Dossier

Historia e Nuh Sahatçisë/ Zbardhet rrëfimi i Johann Arendt: Unë, nazisti që urdhërova ekzekutimin e 20-vjeçarit në Koplik! Gjatë luftës kam vrarë, po s’kam bërë krime! I riu u vetësakrifikua për të shpëtuar mikun Italian

09:08 - 02.11.21 gsh

 AFRIM IMAJ / RIZA LAHI



“Në Shkodër kam vrarë, po nuk kam bërë krime. Përjashto rastin e një djaloshi prej Kopliku që u vetëmartirizua për të shpëtuar italianin që strehonin në shtëpi”. Dëshmia tronditëse që zbardhëm numrin e kaluar sipas rrëfimit të Johann Arendt, ish-nazistit që u rikthye në Shkodër për të marrë orën e lënë para 30 vjetësh, zbulon vetëm një pjesë nga kujtimet e tij gjatë luftimeve në vendin tonë.

Gëzim Uruçi, studiuesi shkodran që ka udhëtuar drejt Gjermanisë e është takuar me të disa herë, ka pasur rastin ta dëgjojë nga afër historinë dhe përshtypjet e tij nga vendi ynë. Po çfarë ka arkivuar shqiptari nga qëndrimi sy më sy me dëshmitarin e një vdekje burrnore dhe urdhëruesin e vrasjes barbare në Koplik në vitin 1944…

Pra, tek Johann Arendt, në një farë mënyre më ka çue Andrea Fabbrizi, një prej italianëve qi ishte kap rob gjatë luftës në Shkodër. Ai ma ka dëftue për herë të parë tragjedinë e 20-vjeçarit në Koplik. Është një prej atyre ngjarjeve që pakkush e di sot në Shkodër e në rrethina. Thonë se dhe i zoti i shtëpisë e ka lanë amanet mos me e marrë vesh kush sakrificën e përgjakun për mysafirin e shtëpisë. Duke gjurmue të vërtetën për këtë tragjedi, kam takue gjermanin që e lidhte me Shkodrën, veç të tjerave, edhe ajo historia e orës që ia pati rujt mjeshtri Sahatçia edhe pas 30 vitesh. Kur jam takue me Johann Arendt, aty te shtëpia e tij në Noistrasse Kasel – Trier të Gjermanisë, ishte në moshë të thyer. Megjithatë, kishte nji kujtesë me ja pat zili.

 

Shkodra për të jo vetëm kishte qenë stacioni i fundit i atij shtegtimi sfilitës në beteja të tmerrshme, por edhe një bastion i veçantë me kujtime të paharrueshme. Johann Arendt më ka pri për në shtëpinë e vet dhe më ka mbajt aty, si nuk ka ma mirë për tri ditë me radhë…

-Pra, tre ditë ishit mysafir te gjermani Johann Arendt… -Katër ditë dhe katër netë, duhet thënë. Ai ishte një burrë interesant, me një kujtesë fantastike. Periudhën e luftës në Shkodër e mbante mend me detaje. Kujtonte përpjekjet me partizanët, luftimet në qytet, tërheqjen në rrethina e mjaft nga shokët e vrarë. Çuditërisht, veçonte rolin e xhenierëve italianë në dëmtimet që u shkaktuan trupave naziste në Shkodër.

“Nuk e di pse shqiptarët e harrojnë kontributin e tyre”, më thoshte shpesh dhe kallëzonte me dhjetëra shembuj, kur shokët e tij kishin rënë në kurthin e xhenierëve italianë. Johanni ishte një nga të mbijetuarit e fundit të luftimeve në Shkodër. Nuk harronte të kujtonte se aty kishte mbetur rob falë zemërgjerësisë së atyre që e kishin kapur, kishte mundur të kthehej në Gjermani. Kur e pyesja nëse kishte bërë krime në Shkodër, nuk pranonte kurrsesi. Logjika e tij nuk ofronte kurrfarë pendese kur bëhej fjalë për viktimat e betejave. Tjetërsoj ndodhte me vrasjen e Koplikut. Pavarësisht se edhe këtë nuk e ofronte si krim, thellë në ndërgjegjen e tij ndihej i lënduar. “Ashtu si rrodhën punët, martirizimi i tij ishte i pashmangshëm”, më thoshte Johhan.

-Gjithsesi, si argument, vrasja e djaloshit nga Kopliku nuk është bindëse…

–Një këtë i thonja edhe unë. Bile me këmbëngulje. Po Johhan nuk tërhiqej nga e vetja. Ne e dijshim qi në atë shtëpi ishte një italian, tregonte ai. Urdhri ishte me e asgjësue patjetër. Kjo do të thoshte se nuk kishte rrugë tjetër. Shkuam aty diku ka dreka. I zoti i shtëpisë, një malësor shtatlartë, mohoi se kishte mysafir në familjen e tij. Provuam me e bind, por ishte e kotë. Atëherë urdhëruam me qit jashtë gjithë robt e shpisë. Dolën të tanë në oborr. Unë bëra thirrje të shkëputej prej tyre italiani. Prita disa çaste, por nuk lëvizi gja. Po vazhduat kështu, u thashë, do t’u pushkatojmë të gjithve. Disa momente nuk foli kush.

Mandej, nga grupi i tyne, me rreth 10-12 veta, doli një djalë i ri. Unë jam italiani, ia bani ai me kryet lart. Se çka tha tjetër në shqip, nuk e morëm vesh. Nji atë çast, një nga kolegët e mi hapi zjarr mbi trupin e tij. U këput djaloshi e ra si një lis te gryka e pusit, poshtë një fiku. Diçka mërmëriti duke u rrëzuar, po s’ja vuni veshin kush. Me siguri ndonjë amanet…

-I bindur se vrau italianin e kërkuar…

-Kurrsesi jo, më befasoi Johanni me shpjegimet e mëtejshme. Së paku unë e pashë se nuk kishim të bënim me gjahun që kërkonim. Pastaj djaloshi që qëlluam dukej që ishte kopje e të zotit të shtëpisë. Sidoqoftë, gjermani nuk donte të rrinte gjatë te kjo histori. E vramë, i binte shkurt ai, se ndryshe do sharronim krejt familjen, e do t’i vinim flakën shtëpisë. Ishte ky momenti ku Johanni u kthehej disa kodeve të frikshme që mbanin firmën e Hitlerit.

-Konkretisht…

-Johanni përmendte shumë të tilla. Njërin ndër ta e kishte të shkruar. E përktheva nga origjinali dhe e kam edhe sot në bibliotekë. Është urdhri i 16 dhjetorit 1942, i Feldmareshall Keitelit. Ja ç’thuhet aty, fjalë për fjalë: ”Armiku ka vërvitur mbi ne banditë fanatikë lufte, komunistë – luftëtarë të stërvitur që nuk kanë të ndalur para as edhe një akti dhune. Gjendja këtu është më e rëndë sesa “To be or not to be”. Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me kalorësinë ushtarake, apo me vendimet e Konventës së Gjenevës. Në qoftë se kjo luftë kundër bandave, në Lindje është sikurse në Ballkan, që nuk përmbahet dot me masat më brutale, forcat në dispozicionin tonë nuk do të mundin në një të ardhme të afërt të zotërojnë këtë murtajë. Trupat janë autorizuar dhe urdhëruar, ndërkohë që në këtë betejë të marrin të gjitha masat pa kufizim edhe kundër grave dhe fëmijëve, nëse kjo është e domosdoshme për suksesin. Humanizmi i çfarëdo lloji është krim kundër kombit gjerman”. Në të tjera kode që përmendte Johanni, bëhej fjalë për barbari çnjerëzore të padëgjuara. Kështu e kishte ngjiz, kështu e kishte idoktrinu Hitleri armatën naziste…

-Ideja e gjermanit për t’u kthyer në Shqipëri…

-Në fakt, Johann si arsye të vetme përmendte historinë e orës, por nuk ma do mendja, jo vetëm për këtë. Sidoqoftë, aventura e tij për t’u rikthyer në Shkodër fund e krye kishte të bënte me kërkimet për të rënë në gjurmët e “Erberhard” të rrallë. Së paku për aq sa shprehej ato ditë Johanni, i cili e ruante orën e gjetur pas 30 vitesh në Shkodër si relikën më të shtrenjtë të jetës së tij…

-Si e përshkruante Johann aventurën në kërkim të mjeshtrit Nuh Sahatçia…

-Gjithherë, sa e pyesja për këtë, më rrëfente të njëjtën gja: “Në vitet 1960 bëra çmos të vija e të kërkoja për fatin e orës që kisha lënë në kohën e luftës. E kam pasur me merak të madh atë. E kisha kujtim nga gjyshi. Ishte orë e rrallë, që ishte bërë jashtë serie. Në atë kohë ishte e pamundur që një gjerman të udhëtonte në Shqipëri. Ca më tepër, unë që dikur isha riatdhesuar andej si rob i ushtrisë naziste. Qeveria e Tiranës kishte regjistra të përpiktë e nuk kishte si me ma dhënë vizën. Atëherë shfrytëzova një oportunitet. Duke pasur nënën polake, rregullova një vizë nga Polonia dhe ju bashkangjita një grupi turistësh, që vinin në Shqipëri me ndjek një përvjetor të Skënderbeut. Kur kam mbërrit në Shkodër, më është ngjeth mishi.

M’u kujtua që nji këtë Shkodër kemi desht me e hedh në erë para largimit. Ma vonë kam marrë vesh se kanë kenë dy xheniera italianë, që me burrni e guxim e kanë çminue tue shpëtu kët popull dhe kët qytet të lashtë…”

–Më në fund u takua me Nuh Sahatçinë…

-Kadalë nji herë, se nuk e kishte të lehtë. Sa vura këmbët, më dëftoi Johanni, e njoha Shkodrën menjëherë. Mbante mënd rrapin e madh dhe rrugët e ngushta pranë tij që degëzonin midis shtëpive dykatëshe. Sa për kërkimet në gjurmë të orës, nuk mund të ecte qesim, pastaj duhej me fsheh vetin. Duhej mos me e marrë vesh qi ishte një ish-nazist, qi kishte luftue në Shkodër. E këtë e kishte zgjidh besa bukur…

-Sidoqoftë, si ua përshkruante Johann përpjekjet për të rënë në gjurmët e orëndreqësit?

-Kur u nisa për në Shkodër, më dëftoi ai, kisha me vete matrikullin e orës. Ka kenë një teneqe rrethore me një grep në njërën anë. Ma kishte dhënë mjeshtri qysh në atë kohë dhe e ruaja si hajmali. Ishte e vetmja gjë që do të më çonte te ora ime. Të parit që ja kam tregue, ka kenë përkthyesi, por gjithnjë se bëhej fjalë për orën e një mikut tim. Ai, sa më ka dëgjue, më ka pyet: “Ky shoku yt, që ti po interesohesh aq, e ka orën e vet, apo ia ka rrëmbye ndonjë të vrari, a e ka plaçkit diku?” Iu betova për Krisht dhe ai më besoi. Qëlloi vërtetë njeri i mirë dhe më ndihmoi. Pas disa orvatjesh, gjetëm vendndodhjen e dyqanit. I zoti i tij qëndronte ulur në postiqe, veshur me kostum kombëtar, sikurse atëherë dhe vazhdonte të punonte në mënyrë orientale, si një turk.

Hoqi binoklin nga sytë dhe më kërkoi matrikullin që ishte prej metali, por shërbente si faturë dha ia zgjata. Menjëherë hapi kasafortën. Aty kishte edhe dhjetë–dymbëdhjetë orë të tjera. Më pa në sy dhe më tha: “Shumë–shumë sahatët këtu, qëndrojnë deri në tre muaj, pastaj vijnë e i marrin, por e jotja ka pritur goxha vite. Pata dje një parandjenjë, shtoi dhe duke buzëqeshur më tha se e kishte kurdisur dhe e kishte vënë në punë. Ja, punon…shikoje…”, shtoi me vështrim nga unë. E mora në dorë dhe m’u mbushën sytë me lot. Ishte po ai, “Erberhard” im i shtrenjtë, me të cilin isha ndarë që në vitet e luftës. Tik-taku i tij më çoi thellë në kohë. E çfarë s’më dolën para syve ato çaste.

Ishte shumë prekëse. Kishin kaluar shumë vjet. Kërkova t’i jepja para, por ai më tregoi disa shenja të bëra në matrikullin që sapo i kisha dorëzuar. Dhe më tha: “Zotëri! Kjo orë është paguar!” “ Duhet t’u paguaj magazinimin!”, – i thashë pastaj. “E kena pa lekë”, ma bëri. Më refuzoi edhe ftesën për kafe. I thashë se e kam amanet nga miku im, i zoti i orës, që t’i dhuroja një bakshish, por refuzoi prerë. Atëherë hoqa orën nga dora dhe ia zgjata me nja falë, por ma ktheu mbrapsht me vendosmëri. Ishte e pamundur të merresha me të. Duke dalë i kam hedhur orën time në prehër, mbi postiqe dhe u largova. U largova tue kthye kokën pas. U largova e nuk u ktheva më. Nuh Sahatçinë nuk e kam harru kurrë. Një burrë si atë, rrallë me e gjet kund…”

 

-Me një fjalë, ishte e njëjta histori si ajo që u kishte treguar Andrea Fabbrizi…

-Pak a shumë ishte e njëjta

gjë. Andrea Fabbrizi ishte njohur e miqësue me Johann Arendt qysh prej vitit ‘46. Herë pas here shkëmbenin vizita te njëri-tjetri dhe tue ju rikthye kohës kur ishin nën armë, kujtonin episodet nga Shkodra. Për gjermanin Johann Arendt, emri i mjeshtrit Sahatçia presupozonte virtytin e besës. Andrea Fabbrizi, ndërkaq e lidhte mbijetesën me vetmartirizimin e djaloshit nga Kopliku. Shkurt, për ta Shqipëria thoshte më shumë se vegime lufte… –

Ndonjë mbresë tjetër nga takimi me Johann Arendt?

-Nga ato që rrëfente ai për kohën që kishte kenë në Shqipëri, veç këto të dyja kishte ngulit në kujtesë: Orën që i pati rujt Nuh Sahatçia dhe çastet tragjike kur kishin pushkatue djaloshin nga Kopliku. Kishte pastaj dhe detaje të tjera, të shkëputura nga beteja të ndryshme ne vendin tonë. Kur isha për herë të fundit mysafir në shtëpinë e tij, Johann Arendt më fali bibliotekën personale me rreth 200 libra, makinën e shkrimit, blloqet me kujtime dhe një palë këpucë ushtarake. Me këtë rast, kishe me ju diftue edhe nji letër që ma ka çue para se të vdiste. E kam gjermanisht, por e kam përkthy për qejfin tem. Deri në fund e lëndonte dita e asaj masakrës në Koplik. Për të fletë dhe aty. Me atë mënyrën e vet, ku përtej tronditjes dhe turpit për çka u realizue me urdhrin e tij, veçon aktin e fisnikërisë dhe besës së shqiptarëve, si rrallëkund tjetër…

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.