OPINION

Pse protestojnë fermerët e Lushnjës?

12:08 - 16.11.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk mjaftoi që projekt-buxheti për vitin 2022 i qeverisë, në fondet e parashikuara për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të ishte 2 përqind më i ulët se sa ai i vitit 2021, në nivel të shifrës totale. Nuk mjaftoi që investimet e brendshme për sektorin e bujqësisë në total, krahasuar me vitin 2021, të uleshin me më shumë se një të pestën, kurse investimet e huaja me afro një të katërtën. Projekt-buxheti goditjen më të madhe ia dha infrastruktures së ujitjes dhe kullimit, duke e financuar me 55 përqind më pak se paratë që i dha për këtë vit. Ndërkohë që investime të huaja për infrastrukturen e ujitjes nuk ka fare. Qeveria ndoshta pa rritjen e prodhimit bujqësor dhe të eksporteve bujqësore gjatë pandemisë dhe mendoi “ky sekto mbahet vetë!”(si puna e turizmit?!). Por nuk llogariti si duhet dëmet që i shkakton fermerëve në bujqësi dhe subjekteve të tjera private që punojnë me lëndë të para bujqësore, mungesa e ujit për vaditje, thatësirat e tejzgjatura dhe temperaturat e larta. Pa para të shumta të buxhetit të Shtetit dhe pa investime të huaja në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, është e pamundur të zhvillohet si duhet bujqësia jonë dhe i gjithë prodhimi rural. Nuk mjaftuan të gjitha këto. Qeveria paraqiti me projekt-buxhetit 2022 dhe paketën e re fiskale, ndryshimet që kishte menduar të bënte vitin e ardhshëm në ligjet për taksat. Ndërkohë, fermerët u derdhën në aksin rrugor të Rrogozhinës më datën 12 nëntor dhe provuan edhe ta bllokonin atë, në shenjë proteste për ndryshimet në legjislacionin tatimor që qeveria jonë ka propozuar për vitin e ardhshëm. Me paketën e re fiskale, lëndëve të para bujqësore ju shtohet një taksë prej 10 përqind tatim mbi vlerën e shtuar(TVSH). Qeveria kësisoj “ju dhuron” një taksë të re fermerëve, pikërisht në një kohë kur çmimet e lëndëve të para që ata përdorin janë shtuar ndjeshëm në tregun ndërkombëtar dhe nuk dihet se kur dhe në ç’nivel do të ndalet kjo rritje. Qeveria ka llogaritur një përfitim 900 milionë lekë(7.3 milionë euro) në buxhet nga kjo taksë. Por, për fat të keq, dëmi që iu shkakton prodhuesve në bujqësi dhe në të gjithë zinxhirin ushqimor, në këtë periudhë krize, mbas tërmetit dhe në pandemi, si dhe në kushtet e rritjes së ndjeshme të çmimeve, është disa herë më i madh. Nga ana tjetër, prodhimeve të fermerëve vendas ju hiqet fare edhe rimbursimi prej 6% i TVSH-së dhe ju bëhet zero rimbursimi TVSH-së për vitin 2022. Pa asnjë studim mbi kostot dhe përfitimet dhe pa pyetur për dëmin që ju shkaktua fermerëve dhe pasojat negative që solli veçanërisht në blegtori (në uljen e ndjeshme të numrit të krerëve të bagëtive të imta dhe të trasha) dhe në prodhimin e qumështit, ulja e rimbursimit të TVSH-së nga 20 përqind në 6 përqind në këto tre vitet e fundit. TVSH ka qenë dhe është një instrument me rëndësi për formalizimin e fermerëve dhe heqja e tij rrezikon ta kthejë sektorin në totalisht informal! Fermerët e Lushnjës kërkojnë në pankartat e tyre subvencionim(pagesë me para në dorë) direkt të fermerit për njësi të prodhimit, me 10 lekë për kg apo litër. Pra, për shembull, fermerit Shteti t’i japë 10 lekë për litër qumësht të prodhuar dhe të shitur. A mund të realizohet kjo? Kosova e ka provuar me pagesë në dorë 10 cent euro(diçka pak mbi 12 lekë) për litër qumësht të prodhuar dhe nga një informalitet 90 përqind të shitjes së qumështit tek përpunuesit tre vjet më parë, pas subvencionit, tani e ka informalitetin vetëm 50 përqind. Sipas fermerëve, pagesa me para në dorë është një instrument për formalizim(citime nga pankartat), instrument zhvillimi, dhe jo përkrahje sociale, si dhe lufton korrupsionin dhe burokracinë. A kanë të drejtë? Po! Fermerët kanë të drejtë. Ata kanë dalë edhe sot në protestë. A do t’i dëgjojë qeveria? Të shohim.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.