Kryesore

“Shumë gjëra mund të bëhen ndryshe”, Rama flet për mandatin e tretë: Një marrëdhënie më të hapur me qytetarin

18:27 - 25.09.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaron se në mandatin e tretë të qeverisë së tij ka shumë gjëra që mund të bëhen ndryshe. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rama foli për vizitën e tij në Akademinë ushtarake West Point, si dhe për punën që është bërë për Diasporën. Sa i përket qeverisjes në mandatin e tretë, ai theksoi se mundësisht më shpejt dhe mbi të gjitha të ndërtojmë një marrëdhënie ende më të hapur, më të drejtpërdrejtë, më transparente dhe me interes reciprok mes shtetit dhe qytetarit.




Rama foli dhe për raportin e TI ër korrupsionin dhe investimet e huaja.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit në Nju Jork ju vizituat dhe Akademinë ushtarake West Point, një nga institucionet më prestigjioze të ushtrisë amerikane. Çfarë bashkëpunimi prisni me këtë institucion?

Kryeministri Rama: Dëshira dhe ambicia jonë është që ta transformojmë Akademinë shqiptare të Forcave të Armatosura në një akademi amerikane, ku do të jetë një vend studimesh të larta për studentët shqiptarë, por edhe për studentë nga vendet e NATO-s rreth e rrotull nesh dhe ku gjithë eksperienca, gjithë programet, gjithë dija e shkollës së lartë amerikane të mbrojtjes të jetë në dispozicion të më të rinjve.

Zëri i Amerikës:  Para disa vitesh, ju u bëtë nismëtar i organizimit të ashtuquajturit Samiti i Diasporës, gjatë mandatit të mëparshëm. Madje ju patët edhe një anëtar kabineti për Diasporën. Sot duket se ky angazhim është zbehur. Gjatë qëndrimit këto ditë në Nju Jork, nuk kemi parë ndonjë njoftim të takimeve tuaja me komunitetin shqiptaro – amerikan. Si e shikoni ju rolin e Diasporës?

Kryeministri Rama:  Në fakt, unë kam takuar përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro – amerikan dhe mendoj që është bërë një punë goxha e mirë nga ministri për Diasporën, Pandeli Majko, i cili faktikisht e ka përmbyllur të gjithë kuadrin e reformave dhe të bazës ligjore për një punë më të qëndrueshme me Diasporën. Tanimë mbi këtë bazë Diaspora do të trajtohet nga ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Zëri i Amerikës:  Zoti Rama, Partia juaj bëhet forca e parë politike që fiton një mandat të tretë në Shqipëri. Ju vet e keni pranuar se diçka e tillë ju vë përballë një sfide edhe më të madhe. Çfarë ju do të bëni ndryshe ju në 4 vitet e ardhshme?

Kryeministri Rama: Ka shumë gjëra që mund të bëhen ndryshe dhe eksperienca tanimë jo e vogël në këtë detyrë, por edhe eksperienca në tërësi e skuadrës së Partisë Socialiste në drejtimin e vendit në këtë fazë të historisë së vet, na ndihmon që shumëçka ta bëjmë ndryshe dhe patjetër që t’i bëjmë gjërat më mirë, mundësisht më shpejt dhe mbi të gjitha të ndërtojmë një marrëdhënie ende më të hapur, më të drejtpërdrejtë, më transparente dhe me interes reciprok mes shtetit dhe qytetarit, që do të thotë: qytetarët të jenë të shërbyer më mirë dhe shteti të ketë mundësinë që të dëgjojë prej tyre më shumë dhe të kuptojë më shpejt se çfarë duhet të bëjë për të përmirësuar shërbimet ndaj tyre.

Zëri i Amerikës:  Zoti Rama, partia juaj është shprehur për nevojën e zgjatjes së mandatit të institucioneve të vetingut deri në përfundimin e këtij procesi. Kjo kërkon ndërhyrje në Kushtetutë, çka nënkupton një konsensus me opozitën. Por kjo e fundit ju ka akuzuar se keni përdorur reformën në drejtësi për ta vënë atë në kontrollin tuaj. A jeni optimist se mund ta siguroni mbështetjen e opozitës?
Kryeministri Rama:  Unë nuk dua të merrem me akuzat, por dëshiroj që të fokusojmë të gjitha forcat dhe energjitë tona tek punët, që lidhen me përparimin e vendit, që lidhen me përmirësimin e jetës së njerëzve. Dhe kjo është një nga këto punë. Natyrisht që ne nuk i kemi votat për të bërë ndryshimin përkatës, por nga ana tjetër kjo është një reformë, e cila nuk është vetëm e jona, por është një reformë që ka pasur qysh ditën e parë mbështetës dhe garantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, dhe unë nuk besoj që opozita do të mungojë në apel, kur do të numërohen votat në funksion të kësaj reforme.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, vende si Shqipëria kanë një nevojë të madhe për investime të huaja. Megjithatë, veçanërisht në vitet e fundit është vënë re një ulje e besimit të grupeve të investitorëve të huaj, që veprojnë në Shqipëri, siç ishte rasti dhe i raportit të fundit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku ngrihet shqetësimi për korrupsionin, sistemin e taksimit, monopolet apo oligarkinë. Ju keni qenë 8 vjet tashmë në pushtet dhe treguesit e korrupsionit, sipas organizatave ndërkombëtare, nuk janë përmirësuar. A ndjeni ju përgjegjësi për këtë gjendje dhe çfarë mund të ndryshojë në mandatin e tretë?

Kryeministri Rama:  Nuk e di kujt i referoheni si tregues ndërkombëtar mos-përmirësimi.

Zëri i Amerikës:  I referohem Transparency International dhe raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, që nuk e kanë ndryshuar përcaktimin për korrupsionin në Shqipëri, që është i gjithëpërhapur.

Kryeministri Rama:  E kuptova. Por e vërteta është që as nuk ka krahasim sot me 8 vjet më parë dhe për këtë mjafton t’iu sjell një shembull: Sa e sa e sa shërbime, që deri dje merreshin me radha të gjata kilometrike, me orë të tëra, me zvarritje e varavingo të panumërta, sot merren në pak minuta me një ndërveprim përmes smartfonit dhe kompjuterit me platformën e-Albania. Natyrisht që kjo është pa diskutim një lehtësim pikërisht i barrës së korrupsionit në jetën e qytetarëve. Patjetër që ne kemi ende probleme me korrupsionin dhe prandaj jemi këtu; për të vazhduar që të adresojmë këto probleme me reforma, me modernizim, me sisteme, si sistemet digjitale, të cilat kanë vendosur tanimë një bazë dhe, me ciklin e mbyllur të shërbimeve, do të na mundësojnë që korrupsioni si i gjithëpranishëm në marrëdhëniet qytetar – shtet, kur është fjala për të marrë shërbime, të jetë një histori e të shkuarës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.