AKTUALITET

VOA analizon shifrat: Ja treguesit e frenimit të përhapjes së COVID-19 në Shqipëri

21:21 - 27.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Shqipëri, situata e koronavirusit gjatë javës së fundit (21-27 Shtator) ofroi dy panorama të ndryshme. Ndërsa numri i viktimave u rrit ndjeshëm, me ritmin më të lartë të javëve të fundit, rastet e reja u pakësuan ndjeshëm e po ashtu dhe shtrimet në spital pësuan rënie.




Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në javën e fundit, vdekjet në spitale u shtuan me 64 përqind, duke arritur në 64 humbje jete nga 39 të tilla një javë më parë (14-20 Shtator). Ky është niveli më i lartë që pas javës së fundit të marsit. Vetëm në 24 orët e fundit, ministria e Shëndetësisë njoftoi për 13 viktima: 4 qytetarë nga Durrësi të moshave 33-73 vjeç, 8 qytetarë nga Tirana të moshave 66-73 vjeç, 1 qytetar nga Rrogozhina 61 vjeç.

Sipas ekspertëve, kurba e humbjeve të jetëve nuk shkon paralel me atë të rasteve të reja të cilat ndërprenë ecurinë rritëse të shfaqur që në fillim të korrikut. Në total gjatë javës së shkuar u regjistruan 4784 të infektuar rishtazi, ose gati 20 përqind më pak se java pararendëse. Madje në 24 orët e fundit u njoftua vetëm për 295 raste, kuota më e ulët që nga 12 gushti. E reduktuar dhe shpërndarja gjeografike e tyre, e kufizuar vetëm në 28 nga 61 bashkitë që ka vendi: 162 qytetarë në Tiranë, 19 në Durrës, 12 në Vlorë, 10 Sarandë, 8 në Lushnjë, Berat, 7 në Lezhë, Dibër, Divjakë, 6 në Mat, 5 në Krujë, Gramsh, 4 në Kamëz, Gjirokastër, Korçë, Peqin, 3 në Mirditë, Mallakastër, 2 në Kukës, Kurbin, Fier, Delvinë, Kolonjë, Kuçovë, Poliçan, 1 në Kavajë, Tepelenë, Librazhd.

Një tjetër tregues i frenimit të përhapjes së COVID-19, është dhe pozitiviteti (raporti me rasteve të reja dhe testimeve) i cili u tkurr ndjeshëm, duke zbritur në 14.4 përqind, ose 2.7 pikë përqindje më pak.

Nga ana tjetër dhe shtrimet në spital shënuan një tendencë rënëse. Në 24 orët e fundit në spitalet Covid ishin 189 pacientë, nga të cilët 29 në gjendje të rënduar. Ndërkohë që një javë më parë ishin 242 të shtruar, prej të cilëve 22 në terapi intensive.

Po ashtu për herë të parë që nga rishfaqja e kësaj vale të re ne verë, një reduktim të ndjeshëm pati dhe sa i përket rasteve aktive. Sipas të dhënave të së hënës pasdite, në të gjithë vendin janë 10.841 raste aktive nga 12.700 që ishin 7 ditë më parë./VOA/

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.