AKTUALITET

Zjarret në Jug/ Peleshi: Vatrat më pak agresive, s’kemi njerëz të lënduar

17:05 - 05.08.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Tani situata është disi më ndryshe, nuk mund të flasim për vendosje totalisht në kontroll, por vatrat janë më pak agresive se sa para një ore, se sa para dy orësh”.




Kështu deklaroi Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ndodhet në Vlorë ku po ndjek nga afër punën për fikjen e zjarreve. Ai tha se nuk ka persona të lënduar, por dëmet materiale janë të mëdha.

“Është punuar me intensitet me dy helikopterë. Tani po punohet me një helikopter të vogël, i cili është me efektiv sepse furnizohet me ujë tek rezervuari shumë pranë fshatit Gumenicë. Kemi pasur dhe prekje banesash por fatmirësisht deri tani nga informacioni që kemi, janë informacioneve operative, kanë qenë në pjesën e fshatit Gjorm ku nuk na raportohet të ketë banorë dhe në fshatin Gumenicë lart, ku janë shtëpi të vjetra. Po luftojmë të shmangim plotësisht përfshirjen nga zjarri të shtëpive të fshatit Gumenicë poshtë. Forcat e Policisë janë aty, jam në kontakt me drejtorin e policisë, i cili është gjithashtu me forcat e veta në fshat dhe evakuojnë familjet që janë në rrezik. Dua të përsëris dhe njëherë apelin për familjarët, ata që mund në këto kushte që ta ndjekin, për komunitetin përreth, të afërmit që të na mundësojnë të evakuojmë njerëzit. Nuk kemi deri tani të lënduar. Dëme materiale dukshëm ka, pemë, banesa të prekura. Kemi forca mjaftueshëm për ta mbajtur në kontroll, 40 efektivë të FA-ve, zjarrfikëse të FA-ve dhe nga bashkia e Vlorës ka ardhur një zjarrfikëse dhe nga bashkia e Selenicës sepse ky është territori i saj ka të gjitha forcat e angazhuara. Mendoj se me kaq forca sa kemi dhe me punën e vazhdueshme prej disa orësh të helikopterit, do arrijmë ta vëmë nën kontroll këtë vatër. Sot nuk mund të flitet për vendosje totale nën kontroll, ka shumë erëra”, deklaroi Peleshi.

Sa i përket Llogarasë ai tha se sot është më e rrezikuar se çdo ditë tjetër për shkak të erës, por se po mbahet nën vëzhgim dhe nesër ose pasnesër në mëngjes do të jenë në dispozicion dhe dy helikopterët holandezë.

“Një mendje gjithmonë e kam në Llogara, në Karaburun, ku erërat janë më të forta se këtu, shumë më të forta se ditët e tjera. Jemi në luftë, në frontin e kufirit me parkun e Llogarasë. Kemi pasur 30 forca gjatë gjithë natës. Sot është nisur një grup forcash të tjera drejt Llogarasë, kufirit. Po presim të krijohen kushtet e favorshme, nga era për të dislokuar trupa me anë të helikopterit ushtarak aty. Nuk kemi mundur dot të bëjmë deri në këto momente të bëjmë fluturime me kova me ujë sepse ka qenë e pamundur. Kemi një sinjal që mund të jenë të favorshme kushtet më vonë. Për momentin do bëjë një verifikim të situatës dhe nëse do jetë e nevojshme do çojmë trupa dhe ujë në Llogara.

Thirrje nga strukturave, policisë së Shtetit, duhet punuar deri në fund për të evakuuar dhe banorin e fundit. Dhe kur rrethohen nga zjarri banorët që kanë gjënë e gjallë, kanë shtëpinë hezitojnë të largohen. këtë nuk mund ta bëjë dot ushtria.

Sot Parku Kombëtar rrezikohet më shumë se çdo ditë tjetër. Ka disa zhvillime pozitive, sepse presim që nesër, ose maksimumi pasnesër në mëngjes, do të fillojë fluturimi i dy helikopterëve holandezë që kanë një kapacitet të madh dhe mezi po presim të nisë fluturimi i tyre. Sot kemi një ofrim bashkëpunimi nga shteti i Zvicrës, kryeministri, jemi në komunikim të vazhdueshëm, edhe sot ka përsëritur thirrjen e vetë në shtetet fqinje. Fatkeqësisht shtetet në rajon kanë situata shumë më të vështira se ne dhe janë nën kapacitete, por siç e thashë Holanda dy helikopterë, Zvicra, Çekia dhe presim nga shtetet e tjera. Ambasadoren amerikane dua ta falënderoj publikisht. Ka qenë shumë e gatshme sot, kur doli disi nga kontrolli situata në qark, kryesisht në Karaburun është treguar e gatshme dhe me gjithë stafin e vet po punojnë shumë fort dhe me strukturat amerikane në rajon dhe përreth në Europë për të na mundësuar një mbështetje të mundshme”, deklaroi Peleshi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.