Opinion-Komente

Ekipi i ri në qeveri a do ndalojë ritualin më ha dora zotri?!…

08:20 - 06.09.21 Prof. Dr. Ago Nezha

Zhurmnaja për qeverinë e re Rama, në mandatin e tretë ka pritshmëri dhe interpretime të ndryshme jo vetëm nga aktorët politikë të opozitës, por edhe brenda forcës politike, të familjes socialiste. Është e natyrshme që gjykimet të jenë subjektive, me shqetësimin se a janë gjetur njerëzit e duhur në krye të shtetit, me aftësi profesionale dhe cilësi morale për të drejtuar sektorë të rëndësishëm të arsimit, kulturës dhe ekonomisë, koha do ta dëshmojë si gjykatsja më e drejtë. Paraprakisht konfiguracioni i ekipit qeverisës të prezanton me ministra që kanë eksperiencë në sektorët përkatës, disa edhe të suksesshëm si Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku dhe më të rinjtë që janë në proces eksperimenti, se ju mungon përvoja dhe ju duhet një punë me ekzigjenca të mëdha ndaj vetes dhe ekipit që do menazhojnë. Në sfond shohim se qeverinë e re e dominojnë femrat gati një me tre në raport me meshkujt dhe duket që Shqipërinë e priu fati, se po e merr drejtimin “matriakati”. Kjo dukuri, përbën një risi, në këtë qeveri, por është përgjegjësi që s’ka të bëjë me seksin mashkull apo femër, por me aftësitë intelektuale dhe profesionale, organizuese dhe drejtuese, me cilësitë individuale, si dhe me eksperiencën që zotërojnë në sektorët përkatës.  Ajo që bie në sy te kjo qeveri është se përgjithësisht ministrat kanë figurë të pastër morale, të pa infektuar nga korrupsioni dhe të pa cilësuar “non grata”,se akoma nuk u ka marrë ujë lopata në tortën e pushtetit.Shëndeti moral i kësaj qeverie do duket kur të ketë një aktivitet disa vjeçar. Ka sektor prioritar dhe delikat në një qeverisje, që janë përcaktues për fatet e vendit, siç mund të përmëndim bujqësinë, financat dhe drejtësinë që kërkojnë profesionalizëm të lartë dhe aftësi organizuese e drejtuese të shprehura paraprakisht. Qeveritë në Shqipëri, në këto 30 vjet të ashtuquajtura demokraci, kanë qënë atribute të kryeministrave, dhe jo produkt i mendimit kolegjial të kryesisë së partisë. Kjo ka bërë që çdo kryeministër ka paraqitur profilin vetiak, me konceptet, preferencat dhe botkuptimin e tij për qeverisjen. Autokracia ka sunduar në të gjitha zgjedhjet ekipore për qeverisje. Dy kryeministrat më jetëgjatë janë Berisha dhe Rama. Në kohën e qeverisjes së Berishës, pushteti qëndronte në katër këmbë. Katër shtyllat kryesore në përzgjedhjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar ishin: militantizmi, krahinalizmi, nepotizmi dhe klientelizmi. Në qeverinë Rama, prirjet janë reduktuar në dy shtylla: te nepotizmi dhe klientelizmi,militantizmi dhe krahinalizmi nuk zen vend në filozofinë e Tij qeverisëse. Në të dy rastet meritokracia ndodhet në minorancë.



Aftësia dhe kompetenca drejtuese e ministrave gjëndet e shprehur te struktura dhe stafi që kanë ministritë përkatëse. Shumë ministri janë të pa motivuar me ekipet e tyre drejtuese dhe kanë një organogramë kaotike që nuk përputhet me funksionin dhe rolin që ka dikasteri përkatës. Qeveritë paradë që kanë qarkulluar këto 30 vjet kanë pasur edhe ministra adoleshentë dhe këshilltar pionierë, që s’kanë eksperiencën e duhur as për të drejtuar e as për të këshilluar titullarin e dikasterit. Këto kanë qënë qoka që kanë bërë kryeministrat e radhës. Ministra nën moshën 40 vjeç dhe këshilltar nën moshën 50 vjeç janë eksperimente të dështuara. Kjo ushtri parazitësh, shtoi dhe kontigjente të pa afta që janë punësuar në stafet e ministrive, paguhen nga taksapaguesit shqiptar. Shembujt janë të dhimbshëm. Ministrat e rinj duhet të shikojnë horizontalisht së pari  strukturën e dikasterit që do drejtojnë se sa i përgjigjet ajo misionit që ka ky institucion dhe nominalisht aftësitë,  kualitetet dhe arsimin e stafit teknik dhe vertikalisht drejtoritë në rrethe me personelin përkatës. Nuk mund të presish sukses nga një dikaster që është i pa motivuar për funksionin që kryen. Shembujt janë të shumtë.Po e ilustroj me një shembull nga Ministria e Bujqësisë, që kam një njohje racionale pasi kam punuar për 30 vjet në Drejtorinë e Shtypit dhe Informacionit. Konkretisht:  kjo ministri është çveshur nga specialistë, ekspert të fushës si të bimëve të arave, perimeve, frutikulturës,etj. që dikur drejtonin këta sektorë të rëndësishëm dhe janë zëvëndësuar me specialist jo të fushës, deri edhe piktor, mësues të gjermanishtes, apo mercolog, si të jetë ministri e Kulturës apo e Arsimit. Informacioni dhe komunikimi me fermerin është në nivelin zero. Nuk botohen as përvojat e përparuara dhe as teknologjitë bashkëkohore që ta ushqejnë fermerin me të rejat e shkencës. Edhe një revistë bujqësore që ishte unikale në Ballkan, revista “ Bagëti e Bujqësi” e botuar në vitin 1921, që u mbyll me emërtimin “Bujqësia Shqiptare”, në vitin 2009 dhe  nuk botohet më edhe pse në 1 Tetor të këtij viti do festonte 100 vjetorin e botimit. Një qëndrim sa ekstremist dhe injorant i qeverisë Berisha, ishte shkatërrimi i institucioneve kërkimore shkencore të bujqësisë dhe informacionit bujqësor. Por këtë situatë duhet ta kishte korrigjuar qeveria Rama, po të konsultohej me specialistë dhe shkencëtar të bujqësisë që kanë eksperiencë të vyer. Një tjetër problem kritik është se drejtoritë e bujqësisë në rrethe nuk janë aktive për vetë konceptimin se si janë kompozuar jashtë realitetit praktik. Është qesharak fakti që janë krijuar drejtori rajonale. P.SH.drejtoria e bujqësisë është vendosur në Lushnjë dhe kjo mbulon dhe Fierin dhe Vlorën.

Kërkohet një ndërhyrje operacionale me një studim të thelluar me ekspert të fushës, që të shëndoshen organizmat drejtuese dhe të bëhen sa më funksionale dhe efektive dhe mos mbeten simbole të një burokracie primitive.

Një fenomen akut që del para kësaj qeverie është që të luftojë korrupsionin zyrtar që është bërë modë te drejtorët aktualë, që sa futesh në zyrë për të zgjidhur një problem të shikojnë nga duart duke të bërë thirrjen: më ha dora zotëri, duke linçuar se unë punoj me rrogë të ulët në ministri!…

Është detyrë e ministrave të rinj që të zgjedhin staf të kualifikuar profesionalisht dhe të pastër moralisht. “ Në çdo punë duhet t’i vesh vetes një fre të trefishtë: të së vërtetës, të ndershmërisë dhe të dobisë”, shkruan Marmontel.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.