SHËNDET

Ylli Merja: Si të trajtoni dhimbjet e kokës me bimë mjekësore

11:00 - 06.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Dhimbja e kokës shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Në rastet kur kjo dhimbje lind në pjesën e pasme të kokës, shkaku i saj mund të jetë cervikalja, pra vertebrat mund të shtypin çiftet e nervave; një majtas e një djathtas ose shtypin arteriet që ushqejnë sistemin nervor me gjak dhe vështirësojnë qarkullimin e gjakut. Por dhimbje të kokës shkakton edhe përdorimi i pijeve alkolike ose i verës së porsa hapur pa pritur që kjo e fundit të çlirojë gazin sulfuror. Një tjetër faktor që ndikon në shfaqjen e dhimbjeve në kokë është edhe qëndrimi pranë ekranit të televizorit dhe sidomos në rastet kur ky është mbi 37 polsh. Gjithashtu, personat që lexojnë shtrirë, dhe nuk kanë ndriçimin e duhur gjatë këtij procesi, mund të jenë të predispozuar për tu prekur nga dhimbjet në pjesën e kokës.
Klasifikimi i dhimbjeve?Dhimbjet e kokës i klasifikojmë në grupime të ndryshme, në varësi të zonës që prekin. Kështu në kategorinë e parë bëjnë pjesë dhimbjet primare të cilat janë tepër të forta, ndahen në intervale e zgjasin nga një deri në disa orë, por mund të ndodhë që të prekin të sëmurin gjatë gjithë ditës. Një prej dhimbjeve primare është e ashtuquajtura dhimbje tensioni që jep ndjesi pulsuese në kokë, ngushtim në qafë, e muskuj e cila shkaktohet më shumë nga ngushtimi i artereve në sistemin e qarkullimit të gjakut, stresi, lodhja e tepërt etj. Çdokush mund të preket nga kjo lloj sëmundjeje. Një tjetër formë e dhimbjes primare është ajo që përhapet vetëm në një zonë të kokës, pra vetëm në një anë të saj, vetëm në ballë, apo vetëm rrotull njërit sy. Kjo dhimbje shkakton djegie por mund të shfaqen edhe sekrecione të hundës, lotim të syve etj. Shkaktari i kësaj lloj sëmundjeje mund të jetë sinoziti. Njerëzit mund të preken edhe nga dhimbjet e shkaktuara nga migrena, qofte kjo dhimbje nga migrena orar apo ajo klasike, që shkaktojnë dhimbje të kokës me pulsime në brendësi dhe pastaj vazhdon e rritet. Disa nga simptomat që shfaqen kur I sëmuri preket nga kjo dhimbje janë: marrje mendsh, të vjella, apo ndjeshmëri ndaj dritës.
Kjo ndodh më shumë te femrat, sidomos para ciklit menstrual por mund të jetë edhe e trashëguar. Këto ishin disa nga sëmundjet e llojit primar. Ndërkohë në grupin tjetër bëjnë pjesë dhimbjet sekondare e këtu përfshihen alergjia, dhe sinusi që shkaktojnë dhimbje koke në pjesën e përparme të kokës. Dhimbjet shtohen në periudhën e pranverës kur polenet në ajër dhe grimcat përhapen në maksimum. Ndërkaq, edhe ndryshimet e nivelit të hormoneve mund të shkaktojnë dhimbje koke. Disa prej faktorëve janë cikli menstrual; tabletat për ndalim shtatzënie gjatë të cilit rritet estrogjeni dhe jep dhimbje koke; përdorimi i tepërt i kafes pasi dehidraton qelizat e trupit dhe shkakton ngjeshjen e neuroneve pa lëngje midis tyre. Por edhe aktiviteti intensiv fizik mund të shkaktojë dhimbje koke pasi shpesh ndodh edhe rritja e presionit të gjakut çka sjell dhimbje sumbuese të saj. Por kjo lloj dhimbjeje nuk zgjat shumë e largohet pak kohë pas qëndrimit në qetësi të trupit. Sipas studimeve edhe tensioni i lartë shkakton dhimbje koke, e cila përhapet në të dyja anët e kokës dhe është pulsuese, madje sjell ndryshim të shikimit, ngushtim të frymëmarrjes, e dhimbje në kraharor. Në këto raste, i sëmuri duhet të marrë ilaçe për uljen e tensionit menjëherë. Një formë tjetër e dhimbjeve të kokës janë edhe ato posttraumatike që vijnë pas aksidenteve ose dëmtimeve në tru, dhimbje të cilat largohen pas 2-3 ditësh.
Trajtimi?Për të parandaluar dhimbjet e kokës duhet të konsumoni shumë ujë gjatë ditës. Në momentin e parë që ndjeni dhimbje pini 2 gota ujë njëra pas tjetrës. Tregoni një kujdes të veçantë për dietën e ushqehuni mirë në të tri vaktet, qoftë edhe nga pak e mundohuni që ushqimi të konsumohet në të njëjtin orar. Më tej kontrolloni herë pas here tensionin e ulët ose të lartë si dhe konsumoni antioksidantë. Ndër antioksidantët më të fuqishëm janë ato produkte që rriten në natyrë, veçanërisht frutat që kanë ngjyrë të zezë. Këshillojmë që të konsumoni një lugë gjelle në ditë me boronice pasi kjo pastron gjakun, e hollon atë dhe ushqen sistemin nervor. Rekomandohet edhe marrja e 1-2 lugë gjelle me manaferra pasi ushqen sistemin nervor, ashtu si dhe rrushi i zi apo çokollata e zezë. Po kështu trurin e ushqejnë të gjitha ato fruta të cilat përmbajnë magnez e vitamina B1, B2, B3, B6 siç janë arra, bajamja, lajthia, farat e kungullit etj. Konsumimi gjatë ditës I 10 fijeve shafrani, bën që jo vetëm të qetësohen dhimbjet e kokës por të frenohet edhe plakja e parakohshme. Përveç kësaj, lëndët aktive të shafranit si pikokrocina dhe krocinina shmangin fryrjet apo ënjtjet e zgjatimeve nervore. Iu rekomandojmë që të konsumoni çajra që forcojnë enët e qarkullimit të gjakut në kokë dhe që kanë efekt hidratues. Sistemi nervor ka rreth 100 bilion qeliza dhe këto qeliza kanë zgjatimet e tyre që shkojnë deri në ekstremitete dhe njëkohësisht kanë pikat e takimit me njeri- tjetrin. Pikërisht këto çajra bëjnë që zgjatimet e neuroneve (aksonet) të mos mbingarkohen. Në këtë grup çajrash futen bimët si bari i bletës mendra e butë, livandoja, borziloku, rozmarina etj. Ndërsa në rastet kur kemi të bëjmë me dhimbje nga sinoziti, bëjmë mirë që ti qetësojmë këto duke përdorur një çaj për sionozitin nga gjethet e ekualipsit të mentes apo rigonit. Nëse ju gjeni me të vërtetë shkakun nga lind dhimbja e kokës, e keni shumë herë më të lehtë për të shmangur dhimbjet e saj. Po kështu nëse dhimbja është nga pjesa cervikale mjafton të shkrifërohen muskujt në pjesën e pasme të saj duke i lyer me disa vajra bimore siç mund të jetë livandoja, dafina, apo helikrisium.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.