Intervista

Mjeku i përgjithshëm, Rovin Laro: Rreziku nga variantet e reja te virusit përballë pasigurisë nga vaksina

14:10 - 20.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej shumë muajsh të bërë vite tashmë, popullsia globale ndjehet e rrezikuar në mënyrë konstante nga pandemia më ‘moderne’, ajo e Covid-19. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku i familjes Rovin Laro tregon se virusi i familjes Coronaviridae, shkaktar i rëndomtë i infeksioneve të zakonshme të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes në moshat pediatrike, shfaqet i veçantë në klinikën dhe virulencën e vet, duke e bërë veçanërisht kërcënues dhe siç vihet re nga eksperienca e deritanishme, konsiderueshmërisht vdekjeprurës.




Si paraqitet trinomi virus-vaksinë-vdekshmëri?
Nën trysninë konstante të kohës, teksa virusi përhapej me shpejtësi të lartë dhe incidenca e infektimit kapte majat, duke mos pasur ndërkohë një mjekim etiologjik, por vetëm empirik, pra jospecifik lipsej prodhimi i menjëhershëm i një vaksine efikase në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të infektimeve. Dhe tashmë janë një sërë vaksinash anti- Covid në qarkullim. Por sipas ligjësisë natyrore të mbijetesës, ne luftojmë t’i mbijetojmë virusit me “ushtarët” e imunitetit natyral në personat që infektohen apo imunitetit artificial të siguruar nëpërmjet vaksinës. Po njësoj edhe virusi mundohet t’i mbijetojë sulmeve imunitare nëpërmjet ndryshimeve në strukturën e tij që gjenerojnë tipe apo variante të reja të këtij virusi. Variantet e reja tentojnë të jenë më rezistente ndaj veprimit imunitar. Kjo i bën variantet e reja, si ai delta më të rrezikshme për personat që nuk kanë asnjë mbrojtje imunitare ndaj virusit, çka do të thotë as janë infektuar më parë nga virusi e as e kanë aplikuar vaksinën. Le të çojmë në mend rrezikshmërinë që përbën për persona me imunitet të dobët e te cenuar, si p.sh. pacientë leucemikë apo HIV-AIDS pozitivë. Arsye madhore kjo për të arritur sa më parë imunitetin e tufës, çka do të ndërpriste zinxhirin ngjitës të virusit.

A ka konfuzion në radhët e qytetarëve për vaksinimin dhe infektimin pas marrjes së dy dozave?
Ndër paqartësitë më të mëdha që kam vërejtur te qytetarët ka të bëjë me faktin e infektimit, me gjithë aplikimin e vaksinës. Përgjigjja është se mbetet reale mundësia e infektimit edhe pas aplikimit të vaksinës. Kjo, sepse gjithë vaksinat kanë rol krijimin e imunitetit të ashtuquajtur artificial, jo ndalimin e infektimit. Për sa kohë virusi qarkullon dhe ne nuk respektojmë rregullat e distancimit social dhe përdorimin e barrierave mbrojtëse për rrugët e hyrjes së virusit, hundën dhe gojën, pra maskat rreziku i infektimit mbetet prezent.

Cili është roli i vaksinës dhe sa na mbron nga format e rënda të sëmundjes?
vaksina, pikësëpari parapërgatit organizmin me antitrupa për mbrojtjen nga infektimi potencial, pra një organizëm i parapërgatitur imunitarisht, e lufton virusin me një përgjigje imunitare specifike, të menjëhershme duke ulur ndjeshëm kohën e infektimit dhe pasojat afatgjata e afatshkurtra të veprimit dëmtues të virusit. Dhe natyrshëm dyshimi i radhës është si mund të zhduket virusi përgjithmonë, teksa shohim që pavarësisht vaksinës infektimet vazhdojnë. Atëherë, virusit i duhemi ne, për të mbijetuar, rrugët respiratore të njeriut janë bujtësit e tij. Aplikimi në masë të gjerë i vaksinës, bën që koha e infektimit të ulet ndjeshëm, duke ulur kështu logjikisht edhe transmetueshmërinë. E ndërkohë, virusi i përballur me sistemin imunitar dobësohet gradualisht, gjithnjë e më i atakuar nga mburojat imunitare, pa i dhënë mundësi të shumëzohet progresivisht. E kështu vaksinimi në masë të gjerë, krijon atë që quajmë, imunitet të tufës.

A janë më të rrezikshme mutacionet e covid?
Për sa i përket prezencës së varianteve të reja të virusit, nuk duhet të harrojmë, se ashtu si ne përgatitemi imunitarisht për të luftuar virusin, ashtu dhe virusi mundohet të mbijetojë, duke ndryshuar elemente të strukturës së tij antigenike, me qëllimin për t’i shpëtuar njohjes nga sistemi imunitar. Kjo çon në krijimin e varianteve të reja të virusit, pak më të ndryshme nga variant parësor. Por megjithëse ky fakt ‘ia vështirëson” punën sistemit imunitar, virusi mbetet i njëjti dhe imuniteti vaksinal është i aftë ta luftojë dhe ta shpërbëjë.

Kur duhet të merret vaksina?
Vaksinat, është shumë e rëndësishme që të aplikohen në kohën e përcaktuar, pra të respektohet distancë mes dozave. Pacienti nuk duhet të ketë inflamacion aktiv, pra temperaturë apo gjendje patologjike akute, që indikojnë se imuniteti është aktiv, sepse ndërveprimi me vaksinën mund të ketë pasoja serioze. Gjithashtu, personat alergjikë mund ta kryejnë vaksinën. Kundërindikacion përbën vetëm alergjia apo mbindjeshmëria ndaj përbërësve të vaksinës. Fokus të veçantë përbëjnë të sëmurë kronikë, sepse ne një terren të dobësuar të organizmit, virusi mund të ketë pasoja edhe më të mëdha. Gjithsesi paraprakisht mund të konsultohen me mjekun që i ndjek.
Nuk duhet të harrojmë kurrsesi se vaksinimi nuk do të thotë ndalim i respektimit të distancimit social dhe mbajtjes së maskës. Shumë të kujdesshëm duhet të jenë personat që kanë bërë vetëm dozën e parë, sepse organizmi është më i brishtë duke qenë se imuniteti sapo ka filluar “të ngacmohet”. Titri maksimal i antitrupave, pra mbrojtja maksimale imunitare arrihet jo më parë se të paktën një javë, pas aplikimit të dozës së dytë të vaksinës. Nuk është e këshillueshme të bëhen doza të vaksinave të ndryshme te i njëjti person, sepse ndërveprimi mund të na japë efekte jo të mira dhe nuk garanton mbrojtje adekuate. Megjithatë kjo është një çështje ende në studim e sipër. Një element shumë i rëndësishëm për t’u mbajtur mend është se jo çdo gjendje e pafavorshme e organizmit, pas aplikimit të vaksinës i dedikohet efekteve anësore të kësaj të fundit, sepse vetëm faktori kronologjik është i pamjaftueshëm për ta justifikuar, pa demonstruar një lidhje shkak pasojë mes situatave të ndryshme patologjike dhe vaksinës.

Cila është këshilla juaj për qytetarët?
Primar duhet të mbetet gjykimi se dëmtimi nga vetë infektimi në një organizëm të pavaksinuar jep pasoja shumë më të rënda, sidomos tashmë që ndodhemi para varianteve të reja , që janë më rezistente dhe do të rezultonin potencialisht fatale për personat qe as nuk janë infektuar më parë e as janë vaksinuar, pra nuk kanë asnjë lloj përgatitjeje imunitare. Gjithashtu, personat që janë infektuar më parë, duhet ta kryejnë vaksinën, sepse e përforcon ndjeshëm imunitetin dhe e bën më efikas kundrejt çdo variant të virusit. Pra, vaksinimi mbetet arma e vetme dhe më efikase e luftë ndaj virusit, pa zbehur rëndësinë e distancimit social dhe përdorimit të maskës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.