OPINION

Integrim apo izolim me BE?

18:55 - 04.10.21 Nga Genc Pollo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

1-AVAZI I VJETËR ME BRUKSELIN




Javën e kaluar, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vizitoi Shqipërinë e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Mesazhi politik kryesor i saj ishte se e ardhmja e shteteve tona ishte brenda Bashkimit Europian. Për Tiranën e Shkupin ajo tha se ishte personalisht e vendosur që konferenca ndërqeveritare e BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit të mblidhej sa më parë, mundësisht brenda vitit. Udhën drejt së ardhmes së përbashkët liderët e Bashkimit Europian tok me ata të Ballkanit, premtoi Presidentja e Komisionit – ne do ta ravijëzojmë në samitin e Lubjanës.

Njëkohësisht me këto deklarata, agjencia e lajmeve “Reuters” njoftoi se BE (shtetet anëtare) nuk kishte rënë dakord që në samitin e Lubjanës t’u garantonte shteteve të Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit. Letër-ftesa dyfaqëshe për në samit, e nënshkruar nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, në paragrafët e fundit informon se ditën e dytë, më 6 tetor, do të flitet për Ballkanin, për nevojën për ta stabilizuar atë, për zhvillimin social-ekonomik mbas pandemisë, për bashkëpunimin strategjik etj. Asnjë fjalë për zgjerimin e BE-së, d.m.th anëtarësimin e ardhshëm të shteteve tona.

Ndërkohë që për Kryeministrin slloven Janša (Sllovenia ka aktualisht Presidencën gjashtëmujore të Bashkimit) zgjerimi i BE-së në Ballkan ishte objektivi i parë e i vetëm i këtij samiti të iniciuar prej tij. Publiku shqiptar, jo gjerësisht i familjarizuar me arkitekturën institucionale e kompetencat vendimmarrëse në BE, prej disa vitesh sheh konfuzion në këto qëndrime të politikanëve europianë. Por edhe qeveria shqiptare, që supozohet e mirinformuar për këto gjëra, u bë qesharake kur në qershor 2018 festoi me dekorata e shampanjë pikërisht çeljen e negociatave. Prej vitesh ne shohim nga Komisioni Europian, një pjesë e Parlamentit Europian dhe e shteteve anëtare një vlerësim pozitiv, por në thelb dorëlëshuar e zbukurues për kriteret e demokracisë e shtetit ligjor. Pjesa tjetër është më objektive në vlerësim e më rigoroze në qëndrim..

Prej vitesh argumentoj se një vlerësim objektiv e qëndrim rigoroz por korrekt ndihmon më shumë një Shqipëri (e një Ballkan) europiane në kuptimin e kritereve të Kopenhagenit siç njihen vlerat bazë të kontinentit tonë: liria, shteti ligjor, demokracia e të drejtat e njeriut. Qasja dorëlëshuar ngre fasada propagande, problemet mbeten pazgjidhur dhe sigurisht shfaqen të agravuara më vonë (siç ka ndodhur me Serbinë post-milosheviçiane që ka shënuar regres sidomos në këto shtatë vite negociatash me Brukselin apo edhe me ndonjë shtet anëtar në BE). Të gjitha këto çështje do të vazhdojnë të diskutohen në muajt e vitet e ardhshme pavarësisht nëse konferenca ndërqeveritare arrin të mbahet para Krishtlindjes. Çfarë është gjithsesi e dëshirueshme.

2-RREZIKU QË VJEN NGA EMIGRIMI PA KUFI I SHQIPTARËVE…

Krahas lajmeve për zgjerimin e BE-së në Ballkan, një lajm tjetër tërhoqi gjithashtu vëmendjen: një numër i mirë i shteteve anëtare, përfshi edhe ato që janë tradicionalisht por zgjerimit, kishin ngritur shqetësimin për abuzimin me lëvizjen e lirë nga shtetas të Ballkanit. Sipas raportimit të Gjermanisë pranë instancave europiane në renditje (1 deri 10; ku 1 është shumë keq e 10 më pak keq) problem ishin Shqipëria (2) e Serbia (7). Edhe të tjera shtete të Europës Perëndimore janë ankuar për shkeljen e rregullave nga ana e shtetasve shqiptarë dhe po kërkojnë pezullimin e liberalizimit të vizave. Kur Holanda në prill 2019 kërkoi pikërisht këtë për Shqipërinë hasi në refuzim, sepse ishte një zë i vetmuar. Tashmë kjo po kërkohet nga një numër i konsiderueshëm shtetesh anëtare; që do të thotë se arritja më e madhe e më e prekshme e Shqipërisë në këtë dekadë, udhëtimi pa viza në Europë, po vihet seriozisht në rrezik.

Në 2014-ën, katër vjet mbas heqjes së vizave, filloi vala e emigrimit masiv nga Shqipëria drejt Gjermanisë, Francës etj. Asokohe Saimir Tahiri dhe Edi Rama na “shpjeguan” në Kuvend se bëhej fjalë për emigrantë shqiptarë prej vitesh në Greqi, të cilët mbas krizës financiare atje, nisnin mërgimin e dytë. Për këtë gënjeshtër të trashë Rama nuk ka kërkuar ndonjëherë ndjesë. Por më vonë ai e justifikoi emigrimin nga Shqipëria si nevojë sociale të papërballueshme; edhe përballë qortimeve të europianëve. E vazhdoi kështu edhe kur emigrantët e Shqipërisë tejkaluan si vlerë absolute, si dhe u bënë shumëfish në përqindje krahasuar me çdo vend tjetër nga Baltiku deri në Bullgari. Në fakt, BE aprovoi heqjen e vizave vetëm kundrejt garancive se nuk do të kishte ortek emigrantësh. Ndërkohë që nevojat e tregut të punës i kënaqte në rrugë ligjore.

Me gjasë qeveria Rama nuk ka vullnet që përmes mirëqeverisjes të ngjallë shpresë për një të ardhme të mirë në atdhe. Mbase qeveria nuk do t’ia dijë se shoqëria po humbet profesionistët dhe shtresën e mesme. Madje ajo mund të ketë kalkuluar edhe avantazhin elektoral. Por mbase edhe shqiptarëve u nevojitet një e shkundur që të reagojnë ndaj hemorragjisë rrënuese.

3-…DHE I BANGLADESHASVE

Vizita e ministrit të Brendshëm të Austrisë, Karl Nehammer, në Tiranë njëkohësisht me zonjën Von der Leyen u perceptua si vizitë rutinë për bashkëpunimin në luftën kundër kriminalitetit e emigracionit të paligjshëm, sidomos nga Lindja e Mesme e Azia Qendrore. Por media austriake zbuloi edhe një detaj interesant: problem në Shqipëri është se masa njerëzish nga këto areale vijnë pa vizë në Shqipëri. E pastaj, sipas Policisë austriake që heton të dhënat e celularëve të tyre, rishfaqen ilegalisht në Austri. Dhe aty disa syresh sjellin andralla lidhur me sigurinë publike, kriminalitetin e terrorizmin. Para dy vjetësh Rama pretendoi se mungesën e fuqisë punëtore në vend do ta zgjidhte me bangladeshas punëdashës e fjalëpakë.

Ndërkohë, të dhënat janë se ata arabë apo aziatikë që ligjërisht vunë këmbë në vatanin tonë u zhdukën pas pak muajsh sepse morën drejtimin e emigrantëve të paligjshëm: Europën e pasur që ofron paga të larta e ndihmë sociale bujare. Mbase Rama e bëri këtë i ndikuar nga idetë globaliste të mentorit të tij në Nju Jork, i cili lufton për një botë pa kufij e migracion pa pengesa; mbase Rama u investua në një skemë të mirëfilltë të trafikut njerëzor me plot “biznesmenë” rreth tij të gatshëm për të bërë para të shpejta. Në çdo rast është një dështim i nismës së “bangladeshasve punëtorë”. Dhe një siklet më shumë që Europa merr veresie nga qeveria jonë. Si dhe një rrezik që shqiptarët të fillojnë të mbajnë radhë për viza si aktualisht kosovarët. Kjo e fundit për ata që kanë harruar si ishte para vitit 2010.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.