Intervista

INTERVISTA EKSKLUZIVE/ “PD-ja ta kundërshtojë”, Genc Pollo: Zgjatja e afatit të vetingut, opsioni më i keq

11:00 - 10.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Genc Pollo, themelues i Partisë Demokratike, deputet e ministër përgjatë viteve dhe aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar kundërshton zgjatjen e afatit të organeve të vetingut, ndërsa fton edhe PD-në që ta bëjë një gjë të tillë. Z.Pollo përmes “Gazeta Shqiptare” thotë se vendimi i PS-së për të dërguar për mendim në Komisionin e Venecias nuk qëndron, pasi sipas tij, për opinion dërgohen vetëm projektligjet që rezultojnë komplekse, që janë sensitive ose kundërshtohen fuqishëm. “Asnjë nga këto kushte nuk përmbushet. Shpjegimet zyrtare të PS-së për zgjatjen e vetingut deri 2024-ën janë arsye pa arsye të ngjeshura në tri faqe format A4. Mungojnë analizat, studimet e konsultimet. Nuk duket sensitive apo kontroverse, sepse PD-ja zyrtare po shkëlqen me heshtjen e saj, apo me mosqenien e saj”, – shprehet Genc Pollo. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së flet edhe për situatën brenda PD-së, teksa përmend se pas 25 prillit u bënë gabime, por në gjykimin e tij, e rëndësishme është korrigjimi i këtyre gabimeve.
Zoti Pollo, ditët e fundit politika është përshirë në debatin për zgjatjen e afatit të vetingut. Ju jeni shprehur se është gabim zgjatja edhe disa vite e mandatit të komisionerëve të vetingut dhe se PD-ja duhet të refuzojë amendamentin kushtetues të PS-së. Për cilat arsye?
Kështu mendoj, bazuar në sa e njoh procesin. Do t’ju rekomandoja edhe një studim të Fakultetit të Drejtësisë/UT-së të publikuar së fundmi që ka gjetur p.sh., dopiostandarde e standarde retroaktive (d.m.th., kërkon për transaksionet e vitit 1995 fatura e kontrata si të ishin të vitit 2019). Prandaj, mua më duket opsioni më i keq. Por, gjithsesi, ky është mendimi im, ndërkohë që ka njerëz me njohje më të plotë të vetingut e që nuk po flasin se askush nga politika nuk i fton për të folur.
Brenda grupit parlamentar zëra si deputeti Spaho kanë kërkuar sqarime.
Kolegët e nderuar këto ditë kanë preferuar të flasin gjerë e gjatë për “akademinë e barinjve” që njoftoi qeveria. A thua se po rithemelohej Akademia e Platonit pas 24 shekujsh! Ajo shkollë barinjsh edhe po u bë keq, do të dëmtojë taksapaguesin sa 0,3% e një PPP-je abuzivo-korruptive. Dhe një shkak që këto PPP vazhdojnë (shihni: pa zhurmë e bujë e riaktivzuan koncesionin Thumanë-Kashar!) është edhe gjendja e drejtësisë, përfshi edhe paralizimin e drejtësisë nga vetingu. Prandaj, duhet debat publik për të arritur zgjidhjen më të mirë. Se me marrëveshja mbas kuintave kemi arritur gjithmonë zgjidhjen më të keqe për publikun e më të leverdisshme për pushtetin.
Si e shikoni vendimin e mazhorancës për ta dërguar për mendim në Komisionin e Venecias?
Në Komisionin e Venecias dërgohen për opinion projektligjet që rezultojnë komplekse, janë sensitive ose kundërshtohen fuqishëm. Asnjë nga këto kushte nuk përmbushet: Shpjegimet zyrtare të PS për zgjatjen e vetingut deri 2024 janë arsye pa arsye të ngjeshura në tre faqe format A4. Mungojnë analizat, studimet e konsultimet; Nuk duket sensitive apo kontroverse sepse PD-ja zyrtare po shkëlqen me heshtjen e saj. Apo me mosqenien e saj. Në këto kushte në Venecia vetëm do të habiten e do të qeshin me ne.
Ju flisni për paralizë të drejtësisë nga vetingu që lejon vazhdimin e PPP-ve. Por SPAK është vetinguar…
Ashtu është! Por barra e shpjegimit bie mbi SPAK- un për dopiostandartet e dukshme: Kur një deputet socialist tha një gjysmë akuze për abuzime në bashkinë e Fierit SPAK-u brenda javës vajti atje e njoftoi sekuestrimin e dokumenteve. Kurse për rastin e inceneratorëve, të denoncuar prej më shumë se dy vjetësh nga Partia Demokratike, nuk ka bërë asnjë hap e asnjë njoftim. Ndërkohë që dëmi financiar në këtë rast nuk ka të krahasuar edhe me totalin e abuzimeve në të gjitha bashkitë e vendit.
Ky mosbesim është shkaku që nuk pranohet që SPAK të bëjë vetingun e politikanëve?
Po të lësh mënjanë propagandën e të shohësh statistikat, performanca e SPAK-ut në dënime, konfiskime etj. nuk është më e lartë se ajo e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (PKR). Ndërkohë që SPAK, ndryshe nga PKR, jo vetëm është vetinguar, por edhe është mbështetur me miliona euro-dollarë. Unë padyshim uroj që të jetë i suksesshëm. Por ne duhet të shqetësohemi kur duket se nuk është ky rasti.
Pas përjashtimit të z.Berisha nga grupi parlamentar, PD po kalon një situatë të vështirë ndërkohë që deputetë pranë z.Basha janë deklaruar se lufta në PD nuk ka palë vetëm kryetarin e ish-kryetarin, por edhe ShBA…
Me siguri po rivalizojnë mikun tim Avokat Ngjelën si zëdhënës ekskluziv të qëllimeve amerikane në trojet shqiptare.
Nëse në PD nuk kemi trekëndësh Basha, Berisha e ShBA a kemi një trekëndësh Rama-Meta-Berisha kundër Bashës?
Nuk flas dot për përralla pa mbret. Por nga leximet dimë që anijet pa busull zhdukeshin në trekëndëshin e Bermudës.
Mbështetësit e kryetarit Basha thonë se ai u zgjodh nga anëtarësia në qershor me shumicë të stërmadhe ndaj është legjitim dhe mund të refuzojë kuvendin e foltores…
Shikoni unë e kam thënë e përsëritur se shumë nga ne bënë gabime mbas 25 prillit. E them prapë për hir tuaj. Po kjo në fakt është një apel më shumë për korrigjimin e gabimeve. Sa për legjitimitetin shihni Ramiz Alinë e Partinë e Punës në votimet e 31 marsit 1991, pak muaj pas zyrtarizimit të PD-së. Ata fituan me 2/3. Por shumë shpejt u detyruan të bëjnë sërish zgjedhje parlamentare ku nuk morën dot as 1/3 e mandateve. Historia është mësuese e jetës thoshte Ciceroni.
Si mund të tejkalohet kjo situatë? Si vjen ndryshimi pozitiv sipas jush?
Besoni votën e lirë dhe ndryshimin përmes saj! Shihni Maqedoninë e Veriut së fundmi! Shihni para saj Kosovën e Malin e Zi! Por duhet një projekt i ri në opozitë që të mobilizojë qytetarët.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.