KULTURË

Shkurtësia e jetës dhe jetëgjatësia e mendjes

10:07 - 15.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(Fjala e Profesor Agim Vincës në prezantimin e librit “Një jetë në fluturim”




të Drago Siliqit, mbajtur në Prishtinë, më 22 qershor 2021)

Kur më erdhi ftesa për të mbajtur një fjalë në përurimin e librit “Një jetë në fluturim”, bëra disa shënime të shpejta dhe tani jam në dilemë a t’i ndjek ato apo të flas pa tekst.

Do të bëj kombinimin e të dyjave.

Nuk mund të mos them që në fillim se unë jam i vetmi autor jashtë kufijve të shtetit shqiptar, i përfshirë në këtë libër. Më vjen mirë që është kështu dhe më vjen keq që është kështu. Do të doja të kishte edhe krijues të tjerë nga Kosova brenda kopertinave të këtij libri, por Drago Siliqi njihet pak në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare këndej kufirit. E, meriton të njihet më shumë.

Mendimi im është se Drago Siliqi ishte kritiku më i talentuar i kohës në Shqipëri dhe një nga kritikët më të talentuar që janë shfaqur ndonjëherë në letërsinë shqipe. Ai ishte kritik i lindur, që kishte kulturë, talent, guxim e ndershmëri, veti këto që i duhen çdo kritiku të mirë.

Vdekja e tij e hershme, tragjike, në moshën 33 vjeçare, qe një humbje e ndjeshme për letërsinë shqipe dhe kulturën shqiptare.

Do të ishte mirë të kishte jetuar më gjatë jo vetëm për të e familjen e tij, por edhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, e në radhë të parë për kritikën letrare. Do të ishte fat sikur në krye të studimeve letrare në Tiranë, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të vihej një njeri si Drago Siliqi e jo kritikë dogmatikë, që e dëmtuan jo vetëm mendimin kritik, por edhe vetë letërsinë. Jo se Dragoja mund të bënte çudira, sepse ishin kornizat e sistemit që kufizonin, por të talentuarit dhe të guximshmit gjithmonë gjejnë hapësirë për të manovruar, ndërsa mediokrit e frikacakët bëhen edhe më besnikë të doktrinës se pushtetarët. Letërsia shqipe e kohës së komunizmit dhe jo vetëm, ka vuajtur shumë nga këta të fundit.

Çka e kushtëzoi formimin e Drago Siliqit si njeri dhe krijues?

Janë katër faktorë kryesorë, që mund t’i radhisim si vijon.

Së pari, talenti i lindur. Askush nuk mund të bëhet krijues pa pasur dhunti. As poet, piktor e kompozitor, e as shkrimtar e kritik letrar, sepse edhe kritika është punë krijuese. Disa teoricienë e konsiderojnë atë “aktivitet kreativ”, diçka midis shkencës dhe artit. Unë jam, pak a shumë, ithtar i këtij koncepti, por kjo është çështje tjetër.

Së dyti, tradita familjare. Drago Siliqi ishte nipi i poetit dhe luftëtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare, Risto Siliqi dhe i biri i Bllazho Siliqit, po ashtu poet, kurse kushëri të parë kishte poetin më në zë të viteve ‘50 në Shqipëri, Llazar Siliqin. (Le të themi, à propos, se Llazari, bashkë me të motrën, ka qenë në kampin e përqendrimit në Prishtinë, ku në vitin 1944 janë pushkatuar 104 antifashistë të rinj shqiptarë, djem dhe vajza. Llazar Siliqi pati fatin të mbetej gjallë dhe të shkruante, pas luftës, poemën e njohur “Prishtina”, 1949).

Së treti, në formimin e Drago Siliqit ka ndikuar qëndrimi në Institutin letrar “Maksim Gorki” në Moskë. Në këtë institucion, një lloj shkolle letrare, kishte studentë jo vetëm nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të Bllokut Lindor, por edhe nga vende jokomuniste, që ishin me orientim të majtë. Kontaktet me kulturat e tjera, luajnë rol në formimin e çdo të riu. Aq më shumë me një kulturë të madhe, që ka dhënë kolosë si Pushkini, Tolstoji e Dostojevski, poetë të shquar si Majakovski, Blloku e Pasternaku, por edhe kritikë dhe estetë të njohur si Bjelinski, Plehanovi e Llunaçarski.

Dhe faktori i katërt që ndikoi në formimin e Drago Siliqit, është, pa dyshim, klima pak a shumë liberale, që u krijua në Shqipëri, falë rrethanave të brendshme e të jashtme, në fund të viteve ‘50 dhe në fillim të viteve ’60, e cila bëri të mundur daljen në skenë të një brezi të ri poetësh, që solli një frymë të re në poezinë shqipe, një konceptim të ri të gjërave. Këtij brezi i takonte jo vetëm me moshën, por edhe me botëkuptimin e tij edhe Drago Siliqi.

Dragoja ishte poet, botues, kritik letrar… Shkroi poezi për fëmijë e të rritur dhe botoi dy përmbledhje. Në mesin e krijimeve të tij poetike vlen të përmendet posaçërisht poema “Një këngë e re për dashurinë e vjetër” (1959), që trajton temën e mërgimit. Në të flitet për dashurinë e një çifti të ri, Xhelos dhe Afërditës, që i ndan jeta. Qysh në titull kemi një antitezë domethënëse: “Një këngë e re për dashurinë e vjetër”. Është trajtuar kjo temë edhe më parë, te Çajupi, Kuteli e të tjerë, por Drago Siliqi sjell mënyrën e vet të trajtimit të kësaj teme, duke gërmuar në psikën e personazheve. Kjo poemë u cilësua me të drejtë, në kohën kur u botua, si njëra nga poemat më të mira të llojit të “poemës tregimtare”. Kritiku Dalan Shapllo, mik i Dragos, e quajti “një novelë në vargje”, ashtu siç e kish quajtur dikush tjetër para tij “Milosaon” e De Radës, “roman lirik”.

Kemi të bëjmë me një vepër poetike, që shpalos botën shpirtërore të personazheve nëpërmjet një konkretësie prekëse. E tillë është edhe vjersha “Kur pyesja nanën”, të cilën unë e dua shumë, jo vetëm pse është poezi e bukur, por ngaqë aty e gjej veten. Djali i një familjeje me shumë fëmijë, çfarë kanë qenë familjet tona në përgjithësi, e pyet nënën se përse ata nuk kanë shtëpi me tavan, përse nuk kanë ushqime të bollshme në sofër, e as veshmbathje si të tjerët. Nëna, e përgjëruar për familjen e saj, por pa ndonjë vetëdije shoqërore, përgjigjet: “Kush ka shumë fëmijë, o bir, kshtu rron./ Se çdo gojë don bukë, çdo trup këmishë./ Zani i saj më dukej se ankon/ për barrën e rëndë një tufë fëmijësh”, ndërsa zëri që flet në vjershë, subjekti lirik, që është sugari i nënës, gjykon: “Unë mendojsha: shtatë fëmijë? Po, shumë./ I merrsha me radhë, bijsha në mendime: Po të mos ish ai, ajo, o unë…/ Jo, secili vend kish në zemrën time!”.

Tok me vjershën “Atdheu”, me të cilën hapet libri, e ndonjë tjetër, pa harruar kurrsesi poemën për “dashurinë e vjetër”, kjo është një nga poezitë më të mira e më origjinale të Dragos. Ato tregojnë se Drago Siliqit nuk i mungonte ndjeshmëria e poetit, por vokacioni i tij i vërtetë është ai i kritikut.

Drago Siliqi është në radhë të parë kritik; kritik letrar par excellence.

Unë kam shkruar për Drago Siliqin këtu e dyzet vjet më parë, në kohën kur në Kosovë as që kishte dëgjuar kush për të, kurse në Shqipëri e kujtonin vetëm miqtë e tij, që s’e harruan kurrë. Duke u marrë me studimin e poezisë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore, të mbarë poezisë shqipe, në plan diakronik, jam marrë edhe me raportin e saj me kritikën letrare. Pata lexuar pothuajse gjithçka të botuar te gazeta “Drita” dhe te revista “Nëntori”, sikurse edhe librat e pakët kritikë të botuar deri atëherë dhe te Drago Siliqi gjeta kritikun e vërtetë, syçelë e mendjemprehtë, që i hetoi qysh në embrion prirjet e reja letrare, duke i mbështetur ato pa rezervë, por edhe duke i shpjeguar në mënyrë kritike.

Një kapitull i librit tim “Stuktura e zhvillimit të poezisë shqipe, 1945-1980”, e pata quajtur: ”Në kërkim të së resë”. Është titulli i njërit nga artikujt më të rëndësishëm kritikë të Drago Siliqit, botuar në vitin 1961. Është pikërisht viti që shënon fundin e poezisë së “patosit kolektiv” dhe hap siparin etapës së dytë të poezisë shqipe të pasluftës – poezisë së “realizmit lirik”. Për lindjen e kësaj poezie meritën kryesore e kishin vetë poetët Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e të tjerë, por edhe Drago Siliqi, i cili i mbështeti ata me shkrimet e tij, por edhe në forma të tjera, siç ishte, fjala vjen, botimi i vëllimit “Shekulli im” (1961), duke shmangur procedurat burokratike dhe duke marrë mbi vete përgjegjësinë.

Duke ndjekur transformimet e poezisë shqipe të pasluftës, strukturën e zhvillimit të saj, unë merresha edhe me raportin e poezisë me kritikën dhe në këtë kontekst edhe me Drago Siliqin si kritik letrar. “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe, 1945-1980” ishte tema ime e doktoratës, e mbrojtur në vitin 1983 dhe e botuar si libër dy vjet më vonë, më 1985. Pjesë nga ky studim janë përfshirë në librin që po përurojmë sot, botuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Drago Siliqit (1930-1933).

Ky punim imi, nën titullin “Vitet e konfrontimit”, është përfshirë edhe në një botim të para njëzet viteve (Në kërkim të së resë, Tiranë, 2000) dhe, si atëherë, edhe tash, është i vetmi shkrim i një autori jashtë Shqipërisë shtetërore, mes emrash si Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Dalan Shapllo, Naum Prifti, Bardhyl Londo e të tjerë. Kërkoj ndjesë që po e përsëris këtë fakt, para se të kaloj te një çështje tjetër, që e konsideroj me rëndësi të veçantë për këtë rast.

Në arkivin tim personal ruaj një letër të bashkëshortes së Drago Siliqit, zonjës Drita Siliqi, tashmë e ndjerë edhe ajo. Letra është shkruar me dorë dhe mban datën: 1 korrik 2000.

Besoj se e vlen të citohet në tërësi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për mesazhin e saj.

“I nderuari zoti Vinca,

Uroj të gëzoni shëndet të mirë bashkë me familjen tuaj. Jam Drita Siliqi, bashkëshortja e Drago Siliqit, veprën kritike të të cilit e vlerësoni me shumë dashamirësi e objektivitet në studimin tuaj “Struktura e poezisë shqipe (1945-1980)”, botuar në vitin 1985. Atë kohë, për arsyet që dihen, nuk pata mundësi që t’ju falënderoja.

Tani po përgatis për botim dy vëllime: njërin me poezitë e Dragos dhe tjetrin me kritikat e tij, ku kam ndër mend të përfshij edhe një kapitull të titulluar ‘Për Dragon dhe veprën e tij’. Do të dëshiroja që në këtë kapitull të përfshija edhe pjesët, me pak shkurtime, ku ju trajtoni studimet kritike të Dragos. Por, që ta bëj këtë, do të më pëlqente edhe miratimi juaj.

Vëllimin do ta çoj në shtyp nga fundi i korrikut. Nëse nuk keni kundërshtim, ju lutem më dërgoni përgjigje në adresën: Lefter Nasi, Akademia e Shkencave – Tiranë.

Ju uroj shëndet, suksese në punën tuaj të rëndësishme studimore dhe të gjitha të mirat.

Mbetem përherë mirënjohëse.

Me respekt, Drita Siliqi

1.VII. 2000

Na telefononi në Tiranë: D. Siliqi 27688, L. Nasi 45261”.

U gëzova kur e gjeta këtë letër, në një kuti ku ruaj disa nga letrat që kam shkëmbyer ndër vite me miq e kolegë (para “erës” së kompjuterit, sepse tani korrespondojmë në mënyrë elektronike) dhe e mora me vete për dy arsye: e para, për përmbajtjen, që është ajo që dëgjuat dhe, e dyta, për gjestin, që ka rëndësi edhe më të madhe se përmbajtja, sepse tregon si duhet të veprohet kur shfrytëzohet puna e tjetrit, gjë që te ne ndodh rrallë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë.

zonja Drita Siliqi e shihte të udhës të më drejtohej me letër për të kërkuar miratimin tim si autor për një veprim për të cilin unë nuk do të kisha asnjë kundërshtim edhe sikur të mos më merrej pëlqimi.

Gjesti i saj tregon kulturë e edukatë dhe jep shembull se si duhet të sillen ata që merren me shkrime e botime. Nuk do mend se unë iu përgjigja pa humbur kohë zonjës Siliqi, duke shprehur kënaqësinë e përfshirjes në botimin jubilar për bashkëshortin e saj, që doli në vitin 2000 në Tiranë.

Dhe ja tani, kemi para vetes një botim edhe më të plotë, e edhe më luksoz, me shkrime të Drago Siliqit dhe shkrime mbi të, librin me titull simbolik “Një jetë në fluturim”.

Koncepti është pak a shumë i njëjtë: shkrime të zgjedhura të Dragos (poezi e kritikë) dhe shkrime për të dhe veprën e tij, përfshirë edhe poezitë kushtuar atij, por në këtë botim gjejmë edhe diçka që nuk hasej në botimet e mëparshme. Fjala është për letërkëmbimin midis Dragos dhe bashkëshortes së tij, Dritës, e cila ishte edhe studiuese (bashkautore e librit “Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist”, 1978), që kanë për temë “traditën (letrare) kombëtare”.

Drago Siliqi si kritik letrar u mor kryesisht me letërsinë e sotme, në radhë të parë me poezinë që krijohej në kohën kur filloi ai të shkruante (në vitet ’50 të shek. XX) e deri në vitin 1963, kur mori fund jeta e tij. Por te ky botim na befasojnë për të mirë mendimet që shpreh për poetët e traditës. Me dy-tri fjali apo edhe me një të vetme, Dragoja arrin t’i karakterizojë Naimin, Çajupin, Mjedën, Fishtën, Lasgushin, Migjenin. Naimin e quan: “krijues i gjuhës letrare shqipe”; Çajupin “më i pari realist te ne dhe poet me shumë frymëzim”; “Lahutën” e Fishtës ”vepër e madhe patriotike”, kurse vjershën “Nji lule vjeshtet” “një kryevepër”; për Mjedën thotë se është “më i madhi artist i fjalës te ne”; te Lasgushi çmon gjuhën e pastër shqipe dhe muzikalitetin e rrallë, kurse për Migjenin thotë se “mbetet më i fuqishmi poet e shkrimtar i letërsisë së re shqipe” dhe se e kanë gabim ata që mendojnë se e kanë tejkaluar Migjenin (letrat janë shkruar në vitin 1953).

Sa i përket Fishtës, ai shpreh mendimin se nuk duhet të ndalohej vepra e tij dhe se mohimi i tij është “injorim i historisë së letërsisë shqipe”, duke sjellë përvojën nga Bashkimi Sovjetik, ku “rusët ngrejnë e njohin meritat e disa poetëve të oborreve, e jo ashtu si ngjet tek ne” (f. 213).

Sekuencat e mësipërme na shtyjnë të mendojmë se po të kishte jetuar më gjatë, Drago Siliqi do të ishte bërë një historian i vërtetë i letërsisë shqipe, kurse analiza që i bën romanit “Qyteti fundit” të Petro Markos tregon se ai kishte afinitet edhe për prozën e jo vëtëm për poezinë, me të cilën u mor më me përkushtim.

Për qëndrimin zemërgjerë e konstruktiv të Drago Siliqit, që buronte nga nga dashuria e tij për vendin dhe kulturën e tij, por edhe për njerëzit në përgjithësi, flet qëndrimi që mban ndaj Lasgushit, Kutelit dhe të tjerëve që punonin si përkthyes në Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, në kohën kur ai ishte drejtor i saj.

“Na mblodhi në zyrë dhe na tha: Nuk do të punoni më me normë, punoni në shtëpi, nuk mund t’i diktohet shkrimtarit orari, i diktohet nëpunësit dhe do t’jua dyfishoj rrogën’” (interpretim i lirë), dëshmon Lasgushi, duke shtuar edhe se “duhet t’i japim lexuesit shqiptar kryeveprat e letërsisë botërore”, sepse vetëm ashtu mund të krijojmë edhe vetë vepra me vlerë.

Ismail Kadareja, ndërkaq, evokon momentin kur duke shëtitur në bulevard në orët e vona të natës, Dragoja e kap për krahu dhe i thotë: “Dëgjo dhe mos më kundërshto! Këtë tregim ti duhet ta kthesh në roman!”. Fjala është për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, njërën nga veprat më të mira të autorit, që është njëherësh edhe vepra me të cilën Kadareja depërtoi në botë, duke arritur një rekord të paparë në letërsinë shqipe me përkthimet dhe botimet e shumta të kësaj vepre në gjuhë e vende të ndryshme.

Ky “episod”, tashmë proverbial, tregon se Drago Siliqi ishte edhe një krijues dhe kritik vizionar.

Pikëpamjet e tij për raportin ndërmjet formës dhe përmbajtjes, ndërmjet kombëtares dhe universales, traditës dhe së resë, si dhe ato “mbi konfliktin në art”, “mbi ndikimet dhe fytyrën personale” etj., të shprehura në artikujt e tij të botuar në vitet 1958-1961, tregojnë se ai avanconte edhe në planin teorik në krahasim me kritikët e tjerë të kohës në Shqipëri. (Shkrimi i parë kritik i Drago Siliqit u botua në vitin 1955, por 1958-1961 janë vitet kur ai u mor intensivisht me kritikë letrare).

Drago Siliqi është kritiku i parë shqiptar që e “zbuloi” talentin e Ismail Kadaresë dhe prirjen e tij për risi. Sipas tij, ky poet personifikonte përjekjet për rrënimin e shablloneve që qenë krijuar në poezinë shqipe të viteve ’50: në përmbajtje, ide, tema, motive, koncepte dhe mjete e forma shprehëse.

Në vlerësimin që i bën poezisë së Kadaresë, të Agollit etj., gjejmë edhe elemente të letërsisë së krahasuar. Poeti më i njohur novator në Shqipërinë e atyre viteve, që bëri bum veçanërisht me librin ”Shekulli im”, një libër tejet i guximshëm për kohën, “në konceptimin figurativ të poezisë dhe në mënyrën e abstragimit poetik, ka shumë ngjashmëri me poetin e shquar grek Janis Ricos”.

Autori i traktatit “Në kërkim të së resë” e mbështet talentin e këtyre autorëve dhe prirjen e tyre për kërkim, por nuk ngurron t’u bëjë atyre edhe vërejtje. Kështu, Kadareja, sipas tij, ka vjersha shumë të fuqishme, por edhe vjersha të lehta, ndërsa poezisë së poetit devollit i vjen, ndonjëherë, “era stepë”. Në këtë kontekst, ai përmend vjershën e Dritëroit “Ja, ai pronari”, për të cilën thotë se është një përshtatje e poezisë “Njeriu i periferisë” të Eduard Bagrickit.

Gjuha e kritikës së Drago Siliqit është e qartë e koncize, herë-herë edhe e figurshme. Duke kritikuar shfaqjen e epigonizimit, ai shkruan: “Të epigonosh do të thotë të konceptosh artistikisht në një mënyrë të huaj, jo tënden”, ndërsa duke iu kundërvënë zërave konservatorë, që kërkonin frenimin e vargut të lirë si një “fenomen negativ” (një absurditet i vërtetë!), konkludon: “Ka ardhur koha që poezia shqipe të dalë nga prehri i gjyshes fanatike, metrikës klasike”.

Dhe, në fund, nuk mund të mos them edhe dy gjëra shkurt.

Ky botim e nderon figurën e Drago Siliqit, por edhe ata që e kanë përgatitur atë, të bijën e tij, zërin e paharrueshëm të “Zërit të Amerikës”, Laura Siliqi-Konda; motrën e saj, Darina, por edhe nënën e tyre të ndjerë, zonjën Drita.

Libri është përgatitur shumë bukur edhe nga pikëpamja grafike, për çka meriton lëvdatë shtëpia botuese “Toena” dhe posaçërisht piktori Buron Kaceli, i cili ka bërë portretin e Dragos në ballinën e librit, që korrespondon për mrekulli me vargun e vënë në ballinë: “Ka zogj që gjithë jetën fluturojnë edhe vdesin duke fluturuar”. I gjithë portreti, edhe sytë, edhe vetullat, edhe flokët, edhe hunda, edhe buzët, edhe mjekra, të tëra janë me zogj. Është simbolika e zogjve që vdesin në fluturim, që vdesin duke kënduar.

Drago Siliqi vdiq i ri, 33 vjeç, ”sa Krishti”, si thonë pothuajse të gjithë ata që flasin për të, pa u kujtuar se në këtë moshë kanë vdekur edhe Leka e i Madh dhe Mbretëresha Teutë. Jeta e tij qe e shkurtër, por emri i tij jetëgjatë, siç thotë shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi.

Dua ta mbyll këtë fjalë timen me një mendim filozofik.

Filozofi stoik romak, Seneka, në trajtesën e tij morale “Shkurtësia e jetës”, të shkruar në vitin 49 të erës sonë, thoshte: “Nëse me fuqinë e mendjes arrijmë t’i kapërcejmë kufijtë e ngushtë të dobësisë njerëzore, e gjatë do të jetë jeta jonë”. Drago Siliqi me fuqinë e mendjes dhe të shpirtit, arriti t’i kapërcente kufijtë e ngushtë të dobësisë njerëzore, andaj vepra dhe personaliteti i tij komunikojnë edhe sot me ne.

Ju falemnderit!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.