain economy).

Në shoqërinë dhe sidomos në ekonominë e lidhjeve, vlen më shumë se kurrë maksima antike sokratike “Sa më shumë di, aq më shumë kuptoj se nuk di asgjë”. Duket që arti i të njohurit është maieutik. Panta rei, gjithçka rrjedh, gjithçka ndryshon vazhdimisht. Të jetosh brenda kësaj rrjedhe, të marrësh formën e saj e të rrokësh rastin e papritur, është sekreti i vërtetë i suksesit. Rrjeti është instrumenti që lejon, më shumë se askush tjetër, përparimin nëpërmjet eksperimentimit dhe verifikimit të vazhdueshëm. Është territori ideal për strategjitë fleksibël, për të eksploruar dhe kërkuar, ndërkohë që je duke vepruar në treg. Mungesa e potencialitetit (që nënkupton mos-nevojën e risurseve të mëdha financiare dhe asetore, siç ndodhte në ekonominë e derisotme) dhe “projeksionet e limituara” ( është e këshillueshme që eksperimentet të kryhen në masa të vogla prodhimi) mund të jetohen dhe përdoren si një resurs dhe jo menjëherë si një problem. Kush më mirë se të tjerët do të dijë të veprojë në këtë mënyrë, do të ketë një avantazh konkret konkurrues, duke nxjerrë mësime të zbatueshme edhe jashtë rrjetit. Sipas shembujve të shumtë, është plotësisht e mundshme të “zësh” në brendësi të rrjetit një territor të caktuar dhe specifik, që të përshtatet më shumë. Nëse bota e përgjithshme e rrjeteve është e paparashikueshme, një territor ku një ndërmarrje apo një institucion është ekspert, është shumë më pak i paqëndrueshëm, e në masën më të madhe është i kontrollueshëm dhe i plazmueshëm ndaj strategjive. Dialogu, interaktiviteti dhe shërbimi, janë çelësat për të ndërtuar një “ishullin tënd” në rrjet, që të mos jetë i nënshtruar ndaj teknologjive apo fenomeneve të përgjithshme të kulturës dhe ekonomisë së rrjetit, por të ndjekë e përsosë “përkujdesjen” e prodhimeve të tij. Përvoja tashmë tregon se kjo është karta fituese: territorialiteti i caktuar dhe kultura e “artizanalitetit” të produktit, çka për Shqipërinë dhe ekonominë e saj mund të çelë hapësira të mëdha, nëse kultivohet, veçanërisht në rrjet, konkurrueshmëria e cilësisë.

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.