AKTUALITET

Alibeaj: Qeverisja që sundon shqiptarët, vula më e errët mbi demokracinë

21:14 - 16.09.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nënkryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se, qeverisja që sundon shqiptarët nga sot është vula më e errët mbi lirinë dhe demokracinë në këtë vend.




Ai tha se shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë dhe se agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e shitblerjes së votës Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.

“Ky është epitafi i zi i masakrës elektorale të 25 prillit. Kjo është vula më e erret mbi lirinë dhe demokracinë në këtë vend. E tillë është dhe do të jetë qeverisja që sundon shqiptarët nga sot. Se sa do te vazhdoje kjo është në duart e shqiptareve”, tha Alibeaj.

“Ajo ç’ka sot na prezantohet me zymtësinë më perverse është paketimi i një bande nën formën e qeverisë. Nuk ka program, nuk ka ide, nuk ka përgjegjshmëri e nuk ka përgjegjësi, e aq me pak dhimbsuri dhe ndjesi njerëzore për gjendjen më kritike ku ndodhet shoqëria shqiptare sot. Të grumbulluar nga një dorë e zezë që veçse ka shkatërruar ekonominë, ka çuar në depresion familjen shqiptare, ka shpopulluar e zbrazur vendin, ka vjedhur, plaçkitur e grabitur paratë e shqiptarëve, po bëhen gati për gostinë e radhës mbi trupin e drobitur të Shqipërisë”, u shpreh ai.

“Kjo është pasqyra më e vërtetë e asaj ç’ka prodhoi 25 prilli. Kjo është shija e hidhur e epitafit të zi që ODHIR i vendosi zgjedhjeve të 25 prillit. Qëndron aty e është i pakapërcyeshëm nga përgjërimet e tua për paqe”, tha Alibeaj.

FJALA E PLOTË E ALIBEAJ
Shtriu dorën për paqe?
Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë.
Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e shitblerjes së votës.
Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.

Ky është epitafi i zi i masakrës elektorale të 25 prillit. Kjo është vula më e errët mbi lirinë dhe demokracinë në këtë vend. E tillë është dhe do të jetë qeverisja që sundon shqiptarët nga sot. Se sa do të vazhdojë kjo është në duart e shqiptarëve.

Ajo çka sot na prezantohet me zymtësinë më perverse është paketimi i një bande nën formën e qeverisë. Nuk ka program, nuk ka ide, nuk ka përgjegjshmëri e nuk ka përgjegjësi e aq më pak dhimbsuri dhe ndjesi njerëzore për gjendjen më kritike ku ndodhet shoqëria shqiptare sot. Të grumbulluar nga një dorë e zezë që veçse ka shkatërruar ekonominë, ka çuar ne depresion familjen shqiptare ka shpopulluar e zbrazur vendin, ka vjedhur, plaçkitur e grabitur paratë e shqiptareve, po bëhen gati për gostinë e radhës mbi trupin e drobitur të Shqipërisë.

Kjo është pasqyra më e vërtetë e asaj çka prodhoi 25 prilli. Kjo është shija e hidhur e epitafit të zi që ODIHR i vendosi zgjedhjeve të 25 prillit. Qëndron aty e është i pakapërcyeshëm nga përgjërimet e tua për paqe.

Kjo bandë me kollare e jaka të bardha që po u serviret e ftohtë shqiptarëve nën formën e qeverisë, nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët e punës, e djersës së ndershme. Është mallkim për studentët dhe rininë. Është ndëshkim për biznesin e tallje për fermerët. Është zeher për pensionistët dhe agoni e pashpresë për të pamundurit. Groposje për ju minatorë e tallje e radhës për ju naftëtarë. Cinike dhe e pashpirt për viktimat e Covid dhe krizën ekonomike që pandemia dhe tërmeti la. Ringjallje e maktheve të diktaturës dhe vrastare e demokracisë dhe ligjit.

Për ju kriminelë, për ju po është kjo qeveri. Ju e keni ndërtuar vetë atë. U thirrët nën armë në 25 prill e dhe si çakej të babëzitur shqyet votat e shqiptarëve për të kërkuar sot haraçin. Ja ku e keni. Të paketuar e të stolisuar. Mjafton një fishkëllimë juaja dhe secili prej kukullave këtu do t’ju bindet. Tashmë e keni rrugën më të lirë se kurrë të pastroni paratë e krimit tuaj e të korrupsionit qeveritar në mes të Tiranës. Nuk ka ngelur raport ndërkombëtar i kohëve të fundit që pastrimin e parave në mes të Tiranës nuk e ka kryefjalë. E ky nuk bëzan asnjë fjalë. Jo, sepse krimi është ky dhe levat e tij që ua garanton. Ia ka borxh dhe do t’i bëjë Amin. Ju kriminelë keni licencë tashmë të vazhdoni të mbillni drogë e kanabis ngado. Ju e keni policinë në mbështetje, siç e patët në 25 prill. Madje tashmë mund të shpartalloni kufij e dogana me kontejnerë bananesh me drogë e ta shndërroni këtë vend në parajsë të trafikut siç keni bërë dhe siç raportet ndërkombëtare tregojnë, se kjo qeveri është e gatshme, siç ka qenë në fakt, që drogën e krimin ta ketë program qeveritar dhe për shqiptarët vetëm bananen.

U përgjërua sot, se nuk do mbrojë njeri nga drejtësia e tashmë sipas tij larg politikës. Ndërkohë që servir si ministra Ulsiun e dosjes 339, Ahmetajn e inceneratorëve, Ballukun e vjedhjeve në infrastrukturë, Çuçin e tenderit të uniformave, Xhaçkën e tenderave të ushqimeve apo Ogertën e tenderëve sekretë në mes të zisë së pandemisë. Këta janë këtu. Në fakt duhet të ishin atje, të jepnin llogari, por i mbron ti, e ke kapur ti për fyti drejtësinë e re, sepse gjithçka e keni bërë bashkë si një bandë që duhet të ishit para drejtësisë. Është e thjeshtë të merret vesh se përse janë këtu. Këtë pjesën tjetër të qeverisë askush nuk e njeh deri më sot. Do njihen me skandalet e radhës që do detyrohen të firmosin.

Ironia e fatit është se ke vendosur një shtylle në atë që e quan program qeveritar “Shqipëria e fortë” premton tashmë se je ti që do caktosh se kush dhe sa do jenë gjyqtarë e prokurorë. Po a duhet të jetë drejtësia jashtë politikës? Po si ka mundësi që drejtësisë sipas teje tashmë jashtë politikës, i ke vënë mbi krye Ulsiun e Dibrës, që fjalën e parë që tha tregoi se angazhohet të mbarojë ai vettingun kur do ai e si do ai. Premton “Shqipërinë e fortë” duke premtuar se policisë që e përdor në mbështetje të masakrës zgjedhore do t’i japësh edhe të drejtën të kontrollojë e pergjojë deri dhe llogaritë bankare.

Praktikisht po i vesh me uniformë patronazhistët e tij me të cilët krenohesh. Dhe pa asnjë droje ministri yt thotë se policia është depolitizuar?? Ajo që bënte sehir kur kriminelët e tu vidhnin e blinin vota? Premton se do bësh ligjin e arbitrazhit, dhe e kalon si pa gjë të keq përgjegjësinë tënde direkte, penale, të 110 milionë eurove të Beketit dhe miliona eurove të tjera që duhet të paguajnë për fajin tënd shqiptarët. Do të hartosh ti Kodin e ri penal për të rritur luftën ndaj kriminalitetit? Ti që i nxore të gjithë kriminelët nga burgu me bekimin tënd dhe levave të tua. Nuk ta ka fajin Kodi penal pse kriminelet lënë burgjet e dalin në fushatë dhe në kohën e lirë, të lirisë që ri u garanton, mbushin vendin me kanabis e kokainë nga çdo anë e cep. Nuk ta ka fajin Kodi penal, pse një i dënuar doli nga burgu dhe i mori jetën me bukë në gojë një gruaje e një nëne disa ditë më parë. Jo për gjë, por u përgjërove për respektin ndaj femrës e gruas. Do të sigurosh ti pronën e shqiptarëve? Ti që ia ke lënë në dorë Artan Lames që një herë në 4 vjet del me zë e figurë se si e përdor legalizimin për të vjedh vota??!

Për ju patronazhistë, pjesa më me ves e një trashëgimie të erret të së kaluarës komuniste, përdhosesh të pagjak të dinjitetit të njerëzve – turpi ju mbuloftë juve dhe farën tuaj të keqe kudo qofshi – e që sot skërmisni dhëmbët tuaj nga kënaqësia perverse, sot se ja kini sot produktin tuaj, keni qeverinë tuaj. E do të ishte cinike që për ju të përndjekur të bëhej fjalë për shpërblim për vuajtjet e regjimit komunist. Pas 30 vjetësh kur komunizmi u rrëzua juve na paraqiteni jo si fantazmë, por të gjallë e vegjetues nën formën e qeverisë.
Kjo nuk është “Shqipëria e fortë”, kjo është Shqipëria e të fortëve, me ata e grabite pushtetin, me ata e për ata do qeverisësh, po ky është premtim që ta them që tani që do mbash.
Për ju pensionistët e moshës së tretë, kjo bandë-qeveri kësaj radhe nuk ju ka në listë. Thotë se mendon t’ju rrisë 5% në vit. Llogaritë i bëni vetë, dhe nuk merr përsipër çmimin e rritur të bukës e ushqimeve, ilaçeve apo energjisë.
Për ju në ndihmë ekonomike, çfarë morët për zgjedhje në këmbim të votës, kaq është ajo çka kjo bandë-qeveri ka menduar për ju.
Për ju fermerë, ka shkruar se për ju ka vënë në dispozicion 70 milionë euro për naftë pa akcizë dhe mbështetje e drejtpërdrejt dhe 146 milionë euro nga programi IPARD. Por kujdes, ato janë vetëm për klientët e qeverisë dhe jo për ju. Ju do të merrni aq sa ç’keni marrë këto 8 vjet.

Për ju biznes i ndershëm që u dendët në gjoba e në kërcenime në 25 prill, për ju vijon mashtrimi progresiv i taksës progresive. Për juve ka 0 taksa, por do keni progresive gjobat, kontrollet, zhvatjen e taksidarëve e të inspektorëve.

Për ju arsimtarë, që degdiseni e flakeni pa pikë dinjiteti dhe që ju detyrojnë të përdoreni në fushatë elektorale, sa ç’ju është rritur paga këto 8 vjet po këtë trajtim denigrues do të keni.

Për ju policë të thjeshtë, nuk ka rritje page. E kuptoni pse besoj, se paratë tuaja shkuan për tenderin e uniformave.
Për ju mjekë, apo vetëm për ata që ende nuk kanë ikur në Gjermani a gjetiu, do të keni rritje 40%. Juve pra do jeni në këtë dilemë: a 40% rritje page (në 4 vjet) apo të shkoni në Gjermani.

Për ju të përndjekur, ka vetëm lista fiktive dëmshpërblimi si tituj gazetash.
Për ju që jetoni ende në çadra, do të vazhdoni të kaloni dimrat po aty sepse paratë e dëmshpërblimit tuaj shkuan për të blerë votat në Durrës.
Për të gjithë fatkeqët që Covidi mund t’i zërë jeni në mëshirë të fatit. Do të kuroheni me paratë tuaja nga 3-5 milionë lekë dhe asnjë kompensim nuk do keni. Asnjë brejtje ndërgjegjeje nuk pati për 16 mijë jetët e humbura.

Ju minatorë, naftëtarë e metalurg, për ju nuk ka lekë. Ka vetëm një ligj për statusin, të cilit i pihet vetëm lëngu. Ndërkohë që këta kapardisen se sa e mirë do jetë jeta juaj, një minator i pafat i Bulqizës dergjet nën dhe prej 48 orësh, fati i të cilit nuk dihet. Zoti e shpëtoftë!
Për ju rini, ju thotë fryni sytë dhe merrni udhët e kurbetit.
Ju shqiptarë të diasporës, rrini atje ku jeni. Edhe një ministri pa portofol që kishit, sa për emër, edhe atë e hoqi. Tashmë është i zënë në mënyrë të hapur të luftojë kudo e kurdo shqiptarët e Kosovës.

Shqiptarëve të ndershëm, të punës, të djersës, e patriotë u ka rënë barra e madhe e sakrificës, por njëkohësisht edhe pesha e përgjegjësisë për të mos ia lënë dhuratë brezave këtë vend e këtë mynxyrë ku është zhytur.

Në të opozitës? Ne nuk jemi pa faj, nga mirëbesimi, nga naiviteti, nga perversiteti i paimagjinueshëm i një mendje të sëmurë që është fatkeqësia kombëtare. Veçse neve na duhet e do të jemi të vërtetë, e të drejtpërdrejtë. Ne duhet e do të ruajmë të shenjte luftën ndaj krimit, për lirinë e votës, për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Për të rrezuar këtë regjim. Jo të vetëm, por në krahun e duhur të historisë dhe partnerëve tanë strategjike. Ashtu si 30 vjet më parë mision i filluar, por i lënë përgjysmë. Kjo e sotmja në fakt është prezantim i paktit të vetëm që mund të bëhet. Me shqiptarët dhe ata që i duan të mirën Shqipërisë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.