Aktualitet

EMRAT/ Po trafikohej me varkë drejt Maqedonisë së Veriut, sekuestrohen 38 kg kanabis në Pogradec, pranga 2 të rinjve

09:30 - 15.09.21 Gazeta Shqiptare

Dy persona të tjerë janë arrestuar për trafik droge nga policia e Pogradecit, që ka vijuar operacionin e koduar “Hudënishti’, ndërsa ka shpallur në kërkim një të tretë. Ndërkohë janë sekuestruar 38 kg kanabis që po trafikoheshin me varkë drejt Maqedonisë së Veriut.



Në vijim të operacionit policor të koduar “Hudënishti”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, të finalizuar më datë 07.08.2021, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, 3 të tjerë u shpallën në kërkim dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej jashtë vendit, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i punës së mirëorganizuar nga strukturat e lartpërmendura, u bë e mundur ndalimi i shtetasve Orestis Spirollari, 31 vjeç, banues në Pogradec, Kleanth Dokollari, 22 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, u shpall në kërkim shtetasi L. Sh., 20 vjeç banues në Hudënisht dhe u procedua penalisht për​ veprën penale “Moskallëzimi i krimit” shtetasja E. H., 31 vjeçe, banuese në Pogradec.

Në bazë të informacioneve të siguruara gjatë periudhës hetimore, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht dhe Komisariatit të Policisë Pogradec, në liqenin e Pogradecit, u konstatua një mjet lundrues tip skaf, me të cilin autorët e dyshuar, po trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut, një sasi prej 38 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me skafin, një gomone, një automjet tip “Benz”, si edhe sende të tjera që​ kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.