Kryesore

Shmangeni një bjerrje të pamerituar, zoti kryeministër!

17:22 - 08.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

  Prof. Dr. Josif Papagjoni – ...Si ajo shtjella e erës që ngre pluhurin e rrugëve përpjetë, ka do kohë që diskutohet për të risendërtuar konceptin dhe strukturën e Akademisë së Studimeve Albanologjike, duke u përfshirë rishtazi në trungun lëngonjës të Akademisë së Shkencave. Unë nuk jam absolutisht i këtij mendimi. Sigurisht ka profesorë e studiues të kundërt në mendim me mua, por me sa di dhe hamendësoj, një shumicë zotëruese janë që Akademia e Studimeve Albanologjike të mbetet kjo që është, me këtë status.




Madje, ç’po them?! Të fitoj një status edhe më të epërm, të bëhet vërtet unikale, e njënjëshme, e padiskutueshme kurrnjëherë. I mbaj mend ato diskutimet “ta shkrijmë a mos ta shkrijmë Akademinë e Shkencave”, një projekt ky i paraqitur nga disa politikanë të PD, miksuar me ca profesorë, nën drejtimin e ish zëvendës kryeministrit të asaj kohe… Isha dhe unë në grupin përfaqësues të Akademisë së Shkencave për ta stopuar gjithsesi “shkrirjen” e Akademisë. Asoherë, pra në vitin 2005-7, kisha drojë se institutet tona, domethënë “Albanologjia”, do të qethej mirë e mirë nga gërshërët qeveritare si ato delet që dalin vija-vija nga hangarët, andaj dhe duhet të ruanim “kopenë” tonë. Dhe, në fakt, “kopeja”, domethënë stafet akademike u qethën goxha. Dhjetëra, në mos qindra punonjës, u flakën jashtë këtyre instituteve dhe organika u rrudh keq e për dreq, duke u gjysmuar e sakatuar. Institutet me zor frymonin. Botimet u rrudhën. Foshnja që doli nga kjo “goditje sëpate” u quajt Qendra e Studimeve Albanologjike. Madje Qendrën Gjeografike e dëbuan nga mëma akademi, e katandisën në Hartografi, ndërsa Qendrën e Studimeve të Artit gati e shkrinë përfare, e përfshinë krejt të gjymtë në Institutin e Kulturës Popullore, që u pagëzua me një emër më të modës: “Instituti i Antropologjisë Kulturore”.

Në fakt, gjatë gjithë jetës sime në ajrinë´ e albanologjisë, raporti i shtetit me të ka qenë thuajse opak, për mos të thënë shpërfillës, ndonjëherë inatçor. “Po me urën ç’patën, xhanëm?!”, më vinte gjithmonë në mendje ajo replika e famshme e Mihal Stefës në filmin “Ura”. Vërtet, ç’patën me Albanalogjinë? Po tani, ç’kanë me të xhanëm, pse ua trazon kaq shumë gjumin dikujt a disave?! Studimet mbi botën shqiptare, ndryshe thënë Albanologjia, është një asht ku ky komb ka gdhendur vetveten: në bëma e gjëma, në valle e në këngë, në tinguj e letra, në shenja guri e rituale morti, në troje e vise, në fe e atdhe. Është një germë, një gjuhë, një shenjë.

Quajeni edhe një gozhdë, ku ti var “xhaketën”. Pse, mor zotërinj, doni ta lini të belbët albanologjinë?! Fjala “i belbët” është e rëndë, gati armiqësore, por unë po e shoh se ajo, tinëz, ka ngritur strehë lakuriqësh në ndoca mendje, që duan medoemos “rekrutë”, personel, autoritet. Lëreni albanologjinë rehat, ne hijeshinë dhe bukurinë e saj! Nëse doni ta forconi, pse duhet të vijë te ju?! E çfarë do t’u jepni ju asaj, teksa ajo ju jep juve! U bë shumë mirë që statusi i saj pak vite më parë u ngrit nga QENDËR në AKADEMI. Forcojeni më tej këtë Akademi. Është e vetmja që mund ta sublimojë shpirtin e këtij kombi të vogël, në një konkurrencë e gëlltitje të tmerrshme identitetesh kulturore “periferike” nga furitë globalizuese e kosmopolite. Ajo nuk është çdo germë, por germa “A” e jona. Ani pse ne dorëzojmë copëra sovraniteti dhe antropologjie në Evropë, gjithsesi ashtin e ruajmë, s’kemi pse e vdjerrim.

Unë, në këtë shkrim, nuk dua t’i drejtohem kolegëve të mi, që pak a shumë e njohin mendimin tim, sikundër edhe unë të atyre. Unë dua t’i drejtohem kryeministrit të vendit tim, zotit Rama, me shpresë se ai do t’i peshojë të dyja alternativat: Është më mirë vallë që Akademia e Studimeve Albanologjike të bëhet një bisht i Akademisë së Shkencave, se aty na qenkan ca studiues, shumica të pensionuar, dhe një administratë jo e pakët, apo është më mirë që AKADEMIA e vetme e vendit, asaj që duhet t’i përkasë prestigji, krenaria dhe përgjegjësia e studimeve tona mbi botën shqiptare të jetë AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE?! Unë them, zoti kryeministër, se kjo ide është shumë më koherente dhe e frytshme për studimet tona, për vetë Shqipërinë dhe kombin tonë, relativisht i vogël, që ka nevojë shumë për shprehjen e identitetit të tij historik, kulturor, shpirtëror.

Kjo Akademi nuk mund të jetë një petk mbrojtës mbi supet e një tjetre. Kaq herë e kemi thënë se Shqipëria s’prodhon dot “raketa” dhe avionë. As hidrocentrale pa projektet e huajtura nga specialistë jashtë Shqipërisë, nuk bën dot. Mos vallë Covid 19 e përballuan akademikët shqiptarë me recetat e trajtimit, vaksinat, aparatet etj? Por edhe mjekësia, me gjithë listimin e trajtimeve, operimeve dhe medikamenteve, sidomos me teknologjitë e avancuara, nuk mund të jetë “shpikje” e mjekëve shqiptarë; dhe kështu radhazi as aplikimet e fizikantëve, matematicienëve, hidrologëve, kimistëve, gjer edhe e gjeologëve shqiptarë, ca më tej po të shkojmë te trajtimet e tokës, bimëve, farërave, biologjia a zoteknika, nuk mund të jenë “origjinale”, “patenta” te licensuara ndërkombëtarisht. Këto institute kanë karakter apilikativ, janë zbatuese të arritjeve në rang botëror nga shkencëtarë, studiues dhe njësi shkencore autoritare, por asnjëherë shqiptare.

Përkundrazi, qoftë edhe i dobët një studim në lamitë e albanologjisë, as në ato paradigma shkencore si sivëllezërit e tyre në vendet evropiane, megjithatë është i mëvetësishëm, është origjinal, madje edhe unik, referencë për të huajt. Kjo është thembra e Akilit, kjo është  “nyja gordiane”. Andaj kësaj Akademie ALBANOLOGJIKE i duhet një mëmë si Thetis që ta mbrojë Akilin, i duhet edhe një Aleksandër që ta zgjidh nyjen e qytetit të Gordit. Dhe duke e lënë mënjanë metaforën time, ndofta jo fort të gjetur, bëj pyetjen: Pse nuk i rimarrin institutet e shkencave teknike dhe të ribëjnë Akademinë e dikurshme, por duan vetëm Albanologjinë, teksa raporti i akademikëve në këtë Akademi është dy me një në favor të instituteve teknike aplikative?

Nga gjërat më domethënëse, dhe besoj që ka krijuar shpresë dhe diku-diku entuziazëm (si puna ime!), ishte lëvrimi i disa shumave për tre projekte serioze akademike: Enciklopedia e Shqipërisë, Fjalori i zgjeruar i Gjuhës Shqipe dhe Historia e Shqipërisë. Bukur! Më në fund, syri i përgjumur i shtetit e ngriti një qepallë. Por mbi shpatullat e kujt do të bien këto tre projekte domethënëse? Vallë te mjekët, fizikantët, inxhinjerët, biologët, hidrologët, gjeologët, zoologët? Kurrsesi, jo! Ju e dini fort mirë, zoti kryeministër, se ato do të bien mbi shpatullat e studiuesve të albanologjisë, që të treja. Unë habitem pse këto fonde i jepen Akademisë së Shkencave dhe mos t’i jepen drejtpërdrejtë Akademisë së Studimeve Albanologjike?

Nuk e marr vesh gjithashtu, çfarë kuptimi ka që studiues me emër të lamive albanologjike, por edhe studiuesit e rinj, të cilëve u duhet dhënë një “kamardare” të mësojnë not, të zhvendosen drejt disa hallkave a bordeve tashmë të Akademisë së Shkencave. Kjo e dyta rreket të marrë gjakun e freskët dhe mendjen e punonjësve të së parës. E pse? Për të mbajtur veten në këmbë me punën e të tjerëve? Për të fituar një farë autoriteti, tashmë të rrëzuar, në opinionin publik? Unë mendoj, zoti kryeministër i vendit tim, se duhet të ndodh e kundërta dhe rombi të përmbyset: Akademia e Studimeve Albanologjike është e para e të parave, pas saj vjen Akademia e Shkencave.

Ky është një indeks logjik vlerësimi për Shqipërinë tonë të vogël dhe xheloze ndaj vlerave të saj, ato të mbamendjes historike, ato të spikamave arkeologjike e të qytetërimeve të hershme, ato të gjuhës, letrave dhe shenjave antropologjike, ato të gjeniumeve artistike të popullit e me radhë. Kësisoj kjo Akademi do ta rriste edhe më shumë autoritetin e saj shkencor, ajo do të ulej në fronin e merituar të studimeve mbi botën shqiptare. E theksoj: SHQIPTARE. Nëse dikush bëhet xheloz, askush nuk i pengon që t’i botojnë studimet e tyre në njësi botuese të caktuara, madje të përfitojnë edhe pensionimin e merituar, që jo rrallë është shndërruar si një “qoshe” e një “kriter” i fshehtë bizantinist vlerësimi, lobimi, interesi material etj.

Unë, zoti kryeministër, i kam mbyllur hesapet e mia me këto dy institucione, gëzoj pensionin tim, por duke e harxhuar krejt jetën pikërisht aty, pos pasionit, më dhemb shpirti e sikur më gërryejnë thonjtë e maces në stomak teksa shoh se një projekt a skic-projekti qeveritar, ashtu në mug, duket se po ravijëzohet sakaq. Pra, që Akademia e Studimeve Albanologjike të katandiset në një shtojcë a patericë të Akademisë së Shkencave. E pse? Për t’i dhënë pakëz gjak kësaj të fundit, një grusht frymë e autoritet institucional? Akademia e Shkencave është onorifike dhe brenda këtij koncepti lipset të mbijetojë. Larg qofshin fjalët e këqija se në këtë nismë mund të ketë dhe hesape politike. Nuk do ta besoja! Dhe as dua t’i futem këtij shtegu, që i ngjan një qorrsokaku. Më mjaftojnë idetë, mendimet dhe botimet e mia.

Kam një bindje gati të verbër se Ju, me arsyen e kthjellët mbi problemin, mund t’i ofroni Albanologjisë si qeveri atë frymë që i mungon, për të rritur më tej cilësinë shkencore, botimet, hierarkinë e shpërblimeve, madje edhe statusin e profesoratit, që këta njerëz të pabëzajtë e mes maleve të librave, të ndjehen edhe më shumë vetvetja. Një godinë, një urë e një rrugë ndërtohen shpejt e kollaj, por të mbash ndezur një fitil që po shuhet vit pas viti e t’i hedhësh pak vaj, kjo është shumë më e vyer se shumëçka. Është tejet e brishtë, por domethënien e ka të madhe. Ëndërroj dhe shpresoj se ju do ta keni skeptrin për të ndarë shapin nga sheqeri.

Shkurt dhe qartë: Akademia e vetme dhe unike e Shqipërisë dhe, mbase, e gjithë hapësirës shqiptare, është AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE…

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.