Opinion-Komente

Hapja e Ballkanit dhe haxhiqamilistët modernë

10:40 - 31.07.21 Fatos Çoçoli

36 vjet më parë, më 14 qershor 1985, në qytetin e Shengenit(Schengen) në Luksemburg, pesë shtete të Bashkimit Evropian (Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu) nënshkruan Marrëveshjen për qarkullimin e lirë të qytetarëve të tyre, që mori emrin Marrëveshja e Shengenit. Në atë kohë, Bashkimi Evropian ishte i përbërë nga vetëm dhjetë shtete dhe të pesë shtetet e tjera(mes të cilave Italia me paqartësitë e saj të kohës, Greqia që sapo e kishte marrë veten nga “marrëzia”e kolonelëve në vitin 1974, Danimarka, etj.) i shikonin të pesë shengenistët me dyshim, duke ju frikësuar hegjemonizmit gjermano-francez. Pastaj këto frikëra nisin të davariten e të bien vetiu, sidomos pasi erdhën përfitimet e para dhe shumë të dukshme nga qarkullimi i lirë i qytetarëve, ndërkohë që tregu i përbashkët i kapitaleve, mallrave e shërbimeve funksiononte normalisht. Që nga zbatimi i marrëveshjes Shengen, vendet anëtare të saj e kanë parë prodhimin e tyre kombëtar të rritet mesatarisht me nga 2-3 përqind në vit. Të ardhurat mesatare për frymë për një qytetar të zonës Shengen janë rritur me 3 mijë euro në 20 vitet e fundit. Nga viti 1985 e deri në vitin 2009, kur ia bashkua zonës Shengen edhe Zvicra, janë 28 shtetet nënshkruese të marrëveshjes, 25 shtete të Bashkimit Evropian dhe tre shtete jashtë BE-së. Stepjet e sotme dhe kritikat e shigjetimet ndaj përsëritjes së marrëveshjes Shengen me procesin e “Ballkanit të hapur(ose Shengenit Ballkanik )”, si dhe ndaj tre marrëveshjeve të Shkupit të dy ditëve më parë, të kujtojnë frikërat nacionaliste apo edhe politike të 36 viteve më parë të vetë Europës së Bashkuar. Evropa e Bashkuar pothuajse ka shpëtuar e tëra nga nacionalizmi i sëmurë sot. Për fat të keq, ai mbijeton ende në rajonin tonë, duke konsideruar tradhëti shtrirjen e dorës dhe bisedimet për bashkëpunim rajonal, ose duke e kushtëzuar atë me kërkesa politike. Për këtë ndjenjë të devijuar, gjasat që qytetarët e gjashtë shteteve tona: Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë të punësohen ku të dëshirojnë në rajon, si dhe të udhëtojnë pa viza dhe kontrolle kufitare, nuk kanë rëndësi ose janë të dorës së dytë. Ndërkohë që ato në Shengenin e madh 36 vjeçar me 28 shtete anëtare, kanë luajtur historikisht rolin e motorrëve të mirëfilltë të zhvillimit! Ja përse ideja e lëvizjes së lirë të qytetarëve në gjashtë vendet tona dhe e tregtisë së përbashkët pa pengesa doganore dhe burokratike është e destinuar të triumfojë. Atë nuk mund ta ndalin dot haxhiqamilistët modernë, të grumbulluar, për fat të keq, me shumicë edhe në Kosovë. Një treg i përbashkët na bën shumë më tërheqës për investuesit e mëdhenj dhe strategjikë për të ardhur në rajonin tonë, se sa kur jemi të ndarë veç e veç. Sigurisht, frikërat për një dominim serb në rajon do të duan kohë të fashiten. Njëlloj sikurse frikërat për dominimin gjernano-francez kërkuan të paktën një dekadë që të largohen nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Urojmë që këto kritika e thirrje “Duam Babën Nacionalizëm!”, që mbijnë si kërpudhat sa herë shtetet e Ballkanit lëvizin për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave të tyre, të mos marrin dhjetë vjet sa të fashiten. Sa më shpejt që të jetë konkret Shengeni Ballkanik ose Ballkani i hapur, aq më shpejt dhe më shumë përfitime do të kemi. Ky proces duhet të lidhet pazgjidhshmërisht me përparimin e tregtisë së lirë dhe të përbashkët brenda marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore(CEFTA: Central European Free Trade Agreement) dhe Procesit të Berlinit, të nisur nga Kancelarja Merkel 3 vite më parë. Si CEFTA dhe Procesi i Berlinit kanë objektiva të integrimit ekonomik, investimeve dhe kapitalit në themel të tyre. Asnjë objektiv dhe nen i tre marrëveshjeve të Shkupit nuk na largon, përkundrazi, na afron me Bashkimin Evropian dhe misionin e CEFTA-s. Ndërthurja e përparimit në kuadër të CETFA-s, me interesat e qarkullimit të lirë të qytetarëve tanë në rajon i jep më shumë karburant dhe fuqi procesit të Berlinit. Qeveria jonë bëri mirë që shkoi dhe nënshkroi tre marrëveshjet në Shkup, duke e futur si përparësi të saj procesin e Shengenit Ballkanik, të lidhur fort me tregtinë e lirë në rajon. Këtu nuk ka asnjë karshillëk me askënd (as edhe me Bashkimin Evropian, sikurse duan ta shohin haxhiqamilistët modernë në rajon). Sa më shpejt që udhëheqësit e Kosovës, Malit të Zi dhe të Bosnje-Hercegovinës ta shikojnë dhe kuptojnë këtë, aq më mirë për qytetarët e tyre. E ardhmja e Kosovës së zhvilluar dhe në Bashkimin Evropian nuk meriton aspak të bëhet peng i ithtarëve modernë të një nacionalizmi të sëmurë.



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.