AKTUALITET

Xhaçka: Marrëdhënia me aleatin strategjik, SHBA gur themeli në politikën tonë të jashtme

20:32 - 16.09.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka prezantoi sot në Kuvend programin e qeverisë për politikën e jashtme.Xhaçka u shpreh në fjalën e saj se, “falë besueshmërisë dhe solidariteti, imazhi i Shqipërisë ka pësuar transformim rrënjësor”.




Sa i përket mikpritjes së shtetasve afganë në vendin tonë, Xhaçka theksoi se, “Shqipëria rikonfirmohet si partner i besueshëm i SHBA, BE dhe vendeve mike në mbarë botën”.

Xhaçka shtoi se, “në politikën e jashtme, do të vijojë konsolidimi i Shqipërisë si faktor kyç për paqen e stabilitetin në rajon”. Xhaçka nënvizoi se, “marrëdhënia me aleatin strategjik, SHBA është, gur themeli në politikën tonë të jashtme”.

Sa i përket çështjes së sigurisë, Xhaçka u shpreh se, “Shqipëria ka marrë vlerësime nga partnerët si eksportues sigurie përtej përmasave e mundësive që vendi ynë ka”. Për zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare në KS të OKB, Xhaçka tha se, “hyjmë në një fazë të re e cilësore të marrëdhënieve strategjike në tryezën më të rëndësishme të botës”.

Xhaçka theksoi se, “zhvillimi i rajonit do të ecë paralelisht me integrimin europian”. Sa i përket Kosovës, Xhaçka u shpreh se, “do të ketë mbështetje pa kompromis, për njohjen dhe përfaqësimin në organizatat ndërkombëtare”.

Xhaçka nënvizoi se ndër prioritetet për mandatin e tretë janë, “fuqizimi i rrjetit konsullor, reformimi i procesit të rekrutimit në Shërbimin e Jashtëm dhe rikonceptimi i Akademisë Diplomatike”.

Sa i përket Diasporës, Xhaçka u shpreh se, “fokusi ynë është hartimi i Atlasit Gjeografik të Diasporës dhe zbatimi i planit të veprimit 2021 – 2025”.

Fjala e plote: 

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Ju falenderoj për këtë mundësi për të prezantuar linjat kryesore të programit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Përfitoj nga rasti, po ashtu, për të falenderuar Kryeministrin për besimin që më ka dhënë për të drejtuar këtë dikaster ku tanimë prej disa muajsh ka filluar puna për disa projekte e nisma të rëndësishme që unë besoj do të çelin një etapë të re në diplomacinë shqiptare.

Siç e dini, këto kanë qenë javë shumë të ngarkuara me punë për shkak të angazhimit të vendit tonë për të strehuar këtu në mënyrë të përkohshme një numër refugjatësh afganë që janë detyruar të lënë vendin e tyre për t’i shpëtuar vdekjes apo përndjekjes nga regjimi i talibanëve. Është një operacion që është menaxhuar deri tani në një mënyrë shumë efektive.

Por arsyeja përse e përmenda këtë operacion është sepse ai ka një dimension shumë të rëndësishëm ndërkombëtar dhe një impakt të padiskutueshëm pozitiv në politikën tonë të jashtme.

Fakti është, që sot falë vendimeve si ai për të strehuar aleatët tanë afganë dhe për të ndërmarrë një operacion humanitar të këtyre përmasave, por edhe falë besueshmërisë, parashikueshmërisë dhe solidaritetit që Shqipëria ka treguar në vijimësi në politikën e saj të jashtme, imazhi i vendit tonë ka pësuar një transformim rrënjësor. Shqipëria shihet sot si një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera mike në rajon, Europë dhe në botë. Ne vlerësohemi si një vend që nuk ju shmanget përgjegjësive të tij, dhe si një vend që ia ka dalë me shumë punë, por edhe shumë zotësi ta ngrejë politikën e tij të jashtme në një nivel shumë më të lartë sesa ai që ju rezervohet në rrethana normale vendeve me përmasat e mundësitë e Shqipërisë.

Padyshim, zanafilla e këtij transformimi është politika që Shqipëria ka ndjekur prej dekadash në rajon. Fakti është që Shqipëria është sot një vend me një rol të pazëvendësueshëm e të njohur ndërkombtarisht  në zhvillimet e Ballkanit Perëndimor.

Angazhimi ynë, është që të vazhdojmë ta konsolidojmë rolin e vendit tonë si një faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, por duke konsoliduar njëkohësisht edhe një qasje të re ndaj rajonit që është formësuar gjatë viteve të fundit.

Është një qasje e guximshme dhe proaktive, e cila i sheh zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit në rajon si një proces që duhet të ecë paralelisht me rrugën e integrimit europian. Është një qasje që synon të forcojë marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ndërtojë ura komunikimi e shkëmbimesh të gjithanshme dhe t’i çojë në një fazë të re e cilësisht më të lartë marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Në thelb, ajo që synojmë është që të punojmë për të krijuar në rajonin tonë një hapësirë të përbashkët ekonomike e njerëzore, sipas modelit mbi të cilin u themelua Bashkimi Europian, në përputhje me objektivat e Procesit të Berlinit, duke punuar për arritjen e 4 lirive, pra të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitali përmes nismës Open Balkan, e cila në këtë kontekst shërben si një mekanizëm për të përshpejtuar këto procese.

Nuk ka asnjë arsye, dhe nuk ka në fakt asnjë kontradiktë, mes thellimit të integrimit brenda rajonit dhe objektivit tonë madhor e të përbashkët strategjik për t’u anëtarësuar në BE. Përkundrazi, investimi për krijimin e një hapësire të tillë rajonale, do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për vetë procesin e integrimit.

Por natyrisht, politika jonë e jashtme rajonale, sheh përtej hapësirës së Ballkanit Perëndimor dhe një nga prioritetet e punës tonë do të jetë forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë në rajonin tonë më të gjerë. E kam fjalën për marrëdhëniet me Italinë, miken dhe mbështetësen e palëkundur që ka qenë në krah të Shqipërisë në çdo moment e ka mbështetur pakompromis integrimin tonë, Turqinë mike me të cilën na lidhin marrëdhënie vëllazërore dhe Greqinë fqinje me të cilën marrëdhëniet janë duke hyrë në një fazë të re, vende të cilat kanë luajtur historikisht një rol të dorës së parë në rajonin tonë, vende me të cilat ne tashmë gëzojmë marrëdhënie të thella e të shumëanshme dhe që do të vazhdojnë të jenë prioritet i politikës sonë të jashtme.

Ndërkohë që, duke e zgjeruar edhe më tej sferën e marrëdhënieve tona bilaterale, do të punojmë në mënyrë intensive e proaktive edhe për të fuqizuar më tej marrëdhëniet dypalëshe me vende mike e partnere, të cilat kanë qenë mbështetëse të zhvillimeve demokratike e ekonomike të Shqipërisë dhe që ndajnë me ne të njëjtat interesa për një Ballkan Perëndimor të zhvilluar e eventualisht të integruar në Bashkimin Europian, siç janë Gjermania, Austria, Zvicra, Sllovenia e Kroacia apo vendet e Vishegradit.

Ky vizion ambicioz për politikën tonë të jashtme, do të marrë – në fakt ka marrë tashmë – një stimul të fortë nga zgjedhja e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në fakt, vetë mënyra sesi u arrit ky objektiv, me mbështetjen e pakundërshtuar të grupit të Vendeve të Europës Lindore dhe me 175 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, është ilustrimi më i mirë i progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria në politikën e saj të jashtme.

Por kjo arritje e diplomacisë shqiptare plot 65 vjet pas anëtarësimit në OKB, nuk është vetëm një produkt i kësaj politike të jashtme serioze e të vlerësuar gjerësisht, por edhe një mundësi reale për të luajtur një rol të dorës së parë në çështjet globale.

Mandati në Këshillin e Sigurimit i jep Shqipërisë mundësinë të faktorizohet tek aleatët e partnerët, por edhe tek vende me të cilat deri më sot kemi pasur marrëdhënie jo shumë të zhvilluara apo kontakte minimale përmes një agjende ambicioze prioritetesh, që kanë në themel vlerat e barazisë gjinore, të drejtave të njeriut, besimin tek multilateralizmi dhe e drejta ndërkombëtare, luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe nevojën për mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.

Kjo agjendë, na vendos në linjë me vendet partnere e me aleatët tanë, marrëdhëniet e bashkëpunimit me të cilët po hyjnë kësisoj në një fazë të re e cilësisht më të lartë. Sot që flasim ne jemi duke komunikuar e bashkëpununuar ngushtë me shumë nga partnerët tanë, si SHBA, Italia e Gjermania, Zvicra, Suedia, Holanda e Danimarka për të koordinuar përpjekjet e për të hartuar strategji të përbashkëta afatgjata në ndjekjen e këtyre prioriteteve.

Por mandati në Këshillin e Sigurimit është një mundësi që do ta shfrytëzojmë edhe për t’i dhënë politikës sonë të jashtme një shtrirje të re strategjike duke e zgjeruar rrjetin e marrëdhënieve tona dypalëshe në të gjithë pellgun e Mesdheut. Kjo është shtrirja e natyrshme për diplomacinë tonë, për t’i dhënë asaj më në fund dimensionin mesdhetar për të cilin është folur shumë, por nuk janë ndërmarrë ende hapa konkrete. Afrika e Veriut, si një rajon me interes të lartë për SHBA, BE apo NATO, do të jetë një nga zonat prioritare të punës sonë në Këshillin e Sigurimit.

Krahas kësaj, jemi duke hedhur hapat e parë edhe drejt zhvillimit të kontakteve e ndërtimit të urave të bashkëpunimit në kontinentin afrikan, ku deri më sot diplomacia shqiptare ka qenë mjaft e kufizuar.

Natyrisht, ky proces diplomatik e politik, shoqërohet edhe nga një potencial i konsiderueshëm ekonomik. Diplomacia ekonomike do të njohë një ecuri e zhvillim të ri. Ne do të punojmë intensivisht për të promovuar ofertën ekonomike të Shqipërisë, për të tërhequr investime të huaja, për të rritur volumin e tregtisë e për të hedhur hapa drejt krijimit të aksesit në tregje të reja, por duke ju paraprirë e duke i mbështetur këto iniciativa përmes pasurimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor dy dhe shumëpalësh.

Një aspekt i politikës së jashtme, për të cilin Shqipëria vlerësohet sot në mënyrë të posaçme nga të gjithë aleatët e partnerët është siguria. Prej dekadash Shqipëria ka luajtur një rol vërtet pozitiv e konstruktiv në arritjen dhe konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajon. Por sot, ne vlerësohemi nga aleatët e partnerët si një eksportues neto sigurie jo vetëm në hapësirën tonë rajonale, por edhe më gjerë, si një vend anëtar i NATO që kontribuon në sigurinë kolektive përmes misioneve të aleancës, por edhe duke mbajtur në tërësi një peshë përgjegjësish që shkojnë në raport të zhdrejtë me përmasat e mundësitë e vendit. Strehimi i refugjatëve afganë, aleatëve tanë për 20 vjet, është jo thjesht një shfaqje solidariteti që i ka fituar Shqipërisë e shqiptarëve respektin e mbarë botës, por edhe një ilustrim i pakundërshtueshëm i vendosmërisë me të cilën ne i përmbushin detyrimet e përgjegjësitë tona.

Edhe si rezultat i këtij përkushtimi, edhe si rezultat i këtij operacioni humanitar, edhe për shkak të rekordit të bashkëpunimit e marrjes së përgjegjësive në çdo rast, marrëdhëniet tona me aleatin tonë të çmuar strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin sot një thellim e intensifikim në të gjithë fushat. Kjo marrëdhënie, që është një nga gurët e themelit të politikës sonë të jashtme e politikës sonë të sigurisë, që i ka dhënë aq shumë zhvillimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, paqes e stabilitetit në Shqipëri e rajon, do të jetë prioritet absolut i punës sonë në mandatin e tretë.

Të nderuar kolegë,

Nuk është sekret, por dua ta theksoj gjithsesi. Në çdo analizë që bëhet në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, sa herë që vlerësohen hapat apo veprimet që duhet të ndërmarrë Shqipëria në arenën ndërkombëtare, padyshim që një nga konsideratat më të rëndësishme lidhet me impaktin që këto veprime kanë për Kosovën dhe vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë apo kudo në rajon.

Ne e mbështesim pa asnjë kompromis Kosovën në çdo forum, në çdo aktivitet, në çdo takim dypalësh e çdo diskutim. Kemi punuar e vazhdojmë të punojmë fuqimisht për të zgjeruar rrethin e njohjeve, për të zgjeruar përfaqësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kemi ngritur zërin për padrejtësinë që po i bëhet qytetarëve kosovarë duke ju mohuar lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Avancimi i Shqipërisë në procesin e integrimit, fuqizimi i marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsolidimi i pozicionit të Shqipërisë si një aktor me rëndësi të posaçme në rajon, mandati ynë në Këshillin e Sigurimit dhe zgjerimi i rrjetit tonë diplomatik veçanërisht në kontinentin afrikan ku sot ka një numër shumë të ulët njohjesh të pavarësisë së Kosovës, janë të gjithë elementë që do të na mundësojnë të punojmë akoma më fort dhe të bëjmë akoma më shumë për vëllezërit tanë në kosovarë.

Një vëmendje të veçantë do të marrin edhe bashkëatdhetarët tanë nëpër botë, ku fokusi kryesor i punës do të jetë së pari në zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe planit të veprimit 2021 – 2025 dhe së dyti në hartimin e Atlasit Gjeografik dhe Demografik të Diasporës dhe ndërtimin e rrjeteve të mirëfillta të organizatave apo shoqatave kudo në botë.

Në lidhje me këtë prioritet, po punohet po ashtu edhe për fuqizimin e Shërbimit Konsullor dhe përmirësimin e shërbimeve që shteti shqiptar ofron për vëllezërit e motrat tona që jetojnë, punojnë apo studiojnë jashtë vendit.

Kjo epokë e re që po hapet për diplomacinë dhe politikën e jashtme shqiptare shtron para nesh nevojën për një analizë e vlerësim realist të kuadrit ligjor, të strukturave dhe burimeve njerëzore që zotëron sot MEPJ. Jemi duke punuar në dy drejtime themelore për të adresuar problematikat që kemi evidentuar deri më sot. Së pari, jemi duke analizuar nevojën për të reformuar procesin e rekrutimit për në Shërbimin e Jashtëm, në mënyrë që t’i hapim rrugë përfshirjes në këtë shërbim të profesionistëve më të mirë që mund të përfaqësojnë Shqipërinë në mënyrë sa më dinjitoze. Së dyti, jemi duke punuar për një rikonceptim dhe ridimensionim të Akademisë Diplomatike për ta kthyer atë në një qendër të vërtetë kualifikimi për diplomatët e rinj dhe në një think tank që duke përthithur kontributet e botës akademike, shoqërisë civile, ish diplomatëve apo të organizatave partnere, do ta furnizojë diplomacinë shqiptare me ide e koncepte të reja, mbi të cilat do të mbështetet politika e jashtme e Shqipërisë.

Ju faleminderit për vëmendjen.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.