Kosova

Zgjedhjet lokale në Kosovë, nis numërimi i votave të diasporës, ja kur përfundon

12:26 - 24.10.21 gsh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë njoftoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur numërimi i votave me postë të ardhura nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, për zgjedhjet komunale të mbajtura më 17 tetor.



Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media, të dielën më 24 tetor, tha se numërimi i këtyre votave do përfundojë gjatë ditës së sotme. Kurse, të hënën do të nisë numërimi i votave me kusht.

KQZ-ja ka njoftuar se ka miratuar 10,934 vota të ardhura me postë, ndërkaq ka refuzuar 1,324 fletëvotime për raundin e parë të zgjedhjeve lokale.

“Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga persona të njëjtë (168)”, tha Elezi.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 38 komunat ku janë zhvilluar zgjedhjet, në 16 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ndërkaq, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar rezultatet për kryetar komune në Han të Elezit dhe ka urdhëruar që në këtë komunë të përsëritet votimi.

Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar katër komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë në raundin e parë.

Raundi i balotazhit do të mbahet më 14 nëntor.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.