Aktualitet

Sherri masiv në finalen e boksit në Shkodër, Alban Beqiri : Komentatori më poshtëroi, më hedhin poshtë arritjet, familjarët e kundërshtarit përdorën dhe armë

21:55 - 19.09.21 gsh

Ka degjeneruar në dhunë finalja e djeshme e kampionatit kombëtar të boksit, zhvilluar në qytetin e Shkodrës.



Pas ndeshjes mes Alban Beqirit të Tiranës dhe Arjon Kajoshit të Vllaznisë, fituar nga ky i fundit, tifozë e boksierë të dy ekipeve kanë zbritur në parket, duke u konfliktuar fizikisht dhe duke e kthyer këtë në një ring të vërtetë.

U desh ndërhyrja e policisë së Shkodrës, që përplasja fizike të ndërpritej dhe të vendosej qetësia në mjedisin ku po zhvilloheshin ndeshjet e kampionatit kombëtar të boksit. Boksieri i ekipit të Tiranës Alban Beqiri në një rrëfim ekskluziv tregon versionin e tij të ngjarjes duke komentuar njekohesisht tërheqjen e ekipit të Tiranës nga kompeticioni.

“Jam shumë i zhgënjyer nga ndeshja e mbajtur në Shkodër, por çdo gjë u kuptua që në momentin kur u ndërrua komentatori dhe ne vend të tij u vendos Ethem Ibrahimi, i cili nga fillimi deri në fund më ka poshtëruar me komentet e tij, duke ulur të gjitha vlerat e mia si sportist. Ibrahimi ka provokuar me komentet kundër meje gjithë tifozët e ekipit të Tiranës. Për 10 vite jam shpallur kampion kombëtar në boksin shqiptar; për 5 vite rresht jam titulluar si boksieri më i mirë në vend dhe jam i pari boksier në historinë e sportit shqiptar i shpallur kampion ballkani dhe i kam sjellë një medalje ari vendit tim, por të gjitha këto arritje po më hidhen poshtë nga vetë drejtuesit e boksit shqiptar. Jam shumë i zhgënjyer pasi në vend që të vlerësohem po poshtërohem për të plotësuar një tekë të ekipit të Vllaznisë, sepse duan të nxjerrin kampion me dhunë boksierin e tyre, Arjon Kajoshi, ku madje për të arritur qëllimin janë përdorur dhe armët nga familjarët e boksierit Kajoshit dhe miqtë e tij për t’i bërë presion gjyqtarëve të ndeshjes. A mos vallë në evenimentet e radhës duhet të shkojmë dhe ne të armatosur? Ajo që unë kërkoj është një gjykim i drejtë, jo vetëm për mua, por për gjithë tifozët e këtij sporti dhe tifozët e mi, të cilët më kanë dhënë zemër për të vazhduar”- u shpreh boksieri Alban Beqiri!

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.