Kryesore

Migena Kika: Synesthesia, çrregullimi i çuditshëm që iu bën të dëgjoni ngjyrat

10:00 - 06.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro- Nëse iu ndodh që të shikoni muzikën si ngjyrë, ose të perceptoni shkronjat si ngjyra, mund të vuani nga një çrregullim i çuditshëm që quhet synesthesia. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare, mjekja neuropediatre Migena Kika tregon të gjitha simptomat dhe llojet e kësaj patologjie. Më tej ajo shton se sipas një studimi të 2006-ës, 2 deri në 4 për qind e popullatës vuajnë nga sëmundja. Ajo shton se një predispozitë të lartë për tu prekur nga synesthesia kanë edhe personat që vuajnë nga çrregullimet e spektrit të autizmit.
Çfarë është synesthesia dhe pse shkaktohet?
Synesthesia është një çrregullim neurologjik gjatë së cilës stimulimi i njërës nga rrugët sensoriale apo konjitive. Për shembull të shikuarit çon në eksperienca automatike, të pavullnetshme të një rruge të dytë sensoriale/konjtive si p.sh. të dëgjuarit. Pra një informacion/stimul në vend të nxisë një nga shqisat tuaja, stimulon në të njëjtën kohë dy apo disa. E thënë thjesht kur aktivizohet një nga shqisat aktivizohet njëkohësisht dhe një shqisë tjetër që, në fakt, nuk ka lidhje me të parën. Njerëzit që kanë synesthesi quhen synesthet. Fjala “synesthesia” vjen nga greqishtja “synth” (që do të thotë bashkë) dhe “ethesia” (që do të thotë perceptim). Synesthetet shpesh “shohin” muzikën si ngjyra kur e dëgjojnë atë, dhe “shijojnë” si “të rrumbullakëta” ose “me majë” ushqimet e ndryshme.
Në sa për qind të popullatës haset ky çrregullim?
Nuk ka të dhëna të sakta sa i shpeshtë është ky çrregullim në popullatën normale. Një studim i vitit 2006 e raporton në 2 deri 4 për qind të popullatës. Por ka gjithnjë e më shumë evidenca që rreth 20 për qind e individëve me autizëm kanë dhe synesthesi.
Pse të dy çrregullimet ndodhin shpesh së bashku?
Individët me synesthesi dhe autizëm kanë shumë karakteristika të përbashkëta. Synesthetet kanë shpesh mbindjeshmëri dhe çrregullime të vëmendjes por edhe karakteristika të tjera të autizmit. Të dy çrregullimet mendohen se mund të kenë bazë të përbashkët gjenetike apo modele të njëjta të konektivitetit të trurit duke sugjeruar për një bazë të njëjtë biologjike. Për të pasur trajtime e ndërhyrje për çështjet e mbindjeshmërisë në individët me autizëm duhen identifikuar individët me autizëm që janë dhe synesthet dhe duhen studiuar ato. Duke u rritur ndërgjegjësimi që synesthesia është relativisht e shpeshtë në individët me autizëm kjo do të bënte që më shumë individë me austizëm të vetidentifikoheshin si synesthet.
Çfarë ndjejnë pacientët kur kanë synesthesi?
Nëse keni synesthesia, keni ndjesinë sikur të gjithë shqisat interferojnë me njëra tjetrën duke ju dhënë perceptimin e botës në një tjetër dimension.
Sa lloje të kësaj patologjie hasni?
Ka shume lloje të synesthesisë, me simptoma të ndryshme. Është Synesthesia e projeksionit ku ngjyrat lidhen me shkronjat, numrat, ditët e javës apo fjalët. Synesthesia grapheme-ngjyrë, kur shkronjat dhe ditët e javës lidhen me ngjyrat është forma më e njohur. Chromesthesia është forma e synesthesisë ku individi automatikisht percepton ngjyra sa herë dëgjon një tingull. Por ka dhe synaesthesi, numër-formë, dhe shumë forma të tjera. Një individ mund të ketë një lloj synesthesia, ose kombinim të formave të ndryshme.




Cilat janë simptomat që shfaqin pacientët e prekur?
Individët që kanë synesthesia kanë perceptime të pavullnetshme të kryqëzimeve të ndjesive nga shqisa të ndryshme (shijojnë format, dëgjojnë ngjyrat etj.). Ata mund të shfaqin edhe stimuj sensoriale që në mënyrë konsistente dhe të parashikueshme shkaktojnë “lojë” midis shqisave (çdo herë që shihet shkronja E p.sh. shihet e verdhë)
Kanë aftësinë të përshkruajnë perceptimet e tyre dhe tua tregojnë njerëzve të tjerë.
Cilat janë kategoritë më të prekura nga synesthesia?
Synesthesia është më e shpeshtë te mëngjarashët dhe këta individë kanë aftësi më të shprehura në artet vizuale dhe muzikë. Synesthesia është më e shpeshtë tek femrat sesa te meshkujt.
Mund të na shpjegoni se cilët janë shkaktarët e synesthesisë?
Individët që kanë synesthesia zakonisht lindin të tillë ose e zhvillojnë herët gjatë fëmijërisë së hershme. Ka një predispozicion gjenetik për këtë çrregullim. Secila nga pesë shqisat stimulon një zonë të caktuar në trurin tonë. P.sh. nëse shohim drejt një burimi drite do të na stimulohet korteksi visual primar. Nëse keni synesthesia, ju mund t’ju duket edhe sikur e shijoni dritën që po shihni. Pra jo vetëm korteksi juaj primar do të stimulohet nga drita por edhe lobi parietal i cili na thotë ne se si shijojnë gjërat do të stimulohet gjithashtu. Kërkuesit besojnë se individët që vuajnë nga synesthesia kanë një ndërlidhje të shtuar ndërmjet pjesëve të trurit që lidhet me stimujt sensoriale. Ka shumë substancë psikotrope që mund të shkaktojnë synesthesi të përkohshme. Por mund ta shkaktojnë dhe substanca të tilla si kanabis, alkoli dhe kafeina.
Si bëhet testimi i kësaj patologjie?
Nëse mendoni se keni synesthesi fillimisht duhet ti bëni vetes disa pyetje. Kur ju shikoni p.sh. shkronjën “A”, a e lidh këtë mendja juaj me ndonjë ngjyrë? Kaloni në të gjitha shkronjat me radhë duke e lidhur me ngjyrën që ju vjen në mendje dhe shkruajeni atë. Përsëriteni të njëjtin ushtrim një ose dy orë më vonë. Nëse shkronjat do ju duken çdo herë me të njëjtën ngjyrë atëherë ju mund të keni synesthesi. Mund të vendosni një pjesë muzikore dhe të mbyllni sytë. Zgjidhni një këngë me të cilën ju nuk jeni I familjarizuar dhe mbyllni sytë e shihni se çfarë ju del përpara syve. Çfarë ‘ngjyre” ka muzika? A duken sikur instrumentet kane të njëjtën ngjyrë? A keni dhe një komponent të fortë visual bashkë me çfarë po dëgjoni? Atëherë ju mund të keni synesthesi.
Si bëhet trajtimi i synesthesisë?
Nuk ka trajtim për synesthesinë. Për pjesën më të madhe të individëve kjo është një eksperiencë e pëlqyeshme. Por për një pjesë tjetër ky çrregullim mund t’i izolojë ata nga të tjerët. Ata mund ta kenë problem të përshkruajnë ndjesitë e tyre tek të tjerët sepse ndihen ndryshe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.