Aktualitet

Zjarret në Vlorë, Dritan Leli: Po kordinojmë punën me ministrin, policia po zbulon përgjegjësit

19:34 - 04.08.21 gsh

 



Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka folur sot për situatën e krijuar nga zjarret në mbarë vendin, por kryesit në qytetin brengdetar, ku rrezikohen zonat e Karaburunit, Dukatit apo Llogarasë.

Duke folur për media, kryebashkiaku Leli tha se situatat më problematike krijohen nga zjarrvëniet e qëllimshme, ndërsa iu bëri thirrje organeve të ligjit, por edhe të gjithë njerëzve, që të denoncojnë e vënë para përgjegjësisë autorët e këtyre zjarreve.

Sipas Lelit, zjarrfikësit e Vlorës, por edhe të gjitha forcat e tjera të emergjencës, janë gjatë gjithë kohës në gatishmëri dhe po punojnë në terren për shuarjen e flakëve dhe normalizimin e situatës.

“Zjarrvëniet e qëllimshme janë ato që shkaktojnë situata nga më problematiket. Ne jemi këtu në bashkëpunim të të gjithë forcave, për të bërë më të mirën në territor. Zjarri i djeshëm në Pishporë ka qenë i qëllimshëm, njëkohësisht në disa vatra zjarri të shpërndara në territor. Me koordinimin e punës dhe me kërkesë të ministrit Peleshi, ne jemi zhvendosur në zonën e Poros, me njësitë zjarrfikëse, që janë në varësi të Bashkisë Vlorë, për të bërë fikjen e zjarrit në kohë rekord. Këtu janë angazhuar të gjitha forcat, që janë në dispozicion të bashkisë. Drejtori i Emergjencave Civile është këtu që në ditët e para të fillimit të zjarrit. Mbrëmë gjatë gjithë natës, forcat zjarrfikëse në varësi të Bashkisë së Vlorës kanë qenë në zonën e Pashalimanit, dhe janë duke monitoruar të gjitha hapësirat. Siç e dini në Parkun Kombëtar të Llogarasë, në zonën e Pyllit të Sodës dhe zonën e pikës së grumbullimti të plehrave, që në mes të qershorit vendoset shërbim 24 orësh për t’i ruajtur nga djegiet. Në këtë situatë që shikojmë dhe përballemi ditë pas dite prej kaq ditësh, ajo që e shkakton të gjithën dhe që na bën të përballemi me një gjë që do ishte mirë të mos e kishim, janë zjarrvëniet e qëllimshme. Prandaj them që sensibilizimi është që të vëmë dorën në plagë, aty ku fillon e keqja, te zjarrvënia e qëllimshme. Organet e ligjit, policia, janë duke bërë maksimumin për të zbuluar personat, që shkaktojnë këto situata. Megjithatë, na takon të gjithëve, të gjithë shikojmë dikë që është duke bërë dëm, dhe duhet të rrisim në maksimum alarmin për të ndaluar çdo zjarrvënie të qëllimshme në territor”, tha Leli.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.