OPINION

Program vizionar, po lekët?

10:28 - 25.09.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Programi i partisë në fuqi për katër vitet e ardhshëm përmban elementë seriozë në vizionin e tij për një ekonomi me këmbë në tokë. Së pari, nuk premton me qindra mijëra vende të reja pune. Ka qenë një refren i shëmtuar premtimi për vende të reja pune. Në 6 mandatet e fundit qeveritë, si të djathta dhe të majta, kanë premtuar pa kursim 250 mijë apo 300 mijë vende të reja pune në katër vjet. Kanë dështuar pa kursim. Të paktën ky program nuk përmend shifra që do të qëndronin edhe ato në erë. Së dyti, nga 1 janari 2022, programi nuk taton 435.000 të punësuar në shtet dhe privat për pagat 300 mijë deri në 400 mijë lekë të vjetra në muaj. Janë 26 milionë euro që çdo vit do të qëndrojnë në xhepat e qytetarëve me këto paga modeste, ngaqë mesatarisht rreth 7 euro në muaj shteti nuk do t’ua marrë taksë mbi pagën. Së treti, programi lehtëson nga taksa 23 përqind mbi pagën shtresën e mesme që ka rroga 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj deri në 2 milionë. Shtresa e mesme i jep drejtim konsumit dhe kjo ndërhyrje ndihmon ta shtojmë konsumin në ekonomi. Së katërti, nga 1 janari 2023, rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) bëhet automatik. Përfitojnë  mbi 12 mijë sipërmarrës që eksportojnë.  Programi kthen vëmendjen e plotë drejt bujqësisë. Ndihma aty është serioze, me 60 milionë euro subvencione nga Buxheti dhe rreth 38 milionë euro çdo vit grante nga fondet e Programit IPARD të Bashkimit Evropian. Mirëpo, ndihma për fabrikat prodhuese (fasonistët) dhe turizmin jepet sa për sy e faqe. Kjo, pse realizohet nëpërmjet kredive të garantuara nga shteti. Këto kredi nuk kanë funksionuar si duhet as në kohët më të rënda të pandemisë. Asnjë nga bizneset e turizmit nuk i mori këto kredi të buta i thënçin, ndërsa fasonistët aplikuan shumë pak. Kur nuk i morën në mars-prill 2020 të bllokimit total, si do t’i marrin tani?!  Programi u rrit pensionistëve(më në fund socialistët u kujtuan për shtresën më besnike ndaj tyre në 30 vjet votime të lira) 5 përqind pensionin në vit, nëpërmjet shpërblimit të Vitit të Ri, ose të gjelit të detit. Duke ua bërë këtë shpërblim sa 60 përqind të një pensioni të 13-të mesatar, ose sa dy gjela deti e gjysëm. Rrit gradualisht pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve. Për të gjitha këto veprime pozitive për të rritur konsumin dhe ndihmuar qytetarët me paga modeste, qeverisë së re i duhen 180-200 milionë euro në vit më shumë se sa ka tani. Ku do t’i gjejë? Këtë programi nuk e thotë. Ndoshta qeveria e re mbështetet shumë mbi fiskalizimin dhe uljen e shmangjes së detyrimeve ndaj shtetit, për shkak të tij. Të shohim. Qeverisë së mandatit të tretë të socialistëve do t’i duhet të drejtojë financat publike me një disiplinë të hekurt, që të dalë dhjamë nga pleshti. Pra, të dalin 200 milionë euro më shumë të ardhura në vit. Do t’ia arrijë? Urojmë që t’ia dalë. Edhe pse, duke filluar që nga ky vit 2021, objektivi që i ka vënë vetes qeveria e mandatit të dytë(dhe që e ka trashëguar qeveria e mandatit të tretë), për rritjen e të ardhurave me 176 milionë euro më shumë se viti 2020, duket mision i pamundur, tani kur mungojnë edhe pak më shumë se tre muaj nga fundi i vitit. Kur viti 2020 ishte një vit me të ardhura buxhetore të pakësuara me gati 30 përqind nga pandemia. Se si do t’ia bëjë qeveria e re të nxjerrë 200 milionë euro më shumë për të përballuar shpenzimet e vitit 2022, kjo qeveri e di. Ndoshta qetësohet, kur mendon se po bëhet gati të marrë Eurobondin e pestë prej 550 milionë eurosh. Pra, borxh për të paguar borxhe të vjetra dhe detyrime të reja në rritje. Kjo nuk është gjë qetësuese. Programi thotë se në katër vjet do ta ulë borxhin publik me 22.4 përqind të prodhimit kombëtar, ose me 3 miliardë euro. Sot ky borxh është aty tek 80 përqind e prodhimit kombëtar dhe në fund të vitit bëhet 82.4 përqind, sipas llogaritjeve të qeverisë së mandatit të dytë. Se si do të ulë në katër vjet me 3 miliardë euro, kjo qeveri e re e di. Urojmë të mos jemi të detyruar të themi:”Të rrofshin synimet e mira, se nuk katranose gjë!”.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.